jump to navigation

Çfarë e bën Biblën kaq të veçantë?

Postuar tek: Përgjigje dhe Argumente

Krishterimi beson dhe mëson se vetë Bibla është zbulesa e Fjalës së Zotit. Edhe pse u shkrua nga njerëzit, autori kryesor ishte Zoti i plotfuqishëm. Ky pretendim nuk u zbulua prej kishës, por është pretendim që Bibla ka për vetveten.

“Fjala e Zotit mbetet për jetë.” (1 Pjetër 1:25) [1] “I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia.” (2 Timoteut 3:16), “Sepse asnjë profeci që nuk ka ardhur nga vullneti i njeriut, por njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur, të shtyrë nga Fryma e Shenjtë.” (2 Pjetër 1:21). Mbi dy mijë herë vetëm në Dhiatën e Vjeter gjenden pjesë të tilla si: “Dhe Zoti i foli Moisiut.” “Dhe Fjala e Zotit iu drejtua Jonas.” dhe “Zoti tha”. Për më tepër, Bibla pretendon të jetë regjistrimi i fjalëve dhe veprave të Zotit, kështu që ajo e konsideron veten Fjalë të Zotit.

Vetë fakti që Bibla pretendon të jetë Fjala e Zotit nuk provon që është, sepse ka libra të tjerë me pretendime të ngjashme. Ndryshimi është që Shkrimet përmbajnë prova të bindshme që është Fjala e Zotit. Një arsye që Bibla është e pashoqe mes librave të tjerë është uniteti i saj. Edhe pse u shkrua nga njerëzit, Bibla u shkrua në një periudhë kohe prej afër 1500 vjetësh, nga më shumë se dyzet autore të ndryshëm njerëzorë. Këta autorë vinin nga mjedise e rangje të ndryshme duke përfshirë këtu Jozueun (gjeneral ushtarak), Danielin (kryeministër), Pjetrin (peshkatar) dhe Nehemiasin (kupëmbajtësin e mbretit).

Autorët e librave të ndryshëm shkruan në vende të ndryshme, si në shkretëtirë (Moisiu), në burg (Pali), në mërgim në ishullin Patmos (Gjoni). Shkrimet biblike u krijuan në tri kontinente (Afrikë, Azi dhe Europë) si dhe tri gjuhë (hebraike, aramaike dhe greqishte).

Përmbajtja e Biblës merret me subjekte të debatueshme. Megjithatë, Bibla mbetet e tërë. Që nga fillimi e deri në fund zhvillohet një histori e planit të Zotit për shpëtimin e njerëzimit. Ky shpëtim vjen nëpërmjet personit të Jezu Krishtit. (Gjoni 14:6) Vetë Jezusi vërtetoi se Ai ishte tema e gjithë Biblës. “Ju hetoni Shkrimet, sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme, por ato janë këto që dëshmojnë për mua… Sepse, në qoftë se ju do t’i kishit besuar Moisiut, do të më besonit edhe mua, sepse ai ka shkruar për mua. Por, në qoftë se ju nuk u besoni Shkrimeve të tij, si do t’u besoni fjalëve te mia?” (Gjoni 5:39, 46, 47.) Diku tjetër Jezusi tha: “Dhe duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij. ” (Luka 24:27, shih, gjithashtu, Luka 24:44).

Dhiata e Vjetër është përgatitja (Isaia 40:3). Ungjijtë janë shfaqja (Gjoni 1:29), Libri i veprave është përhapja (Veprat 1:8). Letrat janë shpjegimi (Kolosianëve 1:27). Libri i Zbulesës është plotësimi (Zbulesa 1:7). Bibla është tërësisht për Jezusin.

Gjithë Bibla është një tërësi, ku çdo pjesë është nevojtare ndaj tjetrës për t’u plotësuar. Dr. F. A. Albrajt e shpjegon kështu këtë: “Për shkrimtarët e Dhiatës së Re, Bibla hebrej ishte Shkrimi i Shenjtë dhe ata ishin trashëgimtarët e drejtpërdrejtë të profetëve të saj. Kështu është krejt e pamundur ta kuptosh Dhiatën e Re, pa ditur se qëllimi i tij ishte plotësimi dhe shpjegimi i Biblës hebrej”.

“Çdo përpjekje për t’u kthyer te burimi i krishterimit pa pranuar Biblën në tërësi si udhërrëfyesën tonë, është e dënuar të dështojë”. (cituar nga Roger T. Forster dhe V. Paul Marston “That’s a Good Question. f. 67)

Që dikush të mos mendojë se një gjë e tillë nuk është ndonjë mrekulli, po ju japim një provë. Gjeni dhjetë njerëz nga vendi ku ju jetoni që të kenë të njëjtën histori prejardhjeje, të flasin të njëjtën gjuhë dhe të kenë që të gjithë në themel të njëjtën kulturë. Pastaj ndajini dhe u kërkoni të shkruajnë mendimin e tyre për një temë të debatueshme si, fjala vjen, Kuptimi i Jetës.

Kur të kenë përfunduar, krahasojini përfundimet e këtyre dhjetë shkruesve. A janë ata të një mendjeje me njëri-tjetrin? Patjetër që jo. Mirëpo Bibla nuk ka të bëjë thjeshtë me dhjetë autorë, por me dyzet. Ajo nuk u shkrua brenda një breznie, por gjatë 1500 vjetësh, jo prej autorësh të të njëjtit arsimim, kulturash shumë të ndryshme e më në fund, duke mos trajtuar pikërisht vetëm një temë, por qindra. Dhe, megjithatë, Bibla është tërësisht harmonike. Në të ka një harmoni të plotë, që nuk mund të shpjegohet prej rastësisë apo ndonjë makinacioni. Uniteti i Biblës është një argument i fortë që shkon në të mirë të frymëzimit të saj hyjnor.

Uniteti i Shkrimit është vetëm një arsye midis shumë të tjerave që mbështet pretendimin e Biblës për të qenë Fjala hyjnore e Zotit. Të tjërat të cilat do të mundnim t’i shpjegonim në hollësi, janë dëshmia e kishës së hershme, prova e historisë dhe e arkeologjisë, prova e ndryshimit të jetëve përmes shekujve, për të përmendur këtu vetëm disa syrësh.

Këto fakte e çuan arkeologun e madh W. F. Albrajt në përfundimin “Bibla lartësohet në përmbajtje mbi gjithë lëtersinë e hershme fetare; ajo lartësohet pikërisht aq mbresë lë nëse mbi gjithë letërsinë e mëpastajme, me thjeshtësinë e drejtpërdrejtë të mesazhit të vet dhe të universalitetit të thirrjes së saj drejtuar njerëzve të të gjitha vendeve dhe kohërave. (The Christian Century, nëntor 1958)

Bibla është e veçantë. Ajo është e pashoqe. Asnjë libër tjetër nuk ka të tilla kredenciale. As edhe një libër tjetër madje nuk mund t’i afrohet asaj. “Anglia ka dy libra, Biblën dhe Shekspirin: Anglia bëri Shekspirin, por Bibla bëri Anglinë” (Viktor Hygo).


1. Të gjitha citimet biblike në këtë libër bëhën sipas Biblës, përkthim Diodati i Ri, Tiranë 1994. (Shën. i përkth.)