jump to navigation

Çfarë Besojmë Ne

Postuar tek: Çfare Besojne Ungjilloret

1. Perëndia

Ka vetëm një Perëndi i cili ekziston përjetësisht në tre persona të dalluar nga njëri-tjetri por të barabartë: Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë. Perëndia është i pandryshueshëm në shenjtërinë, drejtësinë, urtësinë dhe dashurinë e tij. Ai është Krijuesi, Shpëtimtari dhe Gjykatësi i gjithë pushtetshëm i cili mban dhe qeveris të gjitha gjërat sipas vullnetit të tij sovran për lavdinë e tij.

2. Bibla

Perëndia na e ka zbuluar veten e tij në Bibël, e cila përbëhet vetëm nga Dhiata e Vjetër dhe e Re. Çdo fjalë u frymëzua nga Perëndia me anë të autorëve njerëzorë, kështu që Bibla në origjinal është Fjala e Perëndisë, pa gabime dhe plotësisht e besueshme në fakte dhe doktrinë. Vetëm Bibla flet me një autoritet përfundimtar dhe është gjithmonë e mjaftueshme për të gjitha çështjet e besimit dhe praktikës.

3. Raca Njerëzore

Të gjithë burrat dhe gratë, meqenëse janë krijuar në shëmbëlltyrën e Perëndisë, kanë nga natyra vlerë dhe dinjitet të barabartë. Qëllimi i tyre më i lartë është që të duan, adhurojnë dhe i binden Perëndisë. Si pasojë e rënies së prindërve tanë të parë në mëkat, çdo aspekt i natyrës njerëzore është korruptuar dhe të gjithë burrat dhe gratë janë pa jetë shpirtërore, mëkatarë fajtorë dhe armiqësorë ndaj Perëndisë. Çdo njeri është si rrjedhojë nën mallkimin e drejtë të Perëndisë dhe ka nevojë që të lindë sërish, të falet dhe të pajtohet me Perëndinë me qëllim që ta njohë dhe ta kënaqë Atë.

4. Zoti Jezu Krisht

Zoti Jezu Krisht është plotësisht Perëndi dhe plotësisht njeri. U ngjiz nga Fryma e Shenjtë, u lind nga një virgjëreshë, dhe bëri një jetë pa mëkat në bindje ndaj Atit. Ai mësoi me autoritet dhe të gjitha fjalët e tij janë të vërteta. Në kryq, ai vdiq në vend të mëkatarëve, duke mbajtur ndëshkimin e Perëndisë për mëkatin e tyre, duke i shpenguar (çliruar) ata me anë të gjakut të tij. Ai u ngall nga të vdekurit dhe u ngrit në qiell me trupin e tij të ringjalljes ku adhurohet si Zot i të gjithëve. Jezusi ndërmjetëson për popullin e tij në praninë e Atit.

5. Shpëtimi

Shpëtimi është plotësisht një vepër e hirit të Perëndisë dhe nuk mund të fitohet apo meritohet. Ai u krye plotësisht nga Zoti Jezu Krisht dhe u ofrohet të gjithëve në ungjill. Perëndia në dashurinë e tij i fal mëkatarët të cilët i thërret, duke u dhuruar atyre pendim dhe besim. Të gjithë ata që besojnë te Krishti shpallen të drejtë vetëm me anë të besimit, duke u birësuar në familjen e Perëndisë, dhe marrin jetë të përjetshme.

6. Fryma e Shenjtë

Fryma e Shenjtë është dërguar nga qielli për të lartësuar Krishtin dhe për të zbatuar veprën e tij të shpëtimit. Ai i bind mëkatarët për mëkatin e tyre, jep jetë shpirtërore dhe një të kuptuar të vërtetë të Shkrimeve. Ai banon në të gjithë besimtarët, sjell siguri shpëtimi dhe i transformon ata gjithnjë e më shumë në ngjashmëri me Krishtin. Ai e ngre kishën dhe i fuqizon pjesëtarët e saj për adhurim, shërbim dhe mision.

7. Kisha

Kisha e përbotshme është trupi që ka për krye Krishtin dhe asaj i përkasin të gjithë ata që janë të shpëtuar. Ajo bëhet e dukshme në kishat lokale, të cilat janë bashkësi besimtarësh që i janë përkushtuar njëri-tjetrit për të adhuruar e Perëndinë, për të predikuar, shërbesën e pagëzimit dhe Darkës së! Zotit, për kujdesin dhe disiplinën pastorale, dhe për ungjillizimin. Uniteti i trupit të Krishtit shprehet brenda dhe midis kishave të ndryshme me anë të dashurisë!, kujdesit dhe inkurajimit reciprok. Shoqëria e vërtetë midis kishave ekziston vetëm atëherë kur ato i janë besnike ungjillit.

8. Pagëzimi dhe Darka e Zotit

Pagëzimi dhe Darka e Zotit u janë dhënë kishave nga Krishti si shenja të dukshme të ungjillit. Pagëzimi simbolizon bashkimin me Krishtin dhe hyrjen në kishën e tij, por ai nuk jep jetë shpirtërore. Darka e Zotit është përkujtimi i flijimit të Krishtit që u ofrua një herë e përgjithmonë dhe nuk nënkupton asnjë ndryshim në bukën dhe verën. Të gjitha bekimet e tij merren me anë të besimit.

9. E Ardhmja

Zoti Jezu Krisht do të kthehet në lavdi. Ai do të ringjallë të vdekurit dhe do ta gjykojë botën me drejtësi. Të këqijtë do të dërgohen në ndëshkim të përjetshëm dhe të drejtët do të mirëpriten në një jetë gëzimi të përjetshëm në bashkësi me Perëndinë. Perëndia do t’i bëjë të gjitha gjërat të reja dhe do të lartësohet përgjithmonë.