Dhiata e Re
Postuar tek: Le t'ju prezantoj me BiblënUngjijtë
Ungjijtë ndoshta janë pjesa më e njohur e Biblës. Por ndërsa shumë njerëz kanë njohuri rreth Ungjijve, vetëm pak e kuptojnë sferën dhe qëllimin e këtyre katër librave. Shumica mendojnëse ata janë thjeshtë katër biografi të Krishtit.
Është e rëndësishme të theksojmë se Ungjijtë nuk kanë qëllim që të japin një dëshmi të plotë të jetës së Krishtit në tokë. Fryma e Shenjtë ka zgjedhur ngjarje të caktuara dhe i ka ndërthurur ata së bashku për të theksuar aspekte të caktuara të jetës së Krishtit.
Faktet e mëposhtme e ilustrojnë këtë përzgjedhje. Me përjashtim të pesë kapitujve, i gjithë materiali në Ungjijtë, ka të bëjë me tre vitet e fundit të Shpëtimtarit në tokë. Njëzet e tetë kapituj kanë të bëjnë me 10 ditët midis ardhjes së Tij të fundit në Betani dhe ringjalljes së Tij. Ungjijve nuk u mungon të japin një dëshmi të plotë të madje viteve të fundit të veprimtarisë së Shpëtimtarit. Gjoni na kujton se ka edhe shumë gjëra të tjera që Ai bëri, të cilat, po të shkruheshin një nga një, nuk do të mjaftonte mbarë bota që t’i nxinte ato (Gjoni 21:25).
Shkruesit e Ungjijve zgjodhën ngjarje që paraqesin aspekte të ndryshme të Zotit tonë. Për këtë arsye, disa ngjarje gjenden vetëm në një Ungjill, disa në dy ose tre Ungjij dhe disa në të katër. Ngjarjet e jetës së Krishtit nuk janë vënë në rendin kronologjik. Për ne rendi kronologjik na duket më i sakti. Por ndonjëherë është më e rëndësishme t’u referohemi ngjarjeve në një mënyrë të tillë që të nxjerrim mësime morale ose frymërore. Secili nga Ungjijtë ka si qëllim që të paraqesë Krishtin në një aspekt të ndryshëm. Mateu e paraqet Atë kryesisht si Mbret, Marku si Shërbëtor, Lluka si Njeri dhe Gjoni si Perëndi (megjithëse ka ca përjashtime). Kjo paraqitje e katërfishtë duket se gjendet në shumë pjesë të Dhjatës së Vjetërdhe të Re, siç mund të shihet në tabelën e mëposhtme:
| Mateu | Marku | Luka | Gjoni |
| Mbret | Shërbëtor | Njeri | Perëndi |
| Luan | Ka | Njeri | Shqiponjë |
| Eze.1:10
Zbu. 4:7 |
Eze. 1:10
Zbu. 4:7 |
Eze. 1:10
Zbu. 4:7 |
Eze. 1:10
Zbu. 4:7 |
| Dega (ose Biri) | Shërbëtori im | Njeriu | Dega e Davidit |
| Jer. 23:5 | Zak. 3:8 | Zak. 6:12 | Isa. 4:2-6 |
| Ja, mbreti yt | Ja, shërbëtori yt | Ja, Njeriu | Ja, Perëndia |
| Zak. 9:9 | Isa. 42:1 | Zak. 6:12 | Isa. 40:9 |
| E purpur | E kuqe flakë | Li i bardhë | Blu |
Katër ngjyrat duhen shpjeguar. Këto ngjyra gjendeshin në Tabernakullin dhe në disa nga veshjet e priftërinjve. E purpurta është ngjyra e mbretërimit; mbretërit e Madianit, për shembull, vishnin rroba ngjyrë të purpurt (Gjyqtarët 8:26). E kuqja flakë bëhej nga krimbi koçenal, duke na kujtuar Shërbëtorin që vuan dhe derdh gjakun, i cili tha: “Unë jam një krimb dhe jo një njeri …” (Psalmi 22:6). Ngjyra e bardhë e lirit flet për drejtësinë (Zbulesa 19:8), përjetën e panjollë të Zotit tonë si njeri. Ngjyra blu është Ngjyra e qiellit, që na kujton Atë që erdhi nga qielli.
Shkrimtarët e Ungjijve i zgjodhën materialet e tyre që t’i përshtaten një aspekti të veçantë të Zotit që ata dëshironin të paraqisnin. Kështu Mateu jep një gjeneologji të Jezusit për të provuar të drejtën e Tij ligjore për fronin. Lluka jep një gjeneologji për të provuar se Zoti ynë ishte me të vërtetë njerëzor. Marku nuk jep një gjeneologji sepse ajo nuk është e rëndësishme për një shërbëtor. Dhe Gjoni nuk jep një gjeneologji sepse si Biri i Perëndisë, Zoti Jezus nuk kishte fillim.
Ndonjëherë ajo që duket se është e njëjta ngjarje në Ungjij të ndryshëm në fakt del se është ngjarje e ndryshme. Pastrimi i Tempullit në Gjonin 2:13-25 zë vend në fillim të shërbimit publik të Krishtit, ndërsa pastrimi në Mateun 21:12-17, Marku 11:15-19 dhe Lluka 19:45, 46 zënë vend në fund të shërbimit të Tij.
Dëshmi të ndryshme të së njëjtës ngjarje nuk janë kurrë kontradiktuese. Ndonjëherë ata janë shtesë. Secili nga Ungjijtë jep një dëshmi të ndryshme të fjalëve në krye të Kryqit:
Mateu 27:37: “Ky është Jezusi Mbreti i hebrenjve”.
Marku 15:26: “Mbreti i hebrenjve”.
Lluka 23:38: “Ky është Mbreti i hebrenjve”.
Gjoni 19:19: “Jezusi i Nazaretit, Mbreti i hebrenjve”.
Po t’i bashkoni të gjitha këto së bashku do të gjeni këtë mbishkrim në Kryq: “Ky është Jezusi i Nazaretit, Mbreti i hebrenjve”. Por nëse ndryshimet janë ose jo shtesë, ka gjithmonë një arsye për to dhe ajo arsye është që të nxjerrin ca të vërteta frymërore, domethënëse dhe kuptimplotë.
Shërbimi publik i Krishtit mund të ndahet në tre faza:
Shërbimi Judeas–rreth një vit.
Gjoni 1:15 – 4:54.
Shërbimi në Galile–rreth një vit e nëntë muaj.
Mateu 4:12 – 18:3 5
Marku 1:14 – 9:50
Lluka 3:19 – 9:50
Gjoni 5:1 – 10:21.
Shërbimi në Perea–rreth katër ose pesë muaj.
Mateu 19:1 – 20:28
Marku 10:1 – 10:45
Lluka 9:51 – 18:34
Gjoni 10:22 – 11:57.
Tre Ungjijtë e parë quhen sinoptikë (Syn = me; optic = shoh), në kuptimin që, në përgjithësi, ata mbulojnë të njëjtin terren ose kanë të njëjtën pamje të shërbimit të Zotit tonë. Ungjilli i Gjonit quhet autoptik (aut = vetë; optic = shoh), sepse Gjoni e sheh Zotin në një mënyrë që është e ndryshme nga të tjerët. Mbi 90 përqind e materialit të mbuluar prej Gjonit është unik për këtë Ungjill.
Ungjijtë nuk janë së pari një prezantim i shpëtimit, megjithëse ai përfshihet. Për më tepër ata janë një regjistrim historik i ngjarjeve, nëpërmjet të cilave shpëtimi është bërë i mundur–vdekja, varrosja, ringjallja dhe përlëvdimi i Zotit Jezus Krisht.
MATEU. Ungjilli i Mateut flet për Mbretin–gjeneologjinë e Tij, lindjen dhe vitet e vegjëlisë; përbërjen e mbretërisë së Tij (Predikimi në Mal); dhe kredencialet, mohimin, opozitën e madhe, arrestimin, vdekjen, varrosjen dhe ringjalljen e Tij. Predikimi profetik (Mateu 24 dhe 25) është një nga pjesët profetike të Shkrimit të Shenjtë.
MARKU. Krishti si Shërbëtori i përsosur hyn direkt në shërbimin e Tij. Ju do të vini re përdorimin shpesh të fjalës menjëherë. Ky libër është libër veprimi. Siç mund ta prisnit, këtu theksohen më shumë veprat e Zotit sesa fjalët e Tij. Një varg çelës është 10:45: “Sepse Biri i Njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e Tij si çmim për shpengimin e shumë vetave”.
LLUKA. Lluka e portretizon Krishtin si Biri i përsosur i Njeriut. Megjithatë, theksimi që Lluka u jep lutjeve të Krishtit, nuk është çutitës. Keqardhja dhe falja nga Zoti janë
gjithashtu të forta nëpër gjithë Ungjillin. Lluka flet shumë për gratë dhe fëmijët, për këngët dhe termat e dishepullizimit dhe për çështjet mjekësore.
GJONI. Qëllimi i këtij Ungjilli thuhet në 20:31: “… që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, ta keni jetën në emër të Tij”. Ka shtatë mrekulli ose shenja që mbështesin thënien e Jezusit për të qenurit i vetëm i Perëndisë. Zoti Jezus i zbaton Vetes Emrin hyjnor UNË JAM shtatë herë. Gjoni ka nëntë shërbesa të Zotit tonë që nuk gjenden tjetërkund. Ndoshta vargu më i njohur në Bibël është Gjoni 3:16: “Sepse Perëndia aq e deshi botën, sa dha Birin e Tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në Të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”. Gjoni quhet “Ungjilli me dy fjalë”, sepse tregon në mënyrë kaq të saktë se ne shpëtohemi nëpërmjet besimit në Birin e Perëndisë, i cili vdiq si Zëvendësues, duke paguar dënimin për mëkatet tona.
Libri i Veprave të Apostujve
J. B. Filips e quajti parafrazimin e tij të Veprave “Kisha e re në veprim”. Është një titull shumë i përshtatshëm sepse në këtë libër Lluka tregon lindjen dhe vitet e para të shoqërisë së re të Perëndisë. Përshkrimi i Veprave mbulon 34 vjetët nga ngjitja e Krishtit deri në burgosjen e parë të Palit në Romë (60-63 e.s.).
Apostulli Pjetër zë rolin kyç në kapitujt 1-12. Pas kësaj, Pali është apostulli më i njohur. Teksti i Veprave nuk tenton të japë një histori të plotë të kishës së hershme, por vetëm izoloi ngjarje të zgjedhura nga Fryma e Shenjtë për të treguar zhvillimin frymëror të kishës.
Veprat 1:8 formon një lloj përmbledhjeje të librit: “… ju do të bëheni dëshmitarët e mi në Jerusalem dhe në gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut”. Ne mund ta ndajmë atë në këtë mënyrë:
Jerusalem( 1:1 – 8:1a)
Jude (8:1b)
Samari (8:1b, 4-25)
Skajin e dheut (9:1 – 28:31)
Veprat përshkruajnë një përmbushje historike të porosisë së Krishtit që ungjilli duhet t’i predikohet hebrenjtë të parit, pastaj johebrenjve. Ndoshta një nga çelësat më të rëndësishëm në të kuptuarit e librit të Veprave është të kuptojmë se ai është tranzitor- domethënë, lidh periudhën nga fillimi i kishës (kur përbëhej pothuajse krejtësisht nga hebrenj të konvertuar) deri në kohën kur i hoqi rrobat e varrit të judaizmit dhe u shtri në një shoqëri të re të përbërë nga hebrenj dhe johebrenj, të gjithë një në Krishtin Jezus. Në fillim të Veprave të krishterët takoheshin në Tempull dhe Sinagogë, por ndërsa koha kalonte ata takoheshin kryesisht në shtëpi.
Ja pikat kryesore të librit:
- Ngjitja e Krishtit (kapitulli 1)
- Datëlindja e kishës, kur Fryma e Shenjtë erdhi në ditën e Rrëshajëve (kapitulli 2).
- Shërbimi i Pjetrit dhe Gjonit, i shoqëruar nga një kundërshtim i madh (kapitujt 3 – 5).
- Shërbimi, arrestimi, mbrojtja dhe martirizimi i Stefanit (kapitujt 6, 7).
- Filipi merr ungjillin për në Samari (kapitulli 8).
- Konvertimi i Saulit të Tarsit (kapitulli 9).
- Pjetri merr ungjillin për tek Korneli, një johebre (kapitulli 10).
- Ungjilli arrin Antiokun (kapitulli 11).
- Martirizimi i Jakobit (kapitulli 12).
- Udhëtimi i parë në mision i Palit (kapitujt 13, 14).
- Kuvendi në Jerusalem (kapitulli 15).
- Udhëtimi i dytë në mision i Palit (kapitujt 16 – 18).
- Udhëtimi i tretë në mision i Palit (kapitujt 19 – 21).
- Burgosja e Palit në Cezare (kapitujt 22 – 26).
- Udhëtimi i Palit për në Romë dhe burgosja atje (kapitujt 27, 28).
Letrat
Trembëdhjetë nga Letrat e Dhiatës së Re u shkruan nga Pali, tre nga Gjoni, dy nga Pjetri, një nga Jakobi dhe një nga Juda. Për sa i përket letrës drejtuar Hebrenjve duhet të themi “Shkrimtari nuk dihet”. Katër nga letrat e Palit quhen Letrat e Burgut: Efesianëve,Filipianëve, Kolosianëve dhe Filemonit. Ato u shkruan gjatë burgojes së tij të parë në Romë.
1 dhe 2 Timoteut dhe Titit quhen Letrat Baritore sepse ata trajtojnë kujdesin baritor ose të bariut në kishë. Letrave të shkruara nga Gjoni, Pjetri, Jakobi dhe Juda zakonisht u referohemi si Letrat e Përgjithshme.
Në studimin e letrave është e dobishme të vëmë re nëse shkrimtari flet për pozitën apo për praktikën e besimtarit. Pozita i referohet të qëndruarit tonë frymëror në Krishtin. Kur një person është shpëtuar, Perëndia nuk e sheh më atë si mëkatar në mëkatet e tij; por në vend të saj, Perëndia e sheh atë të veshur me gjithë përsosmërinë e Krishtit dhe e pranon atë në ato baza. Pozita e besimtarit është aq e përsosur sa e Krishtit, sepse ai është në Krishtin.
Praktika, nga ana tjetër i referohet asaj çfarë ne duhet të jemi ose jemi në jetën tonë të përditshme. Fatkeqësisht, praktika jonë është shumë larg nga të qenurit i përsosur. Kur lexojmë se shenjtërohemi në Krishtin, ajo ka të bëjë me pozitën tonë. Kur lexojmë se ne duhet të shenjtërohemi, ajo ka të bëjë me çfarë praktikojmë.
Fjalët “në Krishtin” zakonisht i referohen pozitës sonë, ndërsa fjalët “në Zotin” zakonisht kanë të bëjnë me praktikën tonë. Tre kapitujt e parë të Efesianëve janë pozicionalë, që përshkruajnë se çfarë ka bërë hiri i Perëndisë për ne. Tre kapitujt e fundit janë praktik, që na tregojnë se si duhet të reagojmë ndaj këtij hiri. Dy kapitujt e parë të Kolosianëve kanë të bëjnë me pozicionin tonë, dy të fundit me praktikën tonë. Unë e konsideroj dallimin midis pozitës dhe praktikës si çelësin e vetëm kryesor në të kuptuarit e Letrave.
Është gjithashtu e rëndësishme të dallojmë kur shkrimtari po trajton gjëra themelore dhe kur ai po trajton gjëra joesenciale. Frymëzimi i Shkrimeve të Shenjta, të qenurit
hyjni e Krishtit dhe shpëtimi me anë të hirit nëpërmjet besimit janë të gjitha themelore dhe asnjë ndryshim mendimi nuk mund të tolerohet midis të krishterëve të vërtetë. Por në fusha të tjera, si ngrënia e mishit, festimi i festave fetare etj., mund të zbatohen parime të ndryshme. Për të tilla gjëra lexojmë në Romakëve 14:5 “Gjithësecili të jetë plotësisht i bindur në mendjen e tij”. Në 1 Korintasve 6:12 Pali thotë: “Të gjitha gjërat janë të ligjshme për mua”, dhe në Titi 1:15: “Gjithçka
është e pastër për ata që janë të pastër”. Ne duhet të kuptojmë në leximin e këtyre tre thënieve se ata trajtojnë vetëm gjëra dytësore që nuk janë të drejta ose të gabuara në vetvete.
Megjithëse besimtari nuk është nën ligjin, por nën hirin, Letrat e Dhiatës së Re janë të mbushura me urdhëresa për t’u zbatuar. Sidoqoftë, këto urdhëresa nuk janë dhënë si ligj, me dënime të bashkangjitura, por si shembuj praktikë të asaj sesi duhet të reagojmë ndaj hirit të Perëndisë.
Në leximin e Letrave, duhet t’u kushtojmë vëmendje të veçantë përemrave. Në Efesianëve 2:1-3, “ju” dhe “juve” i referohen njerëzve të cilët ishin johebrenj para se të
shpëtoheshin, ndërsa “ne” i referohet njerëzve, të cilët ishin hebrenj para shpëtimit. Në 1 Gjoni 2:28 përemri “ju” – “ju qëndroni në të” – i referohet lexuesve të Gjonit, ndërsa “ne” i referohet Gjonit dhe apostujve të tjerë. Me fjalë të tjera, ju qëndroni në Të që ne, etërit tuaj frymërorë, të mos turpërohemi.
Një çelës tjetër – kujtoni, kur Fryma e Shenjtë përdor fjalë të ndryshme, një ndryshim në kuptim zakonisht është pasur si qëllim. Për shembull, ka ndryshim midis fëmijëve dhe bijve. Të gjithë besimtarët janë fëmijë dhe bij të Perëndisë. Si fëmijë ata janë anëtarë të familjes së Perëndisë. Si bij ata trajtohen si bij të rritur, të pjekur me të gjitha privilegjet dhe përgjegjësitë e të qenit bij.
Studimi i disa Letrave arrihet kur studiojmë prejardhjen e tyre historike në Ungjijtë ose në librin e Veprave. Më tepër informacion rreth këshillës që Pali përshkruan në Galatasve 2:1-10 gjendet në Veprat 15:1-29. Në studimin e letrave të Pjetrit, ju do të hasni shumë iluzione në ngjarje të jetës së Pjetrit të regjistruara në Ungjijtë dhe në Veprat.
ROMAKËVE. Në këtë letër, Pali jep një shpjegim të qartë të Ungjillit. Së pari ai tregon se të gjithë njerëzit kanë mëkatuar dhe janë nën gjykimin e Perëndisë. Perëndia është i drejtë dhe duhet t’i dënojë mëkatarët, por Perëndia është gjithashtu i mëshirshëm dhe dëshiron t’i shpëtojë ata. Kur Zoti Jezus vdiq, Ai vdiq si Zëvendësues për mëkatarët, duke paguar borxhin të plotë. Kjo i siguroi Perëndisë një bazë të drejtë mbi të cilën Ai mund të shfajësojë mëkatarët e paperëndishëm. Gjithçka që një mëkatar duhet të bëjë, është ta marrë Jezus Krishtin si Shpëtimtar dhe Zot nëpërmjet një veprimi të prerë besimi.
Pasi Perëndia e shfajëson një person, Ai vazhdon ta shenjtërojë atë, domethënë, e fuqizon atë të jetojë një jetë të shenjtë. Hapi i fundit i programit të Perëndisë është të përlëvdojë mëkatarin e shpëtuar – ta marrë atë në shtëpi në qiell, përgjithmonë i lirë nga mëkati, sëmundja dhe vdekja. Në Romakëve 9-11 Pali shpjegon se kombi i Izraelit është lënë mënjanë përkohësisht, për arsye të hedhjes poshtë të Mesias dhe se johebrenjve u është dhënë një vend privilegji. Por Izraeli besues do të restaurohet kur Mesia të kthehet. Pesë kapitujt e fundit theksojnë detyrimin praktik të atyre që janë përligjur nëpërmjet besimit.
LETRA E PARË KORINTASVE. Dikush në Korint i kishte shkruar Palit rreth problemeve dhe pyetjeve që kishin lindur në asamblenë atje. Në përgjigjen e tij, Pali u përgjigjet të tilla pyetjeve si:
- Si duhet t’i trajtojnë shenjtorët ndarjet dhe konfliktet në kishë?
- Çfarë duhet të bëhet me një anëtar që është fajtor për imoralitet?
- A është e drejtë për një të krishterë të kthehet te ligji kundër një besimtari tjetër?
- Cili është qëndrimi i duhur i krishterë ndaj imoralitetit?
- A është më mirë për një besimtar të martohet apo të qëndrojë beqar?
- A duhet të hanë të krishterët ushqime që u janë ofruar idhujve?
- Cili është vendi i gruas në adhurimin publik?
- Çfarë është Darka e Zotit dhe si duhet të festohet?
- Çfarë duhet të dimë rreth dhuntive të Frymës së Shenjtë, përdorimin dhe abuzimin e tyre?
- Sa e rëndësishme është doktrina e ringjalljes?
- Cila është përgjegjësia jonë ndaj të varfërve?
LETRA E DYTË KORINTASVE. Për arsye se vërtetësia e të qenit të Palit apostull ishte vënë në pikëpyetje, ai këtu tregon për një mbrojtje të shërbimit të tij, veçanërisht duke theksuar vuajtjet që ai duroi për hir të ungjillit. Në vazhdim ai u kërkon me të madhe shenjtorëve t’u japin me bujari atyre në nevojë, duke ndjekur shembullin e Zotit Jezus Krisht.
GALATASVE. Mësues të rremë kishin ardhur në kisha në Galati, që këmbëngulnin se mbajtja e ligjit ishte e nevojshme për shpëtim dhe shenjtërim. Pali e sulmon këtë herezi të rrënjosur thellë, e cila është e zakonshme madje edhe sot, duke treguar se shpëtimi është vetëm me anë të hirit nëpërmjet besimit. Ai shpjegon rolin e ligjit në planin e Perëndisë dhe lirinë e besimtarit nga prangat.
EFESIANËVE. Në tre kapitujt e parë, Pali tregon për të vërtetën e madhe të kishës, se hebrenjtë që besojnë dhe johebrenjtë që besojnë kanë formuar një “njeri të ri” në Krishtin Jezus. Armiqësia e vjetër midis dy grupeve është zhdukur, meqë Krishti ka bërë paqe me anë të gjakut të Tij në Kryq. Tani johebrenjtë që besojnë janë bashkë-trashëgimtarë, bashkëanëtarë dhe bashkë pjesëtarë. Tre kapitujt e fundit japin udhëzime praktike sesi besimtarët mund të ecin të denjë për thirrjen e tyre qiellore. Vargjet 8-10 të kapitullit 2 janë të rëndësishëm, sepse ata tregojnë se jemi shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, për në vepra të mira. Veprat e mira janë evidenca ose rezultati i shpëtimit tonë- jo mjeti për të siguruar atë.
FILIPIANËVE. Fjalët çelës këtu janë “gëzim” dhe “ngazëllohuni”. Pali mund të ngazëllohet gjatë burgosjes së tij, sepse gëzimi i tij nuk varet në rrethanat tokësore. Në vend të saj, gëzimi i tij është në Krishtin dhe kështu ai është i pandryshueshëm. Për të njëjtën arsye ai u kërkon filipianëve të ngazëllohen gjithmonë. Ai i mëson ata të imitojnë mendjen e Jezusit, ai i paralajmëron ata kundër mësuesve të rremë dhe tregon shembullin e tij se i konsideron të gjitha gjërat një humbje në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Krishtit.
KOLOSIANËVE. Ndërsa në Efesianëve vetë kisha është vënë në dukje, në Kolosianëve theksi është vënë në Krishtin si Koka e kishës. Shenjtorët e asaj kishe po ekspozoheshin ndaj mësimeve të rreme, që i pushtuan ata me filozofi të rreme, tradita, shugurime, legalizma (d.m.th. ligje jobiblike) dhe asketizëm (d.m.th. praktika e vetmohimit). Pali u tregon atyre të pushtohen nga Krishti; plotësia e Perëndisë-Hyj banon në Të dhe ata janë të plotë në Të. Apostulli shton udhëzime praktike, të ngjashme me ata në Efesianëve, në lidhje me marrëdhëniet e ndryshme të jetës–burrë dhe grua, prindër dhe fëmijë, punëdhënës dhe të punësuar.
LETRA E PARË DREJTUAR THESALONIKASVE. Letra e parë e Palit ka të bëjë kryesisht me ardhjen e Krishtit. G. Harding Uud e kuptoi esencën e librit, kur ai tha se i krishteri, që po kërkon kthimin e Zotit nuk ka aspak vend për idhuj në zemrën e tij (kapitulli 1), për zbrapsje në shërbimin e tij (kapitulli 2), për ndarje në bashkësinë e tij (kapitulli 3), për dërshpërim në mendjen e tij (kapitulli 4), ose për mëkat në jetën e tij (kapitulli 5).
LETRA E DYTË DREJTUAR THESALONIKASVE. Disa nga shenjtorët mendonin se ata tashmë ishin në kohën e shtrëngesës, e njohur si dita e Zotit. Prandaj Pali i udhëzon ata se para se ajo ditë të vijë, do të ketë largim të madh nga besimi dhe njeriu i mëkatit (Antikrishti) do të shfaqet.
Shpresa e ardhjes së Krishtit nuk është përligjje për idhujtari, tregon Pali. Të krishterët duhet të punojnë për furnizimin e nevojave të tyre dhe të mos lodhen kurrë në të bërët mirë.
Vargu 8 i kapitullit 1 paralajmëron për një gjykim të madh mbi jobesimtarët, kur Krishti të kthehet për të sunduar. Ai do të vijë “në një zjarr flakërues, për t’u hakmarrë kundër atyre që nuk njohin Perëndi dhe ndaj atyre që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezus Krisht”.. Njerëzit thonë se kushton tepër shumë për të qenë i krishterë. Por mendoni rrezikun e të mos qenit i krishterë!
LETRA E PARË DREJTUAR TIMOTEUT. Apostulli Pal e udhëzon Timoteun këtu në gjërat e rregullit të kishës – mbi nevojën e mirëmbajtjes së doktrinës së shëndoshë, vendet e lutjes publike, vendin e grave në asamble, denjësitë e pleqësisë dhe të dhjakëve dhe udhëzime për shërbimin e Timoteut si shërbëtor i Zotit.
LETRA E DYTË DREJTUAR TIMOTEUT. E shkruar gjatë burgosjes së tij të fundit, ndërsa ekzekutimi po afrohej, Pali i jep zemër dhe e inkurajon Timoteun e ri. Ai e paralajmëron atë për keqësim të gjendjes në ditët e fundit dhe i kërkon me të madhe Timoteut të përmbushë shërbimin e tij nëpërmjet mësimit dhe predikimit të Fjalës dhe nëpërmjet të jetuarit të një jete të durimit, të shenjtërimit dhe të guximit.
TITIT. Pali e udhëzon Titin për kujdesin e asambleve në Kretë, veçanërisht në caktimin e pleqësisë, në mbylljen e gojës mësuesve të rremë dhe në kombinimin e doktrinës së shëndoshë me vepra të mira. Pjesa më e madhe e letrës thekson rëndësinë e praktikimit të asaj çfarë predikojmë. Në këtë mënyrë ne nderojmë doktrinën (2:10).
FILEMONIT. Një skllav i quajtur Onesim kishte ikur nga i zoti i tij i krishterë, Filemoni, dhe kishte shkuar në Romë, ku takoi Palin në burg – dhe gjithashtu Krishtin. Tani Apostulli e kthen atë përsëri te Filemoni në Kolose, jo si skllav, por si një vëlla në Krishtin.
HEBRENJVE. Në vitet e para të kishës, shumë hebrenj u tërhoqën te besimi i krishterë pa u lindur vërtetë përsëri. Disa shkuan aq larg sa u pagëzuan dhe u bashkuan me një asamble lokale, megjithëse ata kurrë nuk kishin bërë një përkushtim të plotë ndaj Zotit Jezus Krisht. Por sapo ata pohuan të ishin të krishterë haptazi, ata u mohuan nga familjet e tyre, u hoqën nga puna, u persekutuan nga të ashtuquajtur shokët e tyre dhe iu nënshtruan një presioni të madh për t’u kthyer te Judaizmi. Ata të cilët u përkulën nën këtë presion dhe u kthyen te Judaizmi me të vërtetë ia kthyen shpinën Krishtit. Ata u bënë kundërshtarë. Shkrimtari i kësaj letre paralajmëron se është e pamundur që një kundërshtar të rinohet për në pendim. Një mëkat i tillë është fundi. Nuk ka asnjë shpresë për personin, i cili njëherë pohon të ndjekë Krishtin dhe pastaj me dëshirë dhe me ligësi e hedh poshtë Atë.
Shkrimtari tregon se Krishti është përmbushja e tablove dhe i hijeve të Judaizmit dhe të largohesh nga Krishti është të braktisësh substancën për hijen. Ai thekson se jeta e besimit është jeta që kënaq Perëndinë dhe u kërkon besimtarëve të vërtetë të durojnë megjithëse vuajtja përfshihet në të qenurit të krishterë.
Kërkesa e këtij libri është e përshtatshme edhe sot ashtu siç ishte atëherë kur u shkrua për herë të parë: “Sot, nëse e dëgjoni zërin e Tij, mos jini zemërgur…” (3:15).
JAKOBI. Jakobi nuk është i interesuar thjesht në një fe vetëm me fjalë; ai dëshiron ta shohë atë të jetuar në një mënyrë praktike. Ai del kundër diskriminimit të klasave, të bisedave të kota, lakmisë, zilisë dhe shtypjes së të varfërve. Ai është dakord me Palin se përligjja është nëpërmjet besimit, por vetëm nëpërmjet atij besimi që rezulton në vepra të mira.
LETRA E PARË E PJETRIT. Pjetri u shkruan të krishterëve të cilët po kalojnë nëpër zjarret e ashpra të persekutimit. Ai i kujton ata se Perëndia është i kënaqur kur ata vuajnë për hir të drejtësisë, por jo kur ata vuajnë si rezultat i mëkateve të tyre. Pas vuajtjes së tanishme vjen lavdia e përjetshme. Në të njëjtën kohë hiri i Perëndisë është i mjaftueshëm.
LETRA E DYTË E PJETRIT. Burimi i krishterë në mes të ligësisë së ditëve të fundit është zhvillimi i karakterit të fortë të krishterë. Njerëz të rremë të kulteve do të keqdrejtojnë shumë njerëz, por shkatërrimi i tyre është i sigurt. Krishti do të vijë, të ligtë do të gjykohen, qiejtë dhe toka do të shkatërrohen dhe gjendja e përjetshme do të shërbehet.
LETRA E PARË E GJONIT. Gnostikët ishin një sekt që kishin pikëpamje të gabuara rreth të qenit të Krishtit Perëndi dhe njeri. Disa thonin, për shembull, se Jezusi ishte thjeshtë një njeri dhe se “Krishti” ishte një influencë hyjnore që erdhi në Jezusin në pagëzimin e Tij, por e la Atë në Kopshtin e Gjetsemanit. Ata e ndanë Jezusin dhe Krishtin, duke thënë se Jezusi vdiq, por Krishti nuk vdiq. Gjoni e vë në dukje këtë gabim, duke këmbëngulur se Jezusi është Krishti, i ardhur në formë njeriu. Gjoni gjithashtu jep edhe shenjat e atyre që janë besimtarë të vërtetë – ata ecin në dritë, ata pranojnë mëkatet e tyre, ata praktikojnë drejtësi, ata i duan vëllezërit, ata mbajnë urdhëresat e Perëndisë, ata pohojnë Jezus Krishtin dhe ata mposhtin botën.
LETRA E DYTË E GJONIT. Kjo letër tregon për politikën e dyerve të mbyllura. Dera jonë duhet të mbyllet ndaj kujtdo propagandisti fetar që ka pikëpamje të gabuara rreth Zotit Jezus Krisht.
LETRA E TRETË E GJONIT. Dhe tani politika e dyerve të hapura! Dera jonë duhet të hapet për ata që janë besimtarë të vërtetë. Gai ishte një shembull i mikpritjes së vërtetë. Diotrefi ishte një tiran i kishës, i cili në mënyrë arbitrare i hodhi poshtë disa nga fëmijët e dashur të Perëndisë.
JUDA. Si 2 Pjetri, Juda jep një tablo të gjallë të kundërshtarëve të ditëve të fundit. Ilustrime nga Dhjata e Vjetër tregojnë se shkatërrimi i tyre është e pashpëtueshëm. Të krishterët duhet të ndërtojnë veten në besim, lutje dhe dashuri, duke pritur kthimin e Zotit.
LIBRI I ZBULESË. Vetëm pak pjesë të Biblës janë aq të mahnitshme sa libri i Zbulesës dhe vetëm pak janë aq të vështirë për t’u kuptuar. Ne mund të jemi të lumtur se një bekim u jepet atyre që e lexojnë atë dhe jo vetëm atyre që e kuptojnë atë (Zbulesa 1:3). Një nga gjërat e para që duhet të kuptoni është se libri i Zbulesës është kryesisht një libër i gjykimit. Në të lexojmë për luftra, zi buke, shkatërrime, bubullima, vetëtima dhe për shumë figura të tjera të zemërimit hyjnor.