jump to navigation

Një: T’i besojmë Biblës

Postuar tek: Kujdes Me Biblën

Një: T’i besojmë Biblës

1. Pse e kemi Biblën?

Në Dhiatën e Re, shprehja ‘është shkruar’ ose një frazë e ngjashme me të shfaqet në rreth nëntëdhjetë raste. Kaq shumë jemi mësuar me ekzistencën e librit të quajtur “Bibël”, dhe kaq shumë na është bërë shprehi ta mendojmë atë si një pjesë të pandarë të jetës së krishterë - duke e lexuar privatisht, duke e dëgjuar tek lexohet dhe predikohet për të në publik - saqë rrallë, për të mos thënë kurrë, ndalemi për të bërë pyetjen: Pse e kemi Biblën?

Kjo pyetje është në vetvete një me nënkuptime shumë të gjera, ndoshta edhe një pyetje hutuese për të krishterët që e kanë përdorur Biblën që kur mësuan të lexojnë. Sepse krishterimi është fe libri. Bindjet tona, mënyra e jetesës dhe përvoja jonë e përditshme si të krishterë janë të mbrujtura dhe të drejtuara thellësisht prej përmbajtjes së rreth një mijë e gjashtëqind faqeve me informacion të shtypur ngjeshur. Megjithatë, shumë rrallë të krishterët ndalen për të pyetur: Po pse kemi një Bibël tek e fundit?

Për shumë shekuj Bibla nuk u përdor në mënyrën që shumë të krishterë e përdorin sot, për studim biblik personal dhe përkushtues. Deri pas Reformimit dhe zhvillimit të shtypshkronjës në shekullin XVI, shumë pak njerëz të zakonshëm ishin në gjendje të zotëronin një kopje të Dhiatës së Re. Për pjesën më të gjatë të historisë së kishës së krishterë, leximi i përditshëm i Biblës ka qenë luks i disave dhe aspak privilegji i masave.

Atëherë, pse e kemi një Bibël, dhe pse besimi i krishterë është i ndërthurur ngushtë me përmbajtjen e saj?

Zbulesa

Përgjigjja është se Perëndia komunikon me njerëzit, ua zbulon atyre vetveten, dhe i sjell ata në bashkësi me Të përmes Biblës. Me pak fjalë, është Bibla ajo përmes së cilës Perëndia e bën të njohur veten e tij.

Ne zbulojmë se jeta shikohet nga një këndvështrim i ri përmes studimit të mësimeve dhe të vërtetave shpirtërore të mëdha të shpalosura prej Shkrimit të Shenjtë. Njohja dhe të kuptuarit më e mirë e Perëndisë në këtë mënyrë, na ndihmon. Tani ne shohim dorën e tij në jetën tonë, ndërsa më parë nuk arrinim t’i kuptonim provat që kalonim; dhe ne e duam më shumë Atë tani, sepse e ndiejmë se e njohim më mirë. Ja pse është Bibla. Nëse ajo nuk e ka arritur ende këtë rezultat, atëherë ne ende nuk kemi filluar ta përdorim si duhet.

Por, Bibla është më shumë se kaq. Sepse në të vërtetë, Bibla është më shumë se vetëzbulesa e Perëndisë për ne. Ajo është ilaçi hyjnor, receta hyjnore për sëmundjen shpirtërore. Nëse njerëzit nuk do ta kishin zhvilluar sëmundjen shpirtërore, ndoshta nuk do ta kishim fare Biblën. Pa dyshim se edhe nëse do ta kishim, ajo do të tregonte një histori shumë të ndryshme prej asaj që tregon.

Atëherë, si është i sëmurë shpirtërisht njeriu? Apostulli Pal e shpjegon gjendjen me këto fjalë:

(Njerëzit)… mbysin të vërtetën në padrejtësi, meqenëse ajo që mund të njihet prej Perëndisë është bërë e dukshme në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre. Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm. Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua. Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë, dhe e shndërruan lavdinë e Perëndisë të pakalbshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me atë të një njeriu të kalbshëm, të shpendëve, të kafshëve katërkëmbëshe dhe të rrëshqanorëve. (Rom. 1:18-23)

Kur Perëndia e krijoi njeriun në shëmbëllimin e tij (Zan. 1:26-7), ai i dha atij gëzimin e njohjes dhe shërbimit ndaj tij. Ai shfaqi natyrën e tij në gjërat që kishte krijuar. Në këtë univers të mrekullueshëm ai i dha njeriut një lloj pikture të dukshme të vetë cilësive dhe aftësive të padukshme të tij.

Është e pamundur për ne që ta sjellim ndër mend se si ka qenë kjo gjë. Ndoshta kur vështrojmë një perëndim madhështor të diellit, ose ndiejmë madhështinë e një kafshe të fuqishme të vendeve të egra, ose vështrojmë lart në gjerësinë e madhe të hapësirës së spërkatur me yje, ose mrekullohemi përbri djepit të një fëmije që po fle dhe ndiejmë se na merret fryma me madhështinë e gjithë këtyre gjërave, ne prekim përvijimin e asaj se ç’do të thotë ta njihje Perëndinë nëpërmjet krijimit të tij. Por, më pas ne zgjohemi gjithmonë me ashpërsi; kujtojmë frikërat, mëkatet, trishtimet tona dhe të ardhmen e sigurt se të gjitha këto kënaqësi do të priten në mes nga vdekja. Por, në fillim, kur u krijua njeriu, në njohurinë e tij për Perëndinë nuk binin hije të tilla. Dëshmia e Psalmit 19 rikap thelbin e kësaj fryme:

Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë

dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij.

Një ditë i flet ditës tjetër

dhe një natë ia tregon tjetrës.

Nuk kanë gojë, as fjalë;

[ku] zëri i tyre nuk dëgjohet;

por harmonia e tyre përhapet mbi gjithë dheun

dhe mesazhi i tyre arrin deri në skajin e botës. (Psalmi 19:1-4)

E gjithë kjo mund të jetë akoma e vërtetë (dhe sipas dëshmisë së Biblës, është). Por, pa dyshim kjo nuk është mënyra se si njerëzit e shohin jetën. Njerëzit e vënë në dyshim mirësinë e Perëndisë, madje hedhin poshtë edhe vetë ekzistencën e tij. Ata thonë se nuk shohin asnjë garanci për prezencën e tij, asnjë argument të sigurt për ekzistencën e tij. Çdo gjë që rrethon shqyrtimin e fakteve, thonë ata, është në errësirë. Nuk ka asnjë dritë në univers që na udhëheq të Perëndia. Dhe kështu, ata i kthejnë kurrizin atij.

Kjo nuk e çudit aspak një studiues të Biblës. Por ai e kupton se thelbi i çështjes është shumë i ndryshëm. Errësira, thotë Pali, nuk është jashtë, por brenda. Nuk është për t’u çuditur që njerëzit nuk e zbulojnë Perëndinë, pasi ata janë bërë të kotë në mendimet e tyre, dhe mendjet e tyre janë errësuar. Tragjedia është se errësira është brenda, jo jashtë! Fuqia e mrekullueshme e Perëndisë, dhe natyra e tij si një Perëndi i gjallë dhe i dashur mund të shihen ende në gjërat që ai ka bërë. Madje edhe reliktet e zvetënuara të krijimit fillestar mbajnë ende shenjat e dorës së dashur të Krijuesit.

Kjo është pika therëse e jetës sonë. Krijimi na thërret në harmoni: Perëndia, Krijuesi e do dhe e përmban krijimin e tij. Por, njerëzit janë verbuar ndaj zbulesës së tij, janë ftohur ndaj dashurisë së tij, janë ngurtësuar ndaj vullnetit të tij. Nga natyra e tyre ata nuk e njohin Perëndinë.

Pak njerëz kanë dhënë më shumë mendim për këtë, ose janë shprehur më qartë për këtë sesa francezi Zhan Kalvin. Ja çfarë shkroi ai:

Është, pra, e kotë që kaq shumë llamba që digjen ndriçojnë mbi ne në artin e gjithësisë për të shfaqur lavdinë e Autorit të saj. Megjithëse na lajnë plotësisht me rrezatimin e tyre, prapëseprapë, ato kurrë nuk mund të na udhëheqin vetë në rrugën e drejtë. Pa dyshim që ato lëshojnë disa shkëndija, por përpara se drita e tyre e plotë të shkëlqejë, ato shuhen. Për këtë arsye, apostulli… ka për qëllim të thotë… se në këto shfaqje shpaloset hyjnueshmëria e padukshme e Zotit, por se ne nuk kemi sy për ta parë këtë në qoftë se nuk ndriçohen nga zbulesa e brendshme e Perëndisë nëpërmjet besimit. (Institutet, I:v:14)

Perëndia ka bërë këtë gjë. Ai ka parë paaftësinë natyrale të njerëzve për ta njohur dhe dashur Atë, për ta kuptuar dhe t’i shërbyer atij, dhe ka ardhur në ndihmë të tyre. Ai e ka bërë këtë përmes një vargu veprash të fuqishme, me qëllim që t’i kthejë njerëzit në njohurinë e tij. Por që as kjo të mos keqkuptohet apo shtrembërohet, ai na ka dhënë shpjegimin e vetë atij për këto ngjarje. Ai na tregon se çfarë duhet të presim në jetët tona kur i besojmë atij, duke na treguar se si ka punuar në jetët e njerëzve si ne gjatë shekujve të historisë biblike.

Letra drejtuar Hebrenjve, e cila në thelb është një libër që shpjegon rrugën që mund të na sjellë te njohuria e Perëndisë nëpërmjet Jezu Krishtit, hapet me një përmbledhje të asaj që ka bërë Perëndia për shërimin e gjendjes së njerëzve larg atij: Perëndia, mbasi u foli së lashti shumë herë dhe në shumë mënyra etërve me anë të profetëve, së fundi, këto ditë na ka folur me anë të Birit. (Heb. 1:1,2)

Zbulesa që Perëndia i ka bërë vetes së tij ka disa veçori të rëndësishme. E para, është historike: Perëndia ka ndërhyrë në historinë e kombeve me qëllim që të tregojë fuqinë dhe dashurinë e tij. E dyta, është fjalore: Perëndia ka dhënë një interpretim dhe shpjegim të qartë të veprave të tij përmes atyre që shkruan faqet e Shkrimit. Pastaj, është grumbullore: Perëndia e dha zbulesën e tij në mënyra të ndryshme dhe kohë të ndryshme. Dhe së fundi, qendra e saj është Krishti: kjo zbulesë e arriti plotësimin e saj kur Perëndia u foli njerëzve fjalën e tij të fundit në ardhjen e Birit të tij, Jezu Krishtit.

Perëndia ka folur në kohë dhe mënyra të ndryshme. Shkrimi është regjistrimi i kësaj zbulese. Në njëfarë mënyre mund të kishte qenë e mundur që jeta e krishterë të jetohej pa të. Një brez mund t’ia kishte kaluar brezit tjetër historinë e Jezusit dhe apostujve. Por Perëndia është shqetësuar për ruajtjen për ne të së vërtetës të shpëtimit të tij. Kështu, që ai na ka dhënë Biblën. Ai e di se kujtesa e njerëzve është e shkurtër, gjuhët e tyre të gjata dhe zemrat e tyre plot mashtrim. Bibla ruan në një formë të besueshme për ne atë që do të ishte ngatërruar gjatë shekujve. Mirë e ka shkrimtari hollandez Herman Bavinck kur thotë:

Fjala e shkruar… nuk humbet në ajër por vazhdon të jetojë; ajo nuk është, si traditat gojore, e prirur të falsifikohet;… ajo nuk është e kufizuar në ata pak veta që e dëgjojnë atë, por është e tillë, që, përkundrazi, mund të përhapet në gjithë popujt dhe në gjithë vendet. Shkrimi e bën të përhershme fjalën e folur, e mbron atë ndaj falsifikimit, dhe e shpërndan atë gjatë e gjerë. (Besimi Ynë I Arsyeshëm ‘Our Reasonable Faith’ fq. 96)

Kjo na kujton se Bibla nuk është shkruar kryesisht për studiuesit; ajo nuk u dha nga Perëndia për të qenë një libër mësimor në kolegjet. Përkundrazi, ajo është libri baritor i Perëndisë, dhe ka një qëllim ungjillizues dhe ndërtues - jo thjesht të mbushë kokët tona me informacion, por të mbushë zemrat tona me njohuri për Perëndinë dhe dashuri për Të.

Kur e kuptojmë këtë, ne zbulojmë efektin që kjo gjë ka në shpirtin tonë kur lexojmë apo dëgjojmë fjalën e Perëndisë. Nuk duhet ta lejojmë kurrë vetveten që të largohet prej kësaj sigurie, se ajo që po lexojmë është një mesazh të cilin Perëndia e ka dhënë në mënyrë të veçantë dhe e ka ruajtur në formë të shkruar. Përmes saj ai na tregon se sa shumë na do, dhe se si do të punojë ai në jetën tonë për të na ndihmuar që ne ta njohim dhe t’i shërbejmë atij. Nëse e kuptojmë këtë, atëherë ne do të jemi të gatshëm që të punojmë me këmbëngulje për të kuptuar Shkrimin kur na kërkohet kjo gjë; do të jemi të gëzuar të marrim çfarëdolloj hapash të nevojshëm për t’u bërë të njohur sa më mirë me mendjen dhe vullnetin e Perëndisë në Bibël. Atëherë, ne kemi për të filluar të kuptojmë se vargjet e Shkrimit, rëndësinë e të cilave ne nuk e kuptonim më përpara, janë bërë plot kuptim dhe bekim në jetën tonë.

Deri tani, kemi thënë se Bibla është regjistrimi dhe interpretimi i zbulesës së Perëndisë në histori. Vetë Biblën mund ta mendojmë si zbulesë. Por ka edhe dy ide të tjera të cilat ne duhet t’i rrokim për të arritur të kuptojmë se çfarë është Bibla dhe pse Perëndia na e ka dhënë atë pikërisht kështu siç na e ka dhënë. Sepse vetë Bibla deklaron se është një libër si hyjnor ashtu edhe njerëzor. Ajo është e frymëzuar nga Perëndia, dhe megjithatë në faqet e saj ai ia përshtat veten e tij të kuptuarit të njeriut.

Frymëzimi

Ne themi se Bibla është e ‘frymëzuar’. Por çfarë kuptojmë ne kur themi se ne besojmë se Bibla është ‘e frymëzuar nga Perëndia’? Madje, nuk është një gjë e ashpër të themi se hera-herës të krishterët kanë ide shumë të turbullta për frymëzimin - dhe madje jobiblike!

Kur themi se Shkrimi është ‘i frymëzuar’, ne nuk kuptojmë se ai është ‘frymëzues’. Shpesh, ai është. Por ka shumë vargje që nuk duken të jenë shumë frymëzuese.

Merrni si shembull kapitullin e parë të Ungjillit sipas Mateut. Si do të reagonit ju nëse dikush do të përpiqej të predikonte mbi atë gjenealogjinë e gjatë të Jezusit me të cilën hapet Ungjilli? Si do ta prisnit predikimin, nëse ajo listë e gjatë emrash do të zgjidhej si lexim nga Bibla? Unë mendoj se do të ishte shumë e saktë të thuash se reagimi i zakonshëm do të ishte: ‘Po na mërzit shumë sot!’ Kështu, nga një pikëvështrim, Bibla nuk është gjithnjë një libër frymëzues (mendo për pjesë të tëra nga Levitiku, apo disa nga ligjëratat qortuese në librat e profetëve).

Por, pa dyshim që nuk duhet ta teprojmë kur themi këtë gjë. Sepse, kurdoherë që ne fillojmë të shohim kuptimin e vërtetë, arsyen se përse shkrimtari përfshiu ato që shkroi në librin e tij, ne në fakt zbulojmë se edhe vargje të tilla të errëta mund të jenë frymëzuese. Kur arrijmë të kuptojmë mesazhin që rrjedh përmes gjenealogjisë së Jezusit, se ‘Perëndia po plotëson qëllimin e tij vit pas viti’, atëherë ne zbulojmë se sa drithëruese është e gjithë kjo. Megjithatë, kur Pali i shkruajti Timoteut dhe tha se i gjithë Shkrimi është i frymëzuar prej Perëndisë, ai donte të thoshte diçka të ndryshme nga fjala ‘frymëzues’.

Çfarë është frymëzimi? Dr. Benxhamin B. Uorfild (Benjamin B. Warfield), i cili dha mësim në Seminarin Princeton në Sh.B.A., ka qenë eksperti i madh mbi subjektin e frymëzimit biblik në shekullin e njëzetë. Ia vlen të citojmë një deklaratë mahnitëse që ai shkroi:

Është shumë e dëshirueshme që ne ta çlirojmë veten tonë që nga fillimi prej ndikimeve që dalin nga përdorimi i tanishëm i termit ‘frymëzim’. Ky term nuk është një term biblik, dhe nënkuptimet e tij etimologjike nuk janë në përputhje të plotë me konceptin biblik të mënyrave të dhënies së Shkrimit nga veprimi hyjnor. (Shkronjat e pjerrëta janë prej autorit.)

(Frymëzimi dhe Autoriteti i Biblës fq.153)

Çfarë donte të thoshte Uorfildi? Meqenëse ai ishte një nga mbrojtësit më të vendosur të pagabueshmërisë së Biblës, duket një gjë e habitshme që ai mohoi se ajo ishte ‘e frymëzuar’! Por, ai donte të thoshte këtë: ne nuk duhet ta mendojmë Shkrimin si një objekt në të cilin Perëndia fryn, por si diçka të cilën e ka ‘frymënxjerrë’ vetë Perëndia. Pra, nuk është se Perëndia i shtoi diçka fjalës që kishin shkruar njerëzit, por që Perëndia është vetë origjina, burimi i asaj që u shkrua. Si rrjedhim, në Dhiatën e Re ka vende të ndryshme ku, kur citohet Dhiata e Vjetër, fjalët ‘Perëndia’ dhe ‘Shkrimi’ shihen të ndërkëmbyeshme. Nëse Shkrimi thotë diçka, atëherë (meqenëse Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia) ne mund të themi: Perëndia e ka thënë atë (shih Gal. 3:8; Rom. 9:17 ku ‘Shkrimi’ është në të vërtetë i njëvlershëm me ‘Perëndia’; dhe Mat. 19:4,5 [ku citohet Zan. 2:24]; Heb. 3:7 [që citon Ps. 95:7]; Vep. 4:24,25 [që citon Ps. 2:1] ku ‘Shkrimi thotë’ konsiderohet i njëjtë me ‘Perëndia thotë’).

Dy gjëra përfshihen në frymëzimin e Biblës. E para, Fryma e Shenjtë punoi përmes njerëzve që shkruan librat e Biblës, dhe këtë gjë e bëri në një mënyrë të tillë që fjala e Perëndisë të komunikohej në atë që shkruan ata. Pa dyshim që shkrimtarët ishin në kontroll të plotë të vetvetes kur ndodhi kjo gjë. Por në të njëjtën kohë ata ishin nën kontrollin e Frymës së Shenjtë.

Ne nuk e përjetojmë fuqinë e Frymës së Shenjtë në të njëjtën mënyrë. Por, ndoshta, fuqinë e tij e përjetojmë në mënyra paralele. Ne mund të veprojmë duke patur kontroll të plotë të vetvetes, ndërsa ecim në Frymë; por, duke shikuar në të kaluarën, zbulojmë se nëpërmjet veprimeve tona janë plotësuar qëllimet e tij të përkryera. Në fakt, në ato raste kur ne jemi më të ndërgjegjshëm për praninë e Frymës në jetën tonë, jo vetëm që nuk mendojmë se e kemi humbur kontrollin, por, përkundrazi, ndihemi më shumë ne se kurrë ndonjëherë! Prandaj Pjetri thotë se shkruesit e Biblës shkruan të shtyrë nga Fryma e Shenjtë (2 Pjet. 1:21).

Kjo është pikërisht ajo që premtoi Jezusi kur foli me dishepujt e tij në Dhomën e Sipërme. Ne ngutemi së tepërmi që të aplikojmë për veten tonë gjithçka që ai u tha atëherë dishepujve (një gabim i zakonshëm në studimin tonë biblik, siç do ta shohim më vonë). Por disa prej premtimeve që ai dha atëherë ishin të caktuara në veçanti për apostujt:

Por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë. (Gjoni 14:26)

Por, kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, ai do t’ju prijë në çdo të vërtetë, sepse ai nuk do të flasë nga vetja, por do të thotë gjithë ato gjëra që ka dëgjuar dhe do t’ju kumtojë gjërat që do vijnë. (Gjoni 16:13)

Ky është premtimi që Jezusi u dha atyre se do të kishte një Dhiatë të Re, dhe se ata do të ishin përgjegjës për shkrimin e saj, nëpërmjet ndikimit të Frymës së Shenjtë.

Së dyti, Perëndia mbizotëroi në jetët e njerëzve që shkruan Biblën. Pikërisht, ashtu siç na përgatit ne për shërbimin e tij, ashtu ai përgatiti përmes epokave njerëz të cilët do të ishin të përshtatshëm për të shkruajtur ato lloje librash të cilët tani përbëjnë Biblën. Përsëri, B. B. Uorfild e ka përshkruar siç duhet domethënien e kësaj:

Kur Perëndia dëshiroi që t’u jepte njerëzve të tij një varg letrash si të Palit, ai përgatiti një Pal që t’i shkruante ato, dhe Pali të cilit ai ia ngarkoi këtë detyrë ishte një Pal i cili do t’i shkruante këto letra në mënyrë të vetvetishme.

(Frymëzimi dhe Autoriteti i Biblës fq.155)

Kur, në një moshë të re, Uorfildi shprehu këtë pikëpamje, ai u akuzua nga disa të krishterë sikur po mohonte frymëzimin e Biblës! E njëjta gjë do të ndodhte ndoshta dhe sot. Megjithatë ky dyshim është shumë kuptimplotë pasi ai i ka rrënjët në idenë e gabuar se meqenëse Bibla është e frymëzuar, ajo nuk mund të jetë në të vërtetë njerëzore, dhe si rrjedhim shkruesit në të vërtetë nuk luajtën asnjë rol të vetëdijshëm në shkrimin e saj. është mëse e domosdoshme që ne të kuptojmë gabimin e kësaj pikëpamjeje. Në themel ajo është produkti i të besuarit në një Perëndi i cili nuk ulet në nivelin tonë, por, që gjithmonë qëndron mënjanë. Zotra të tillë janë zotrat e mitologjisë greke dhe herezisë së shekullit të parë, por jo Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht. Derisa ne të kuptojmë mrekullinë e Perëndisë që u foli njerëzve, dhe e bëri këtë gjë nëpërmjet tyre, nuk do të mësojmë kurrë ta duam Biblën dhe Perëndinë që na e dha atë. Dhe kjo është pikërisht pika së cilës duhet t’i kthehemi tani.

Përshtatja

Nëse duam ta mendojmë për Biblën siç duhet dhe të dëgjojmë zërin e Perëndisë në të, nevojitet të pranojmë faktin se Bibla është e frymëzuar nga Perëndia. Por për të kuptuar siç duhet mesazhin e saj, duhet që ne të pranojmë gjithashtu, dhe faktin binjak me të parin, që Perëndia ia ka përshtatur urtësinë e tij të pafundme nivelit tonë të përjetimit duke na e dhënë Biblën nëpërmjet njerëzve.

Karakteristikat njerëzore të Biblës janë mjaft të dukshme. Tek e fundit, ajo është një vepër e përbërë e shkruar nga njerëz të ndryshëm në kohë të ndryshme. Personaliteti, sfondi, preokupimet dhe dhuntitë e tyre shkëlqejnë përmes gjithë asaj që shkruajtën. Përveç kësaj, librat e Biblës u hartuan në mënyra shumë të ndryshme.

Si i shkroi Moisiu librat e parë të Biblës? Ja një sugjerim nga i ndieri E. J. Jang (Young),

Është plotësisht e mundur që në përpilimin e Pentateukut [pesë librat e parë të Dhiatës së Vjetër - shën. përk.], Moisiu të ketë patur fragmente dokumentesh ekzistuese të shkruara më parë… (të cilat) në raste të caktuara, mund të shpjegojnë përdorimin e emrave hyjnorë në Zanafillë.

(Një Hyrje në Dhiatën e Vjetër fq.153)

Libri i Psalmeve, siç kuptohet qartë, u zhvillua brenda një periudhe të gjatë kohore, dhe pasqyron, ndoshta më tepër se çdo libër tjetër i Dhiatës së Vjetër, përjetimet dhe emocionet e zakonshme njerëzore të cilat, nën mbikëqyrjen e dashur të Perëndisë, kontribuoi në vlerën shpirtërore të Shkrimit.

Ungjilli sipas Llukës është një dokument interesant, pasi autori i tij faktikisht na tregon se si e përpiloi atë. Si një student i sotshëm kur shkruan një tezë, ai përshkruan metodën dhe qëllimet e tij:

Mbasi shumë veta ndërmorën të renditin tregimin e ngjarjeve që ndodhën në mesin tonë, ashtu si na i përcollën ata që ishin bërë nga fillimi dëshmitarë okularë dhe shërbyes të fjalës, m’u duk e mirë edhe mua, pasi i hetova të gjitha gjërat me kujdes që nga fillimi, të t’i shkruaj sipas radhës, fort i nderuari Teofil, që ti të njohësh vërtetësinë e gjërave që të kanë mësuar. (Lluka 1:1-4)

Bibla është një libër njerëzor prej kreut në fund! Po nuk e kuptuam këtë kemi për ta humbur mesazhin e saj.

Disa javë para se të shkruaja këtë libër, dëgjova në radio një diskutim midis dy njerëzve me aftësi të konsiderueshme intelektuale që mjerisht po ilustronte këtë pikë. Ata po qaheshin së bashku për zhdukjen në rritje të Versionit të Autorizuar (Authorised Version, një ndër përkthimet më të vjetra të Biblës në anglisht). Pse? Sepse asnjë version tjetër nuk krahasohej me dinjitetin e gjuhës së tij. Në versionet e tjera gjuha ishte tepër e rëndomtë! Pikëpamja e tyre për qëllimin e gjuhës së Biblës është pikërisht e kundërta e qëllimit të Perëndisë. Ai donte të ulej në nivelin e njeriut dhe të plotësonte nevojat e tij; kurse ata donin që Bibla të hiqej nga përjetimi dhe gjuha e zakonshme njerëzore. Por, të bësh këtë do të thotë të mbyllësh sytë para mrekullisë së Shkrimit - se Perëndia ka denjuar t’u flase krijesave të tij rebele dhe t’u tregojë atyre veten e tij si Shpëtimtar.

Augustini shkroi kështu:

Shkrimi vepron si të thuash, si me hapat e një nëne që përkulet për fëmijën e saj, për të mos na lënë pas në dobësinë tonë. Perëndia flet nëpëmjet një njeriu, në një mënyrë njerëzore, sepse në të folurit në këtë mënyrë ai na kërkon.

Ndikimi i kësaj është i dyfishtë. E para është influenca që kjo gjë ka në mënyrën se si ne e studiojmë Biblën. Nëse ajo është jo vetëm hyjnore por edhe njerëzore, atëherë ne nuk kemi për ta studiuar atë sikur të kishte rënë nga qielli. Bibla është shumë e ndryshme nga lloji i librit që pretendohet të jetë Libri i Mormonit! është e nevojshme që ne të shqyrtojmë kohët, rrethanat dhe përjetimet pas shkrimit të saj. Nevojitet që ne të zbulojmë se çfarë kishte në mendje shkrimtari kur ai shkroi, dhe çfarë besonte ai se po u thoshte bashkëkohësve të tij. E gjithë kjo do të na ndihmojë që ne të zbulojmë se çfarë po na thotë Perëndia sot. Në qoftë se këtë lloj studimi nuk e marrim seriozisht, nuk duhet që të na çudisë nëse përfundojmë duke e përdorur fjalën e Perëndisë në jetën tonë në një mënyrë të ndryshme nga ajo që ai dëshiron.

Ndikimi i dytë i njohjes së elementit njerëzor në Bibël është: kjo do të na ndihmojë të çmojmë faktin se është e pashmangshme që rreth natyrës dhe mesazhit të Biblës të ketë pyetje dhe probleme që ne nuk mund t’i zgjidhim. Ngaqë duke na dhënë Biblën Perëndia ka depërtuar në historinë, është e mundur që të arrijmë në përfundimin se misteret e Biblës janë aq të shumta sa dhe ato për t’u përpjekur të kuptohet personi dhe veprat e Zotit Jezus. Por këto janë mistere që duhet të na bëjnë të mrekullohemi dhe adhurojmë - që Perëndia erdhi tek ne, edhe pse ne jemi burra dhe gra besimpakë; po, dhe gjithashtu, kuptimpakë.

Zoti ka folur. Ai ka zbritur në nivelin tonë si një atë që flet me fëmijët e tij. Ai e ka përulur veten e tij. Prandaj, dhe ne, kur të hapim faqet e Shkrimit duhet që ta përulim veten tonë nëse duam të takohemi me këtë Zot të mëshirshëm dhe komunikues. Sepse, me të vërtetë, ne nuk kemi për ta njohur Zotin në fjalën e tij nëse nuk jemi të gatshëm të bëhemi si ai nëpërmjet studimit të faqeve të saj.