jump to navigation

KAPITULLI 14: AUTORITETI I LUTJES

Postuar tek: Ndryshoje Botën me anë të Lutjes

Të krishterët duhet të gëzohen gjithmonë për triumfin e lavdishëm të Krishtit në kryq. Megjithatë deri në çastin kur të shkojmë në qiell, nuk mund ta kuptojmë plotësisht rëndësinë e kryqit për vete dhe për mbarë botën. Në planin e Perëndisë kryqi i Krishtit ka pushuar së qeni një vegël e torturës dhe mallkimit dhe është bërë lavdia e Tij më e madhe. Pasi Jezusi u ringjall u tregoi dishepujve të Tij shenjat e gozhdëve në duar dhe në këmbë dhe të heshtës në brinjë (Gjoni 20:20,27). Zbulesa 5:6 na siguron se gjatë gjithë përjetësisë, Jezusi do të vazhdojë të mbajë shenjat e vuajtjeve si shenjë nderi. Është e domosdoshme të kuptojmë lavdinë e triumfit të Krishtit në mënyrë që të mund të lidhim Satanin në betejat tona në lutje dhe të kemi fitore të reja mbi të.

MBRETËRIA E SATANIT

Djalli, kundërshtari i madh i Perëndisë, zotëron një mbretëri të ligë ku ushtron sundimin e tij mbi engjëjt e rënë, demonët dhe mëkatarët, që Perëndia i konsideron bij të Satanit (Gjoni 8:44). Duket se sot, engjëjve të rënë nuk u lejohet të veprojnë, sepse janë të burgosur në errësirën e Tartarit (fjala greke që tregon “ferrin” tek 2 Pjetrit 2:4). Ata janë në pranga të përjetshme (Juda 6), në pritje të ditës së gjykimit të tyre. Ndërsa demonët sot janë shumë veprues. Fjala greke për demonët është daimon dhe është e ndryshme nga ajo e përdorur për engjëllin e rënë që është angelos. Demonët janë quajtur edhe frymëra të ndyra, pneumaton akatahrton (Veprat e Apostujve 5:16) dhe frymëra të liga, pneumata ta ponera (19:12-16). Nëse është e vërtetë se janë ndryshe nga engjëjt e rënë ne nuk e njohim origjinën e tyre, por me siguri Perëndia nuk ka krijuar qenie të mbrapshta.

Në kundërshtimin e tij të papajtueshëm ndaj Perëndisë dhe njeriut, Satani varet shumë nga demonët. Perëndia është i gjithpranishëm ndërsa Satani duhet të varet nga informacionet që merr nga demonët e tij. Por Satani është mashtruesi i gjithë botës (Zbulesa 12:9), dhe ati i të gjitha gënjeshtrave (Gjoni 8:44). Ashtu siç mëson demonët e tij të gënjejnë, pa dyshim edhe ata e gënjejnë dhe shpesh duket se Satani vepron në bazë të informacioneve të gabuara. Perëndia është i gjithfuqishëm ndërsa Satani ka një fuqi të kufizuar dhe zakonisht duhet të veprojë nëpërmjet një ose më shumë demonëve. Satani është kundër Perëndisë, Krishtit, Kishës, të krishterëve dhe qenies njerëzore.

Ai nuk i do as edhe të vetët; i përçmon dhe i urren. Mënyra e tij e vetme për t’iu përgjigjur sulmit të Perëndisë është dëmtimi i dikujt që Perëndia e do, kështu ai përpiqet vazhdimisht t’i pengojë dhe t’u bëjë keq njerëzve. Kur flasim për “lidhje” të Satanit i referohemi fuqisë së tij, të ushtruar nëpërmjet demonëve. Ne nuk e dimë se në çfarë mënyrë Satani organizon demonët në mbretërinë e tij të së keqes. Shkrimi përdor fjalë të ndryshme për qeniet frymërore që janë nën sundimin e Satanit. Ja disa prej fjalëve në greqisht me referimet e pjesëve se ku gjenden:

ARKAI: PRINCIPATA (1 Korintasve 15:24; Efesianëve 1:21;3:10; 6:12; Kolosianëve 1:16; 2:10);

EKSOUSIAI: AUTORITET (1 Korintasve 15:24; Efesianëve 1:21; 3:10; 6:12; Kolosinëve 1:16);

DUNAMEIS: FUQIA (Romakëve 8:38; 1 Korintasve 15:24; Efesianëve 1:21);

KURIOTES : PUSHTETE, ZOTËRIME (Efesianëve 1:21; Kolosianëve 1:16);

THRONOI: FRONE (Kolosianëve 1:16);

ARKONTES: PUSHTETARË (1 Korintasve 2:60);

KOZMOKRATORES: SUNDUES TË KËSAJ BOTE (Efesianëve 6:12);

Këto fjalë mund t’i referohen niveleve të ndryshme të autoriteteve, ose llojeve të ndryshme të detyrave nën sundimin e Satanit. Është e rëndësishme të dish se të gjitha këto qenie janë të kufizuara përsa i përket fuqisë, njohjes dhe fushës së tyre të veprimit. Të gjithë janë mundur nga Krishti në kryq. Të gjithë e dinë se janë në pritje të gjykimit të tyre që do të pasojë nga ndëshkimi i përjetshëm (Mateu 8:29).

SATANI DHE TË GJITHA FRYMËRAT E KËQIJA U MUNDËN NË KRYQ

A e ke kuptuar fitoren e plotë të Krishtit në Kalvar? Ajo ka qenë një fitore për ne, sepse Krishti ka marrë vendin tonë, duke e mbërthyer mëkatin tonë në kryq. Ai ka paguar çmimin për shpengimin tonë, duke përmbushur kështu profecitë e Dhjatës së Vjetër. Nga Adami e më pas çdo flijim për mëkatin simbolizon flijimin e shenjtë të Krishtit në kryq. Prandaj çdo flijim i pranuar nga Perëndia prej një mëkatari të penduar ishte si një borxh tjetër që Jezusi garantonte ta paguante. Lavdi Zotit! Në kryq Ai ka paguar gjithçka! Kalvari ishte një fitore e plotë dhe e përjetshme për këdo që dëshiron ta bëjë të vetën (Zbulesa 22:17).

Gjithashtu ka qenë edhe një fitore për planin e Perëndisë. Plani i Tij origjinal i miqësisë me njeriun, një ditë do të realizohet në një tokë të re (Zbulesa 21:1). Gjithçka që njeriu ka humbur në rënien e tij do të rivendoset, falë Kalvarit. Mëkati, vuajtja, lotët, vdekja, mallkimi dhe gjithçka që u fut në botë për shkak të mëkatit të njeriut, do të zhduken përgjithmonë (21:4,5,25; 22:3,5).

Për Satanin fitorja e Krishtit në Kalvar ishte një dështim i plotë. Për një çast Satani mendoi se kishte fituar. Kjo tregon se sa të kufizuara janë njohja dhe zgjuarsia e tij. Në të vërtetë kryqi ka shkatërruar vdekjen, mëkatin, Satanin dhe të gjithë mbretërinë e tij. Kjo nuk do të thotë se Satani, frymërat e rënë dhe turma e demonëve janë asgjësuar. Përkundrazi, ata mund të veprojnë akoma, por do të mundohen përgjithmonë në liqenin e zjarrtë (Zbulesa 20:10). Ferri u përgatit për Satanin dhe për qeniet e tij të mbrapshta. Njeriu shkon në ferr vetëm ngaqë bëhet aleat me Satanin dhe refuzon të pendohet dhe të çlirohet nga mëkati, duke pranuar shlyerjen e përmbushur nga Krishti në Kalvar (Zbulesa 20:14,15).

Në kryq Jezusi e ka hedhur jashtë Satanin, “princin e kësaj bote” (Gjoni 12:31-33). Sot Satani është pushtues! Pretekset e tij janë hedhur poshtë dhe autoriteti i rremë u anullua, sepse kryqi ka shpallur mbi të gjykimin përfundimtar. Në kryq, Jezusi i zhveshi pushtetet atij (Kolosianëve 2:15). Në kryq Krishti i çarmatosi demonët. Tani ata nuk kanë më pushtet mbi ty. Por nuk mjafton. Pali thotë se Perëndia i ka nxjerrë pushtetet dhe principatat “në shesh të njerëzve, sepse i ka mundur me anë të kryqit të Krishtit”. Këtu bëhet fjalë për një figurë të marrë nga historia e lashtë. Kur një perandor kthehej nga një fitore e madhe, ai dhe ushtria e tij bënte paradën nëpër rrugë, midis turmës entuziaste dhe tingujve të instrumentave muzikorë. Përveç kësaj, karrocat dhe ushtarët transportonin thesaret e marrë nga mbreti i mundur, i cili, së bashku me gjeneralët dhe të burgosurit e tjerë, lidheshin me pranga dhe nxirreshin në mes të njerëzve për t’i tallur. Tani çdo frymë e mbrapshtë e di që çështja e tij ka humbur përgjithmonë. Satani ka humbur sundimin dhe dënimi i tij do të kryhet në kohën e caktuar (Mateu 8:29).

Në kryq është mundur Satani dhe frymërat e tij të liga (Hebrenjve 2:4). Fjala “të mundësh” vjen nga greqishtja katargeo që do të thotë “të nxjerrësh jashtë përdorimit, të bësh të pavlefshëm”. Kjo fjalë përdoret shumë shpesh për të treguar se me shpalljen e triumfit përfundimtar të Krishtit (parousia), forcat shkatërruese, që kërcënonin njeriun, janë nxjerrë jashtë përdorimit. Tek 1 Korintasve 15:24 thuhet se këto forca përfshijnë çdo sundim, autoritet dhe pushtet satanik. Hebrenjve 2:14 përfshin edhe Satanin dhe vargu 26 na kujton se vdekja do të jetë armiku i fundit që do të shkatërrohet.

Pas Kalvarit, Ringjalljes dhe Ngjitjes në qiell, Krishti ka zënë vendin e Tij në fronin qiellor: “Përmbi çdo principatë, pushtet, fuqi, zotërim… Perëndia vuri çdo gjë në këmbët e Tij” (Efesianëve 1:21,22). Këto fjalë, të përdorura për qeniet qiellore, mund të përfshijnë qoftë engjëjt besnikë të Perëndisë, ashtu edhe ata që janë rebelë dhe demonë. Krishti ulet në të djathtë të Perëndisë, përmbi çdo qënie qiellore dhe sigurisht përmbi çdo qënie frymërore të rënë, cilitdo niveli t’i përkasin. Këto qënie të rëna i janë nënshtruar, sepse tashmë ata janë të mundur. Por, ndërsa ata përpiqen të tregojnë sundimin e tyre mbi ne, përpiqen të na mashtrojnë se nuk janë mundur.

Në kapitullin e 10 të librit të Jozueut tregohet se si krerët e luftëtarëve vendosnin këmbët e tyre mbi qafën e mbretërve armiq të mundur përpara se ata të vriteshin (Jozueu 10:24). Një ditë Jezusi do t’i vendosë të gjithë këto frymëra të mundur nën këmbët e Tij dhe tonat, sepse ne jemi luftëtarët e Tij fitimtarë. Pastaj Ai do t’i hedhë në ferr. Këto qënie e dinë se janë të mundur dhe e dinë tashmë se cili do të jetë fundi i tyre. Prandaj ata ia kanë frikën lutjeve tona, duke ditur se ne kemi një autoritet që na vjen nga kreu ynë, Jezus. Kur i kundërshton ata në emrin dhe me autoritetin e Tij, ata jo vetëm do të zbrapsen, por do të largohen nga ty (Jakobi 4:7).

Duke e përmbledhur, Satani mund të vrumbullojë si një luan i egërsuar, duke u përpjekur të na frikësojë, por ai është një pushtues i mundur. Ai nuk ka asnjë të drejtë ose pushtet mbi jetën tënde. Ai u hodh poshtë, u zhvesh dhe iu nënshtrua Krishtit. Ashtu siç u tha dishepujve, Jezusi po na thotë edhe ne: “Ja, ju dhashë pushtet të shkelni… mbi çdo pushtet të armikut” (Lluka 10:19). Edhe pse nuk jemi të denjë duhet, me përulësi, por me besim, të jemi të ndërgjegjshëm për këtë autoritet dhe, të bazuar mbi këtë fitore të lavdishme të Krishtit në Kalvar, duhet ta kundërshtojmë Satanin në emrin e Tij dhe të lidhim çdo fuqi.