jump to navigation

ASPEKTE TË LAVDIVE TË KRISHTIT

Postuar tek: Ja Dallimi

Kur flasim për lavditë e Krishtit, u referohemi cilësive supreme të Tij në Personin, pozitën dhe veprën e Tij. Ka të bëjnë me përsosmëritë morale dhe frymërore, që mund të vihen re nëpërmjet syrit të besimit nëpërmjet Fjalës së Perëndisë ose nënkupton madhështinë dhe lavdinë e Tij fizike tani në qiell ose kur të kthehet në tokë si Mbret mbi mbretër dhe Zot mbi zotër.

Është e pamundur t’i numërosh të gjitha lavditë e Zotit Jezu Krisht. Ato as që mund të përshkruhen me fjalë. Në këtë studim ne do ta kufizojmë veten në shtatë aspekte të kësaj lavdie që ne gjejmë në Shkrimet e Shenjta.

Lavdia e Tij origjinale personale si Perëndia Biri

Kjo u referohet të gjitha cilësive dhe përsosmërive të hyjnishmërisë së Krishtit. Kjo lavdi është e përjetshme dhe gjithmonë ekzistuese. Ai është i njëjtë me shkëlqimin e lavdisë së Perëndisë (Heb. 1:3). Zoti Jezus nuk mund ta zbrazte Veten nga kjo lavdi dhe as nuk mund ta linte mënjanë. Kjo është një pjesë e pandarë e ekzistencës së Tij. Kjo përfshin të gjitha atributet dhe virtytet e Tij të mrekullueshme. Kur erdhi në tokë, Ai e mbuloi lavdinë e Tij me një trup mishi, por lavdia ishte e pranishme gjatë gjithë kohës dhe shkëlqeu në kohë të caktuara si në shndërrimin (Mat. 17:1-8; Marku 9:1-8; Lluka 9:28-36).

Lavdia e Tij pozicionale në qiell

Zoti Jezus ka zënë një vend të papërshkrueshëm nderi dhe lavdie në gjithë përjetësinë. Ai ishte kënaqësia Atit të Tij dhe objekt adhurimi për engjëjt. Por për shpengimin e njerëzimit, Ai zgjodhi të mos e mbante atë pozitë. Në vend të saj, Ai e zbrazi Veten nga ajo (Fil. 2:7a, përkthim fjalë për fjalë), mori formën e një shërbyesi dhe erdhi në formën e njeriut. As që mund të vihet në dyshim lavdia e Tij pozicionale kur Çarls Uesli po mendonte kur ai shkroi: «Të butë e lë Ai lavdinë, i lindur që njeriu të mos vdesë më»1.

Është tepër e rëndësishme të kuptojmë se vet-zbrazja e Shpëtimtarit i referohet vetëm pozitës së Tij në qiell dhe jo Personit të Tij. Një princ mund të largohet nga një pallat dhe të jetojë në xhungël, por ai është i njëjti person. Në Gjonin 17:5, Shpëtimtari u lut: «Tani, pra, më përlëvdo, o Atë, pranë Teje, me lavdinë që Unë e kisha pranë Teje para se të bëhej bota». Me fjalë të tjera, Ai po kërkonte restaurimin e lavdisë së Tij pozicionale, që Ai kishte me Atin, por që e la mënjanë kur erdhi në tokë.

Lavdia e jetës së Tij në tokë si Biri i Njeriut

Si njeri në tokë, Zoti Jezus ishte i lavdishëm në mrekullitë që Ai bëri. Kështu ne lexojmë: «Jezusi bëri këtë fillim të shenjave në Kanë të Galilesë dhe e shfaqi lavdinë e Tij» (Gjoni 2:11a). Ai ishte i lavdishëm në përsosmërinë e karakterit të Tij. Ai nuk kishte mëkat, Ai nuk mëkatoi, nuk pati asnjë mëkat në Të (2 Kor. 5:21; 1 Pje. 2:22; 1 Gjoni 3:5). Ai ishte kaq i përsosur saqë Ai nuk mund të bënte asgjë sipas vullnetit të Tij. Ai mund të bënte vetëm gjërat e Atit (Gjoni 5:19)2 dhe Ai mund të fliste vetëm fjalë të Atit (Gjoni 13:50; 17:8). Pilati e pranoi se nuk kishte asgjë të gabuar në Të (Lluka 23:14, 22; Gjoni 18:38; 19:4, 6). Vendimi i Herodit ishte se Ai nuk kishte bërë asgjë të gabuar për të vdekur (Lluka 23:15). Vjedhësi që po vdiste dëshmoi se Jezusi nuk kishte bërë asgjë të gabuar (Lluka 23:41). Madje edhe Juda e pranoi se ai kishte tradhtuar gjakun «e pafajshëm» (Mat. 27:4). Shpëtimtari jo vetëm që ishte i lavdishëm në pamëkatshmërinë e Tij, por Ai ishte i lavdishëm në të folurit e Tij. Njerëzit në Nazaret u mahnitën nga fjalët që dilnin nga goja e Tij (Lluka 4:22). Ushtarët që shkuan ta arrestonin e pranuan: «Asnjeri tjetër nuk ka folur ndonjëherë si ky Njeri!» (Gjoni 7:46). Ai ishte i lavdishëm në të qenët njeri. Kjo është çfarë e quajmë lavdia morale e Zotit tonë Jezu Krisht.

Lavditë e Tij të fituara

Zoti nuk do të ishte bërë Shpëtimtari ynë, po të kishte qëndruar në qiell. Por Ai u bë Shpëtimtari ynë i përkryer duke u kryqëzuar dhe u ngritur nga të vdekurit. Kështu ne lexojmë:

Sepse i duhej Atij, për të cilin dhe nëpërmjet të cilit janë të gjitha, duke çuar shumë bij në lavdi, ta bënte të përsosur me anë të vuajtjeve sjellësin e shpëtimit të tyre (Heb. 2:10).

Dhe, si u bë i përkryer, u bë vepronjësi i shpëtimit të amshuar për të gjithë ata që i binden (Heb. 5:9).

Është e qartë se Ai nuk mund të bëhej i përkryer për sa i përket Personit të Tij. Ai gjithmonë ka qenë i përkryer në atë aspekt. Por Ai mund të bëhej dhe u bë Shpëtimtar i përkryer.

Zoti e fitoi këtë lavdi kur u kryqëzua në kryqin e Kalvarit. Ai tha:

Ora ka ardhur, në të cilën Biri i Njeriut duhet të përlëvdohet (Gjoni 12:23b).

Krahas lavdisë së fituar si Shpëtimtar i përkryer, Zoti Jezus fitoi edhe përlëvdime të tjera nëpërmjet mishërimit dhe veprës flijuese të Tij. Po të mos ishte mishëruar, Ai nuk mund të ishte bërë Mesia, sepse Krishti duhej të ishte pasardhës i Davidit. Pa kryqëzimin në Kalvar, Ai nuk mund të ishte Kryeprift, Avokat, Ndërmjetës, Lutës për të tjerët, Shpengues, Bariu i Mirë, Trashëgimtar i të gjitha gjërave, Gjykatës dhe Kreu i Kishës. Ai nuk do të kishte pasur Emrin mbi të gjithë emrat ose të ishte i Parëlinduri nga të vdekurit. Çdo titull, që është fryt i mishërimit, vdekjes, varrosjes dhe ringjalljes së Tij, është lavdi e fituar.

Një rast tjetër i lavdisë së Tij të fituar gjendet në Gjonin 17:10:

Dhe të gjitha gjërat e Mia janë të Tuat dhe gjërat e Tua janë të Miat; dhe Unë jam përlëvduar në to.

Përlëvdimi nga besimtarët është diçka që mund të ndodhte vetëm si rezultat i veprës së Tij në kryqin e Kalvarit. Në 2 Thesalonikasve 1:10a, Pali e lidh këtë në një mënyrë të veçantë me ardhjen e Tij të Dytë:

Kur Ai të vijë, atë ditë, për të qenë i përlëvduar në shenjtorët e Vet, për të qenë i admiruar në mes të atyre që kanë besuar…

Lavdia e ringjalljes dhe ngritjes së Tij në qiell

Përsëri në Gjonin 17:1, Zoti i referohet Kalvarit sikur tashmë të kishte ndodhur. Ai lutet që Ati ta përlëvdonte Atë, d.m.th. ta ngrinte nga të vdekurit, që Biri, nga ana tjetër, të përlëvdonte Atin. Një pjesë e ngjashme me këtë e Shkrimeve të Shenjta gjendet në Gjonin 13:31-32:

Kur doli ai {Juda}, Jezusi tha: «Tani Biri i Njeriut është përlëvduar dhe Perëndia është përlëvduar në Të. Në qoftë se Perëndia është përlëvduar në Të, Perëndia do ta përlëvdojë edhe në Vetvete dhe to ta përlëvdojë menjëherë».

Ai po fliste për vdekjen e Tij, si një mënyrë në të cilën Ai u përlëvdua dhe nëpërmjet të cilës i solli lavdi të madhe Atit. Me fjalë të tjera vargun 32 mund ta thonim: Meqë Perëndia është përlëvduar nga vepra e Krishtit në kryq, Perëndia do të përlëvdojë Atë, d.m.th. duke e ngritur nga të vdekurit menjëherë. Kjo është pikërisht çfarë ndodhi. Ati u ngrit ditën e tretë.

Ja edhe disa vargje të tjera që flasin për lavdinë e ringjalljes dhe ngritjes së Tij në qiell:

Por a nuk duhej që Krishti të vuajë gjëra të tilla që të hyjë kështu në lavdinë e Tij? (Lluka 24:26).

Por këtë Ai e tha për Frymën, që do të merrnin ata që do të besonin në Të; sepse Fryma e Shenjtë në fakt nuk ishte dhënë ende, sepse Jezusi ende nuk ishte përlëvduar (Gjoni 7:39).

Dishepujt e Tij nuk i kuptuan për momentin këto gjëra, po, kur Jezusi ishte përlëvduar, atëherë u kujtuan se këto gjëra ishin shkruar për Të dhe që i kishin bërë këto gjëra për Të (Gjoni 12:16).

Perëndia i Abrahamit, e Isakut dhe Jakobit, Perëndia e etërve tanë e ka përlëvduar Birin e Tij Jezusin, të cilin ju ia dorëzuat Pilatit dhe e mohuat përpara Tij, megjithëse Ai kishte vendosur ta lironte (Veprat 3:13).

{Ai} u ngrit në lavdi (1 Tim. 3:16, pjesa e fundit e vargut).

Që, nëpërmjet Tij, të besoni në Perëndinë që e ringjalli prej së vdekurish dhe i dha lavdi (1 Pje. 1:21).

Lavdia e ringjalljes dhe ngritjes në lavdi bëhet një dhe e pandarë me lavdinë e Tij të amshuar në qiell. Ato janë të pandara.

Lavdia e Ardhjes së Dytë dhe e Mbretërisë së Tij

Në Dhjatën e Re ka më shumë referenca për këtë lavdi se ndonjë lloj lavdie tjetër. Biri i Njeriut do të vijë mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe (Mat. 24:30). Atëherë, Ai do të përlëvdohet në shenjtorët e Tij dhe do të admirohet nga të gjithë ata që besojnë (2 Thes. 1:10). Kur Ai të ulet në fronin e lavdishëm të Tij, Ai do të shpërblejë apostujt dhe të gjithë ndjekësit e Tij (Mat. 19:28), dhe do të gjykojë kombet (Mat. 25:31-33). Kur të vijë në lavdinë e Tij (Lluka 9:26), Atij do t’i vijë turp për ata që kishin pasur turp nga Ai dhe fjalët e Tij. Jakobi dhe Gjoni me papjekuri kërkuan të uleshin njëri në të djathtën dhe tjetrin në të majtën e Tij në lavdinë e mbretërisë së Tij të ardhshme (Marku 10:37). Ata që tashmë janë pjestarë të mundimeve të Krishtit, do të gëzohen dhe ngazëllohen në zbulesën e lavdisë së Tij në Mijëvjeçarin (1 Pje. 4:13).

Shndërrimi i Krishtit ishte një shembull i Mesias në lavdinë e Tij si Mbret mbi mbretër dhe Zot mbi zotër. Pjetri, Jakobi dhe Gjoni e panë lavdinë e Tij në malin e shenjtë.

Dhe ne soditëm lavdinë e Tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë (Gjoni 1:14b)3.

Pjetri dhe shokët e tij ishin … kur u zgjuan plotësisht, panë lavdinë e Tij dhe ata dy burra që ishin bashkë me Të (Lluka 9:32).

Më vonë Pjetri iu referua shndërrimit dhe e shpjegoi se kishte të bënte me fuqinë dhe ardhjen, d.m.th. ardhjen në fuqi të Zotit Jezus Krisht (2 Pje. 1:16). Lavdia e Krishtit në mbretërinë e Tij përmendet edhe në Gjonin 17:22. Atje Kryeprifti ynë thotë:

Dhe Unë u kam dhënë lavdinë që Më ke dhënë, që ata të jenë një, ashtu si Ne jemi një.

Në njëfarë kuptimi, ne i shijojmë disa nga këto lavdi tani, si bij të Perëndisë, si vëllezërit e Tij, si pjesëtarë të Trupit të Tij dhe si bashkëtrashëgimtarë me Të. Por në këtë pjesë të Shkrimeve të Shenjta, Ai flet gjithashtu për sundimin e Tij në tokë sikur të ishte i atëhershëm. Ne do të sundojmë me Të për 1000 vjet (Zbu. 20:4c). Kur Ai të lartësohet në lavdi, edhe ne do të shihemi në lavdi gjithashtu. Në kohët tona, bota as nuk i dallon as nuk i pëlqen besimtarët e Perëndisë.

Prandaj bota nuk na njeh, sepse nuk e ka njohur Atë (1 Gjoni 3:1b).

Por kur Ai të vijë në lavdi, besimtarët do të shihen në lavdi gjithashtu:

Kur të shfaqet Krishti, jeta jonë, atëherë edhe ju do të shfaqeni në lavdi bashkë me Të (Kol. 3:4).

Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur ç‘do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet Ai, do të jemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim se si është Ai (1 Gjoni 3:2).

Atëherë bota do ta shohë unitetin midis Zotit Jezus dhe ndjekësve të Tij dhe do ta dijë se Ati e dërgoi Birin dhe se Perëndia i do shenjtorët ashtu siç do edhe Birin.

Lavdia e Tij e tanishme në qiell

Dëshira e Zotit Jezus, e shprehur në Gjonin 17:24, është që ata që e duan Atë të jenë me Të në qiell, që ata të sodisin lavdinë e Tij. Me anë të besimit, ne tashmë mund ta shohim atë atje, të kurorëzuar me lavdi dhe nderime:

Por shohim Jezusin të kurorëzuar me lavdi dhe me nder për vdekjen që pësoi; Ai u bë për pak kohë më i vogël se engjëjt, që me hirin e Perëndisë të provonte vdekjen për të gjithë njerëzit (Heb. 2:9).

Lavdia e Tij e tanishme në qiell është ajo që Pjetri quan lavdi të përjetshme të Jezusit:

Dhe Perëndia i çdo hiri, që ju thirri në lavdinë e Tij të përjetshme në Krishtin Jezus, mbasi të keni vuajtur për pak kohë, do t’ju bëjë të përsosur Ai vetë, do t’ju bëjë të patundur, do t’ju forcojë dhe do t’ju vërë themel (1 Pje. 5:10).

Sidoqoftë, kjo lavdi në një farë kuptimi është e ndryshme në një farë mase nga ajo para se të vinte në tokë. Tani Ai është në qiell si një Njeri i përlëvduar krahas lavdisë së hyjnishmërisë së Tij.

Lavdia e Tij e tanishme është një kombinim i të gjitha lavdive të Tij, të trashëguara dhe të fituara. Është lavdia e hyjnishmërisë, mishërimit, atributeve, pozitës dhe karakterit të Tij. Ne nuk jemi thirrur për të marrë pjesë nga ato, por për t’u ngazëlluar në to dhe për t’i dhënë Atij lavdi përgjithmonë.

Shënime:

1. Në këngën e tij të preferuar të Krishtlindjes: «Hark the Herald Angels Sing».
2. Kjo, rastësisht, i përgjigjet pyetjes: «A mund të mëkatonte Jezusi»? Ai mund të bënte vetëm çfarë pa në Atin dhe kjo e përjashton mëkatimin. Ai gjithmonë bëri ato gjëra që e kënaqnin Atin (Gjoni 8:29) dhe kjo gjithashtu e përjashton mëkatin.
3. Ky varg mund t’i referohet edhe lavdisë së Tij si Njeri në tokë, por përdorimi kryesor është bërë në referencë të shndërrimit të Tij.