jump to navigation

9. Për të Ardhmen

Postuar tek: Çfare Besojne Ungjilloret më: 02, 10, 2010

Zoti Jezu Krisht do të kthehet në lavdi. Ai do të ringjallë të vdekurit dhe do ta gjykojë botën me drejtësi. Të këqijtë do të dërgohen në ndëshkim të përjetshëm dhe të drejtët do të mirëpriten në një jetë gëzimi të përjetshëm në bashkësi me Perëndinë. Perëndia do t’i bëjë të gjitha gjërat të reja dhe do të lavdërohet në përjetësi.

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * *

Kisha e krishterë është një komunitet i mbushur me shpresë të gjallë dhe të sigurt (1 Pjetri 1:3). Sado që të jenë të përfshirë në këtë botë pjesëtarët e tij, përpara tyre ka gjithmonë një siguri se Zoti Jezu Krisht do të kthehet. Koha e kthimit të tij është e panjohur nga Kisha në tokë (Mateu 24:36) dhe nuk ka për të patur asnjë paralajmërim për ardhjen e tij (Mateu 24:42). Ne nuk duhet t’u besojmë atyre që pretendojnë se mund ta parashikojnë datën e kthimit të Zotit tonë (Mateu 24:23-24); ata janë gabuar gjithmonë në të kaluarën dhe do të kenë gjithmonë gabim edhe në të ardhmen.

Në disa detaje të kthimit të Krishtit Shkrimet nuk na japin informacion; ndërsa për çështje të tjera, Bibla është shumë e përcaktuar. Nuk duhet t’ia lejojmë vetes që të bëhemi jotolerantë ndaj atyre që kanë pikëpamje të ndryshme nga e jona në lidhje me radhën e ngjarjeve që do të rrethojnë kthimin e Krishtit (shpesh u referohet si pikëpamjet për mijëvjeçarin), apo për detajet e gjykimit dhe qiellit. Fakti që Krishti do të vijë në lavdi është pjesë e pritjes sonë të madhe. Kjo nuk do të thotë vetëm se ai do të vijë i rrethuar nga një dritë e shkëlqyer, megjithëse kjo ka shumë të ngjarë të ndodhë (Mateu 24:27), por se ai do të shfaqet në të gjithë bukurinë, shenjtërinë, fuqinë dhe përkryeshmërinë e tij. Ai do të shihet ashtu siç është në të vërtetë (1 Gjoni 3:2), është kjo lavdia.

Në atë ditë të mrekullueshme ai do të ringjallë të vdekurit dhe do ta gjykojë botën. Të gjithë të vdekurit do të ringjallen, si besimtarët ashtu dhe jobesimtarët, dhe ajo ka për të qenë një ringjallje e vërtetë fizike. Kur të vdekurit do të jenë ringjallur, të krishterët që do të jenë të gjallë në momentin e ardhjes së tij do të ngrihen lart për të takuar Krishtin (1 Thes. 4:16-17). E gjithë kjo është një mister i madh për ne, por jo për Perëndinë për të cilin çdo gjë është e mundur.
Pastaj do të vijojë gjykimi. Të gjithë do të gjykohen, si të krishterët ashtu dhe jo të krishterët; por të krishterët nuk duhet të frikësohen për ndonjë ndëshkim të përjetshëm. Shpëtimi ynë është i siguruar nga Krishti, jo nga veprat tona të mira; kështu që asnjë mëkat nuk mund të ngrihet si akuzë kundër të krishterit për ta gjykuar (Rom. 8:1) dhe ai nuk mund ta ndajë atë kurrë nga Krishti (Rom. 8:35-39). Ajo që do të përballojnë të krishterët është një provë e cilësisë së jetës që ata kanë jetuar për Perëndinë. Megjithëse shpëtimi ynë është i sigurt, disa shpërblime do të fitohen dhe disa të tjera do të humben, si p.sh., aprovimi i Shpëtimtarit tonë dhe kënaqësia e një jete të jetuar me urtësi për të. Është një gjë e trishtueshme që disa të krishterë nuk do të kenë asgjë me ndonjë vlerë të qëndrueshme për t’ia ofruar Zotit atë ditë (1 Kor. 3:12-15).

Edhe jobesimtarët do të gjykohen dhe ai gjykim ka për të qenë një gjë e tmerrshme. Sekretet e njerëzve do të shfaqen (Rom. 2:16) dhe mëkatshmëria e zemrave dhe jetëve të tyre do të bëjë të heshtë çdo shfajësim që mund të nxirret si justifikim (Rom. 3:19-20). Të këqijtë do të dëshirojnë fort t’i fshihen gjykimit të Perëndisë dhe të Krishtit, por, nuk do të gjejnë dot shteg për të shpëtuar (Zbulesa 6:15-17). Të gjitha gjykimet e Perëndisë do të bëhen me drejtësi, kështu që çdo besimtar apo jobesimtar do ta pranojë drejtësinë e shpalljes së vendimit të Perëndisë. Në gjykimet e Perëndisë nuk do të ketë anësi.

Në fund të kohës, të këqijtë do të dërgohen në ndëshkim të përjetshëm. Fjala ‘ndëshkim’ që përdoret nga vetë Zoti ynë Jezu Krisht (tek Mateu 25:46, për shembull) është një fjalë që gjithmonë ka kuptimin e një vuajtjeje të ndërgjegjshme; dhe ‘i përjetshëm’ do të thotë diçka që vazhdon në jetë të jetëve (Zbulesa 20:10). Ne nuk duhet të mendojmë vetëm për mundimin fizik, por për keqardhjen e tmerrshme për të gjitha mundësitë e humbura dhe për përjetimin e tmerrshëm të ndarjes nga vetë Perëndia.

Ky është një paralajmërim i tmerrshëm. Kaq i tmerrshëm saqë ka disa të krishterë të cilët tundohen që ta shmangin kuptimin e qartë të Biblës. Disa pretendojnë se jobesimtarët do të fshihen në harresë duke u asgjësuar menjëherë pas vdekjes. Të tjerë thonë se jobesimtarët, pasi të ringjallen nga të vdekurit, do të përballojnë zemërimin e gjykimit të Perëndisë për një periudhë, dhe pastaj do të asgjësohen në mënyrë që të mos ndiejnë apo mendojnë më asgjë. Kjo njihet si ‘pavdekshmëri e kushtëzuar’, ose ‘asgjësim’. Por, ne nuk mund ta ndryshojmë kurrë kuptimin e qartë të Shkrimeve vetëm ngaqë ndëshkimi i përjetshëm na duket i papranueshëm nga ana emocionale. Fjala ‘i përjetshëm’, si për ferrin ashtu dhe për parajsën, do të thotë në përjetësi, dhe ‘ndëshkimi’ do të thotë vuajtje e ndërgjegjshme (pra, që e kupton se vuan); në Bibël, fjala ‘vdekje’ nuk do të thotë kurrë asgjësim.

Bibla është plot me premtime që Perëndia u jep atyre të cilët janë shpallur të drejtë nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin. Të drejtët do të mirëpriten në një jetë gëzimi të përjetshëm në bashkësi me Perëndinë Meqë qëllimi ynë më i lartë është të njohim Perëndinë (Efesianët 1:17), atëherë gëzimi ynë më i madh duhet të jetë që ne të mbetemi në përjetësi, në një miqësi të pathyeshme me të. Pjetri shkruan se të krishterëve begatisht do t’ju hapet hyrja në mbretilrinë e amshuar të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht (2 Pjetri 1:11), dhe privilegji nuk ka të bëjë thjesht me të hyrët në Parajsën e përjetshme, por me të qenët i ‘mirëpritur’ në qiell nga Ati dhe Biri! Dhe kjo është një gjë shumë e mrekullueshme!

Së fundi, Perëndia do t’i bëjë të gjitha gjërat të reja. Ai do të krijojë një qiell dhe një tokë të re, banesën e drejtësisë (2 Pjetri 3:13; Zbulesa 21:1). Nuk mund të presim që t’i kuptojmë të gjitha detajet e kësaj gjëje apo natyrën e jetës sonë në qiell. E gjithë kjo ka për të qenë shumë e ndryshme nga ajo që mund ta imagjinojmë ndonjëherë dhe ka për ta kaluar kaq shumë njohurinë dhe mendimin tonë të tashëm, saqë Bibla mund ta përshkruajë qiellin vetëm si vendin ku është Perëndia (Ezekieli 48:35; Zbulesa 21:3; 22:4-5) - dhe kjo mjafton! Perëndia triun do të lavdërohet në përjetësi, kështu që bukuria dhe shenjtëria e tij do të njihen në të gjithë shkëlqimin e tyre dhe ai do të marrë lavdinë që i takon emrit të tij (1 Kor. 15:28; Zbulesa 5:13-14).

Pyetje për Studim

  1. Çfarë përgjigje do t’u jepje atyre që tallen me kthimin e Krishtit si diçka që të krishterët kanë shpresuar gjithmonë, por që nuk ndodh kurrë?
  2. Cila do të jetë arsyeja për ndëshkimin e përjetshëm të jobesimtarëve?
  3. Disa njerëz janë ngritur kundër mësimit se ndëshkimi i përjetshëm do të thotë një vuajtje e ndërgjegjshme përgjithmonë. Cilat janë argumentet që përdoren kundër këtij mësimi, dhe si do t’u përgjigjeshe atyre?
  4. Cilat janë bekimet e jetës së përjetshme?
  5. Në ç’mënyrë na ndihmon shpresa jonë për të ardhmen në mënyrë që të jetojmë jetën tonë si të krishterë, tani?
Share|