jump to navigation

DITA E ZOTIT, DITA E KRISHTIT, DITA E PERËNDISË

Postuar tek: Ja Dallimi

Tani duhet të kemi arritur në atë pikë ku pëlqejmë të bëjmë dallimet e duhura ndërsa studiojmë Shkrimet e Shenjta. Kur të arrijmë te studimi i ngjarjeve të ardhshme, ne do të kemi një fillim të mbarë në të kuptuarit e tyre, nëse jemi të aftë të bëjmë dallimin midis Ditës së Zotit, Ditës së Krishtit dhe Ditës së Perëndisë.

Dita e Zotit

Sigurisht nuk është një ditë njëzet e katër orëshe, por një periudhë kohe me karakteristika të caktuara. Në Dhjatën e Vjetër «Dita e Zotit» përdorej për të përshkruar çfarëdo kohë gjykimi, braktisjeje dhe errësire (Isaia 2:12; Joeli 2:1, 2). Ishte një kohë, kur Perëndia marshonte përpara kundër armiqve të Izraelit dhe i dënonte ata përfundimisht (Sof. 3:8-12; Joeli 3:14-16; Abd. v15-16; Zak. 12:8, 9). Ishte gjithashtu ndonjë rast, kur Perëndia dënoi popullin e Tij për idhujtarinë e tyre dhe për largimin nga Ai. (Joeli 1:15-20; Amosi 5:18; Sof. 1:7-18). Dita e Zotit ishte kryesisht për gjykimin mbi mëkatin dhe për fitore për çështjen e Zotit (Joeli 2:31, 32). Në Dhjatën e Re, Dita e Zotit përmbledh përafërsisht të njëjtën periudhë si «kohërat dhe stinët» (Veprat 1:7; 1 Thes. 5:1). Ajo fillon pas Rrëmbimit dhe përfshin:

1. Shtrëngesën ose, siç quhet gjithashtu, koha e mundimit të Jakobit (Dan. 9:27; Jer. 30:7; Mat. 24:4-28; 1 Thes. 5:1-11; 2 Thes. 2:2; Zbu. 6:1-19:16). Kjo është faza e parë e Ditës së Zotit. Do të vijë papritur, si një hajdut natën. Gjithashtu do të vijë pa e vënë re, menjëherë, me shkatërrim, e paevitueshme dhe e pashmangshme. Është një periudhë afërsisht prej shtatë vjetësh gjatë së cilës Perëndia do të derdhë gjykimin e Tij mbi judaizmin kundërshtar, krishterimin kundërshtar dhe mbi kombet joçifute. Këto gjykime gjithnjë në rritje janë pikturuar në Zbulesën nën simbolet e shtatë vulave, shtatë trumpetave dhe shtatë kupave. Gjysma e dytë e Shtrëngesës njihet si Shtrëngesa e Madhe; do të jetë koha më e vështirë e shqetësimit që bota ka përjetuar ose do të përjetojë ndonjëherë.

2. Ardhja e Krishtit me Shenjtorët e Tij (Mal. 4:1-3; 2 Thes. 1:7-9). Në fund të periudhës së Shtrëngesës Zoti Jezus do të kthehet në tokë me engjëjt e Tij të fuqishëm «në një zjarr flakërues, për t’u hakmarrë kundër atyre që nuk njohin Perëndi dhe që nuk i binden ungjillit». Ai do të shkatërrojë të gjithë armiqtë e Tij para se të vendosë mbretërinë e Tij mbi tokë.

3. Sundimi njëmijëvjeçar i Krishtit. Ky përfshihet në Ditën e Zotit (Joel 3:18 krahaso v14; Zak. 14:8, 9 krahaso v1). Do të jetë një kohë gjykimi i menjëhershëm për këdo që ngrihet në rebelim kundër Zotit (Isaia 65:17-25). Mbreti do të sundojë me një shkop prej hekuri (Zbu 19:5).

4. Shkatërrimi përfundimtar i qiejve dhe i tokës me zjarr (2 Pje. 3:7, 10). Në fund të sundimit njëmijëvjeçar të Krishtit, qiejtë dhe toka do të shkatërrohen me një zhurmë të madhe dhe elementët do të shkrihen me nxehtësi të jashtëzakonshme. Kjo është faza e fundit e Ditës së Zotit.

Dita e Krishtit

Ndërsa Dita e Zotit është kohë gjykimi mbi botën që ka hedhur poshtë Birin e Perëndisë, Dita e Krishtit është një kohë bekimi për ata që i kanë besuar Atij dhe që janë anëtarë të Kishës së Tij. Dita e Krishtit ka dy cilësi të kryesore:

1. Rrëmbimin e shenjtorëve (1 Kor. 5:5; Fil. 1:6, 10). Të vdekurit në Krishtin do të ngrihen. Besimtarët që akoma jetojnë do të shndërrohen. Së bashku ata do të rrëmbehen për t’u takuar me Zotin në ajër dhe për t’u kthyer me Të te Ati në qiell.

2. Gjykimin nga Krishti (1 Kor. 1:8; 2 Kor. 1:14; Fil 2:16). Besimtarët do të paraqiten para Bemës (fjalë greke, d.m.th. karrigja e gjykimit) për rishikim dhe për shpërblim. Nuk do të vihet në dyshim shpëtimi i tyre, por do të shqyrtohet shërbimi i tyre. Shpërblime do t’u jepen të gjithë atyre që marrin aprovimin e Krishtit. Ata që kanë harxhuar kot jetën e tyre do të vuajnë humbje, por ata vetë do të jenë të shpëtuar nëpërmjet «si me zjarr» (1 Kor. 3:15).

Në përkthimin «Diodati i Ri (1991-1994)» 2 Thes. 2:2 lexohet «dita e Krishtit» por kjo është një gabim në përkthim. Duhet të lexohet «dita e Zotit». Për arsye të shqetësimeve intensive që po përjetonin besimtarët Thesalonikas, ata mendonin se gjykimet e Ditës së Zotit tashmë kishte filluar. Pali i siguron ata se do të jenë dy ngjarje që do t’i paraprijnë ardhjes së Ditës së Zotit—një largim mbarëbotëror nga besimi dhe shfaqja e Njeriut të Mëkatit—Antikrishtit. Thesalonikasit s’kishin pse të frikësoheshin nga ardhja e Ditës së Krishtit. Për ata, ajo do të kishte qenë çlirim nga sprovat përgjithmonë. Pra, 2 Thes 2:2 duhet të lexohet «dita e Zotit».

Dita e Perëndisë

Dita e Perëndisë nuk duhet të ngatërrohet me Ditën e Zotit ose me Ditën e Krishtit. Është dita e triumfit përfundimtar të Perëndisë. Ajo do të ndodhë pasi e gjithë ligësia të jetë mposhtur përgjithmonë dhe pasi qiejtë dhe toka të jenë shkatërruar me zjarr (2 Pje. 3:12). Për të gjitha qëllimet praktike, Dita e Perëndisë është e njëjtë si gjendja e përjetshme.