jump to navigation

A nuk ka argumente të arsyeshme që e bëjnë sot të pabesueshme lindjen e virgjër?

Postuar tek: Përgjigje dhe Argumente

Zoti, ndoshta, mund të kishte zgjedhur edhe një rrugë tjetër për të dërguar në këtë botë Birin e tij, por është fakt se rruga që ai zgjodhi ishte lindja e virgjër.

Ungjijtë shkruajnë se Maria dhe Jozefi nuk patën lidhje seksuale intime derisa lindi Krishti dhe se “ai nuk e njohu derisa lindi djalin e saj të parë, të cilit ia vuri emrin Jezus.” (Mateu 1:25) Dhiata e Re, gjithashtu, na rrëfen, se dihej që Jozefi nuk e kishte të tijin Jezusin dhe se shumica e njerëzve mendonin se Maria kishte lidhje të jashtëligjshme me dikë. Edhe pse lindja e virgjër është dhënë si fakt historik dhe se shumë gjëra e bënin të domosdoshme, shumë njerëz akoma shpallin me zë të lartë vërejtje të shumta kundër kësaj ngjarjeje.

Problemi kryesor që njerëzit kanë lidhur me lindjen virgjërore është se ajo është një mrekulli. Shkrimi nuk e trajton këtë si ndodhi të thjeshtë, por si veprim mbinatyror të Zotit. Mrekullia e lindjes virgjërore nuk ka përse të paraqesë problem, nëse dikush pranon mundësinë e mrekullive. E përse, mund të pyesim ne, lindja nga një virgjëreshë është një çudi më e madhe sesa, le të themi, të ushqesh 5000 vetë, ose shëtitja e Jezusit përmbi ujë? Nëse ekziston një Zot i plotfuqishëm, lindja e virgjërt nuk do të ishte jashtë mundësive të tij.

Një kundërshtim i rëndomtë për lindjen virgjërore është se ajo mbetet pamundësi biologjike, vërejtje e pranuar prej atyre që nuk kanë dije në këto gjëra. C. S. Lewis bëri këto vërejtje lidhur me këtë:

E kështu, ju mund të dëgjoni të thonë: të krishterët e hershëm besonin se Krishti ishte biri i virgjëreshës, por ne dimë se kjo është pamundësi shkencore. Njerëz të tillë me sa duket mendojnë se besimi ndaj mrekullive u kultivua në një periudhe, kur njerëzit ishin krejt të paditur ndaj punëve të natyrës dhe për pasojë nuk konceptonin mrekullinë si një fenomen që bie në kundërshtim me natyren.

Mirëpo mendimi ynë i përqëndruar në këtë çështje do ta konsideronte këtë pretendim një budallallëk, me tregimin e lindjes së virgjër si një shembull jashtëzakonisht bindës. Kur Jozefi zbuloi se e fejuara e tij do të lindte fëmijë, ai, natyrisht, vendosi ta mohonte atë. Pse? Sepse ai e dinte po aq mirë sa dhe gjinekologët modernë se sipas rrugës naturale, gratë nuk bëjnë fëmijë, pa fjetur me një burrë.

Pa dyshim se gjinekologu modern di gjëra të ndryshme rreth lindjes dhe shkakut të cilat Jozefi nuk i njihte. Por këto gjëra nuk i interesojnë problemit kryesor — që një lindje virgjërore është në kundërshtim me rrjedhën e natyrshme të gjërave. Jozefi e dinte mirë këtë. (Miracles, f.48) Disa janë përpjekur ta shpjegojnë lindjen e virgjërt sipas modelit të mitologjisë greke ose babilonase. Ata arsyetojnë se shkrimtarët e Ungjillit e huazuan këtë histori nga mitologjia e kohës së tyre. Por kjo pikëpamje nuk përputhet me faktet, sepse nuk ka asnjë rast në mitologjinë pagane, për të cilin të pretendohet një lindje e virgjërt dhe, për më tepër, do të ishte krejt e pakonceptueshme për një mendje çifute të ndërtonte një histori të tillë nga mitologjia.

Shumë hyjni midis grekëve, babilonasve dhe egjiptianëve ishin shpallur si të lindur në mënyrë të pazakonte, veçse shumica e tyre kurrë nuk ekzistuan në të vërtetë. Tregimet janë të mbushura me elemente mitologjike të cilat janë të papranishme në tregimet ungjillore. Ato janë tregime për një hyjni apo hyjneshë të lindura në këtë botë nga marrëdhënia midis një qënieje qiellore dhe një gruaje tokësore ose nga marrëdhëniet imorale midis hyjnive dhe hyjneshave.

Dr. Thomas Thorbum komenton këtë ashtu siç duhet: “Të gjitha këto histori të ngjizjeve dhe të lindjeve të mbinatyrshme që ne i ndeshim në folklorin dhe në historinë e mitologjisë, kanë këtë pikë të përbashkët — ata shërbejnë për të treguar jo aq ngjashmerinë sesa kontrastin dhe pangjashmërinë e plotë që ekziston midis historisë së krishterë të të lindurit dhe përrallave që janë të shumta në ciklet e ndryshme pagane. (Thomas James Thornburn: A Critical Examination of the Evidences for the Doctrine of the Virgin Birth, f.158) Kështu që kur marrim së afërmi në shqyrtim vërejtjet lidhur me lindjen e virgjërt, bindemi gjithnjë e më shumë se ajo ndodhi me të vërtetë po ashtu siç pohon raporti historik në ungjij.