jump to navigation

Si e dini se Jezusi ka ekzistuar?

Postuar tek: PĂ«rgjigje dhe Argumente

Akoma sot ka shumë njerëz që pretendojnë se Jezusi nuk ka ekzistuar kurrë ndonjëherë dhe se ai ishte vetëm një person mitik. Bertrand Russell1 thotë: “Mund të them se ndokush nuk është i interesuar për problemin historik. Historikisht është krejt e dyshimtë nëse Krishti ekzistoi, por edhe nëse jetoi, ne nuk dimë asgjë për të. Prandaj unë nuk kam përse të jem i interesuar për problemin historik, i cili është dhe një problem shumë i vështirë. Unë interesohem për Krishtin ashtu siç ai na shfaqet në Ungjill (Why I am not a Christian, f.11, shënimi 8) Sigurisht se ata që bëjnë të tilla akuza nuk janë historianë, por, në mënyrë krejt të habitshme, injorues të fakteve.

Dhiata e Re përmban njëzet e shtatë dokumente të veçanta që u shkruan në shekullin e parë pas Krishtit. Këto shkrime përmbajnë historinë e jetës së Jezusit dhe fillimin e Kishës së krishterë që rreth vitit 4 para Krishtit deri në dekadën e viteve nëntëdhjetë pas Krishtit. Faktet u regjistruan nga dëshmitarët që dhanë dëshmi të drejtpërdrejta për atë që ata kishin parë e dëgjuar. “Atë që ishte nga fillimi, atë që dëgjuam, atë që pamë me sytë tanë, atë që vështruam dhe që duart tona prekën lidhur në Fjalën e jetës. ” (1 Gjoni 1:1)

Për më tepër, ekzistenca e Jezusit është regjistruar nga historiani çifut Flavi Josef, që lindi në vitin 37 pas Krishtit. “Rreth asaj kohe kishte një njeri të quajtur Jezusi: ishte një burrë i mençur, nëse na lejohej ta quanim njeri, sepse ai ishte autor i veprave të çuditshme, — mësues për të tillë burra që e pranojnë të vërtetën me kënaqësi. Ai tërhoqi rreth vetes kaq shumë çifutë dhe paganë.

Mos ishte Mesia ai? Edhe kur Pilati, me këshillën e njerëzve kryesorë midis nesh, e dënoi me kryqëzim, ata që e deshën në fillim nuk e braktisën, sepse ai iu shfaq atyre i gjallë ditën e tretë, ashtu sikurse profetët hyjnorë e patën parathënë bashkë me dhjetë mijë gjëra të tjera të çuditshme për të; edhe soji i të krishterëve, të quajtur kështu prej tij, nuk u shua deri në ditën e sotme. (Antikitetet, XVIII, III). Sidoqë ky pasazh ishte kundërshtuar për shkak të referimit të Jezusit si Krisht dhe si i ngjallur nga vdekja, fakti i ekzistencës së tij nuk vihet në dyshim.

Kornel Taciti (112 pas Krishtit) një historian romak, duke shkruar për mbretërimin e Neronit, përmend Jezu Krishtin dhe ekzistencën e të krishterëve në Romë (Analet, XV, 44). Taciti, te “Historitë” e tij i referohet krishterimit, kur aludon për djegien e tempullit të Jeruzalemit në vitin 70 pas Krishtit. Kjo ishte ruajtur nga Sulpici Sever (Kronikat 30:6) Por ka edhe referime të tjera për Jezusin dhe pasuesit e tij, si ato të bëra nga historiant romak Seutoni (v. 120 pas Krishtit) te “Jeta e Klaudit” (V. 112 pas Krishtit) në Letrat e Tij, X, 96.

Dëshmia e krishterë dhe jo të krishterë është më se e mjaftueshme për ta lënë mënjanë idenë se Jezusi nuk ekzistoi kurrë. Në dritën e dëshmive, është e pakuptimtë të mbrosh një ide të tillë. Ne dime më shumë për jetën e Jezusit se sa thuajse për çdo figurë tjetër të botës së lashtë. Lindja, jeta dhe vdekja e tij na janë zbuluar me shumë më tepër hollësi se shumica e figurave të vjetra, ekzistenca e të cilave pranohet pa u diskutuar nga historianët.

Pas shqyrtimit të dëshmive për jetën e Krishtit nga burimet bashkëkohore, veç Dhiatës së Re, Rodrik Dankerli arriti në përfundimin se “në asnjë prej këtyre dëshmive rreth ekzistencës së Krishtit nuk gjendet as edhe më i vogli aludim apo mendim se ai nuk paskësh qenë një person i vërtetë dhe historik.

Natyrisht është arsyetuar — e unë mendoj me shumë vërtetësi — se teoritë e fillimeve mitike të krishterimit janë hipoteza spekulative moderne të motivuara nga paragjykimi i paarsyeshëm dhe mospëlqimi. Kurrë ndonjëherë dikujt nuk do t’i shkonte në mendje — thotë Merezhovskij — të pyeste nëse kishte jetuar Jezusi, nëse më parë, mendja e tij të mos ishte errësuar nga dëshira që ai të mos kishte jetuar”. (Roderik Dunkerli; “Beyond the Gospels” f. 29–-30).


1. Bertrand Russell (1872–1970), filozof anglez ateist, matematikan dhe shkrimtar, (shën. i përkth.)