jump to navigation

KAPITULLI 15: AUTORITETI I BESIMIT

Postuar tek: Ndryshoje Botën me anë të Lutjes

Në Shkrim, malet janë simbol i forcës dhe i qëndrueshmërisë. Ata përfaqësojnë edhe vështirësitë e pakapërcyeshme. Perëndia u ka premtuar bijve të Tij se do t’iu lehtësojë ecjen duke sheshuar malet. Megjithatë Ai u lë pengesa në rrugën e tyre, male që u përket atyre t’i zhvendosin. Pra, në Shkrim ka dy lloje “malesh”.

Disa male, pra, disa vështirësi, lejohen nga Perëndia për të mirën tënde frymërore, të cilat janë për bekimin tënd. Mund të ngadalësojnë ecjen tënde, por forcojnë besimin tënd, të inkurajojnë që të lutesh dhe të çojnë të këmbëngulësh deri në çastin kur do të vijë përgjigjja e Perëndisë. Malet që Perëndia i lejon janë pengesa të përkohshme. Kur t’i përballosh duke këmbëngulur në lutje, Ai do të të mësojë të fshehta të thella frymërore dhe, nëse nuk do të shkurajohesh, do të korrësh në kohën e duhur (Galatasve 6:9).

Një nga mësuesit e mi më të dashur të Biblës e përsëriste shpesh këtë shprehje: “Orët e Perëndisë kanë një orar të përsosur”. Perëndia nuk është asnjëherë shpejt dhe, më vonë, në fund, do të zbulosh se pse ishte vonuar shumë për t’iu përgjigjur lutjes tënde. Në disa raste përgjigjen do ta marrësh vetëm në qiell. Ki besim tek Perëndia: Ai e di se ç’bën. Megjithatë, mund të jesh i sigurtë për këtë. Kur Perëndia lejon një pengesë në ecjen tënde po të përgatit një bekim.

Satani është një përgatitës pengesash shumë i zoti saqë, shpeshherë, mund të jenë të larta si malet. Por bëhet fjalë për male plotësisht të ndryshëm nga ata që përshkruam më parë. Dora-dorës që lutesh, do ta kuptosh se ato pengesa nuk vijnë nga Perëndia, por që gjendesh i përfshirë në një konflikt frymëror kundër forcave të errësirës. Satani dhe ndjekësit e Tij të bllokojnë, me qëllim që të pengojnë veprën e Perëndisë dhe të çnderojnë emrin e Jezusit.

Por a mund të bllokojë Satani një bir të Perëndisë? Po, mund ta bëjë, por vetëm për një kohë të kufizuar. Djalli vazhdimisht pengoi Palin të shkonte në Thesaloniki (1 Thesalonikasve 2:18), por, në fund, pengesa u hoq dhe Pali u nis për të kryer shërbesën e tij (Veprat e Apostujve 20:1,2). Perëndia nuk do të lejojë kurrë që Satani të të bllokojë plotësisht. Perëndia dëshiron që t’i zhvendosësh malet. Ai nuk dëshiron që ti të dorëzohesh duke braktisur vendin ku Ai të ka vendosur dhe rrugën që të ka treguar. Shumë male vendosen nga armiku, dhe ato duhet të zhvendosen.

Por si mund të zhvendosen malet? Natyrisht do të presësh që Jezusi të të thotë që t’i drejtohesh Perëndisë në lutje që Ai të të sheshojë rrugën. Është e vërtetë se ka probleme që mund të zgjidhen nëpërmjet lutjes (Marku 9:29), por Jezusi na ka dhënë një mjet tjetër, që, së bashku me lutjen, është në gjendje të zhvendosë pengesat. Ai pohon: “Po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoni këtij mali: Zhvendosu nga këtu atje dhe ai do të zhvendoset dhe asgjë nuk do të jetë e pamundshme për ju” (Mateu 17:20).

SHEMBUJ TË AUTORITETIT TË BESIMIT

Krishti u ka dhënë të Tijve fuqi mbi forcat kundërshtare, që ne mund ta quajmë autoritet të besimit. Ky është i njëjti autoritet që kanë ushtruar disa nga njerëzit e Perëndisë, në Dhjatën e Vjetër. Për shembull, shkopi i Moisiut ishte simbol i autoritetit të tij, si përfaqësues i Perëndisë përballë Faraonit dhe magjistarëve të oborrit, të cilët vepronin në emër të forcave të errëta. Disa herë Moisiu lutej për të mundur të keqen, por herët e tjera, me urdhërin e Perëndisë, përdori thjesht shkopin si simbol të autoritetit të tij. Perëndia i tha Moisiut të shtrinte shkopin dhe të prekte ujërat e Nilit që më pas u shndërruan në gjak. Dhe ishte pikërisht shkopi i tij që shënoi fillimin e të gjithë gjykimeve të Perëndisë mbi egjiptianët, siç tregohet në kapitujt 7-10 të Eksodit. Kur Izraeli arriti në Detin e Kuq, Moisiu u lut dhe Zoti i tha: “Përse më bërtet mua?” (14- 15). Pastaj Zoti i dha urdhër të shtrinte shkopin e tij drejt detit; atëherë ujërat u ndanë dhe populli i Izraelit kaloi në tokë të thatë.

Ndonjëherë nuk mjafton të lutemi, por është e nevojshme të përdorim fuqitë që Perëndia na ka dhënë. Kjo na bën të ecim fitimtarë. Elia ishte njeri i fuqishëm i lutjes, por disa herë iu desh të përdorte edhe autoritetin e tij frymëror. Në Sarepta ai urdhëroi vejushën që t’i përgatiste për të ngrënë dhe Perëndia, më pas, parashikoi për nevojat e saj deri në fund të zisë (1 Mbretërve 17:8-16). Ai pohoi përballë kapitenit të ashpër të Ashaziahut: “Në rast se jam një njeri i Perëndisë të zbresë zjarr nga qielli” (2 Mbretërve 1:10) dhe me të vertetë zbriti zjarri që konsumoi kapitenin dhe të pesëdhjetë njerëzit e tij. Kur Elia dhe Eliseu arritën në lumin Jordan, Elia nuk u lut por kaloi ujërat e Jordanit dhe përsëri ato u ndanë (2:14).

Jezusi e përdori gjithmonë autoritetin e Tij frymëror. Në Kanë të Galilesë Ai urdhëroi shërbëtorët të mbushnin enët me ujë dhe, kështu, ndodhi mrekullia e Tij e parë. Mjaftonte t’i thoshte lebrozit: “Shërohu” dhe ai shërohej. Të paralizuarit Ai i tha: “Çohu”. Ai prekte trupat e sëmurë, lebrozët dhe deri të vdekurit dhe ndodhte mrekullia. Në varrin e Llazarit Ai thirri: “Llazar, dil jashtë!” dhe Llazari doli i gjallë. Autoritetit të Tij i bindeshin qoftë frymërat e këqija ashtu edhe dallgët e liqenit. Mbi bazën e shembullit dhe mësimeve të Jezusit, edhe apostujt përdorën autoritetin e besimit.

Në derën e tempullit, Pjetri urdhëroi të çalin: “Në emrin e Jezu Krishtit, Nazareas, ec!”. Gjithashtu me urdhërin e tij Enea dhe Tabitha u çuan. Magjistarit Elima, Pali i tha: “Do të verbohesh” dhe kështu ndodhi. Ndërsa ndodhej në Listra, urdhëroi njeriun e çalë që nga lindja: “Çohu në këmbë”. Demonin që mbante vajzën në Filipi, Pali e urdhëroi: “…në emrin e Jezu Krishtit të urdhëroj të dalësh jashtë nga kjo vajzë! Dhe fryma e keqe, në atë çast, doli nga skllavja (Veprat e Apostujve 16:18).

KUR MUND TA PËRDORËSH AUTORITETIN FRYMOR

Autoriteti i besimit nuk është një fuqi që besimtari mund ta përdorë sipas dëshirës së tij, për ta bërë jetën më të thjeshtë, duke u çliruar nga sulmet e armikut. Përkundrazi, bëhet fjalë për një përdorim të zgjuar të autoritetit të Krishtit kur vihet në rrezik lavdia e Tij, kur vihet një pengesë përparimit të mbretërisë së Tij ose kur duhet të shfaqësh se Perëndia në të cilin beson është Perëndi i gjallë.

Ky autoritet a mund të përdoret për mbrojtje vetjake? Po. Ka patur bij të Perëndisë që e kanë përdorur një autoritet të tillë për të zbuluar një vjedhje, rrëmbim ose agresion kundër tyre apo një personi tjetër. Si bir i Perëndisë, ti je nën mbrojtjen e Tij. Njëkohësisht, ti mund të udhëhiqesh nga Perëndia që të urdhërosh elementet natyrore, në emrin e Jezusit, siç bëri John Ëesley, i cili largoi një stuhi që kërcënonte të anullonte një fushatë ungjillëzimi në publik. Megjithatë Ëesley nuk e përdori autoritetin e besimit për përfitim vetjak, por për të shpallur Fjalën e Perëndisë.

Autoriteti i besimit nuk është një alternativë e lutjes, por një ushtrim i mëtejshëm i bindjes ndaj Perëndisë, si rrjedhojë e lutjes së vazhdueshme. Në rast nevoje urgjente nuk ka kohë për një lutje të gjatë, por mund të thirret menjëherë emri i Jezusit. Autoriteti i besimit ushtrohet normalisht, si një armë sulmi kur pushtohet territori i Satanit.

TI MUND TË PËRDORËSH AUTORITETIN TËND

Nuk duhet të jesh patjetër një model përsosmërie që të mund të përdorësh autoritetin tënd frymëror. Kam dëgjuar të flitet për disa besimtarë në Indi, të cilët, edhe pse nuk kishin marrë pjesë në fakte të tilla, papritur, u bënë të aftë të dëbonin demonët. Një ditë, një grup besimtarësh, që nuk kishin asnjë lloj përgjegjësie në kishë, ishin mbledhur në një shtëpi për t’u lutur. Një fqinj, që i përkiste fesë hindu, i kishte dëgjuar që këndonin, trokiti në derë dhe tha: “Në lagjen tonë kemi disa miq. Me ta është edhe një grua e pushtuar nga demonët. A mund të bëni diçka për ta ndihmuar?” Të krishterët iu përgjigjën: “Silleni këtu, Jezusi ynë i dëbon demonët”.

Gruaja u çua tek ata dhe u çlirua nga demoni në emrin e Jezusit. Një muaj më vonë, u kërkua ndërmjetësimi i këtyre të krishterëve në një fshat të banuar nga hindutë, nëntëdhjetë kilometra larg. Hindutë thanë: “Nuk e kishim ditur se ekzistonte Perëndi me një fuqi të tillë”. Fshati u ungjillëzua dhe në një ditë u pagëzuan më shumë se tetëdhjetë besimtarë të rinj. Vetë unë pata gëzimin të inaguroja ndërtesën e kishës së tyre, që ata vetë e kishin ndërtuar me mure prej balte. Pra, mos e lejo djallin të të bindë që ti nuk ke asnjë fuqi kundër së keqes.

KUSHTET PËR PËRDORIMIN E AUTORITETIT FRYMOR

Para së gjithash duhet të jesh i lindur sërish. Bijtë e Skevit përpiqeshin ta përdornin edhe pse nuk besonin, por u sulmuan dhe u plagosën fizikisht nga një person i pushtuar nga demoni (Veprat e Apostujve 19). Duhet të jesh një bir i vërtetë i Perëndisë. Çdo besimtar i lindur sërish mund ta përdorë emrin e Krishtit në lutje, lavdërim dhe urdhëra. Krishti ua jep këtë autoritet vetëm ndjekësve të Tij.

Përveç kësaj, në jetën tënde nuk duhet të ketë asgjë që e trishton Frymën e Perëndisë, sepse autoriteti frymëror ushtrohet nën kontrollin e Tij. Buzët e tua shqiptojnë fjalët, por është Fryma e Shenjtë që vepron kundër Satanit dhe demonëve të tij. Por nëse në zemrën tënde fsheh ligësi (Psalmi 66:18; Mateu 6:15), mos prit të marrësh ndihmën e Frymës së Perëndisë. Si mund ta njohësh vullnetin e Perëndisë? Në disa situata është e qartë, por në rast pasigurie këmbëngul në lutje derisa të arrish t’i bindesh vullnetit të Tij.

TI MUND TË USHTROSH MË FRYMËRI AUTORITETIN E BESIMI

Ji i mbushur me Frymë. Ti mund të japësh rendimentin tënd më të lartë frymëror vetëm kur je i mbushur me Frymën. Siç kemi shpjeguar në kapitullin 11 është i domosdoshëm një nënshtrim i plotë i “unit” tënd ndaj Perëndisë, duke besuar në premtimin e Tij. Shumë besimtarë jetojnë sipas mishit. Në rast nevoje, Perëndia mund edhe t’i ndihmojë, por për të jetuar një jetë fitimtare si edhe për të qenë gati të ushtrosh autoritetin e besimit, duhet të jetosh çdo ditë në mbushullinë e Frymës. Nëse je dobësuar frymërisht është e nevojshme që të ripërtërish përkushtimin tënd dhe përsëri do të jesh i mbushur në Frymë. Përballo pengesën. Mos u përpiq të sillesh sikur pengesa nuk ekziston, por prano realitetin e saj dhe prano se pas saj ndodhet dora e Satanit. Shpesh djalli përdor njerëz të mirë që janë të mashtruar prej tij. Armiku yt nuk është mish dhe gjak, por fuqia djallëzore që është pas problemit.

Jeto në Frymën e besimit. Mos ki frikë. Sa herë ka thënë Krishti: “Mos ki frikë”. Dyshimi i jep djallit një pikë mbështetje. Mos ja jep këtë kënaqësi (Efesianëve 4:27). Premtimet e Perëndisë janë për ty. Perëndia e njeh situatën më mirë se ty. Thjesht, shpreso, duke pritur të shohësh se si Perëndia do ta zgjidhë problemin tënd. Pengesa mund të të ketë gjetur të papërgatitur, por jo Perëndinë.

Kujto se Satani është mundur në Kalvar. Ti jo vetëm ke vdekur me Krishtin dhe je ringjallur me Të, por je ngjitur frymërisht me Krishtin dhe tani je me të në fron. “Dhe na ringjalli me Të, dhe me Të na vuri të rrimë në vendet qiellore në Krishtin Jezus (Efesianëve 2:6). Mos shiko me frikë drejt malit tënd, por jeto me besim. Dallo vullnetin e Perëndisë. Ti ke nevojë për diturinë dhe udhëheqjen e Perëndisë për të përballuar fuqitë e ndërthurura të Satanit. Mos shko në betejë nëse Perëndia nuk të ka treguar planin e Tij. Përpara çdo beteje, Davidi i drejtohej Perëndisë për të marrë udhëzime të reja. Në fakt te 2 Samuelit 5:18-20, Davidi e pyeti: “A duhet të dal unë kundër Filistejve? A do m’i lësh në duart e mia?”. Davidi përsëri e pyeti se kur dhe se si duhet të sulmonte. Gjithmonë e udhëhoqi Perëndia (2 Samuelit 5:22-25). Lutu derisa të ndjesh se mund të njohësh vullnetin e Perëndisë se si, kur dhe me kë do ta përballosh pengesën.

Në pozicionin tënd si besimtar, i mbushur me Frymë, ke të drejtën të udhëhiqesh nga Perëndia (Isaia 58:11). Zoti mund të të udhëheqë gjithmonë (Romakëve 8:14). Ai dëshiron që ti të kuptosh vullnetin e Tij (Efesianëve 5:17).
Ti po kryen një hap të veçantë në besim. Je duke jetuar në besim i ulur pranë Jezusit, shumë më lart se të gjitha fuqitë e Satanit. Perëndia t’i ka dhënë udhëzimet e Tij. Tani është koha të ndërmarrësh nismën: është çasti të veprosh mbi bazën e besimit. Mos u tremb përballë “Detit të Kuq”, fillo të ecësh në tokë të thatë, që Perëndia do ta parashikojë për ty (Eksodi 14:15).

Mos u lëkund përballë “Jerikos” tënd. Sillu rrotull tij me besim, duke pritur se Perëndia të të thotë kur duhet të thërrasësh: dhe vetëm atëherë muret do të rrëzohen (Jozueu 6:20). Jezusi tha: “Do të ndërtoj kishën time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë”(Mateu 16:18). Në fakt, kjo deklaratë mund të interpretohet në dy mënyra. është e vërtetë se në Krishtin je kaq i sigurtë saqë Satani kurrë nuk do të të mundë, të të shkelë, të të sundojë, ose të të shkatërrojë. Të gjitha fuqitë djallëzore, që ai mund të nxjerrë nga dyert e ferrit, nuk do të të mundin. Por është e vërtetë se Perëndia dëshiron të bësh diçka më tepër se sa të rrish në kështjellën tënde apo të qëndrosh në gatishmëri mbrojtje kundër Satanit. Ai dëshiron që ti të kalosh në sulm.

Por ky varg i lartpërmendur mund të tregojë se dyert e Hadesit nuk mund të qëndrojnë përballë teje. Perëndia nuk dëshiron që besimi yt të jetë jo veprues, por që ti, me besim, të shpërthesh dyert e Hadesit, duke mundur djallin. Perëndia dëshiron që t’i dëbosh fuqitë e Satanit nga pozicionet e tyre më të forta. Satani do të provojë të të frikësojë derisa t’ia lejosh këtë gjë. Vendos pritën e lutjes dhe më pas ndërmerr nismën ta dëbosh nga kështjellat e tij, kudo që gjendet. Mos u mjafto të rrish vetëm në mbrojtje, por sulmo në emrin e Jezusit. Ec përpara duke lavdëruar emrin e Zotit!

Jezusi na mëson në mënyrë të qartë se si duhet ta japim këtë urdhër. Jezusi u tha dishepujve të Tij: “Kini besimin e Perëndisë, sepse ju them në të vërtetë se nëse dikush do t’i thotë këtij mali: “Luaj vendit dhe hidhu në det dhe nuk do të ketë dyshime në zemër të vet, çdo gjë që të thotë do t’i bëhet” (Marku 11:22,23). Foli malit në emrin e Jezusit dhe përdore autoritetin që Ai të ka dhënë si përfaqësuesin e Tij zyrtar. A je lutur dhe a ke arritur në vendimin që Perëndia dëshiron që mali të zhvendoset? Miliona engjëj jani gati të sulmojnë armikun tënd. Djalli është mundur përgjithmonë në kryq. Thuaji ashtu siç tha Jezusi: “Largoju prej meje, Satan!…” (Mateu 16:23; Marku 8:33).

Demonët e kanë frikë emrin e Jezusit. Ti, përkundrazi, përdore. Lavdëro emrin e Tij, derisa demonët të ngatërrohen sa të pengojnë njëri-tjetrin, ashtu siç bënë armiqtë përballë ushtrisë së Ezekisë (2 Kronikave 20:22,23). Përdore emrin e Jezusit si armën tënde të fuqishme. Ji si Zorobabeli. “Kush je ti o mal i madh? Përballë Zorobabelit ti do të bëhesh fushë” (Zakaria 4:70). Ji si Davidi që i tha gjigandit Goliath: “Unë po të dal në emër të zotit të ushtrive… që ti ke fyer (1 Samuelit 17:45). Të tjerët ia mbathin përballë Goliathit, kurse ti, përkundrazi, mund t’i bësh ballë në emrin e Zotit. Ti ke premtimin e Perëndisë. Thuaji djallit se Jezu Krishti, Biri i Perëndisë, e ka mundur në Kalvar. Në emrin e të Gjithëpushtetshmit urdhëroje të largohet.