Në cilën gjuhë u lut Krishti në kryq?
Postuar tek: Mospërputhjet në BibëlA tha Jezusi “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?” në hebraishte (Mateu 27:46) apo në gjuhën aramaike (Marku 15:34)?
(Kategoria: Është keqkuptuar përdorimi i hebraishtes)
Pyetja se a foli Jezusi në gjuhën hebraike ose aramaike në kryq ka përgjigje. Mirëpo, arsyeja pse Mateu dhe Marku regjistrojnë në mënyra të ndryshme është me siguri për shkak të mënyrës si është folur për të në gjuhën aramaike, pasi që kjo kishte ndodhur, dhe për shkak të atyre që e pranonin Ungjillin. Megjithatë, e tërë çështja nuk është një kritikë e vlefshme e Biblës. Fragmenti i Markut 15:34 me siguri është fragmenti i Dhiatës së Re ku më së tepërmi citohet në gjuhën aramaike, duke thënë “Eloi, Eloi: lama sabaktani.” Mirëpo, është e dyshueshme që Jezusi të ketë folur në gjuhën në të cilën Marku e regjistron.
Arsyeja është e thjeshtë; njerëzit që dëgjuan fjalët e Jezusit menduan se ai po e thërriste Elijën (Mateu 27:47 dhe Marku 15:35-36). Për ta bërë këtë gabim shikuesit, atëherë Jezusi duhet të ketë thirrur “Eli, Eli” dhe jo “Eloi, Eloi.” Pse? Sepse në hebraisht Eli do të thotë ose “Perëndia im” ose forma e shkurtuar e Elijahut që në hebraisht do të thotë Elija. Mirëpo, në aramaishte Eloi mund të jetë vetëm “Perëndia im”. Ja vlen të cekim se fjala lama (“pse”) është e njëjta fjalë në të dyja gjuhët, dhe sabak nuk është një folje që mund ta gjejmë vetëm në aramaishte por edhe në hebraishten mishnaike. Prandaj, Jezusi me siguri foli në gjuhën hebreje. Pse është regjistruar atëherë edhe në gjuhën arameje? Jezusi ishte pjesë e një shoqërie ku përdoreshin shumë gjuhë. Ai me siguri ka folur greqishten (gjuha e rëndomtë e Greqisë dhe Romës), aramaishten (gjuha e rëndomtë e Lindjes së Afërt antike) dhe hebraishten, gjuha e shenjtë e judaizmit, e cila është rigjallëruar në formën e hebraishtes mishnaike në kohën e Tempullit të Dytë. Hebraishtja dhe aramaishtja janë gjuhë semitike shumë të afërta. Prandaj, shfaqja e termeve hebraike dhe arameje tek Ungjijtë nuk është fare e habitshme.
Që njëri shkrimtar i Ungjillit e regjistron një gjë në gjuhën hebraike dhe tjetri në gjuhën tepër të ngjashme arameje nuk është problem për të krishterët, dhe nuk është një kritikë e Biblës. Arsyeja e thjeshtë për këtë dallim është me siguri që kur njëri prej tyre do t’i kujtonte dhe diskutonte ngjarjet e jetës se Jezusit, vdekjen dhe ringjalljen, kjo frazë mund të ishte përsëritur në gjuhën arameje gjatë bisedës së tyre, gjë që do të ishte krejtësisht normale. Kështu që ai e shkroi si të tillë. Arsyeja e dytë është se Marku mund ta ketë shkruar në gjuhën arameje për shkak të faktit se ai vetë ka qenë njëri nga pranuesit origjinal të Ungjillit. Megjithatë, të dyja arsyet e dhëna janë thjesht teori. Po t’i kishte regjistruar Marku fjalët e tij në gjuhën arabe, atëherë ne do të shqetësoheshim! (Bivin/Blizzard 1994:10).