jump to navigation

2. Për Biblën

Postuar tek: Çfare Besojne Ungjilloret më: 10, 5, 2009

Perëndia e ka zbuluar veten në Bibël, e cila përbëhet vetëm nga Dhiata e Vjetër dhe e Re. Çdo fjalë e saj u frymëzua nga Perëndia nëpërmjet autorëve njerëzore, kështu që Bibla në formën e saj origjinale është tërësisht fjala e Perëndisë, pa gabime dhe plotësisht e besueshme në fakt dhe doktrinë. Vetëm Bibla flet me autoritet përfundimtar dhe është gjithmonë e mjaftueshme për të gjitha çështjet e besimit dhe praktikës.

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

Meqë Perëndia na ka krijuar ne duhet të presim si rrjedhim që ai të na flasë për veten e tij dhe të na thotë se çfarë kërkon prej nesh; pa një zbulesë të qartë nga Perëndia ne nuk do të kishim asnjë zë autoriteti për të na udhëhequr gjatë jetës. Dhe kjo shpresë ne nuk na zhgënjen sepse Perëndia e ka zbuluar veten në Bibël (Gjoni 5:39; Hebrenjtë 1:1). Kjo është gjëja më e mirë dhe më e rëndësishme në Bibël.

Bibla nuk është në radhë të parë një libër ku Zoti na ka dhënë rregulla dhe detyrime, ose përshkrimin e mëkatit dhe qenien tonë pa shpresë; ajo është një libër ku Perëndia na flet për veten e tij. Që nga Rënia e Njeriut në Kopshtin e Edenit, njeriu e ka keqkuptuar dëshminë e Perëndisë në natyrë (Veprat e Apostujve 14:17-18; Romakët 1:18-20), prandaj, ai adhuron perëndi të rreme dhe idhuj (Romakët 1:21-23). Mendjet tona janë të errësuara nga mëkati dhe nëse Perëndia nuk do ta kishte zbuluar veten e tij ne nuk do të kishim qenë kurrë të aftë për ta njohur. Të kuptuarit tonë më i qartë dhe më e mirë për Perëndinë vjen nëpërmjet Biblës. Në Bibël lexojmë për ligjin e tij (rregullat e tij dhe dështimin e njeriut në mbajtjen e tyre) dhe ungjillin e tij (Birin e tij dhe rrugën e shpëtimit tonë).

E gjithë kjo na tregon se ç’lloj Perëndie është ai. Ka shumë libra fetarë në botë por vetëm njëri vjen nga Perëndia dhe na e zbulon me vërtetësi atë: Bibla e cila përbëhet vetëm nga Dhiata e Vjetër dhe e Re. Bibla ka dy pjesë. Në Dhiatën e Vjetër ka tridhjetë e nëntë libra dhe në Dhiatën e Re njëzet e shtatë. Fjala ‘dhiatë’ do të thotë besëlidhje apo premtim i bërë nga Perëndia. Dhiata e Vjetër na çon deri në 400 vjet para lindjes së Krishtit dhe na tregon për krijimin, zgjedhjen e izraelitëve nga Perëndia si popullin e tij të veçantë dhe për ligjet e tij për ta dhe se si duhet ta adhuronin atë. Madje një pjesë e saj shikon drejt ardhjes së Jezu Krishtit. Është e ‘vjetër’ sepse ajo përgatiti rrugën për premtimet e reja dhe më të mira në Jezu Krishtin (Lluka 24:27; Hebrenjtë 9:15).

Dhiata e Re na tregon për lindjen, jetën, vdekjen dhe ringjalljen e Jezu Krishtit dhe jetën dhe rritjen e kishës së krishterë të shekullit të parë. Një pjesë e saj na tregon gjithashtu për të ardhmen. Por mbani mend se e gjithë kjo është Perëndia që zbulon vetveten. Në 400 vjetët midis mbylljes së Dhiatës së Vjetër dhe fillimit të Dhiatës së Re, nuk u shkrua asnjë libër Bible. U shkruajtën disa libra fetarë të cilët njerëzit u përpoqën që t’ia bashkangjitnin Biblës; së bashku këta libra u quajtën ‘Apokrifat’, por Krishti dhe apostujt e tij nuk i njohën ata si fjalën e Perëndisë dhe po kështu dhe ne. Jashtë Dhiatës së Vjetër dhe të Re nuk ka libra të tjerë.

Ngaqë Perëndinë e njohim si Krijuesin tonë të gjithëpushtetshëm, ne presim që ai të na flasë në një mënyrë të besueshme dhe të vërtetë (Psalmi 119:160; Titi 1:2). Nuk do të na mjaftonte të kishim vetëm një ide të përgjithshme të asaj që donte të thoshte Perëndia ose vetëm thelbin e kuptimit të tij. Kur Perëndia përdori shkrues njerëzorë për të shkruar librat e Biblës (dhe rreth dyzet shkrues u përfshinë gjatë një periudhe 1,500 vjeçare) Fryma e Shenjtë e bëri të sigurt që të mos futej asnjë gabim në shkrimet e tyre; kështu që ata shkruan saktësisht atë që Perëndia dontë të thoshte dhe saktësisht ashtu siç donte ta thoshte ai, në kulturën, stilin dhe gjuhën e tyre (2 Timoteu 3:16; 2 Pjetri 1:20-21; 1 Korintasit 2:13). Në këtë mënyrë çdo fjalë e saj u : frymëzua nga Perëndia nëpërmjet autorëve njerëzorë. Perëndia përdori njerëz në mënyrë që Bibla të ishte një libër njerëzor; por Fryma e tij e Shenjtë bëri të mundur rezultatin që Bibla në formën e saj origjinale është tërësisht fjala e Perënaisë. Pa dyshim që ne nuk i kemi tashmë kopjet origjinale dorëshkrime të pesë librave të parë të Moisiut apo të profecisë së Isaias, apo të letrave të Palit në Dhiatën e Re, apo të ndonjë pjese tjetër të Biblës. Më e mira që kemi janë kopje të cilat ishin vetë rezultat i një procesi të gjatë kopjimi. Gjatë këtij procesi, kanë hyrë aty këtu edhe gabime të vogla, por, siç ka thënë një dijetar, as një e mijta pjesë e Biblës nuk është prekur nga kjo; dhe sigurisht asnjë doktrinë e krishterë nuk është prekur nga kjo. Perëndia ka ruajtur për ne kaq shumë kopje të lashta të librave të Biblës saqë me anë të krahasimit të tyre, ne mund të mësojmë se sa çuditërisht të ngjashme janë ato dhe si rrjedhojë sa i saktë është kopjimi. Ne duhet të besojmë pa asnjë dyshim se Bibla që kemi sot është fjala e Perëndisë.

Disa njerëz thonë se meqë ata ishin shkrues njerëzorë atëherë duhet që të kenë bërë gabime kudo. Të tjerë besojnë se gabimet janë të kufizuara vetëm në gjërat që kanë të bëjnë me faktet e historisë, gjeografisë, datave dhe numrave, por ato nuk shfaqen aty ku Bibla flet për çështjet e mëdha të shpëtimit dhe të karakterit të Perëndisë.

Pikëpamje të tilla nuk arrijnë të kuptojnë se nuk mund ta ndash historinë nga doktrina. Për shembull, i gjithë argumenti i Palit në 1 Korintasit 15 është se sigurimi i shpëtimit tonë varet nga fakti historik i ringjalljes së Krishtit. Dhe si Pjetri dhe Gjoni vënë një theks të rëndësishëm në faktin se ata ishin dëshmitarë okularë të historisë që shkruajnë (2 Pjetri 1:16-18; 1 Gjoni 1:1-3). Përveç kësaj, pikëpamje të tilla nuk arrijnë të kuptojnë se frymëzim do të thotë se gjithë Shkrimi vjen nga Perëndia si Autori i tij; e Bibla është pra i frymëzuar nga Perëndia (2 Timoteu 3:16) dhe çdo fjalë e saj është e vërtetë (Fjalët e Urta 30:5). Ne mund të mbështetemi në çdo pjesë të Biblës: ajo është e gjitha pa gabime dhe plotësisht e besueshme në fakt dhe doktrinë.

Gjatë kohës së Reformacionit në shekullin e gjashtëmbëdhjetë debati i madh mbi Shkrimin ishte nëse papat, këshillet kishtare dhe etërit e kishës kishin më shumë autoritet sesa Bibla. Reformatorët pohonin se vetëm Bibla flet me autoritet përfundimtar. Ne mund të themi se Perëndia na flet me anë të mesazhit të predikuesit, apo se të folurit dhe të shkruarit e disa njerëzve ka një zë të fortë autoriteti; dhe në një farë mënyre të dyja këto pohime janë të vërteta. Por megjithëse Perëndia na flet në këtë mënyrë, autoriteti përfundimtar duhet që të jetë gjithmonë Bibla. Bibla ka një autoritet unik që nuk mund të pretendohet nga asgjë apo asnjeri tjetër (Kolosianët 2:8). Vetëm për Shkrimin mund të themi me siguri të plotë se Perëndia ka vënë fjalët e tij në mendjen e shkruesit (Jeremia 1:9; Amosi 3:8; Zakaria 7:12; 1 Korintasit 2:13; 1 Thesalonikasit 2:13; 2 Pjetri 3:2).

Bibla është gjithmonë e mjaftueshme për të gjitha çështjet e besimit dhe praktikës. Librat e shkruar nga njerëzit janë të datuar dhe kanë një vlerë kalimtare; ndërsa Bibla ka një vlerë të pandryshueshme. Vetëm ajo është gjithçka që na duhet të dimë për besimin tonë për Perëndinë dhe për shpëtimin, dhe parimet e saj janë një udhëzues i mjaftueshëm për mënyrën në të cilën duhet të jetojmë. Ne nuk kemi nevojë për asnjë fjalë tjetër nga Perëndia për besimin dhe praktikën tonë; më shumë Bibël nuk mund të ketë (Besëlidhja e Ripërtërirë 4:2; Fjalët e Urta 30:5-6; Juda 3; Zbulesa 22:18-19).

Pyetje për Studim

  1. Bëj një listë me sa më shumë arsye se përse është e rëndësishme që të besojmë se Bibla nuk ka gabime.
  2. Nga e dimë ne se Perëndia nuk ka dhënë më shumë në Bibël sesa gjashtëdhjetë e gjashtë librat?
  3. Çfarë arsyesh përdorin njerëzit në përpjekjet për ta hedhur poshtë saktësinë e Biblës? Shkurt, si do t’u përgjigjeshe ti këtyre argumenteve?
  4. Lexo me kujdes 2 Pjetrin 1:16-21. Çfarë na mësojnë këto vargje për vërtetësinë e Shkrimit?
  5. Shkruaj me fjalët e tua se çfarë do të thotë që Bibla është ‘e mjaftueshme’ .

Materiale ndihmuese:


Share|