jump to navigation

6. Për Frymën e Shenjtë

Postuar tek: Çfare Besojne Ungjilloret më: 02, 10, 2010

Fryma e Shenjtë është dërguar nga qielli për të lartësuar Krishtin dhe për të zbatuar veprën e tij të shpëtimit. Ai i bind mëkatarët për mëkatin e tyre, jep jetë shpirtërore dhe një të kuptuar të vërtetë të Shkrimeve. Ai banon në të gjithë besimtarët, sjell siguri shpëtimi dhe i transformon ata gjithnjë e më shumë në ngjashmëri me Krishtin. Ai e ngre Kishën dhe i fuqizon pjesëtarët e saj për adhurim, shërbim dhe mision.

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

Fryma e Shenjtë është personi i tretë i Trinisë dhe ka vepruar në botë që nga fillimi i krijimit (Zan. 1:2). Ai nuk duhet të mendohet si ndonjë forcë apo influencë misterioze, jopersonale.

Profetët e Dhiatës së Vjetër prisnin kohën kur do të vinte Mesia, sepse atëherë Fryma e Shenjtë do të jepej në një masë shumë më të madhe (Isaia 11:2; 44:3; Joeli 2:28-32). Sot, të krishterët gëzohen sepse Fryma e Shenjtë është dërguar nga qielli prej Atit dhe Birit për të gjithë besimtarët (Gjoni 14:26; 15:26).

Fryma e Shenjtë nuk dëshiron të jetë në qendër të vëmendjes. Detyra e tij është për të lartësuar Krishtin (Gjoni 16:14-15), dhe për të zbatuar veprën e tij të shpëtimit. Ai, pra, mbetet i kënaqur që të quhet ‘Fryma e Jezusit’, apo Fryma e Krishtit (1 Pjetri 1:11), ose Fryma e Birit (Gal. 4:6).

Ngaqë sjell në jetën e popullit të Perëndisë bekimet e veprës së përmbushur të Krishtit, Fryma e Shenjtë nuk mund të derdhej pa u lartësuar në triumf Shpëtimtari i ringjallur për t’u lavdëruar në krah të Atit (Gjoni 7:39; 16:7). Por që nga Dita e Rrëshajëve (Veprat 2:1), bota ka parë veprimin e tij të mrekullueshëm në jetën e njerëzve.

Ai i bind mëkatarët për fajin në lidhje me mëkatin dhe drejtësinë dhe gjykimin (Gjoni 16:8). Ata zgjohen nga Fryma e Shenjtë dhe kuptojnë se e kanë trishtuar dhe fyer Perëndinë e shenjtë dhe të dashur (Efes. 5: 14). Intensiteti i këtyre bindjeve shpirtërore ndryshon shumë por ato duhet të jenë me domosdo aq të vërteta sa ta bëjnë mëkatarin që të kërkojë Shpëtimtarin (Lluka 15:15-20; Veprat 2:37; 16:29-30). Këto janë shenjat e para të jashtme të asaj mrekullie të hirit me anë të së cilës Fryma e Shenjtë jep jetë frymërore.

Nga ana shpirtërore ne jemi të vdekur në faje dhe mëkate (Efes. 2:1) derisa lindemi sërish nga Fryma (Gjoni 3:1-8). Me anë të kësaj vepre të mrekullueshme të Perëndisë, mëkatari bëhet një krijesë e re (2 Kor. 5:17) dhe merr një natyrë të re me interesa, vlera, motive, shije, dëshira, shpresa, përparësi dhe qëllime të reja shpirtërore (Efes. 4:22-24). Jeta e krishterë jetohet kështu plotësisht në fuqinë e Frymës (Rom. 8: 1-17).

Asnjë nga veprat e Frymës në jetët e besimtarëve nuk do të ishte e mundur pa fjalën e Perëndisë (Gjoni 17: 17). Bibla është mjeti i tij më i lartë, shpata e tij (Efes. 6:17). Nuk është për t’u habitur pra që të shihet se Fryma, i cili në fakt ishte autori i Shkrimeve (2 Pjet. 1:21), duhet që edhe ta interpretojë mesazhin. Ai jep një të kuptuar të vërtetë të Shkrimeve. Sa e mërzitshme që i duket Bibla shpesh një jobesimtari! Ai nuk mund ta kuptojë. Për të ajo është marrëzi. Por Fryma hap sytë, veshët dhe mendjet e të krishterëve në mënyrë që ata të mund të kuptojnë se çfarë Perëndia ua ka dhënë atyre lirisht (1 Kor. 2:6-16). Është Fryma ai që na bën ta duam fjalën e Perëndisë, kështu që mund të jemi plotësisht të sigurt se çdo gjë që na bën ta neglizhojmë nuk vjen prej tij.

Kur shpëtohemi, Perëndia vë në zemrat tona Frymën e tij (2 Kor. 1:22), kështu që mund të themi se ai banon në të gjithë besimtarët. Nëse dikush nuk e ka Frymën e Krishtit, ai nuk i përket atij (Rom. 8:9). Trupi i çdo të krishteri është pra një tempull i Frymës së Shenjtë (1 Kor. 6:19). Kjo është një e vërtetë e mahnitshme - Perëndia në ne! Kur besimtarët vihen me të vërtetë nën zotërimin dhe kontrollin e Frymës së Shenjtë nga brenda tyre, dhe nganjëherë kur Fryma vjen veçanërisht mbi popullin e tij, ata përshkruhen se u mbushën me Frymën e Shenjtë (Lluka 1:41,67; Veprat 2:4; 4:8,31; 6:3,5; 7:55; 9:17; 11:24; 13:9), Apostulli Pal u tha të gjithë pjesëtarëve të kishës në Efes, fjalë për fjalë, që ‘të vazhdoni të mbusheni me Frymën e Shenjtë’ (Efes, 5:18), Kjo është përvoja e të gjithë atyre që eten për Perëndinë dhe kërkojnë me të vërtetë që t’i shërbejnë atij (Isaia 44:3; Gjoni 4: 15).

Disa të krishterë duket sikur kalojnë nëpër rrjedhat e jetës duke qenë të pasigurt nëse janë vërtet të shpëtuar apo jo. Kjo është një goditje mjaft e fortë e djallit, i cili është paditësi (Zbulesa 12:10). Ai dëshiron që të na largojë ne si të krishterë nga paqja, gëzimi dhe dobishmëria jonë. Një libër i Dhiatës së Re, letra e parë e Gjonit, u shkrua veçanërisht me qëllimin që të siguronte besimtarët se ata kanë jetë të përjetshme (1 Gjoni 5:13). Gjoni na thotë se është Fryma e Shenjtë ai që sjell siguri shpëtimi (1 Gjoni 3:24; 4:13).

Gjatë leximit të Shkrimeve, Fryma na bind se premtimet e ungjillit nuk kanë dështuar kurrë ndaj nesh. Ne lexojmë edhe më tej, se ai na ka ‘vulosur’, një fjalë që flet për sigurinë tonë të garantuar si një pasuri e shtrenjtë e Perëndisë (2 Kor. 1:22; Efes. 1:13; 4:30). Gjatë punës së tij në jetën tonë, ne mund të shohim fillesat e ‘shenjave të hirit’ që janë provë e veprës shpëtuese të Perëndisë (1 Gjoni 2:29; 3:9; 4:7; 5: 1,4). Në përgjithësi, ai dëshiron që të na dhurojë sigurinë e brendshme se ne jemi fëmijë të Perëndisë (Rom. 8:16).

Ngaqë ai është Fryma e Shenjtë, influenca e tij e parë në jetën tonë është që të na bëjë të shenjtë. Ky proces njihet si shenjtërimi ynë. Ai fillon me kthimin në besim dhe përmbushet plotësisht vetëm atëherë kur ne hyjmë në qiell. Shenjtërimi është puna e Frymës në besimtarët e cila krijon gjithnjë e më shumë ngjashmëri me Krishtin (2 Kor. 3:17-18). Me anë të fuqisë së tij ne bëhemi të aftë që t’i varrosim të gjitha mëkatet që shpesh na kanë kontrolluar (Rom. 8:13). Çdo provë e një jetese të shenjtë përshkruhet si fryti i Frymës (Gal. 5:22-26). Ai lufton vazhdimisht brenda nesh kundër mbeturinave të natyrës sonë të vjetër mëkatare (Gal. 5:17-18), por fitorja është e sigurt për ata që duan me të vërtetë që ta kënaqin Perëndinë (Fil. 2:12,13; Rom. 7:24,25). Një ditë shëmbëllimi ynë në Krishtin do të përmbushet (1 Gjoni 3:2).

Të gjitha dhuntitë e Frymës jepen për të mirën e përbashkët të popullit të Perëndisë. Ai na fut në trupin e Krishtit, Kishën, me anë të pagëzimit (1 Kor. 12:13), kështu që në një varësi reciproke ndaj njëri-tjetrit ne luajmë secili pjesën tonë kur ndajmë me njëri-tjetrin dhuntitë dhe hiret tona të ndryshme (Rom. 12:3-8). Në këtë mënyrë Fryma e ndërton Kishën (Efes. 4:1-16). Gjithçka që na jep ai është për rritjen e Kishës dhe kurrë për ndonjë dëshirë egoiste. Në këtë mënyrë ne ndërtohemi së bashku dhe bëhemi një banesë në të cilën banon Perëndia me anë të Frymës së tij (Efes. 2:22).

Çdo shërbim i Kishës është plotësisht i varur nga prania dhe veprimi i Frymës së Shenjtë. Ai i fuqizon pjesëtarët e saj për adhurim. Perëndia është Frymë dhe adhuruesit e tij duhet të adhurojnë në frymë dhe në të vërtetë (Gjoni 4:24).

Si rrjedhim, e vetmja ndihmë që kërkojmë në adhurim dhe e vetmja gjë që duhet të dëshirojmë është vetë Fryma e Shenjtë (Fil. 3:3). Me anë të tij ne lutemi (Rom. 8:15; Efes. 6:18; Juda 20), predikojmë (1 Kor. 2:4), dhe këndojmë për Perëndinë (Efes. 5:18-20).

Fryma i fuqizon gjithashtu pjesëtarët e trupit të Krishtit për shërbim dhe mision. Çdo gjë që arriti apostulli Pal në shërbimin e tij ndaj Perëndisë, ai ia njohu fuqisë së Frymës (Rom. 15:17-19). Së pari, ai kishte ndër mend suksesin e përpjekjeve të tij misionare. Fryma e Shenjtë u dha për herë të parë në ditën e Rrëshajëve (Veprat 2:1) për të fuqizuar apostujt në mënyrë që ata të bëheshin dëshmitarë të Krishtit deri në skajet e tokës (Veprat 1:8), një detyrë dhe urdhërim në të cilin duhet të marrim pjesë të gjithë. Ne varemi nga i njëjti Frymë e Shenjtë për fuqi ndërsa dëshmojmë përpara familjeve dhe miqve tanë. Kjo na jep një inkurajim shumë të madh, jo vetëm për të ungjillizuar të humburit, por edhe për të ndenjur zgjuar dhe për t’u lutur për kohën kur Zoti do ta derdhë përsëri me bollëk në ne Frymën e tij për një rigjallërim të vërtetë.

Pyetje për Studim

  1. ‘Të krishterët sot kanë një fiksim për Frymën e Shenjtë atëherë kur Fryma e Shenjtë do që të kemi fiksim për Jezu Krishtin.’ Çfarë mendoni për këtë pohim?
  2. Si mund t’ i bindemi urdhrit për të qenë vazhdimisht të mbushur me Frymën e Shenjtë?
  3. Deri në çfarë shkalle, sipas Biblës, varet shenjtërimi ynë nga përpjekjet tona?
  4. Si e ndihmon ti një besimtar të dobët të cilit i mungon siguria e shpëtimit?
  5. Nëse Bibla nuk na flet përveçse më anë të Frymës së Shenjtë, a na flet Fryma e Shenjtë ndonjëherë jashtë Biblës? Çfarë kundërshtimesh mund të ngrihen kundër përgjigjes suaj?
Share|