jump to navigation

Natyra e Perëndisë

Postuar tek: Doktrinate e Biblës më: 12, 22, 2010

A. Përkufizimet për Perëndinë.

1. Përkufizimet biblike.

a. Perëndia është Frymë. “Perëndia është Frymë dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën” (Gjoni 4:24).

b. Perëndia është dritë. “Dhe ky është mesazhi që dëgjuam nga ai dhe po jua shpallim juve: Perëndia është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësire” (1 Gjoni 1:5).

c. Perëndia është dashuri. “Ai që nuk ka dashuri nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri” (1 Gjoni 4:8).

d. Perëndia është një zjarr që konsumon. “Sepse Perëndia ynë është një zjarr që konsumon” (Hebrenjve 12:29).

2. Përkufizimet teologjike.

a. Katekizmi Westminster: “Perëndia është një Frymë, i pafund, i përjetshëm dhe i pandryshueshëm në qenien, mençurinë, fuqinë, shenjtërinë, drejtësinë, mirësinë dhe në të vërtetën e Tij”.

b. Dr. Strong: “Perëndia është Fryma e pafund dhe e përsosur, burimi i të gjitha gjërave, mbështetja e të gjitha gjërave dhe fundi i të gjitha gjërave”.

c. Andrew Fuller: “Perëndia është shkaku i parë dhe fundi i fundit i të të gjitha gjërave”.

d. Ebrards: “Perëndia është burimi i përjetshëm i gjithë asaj që është e përkohshme”.

B. Spiritualiteti (të qenit Frymë) i Perëndisë.

1. Thelbi i Tij. Ai është një Qenie Frymërore (“Perëndia është një Frymë”, Gjoni 4:24), i padukshëm (“i cili është shëmbëllesa e Perëndisë së padukshëm”, Kolosianët 1:15a). Ç’është fryma? Fryma është një qenie pa mish dhe kocka. “Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, sepse unë jam. Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam” (Luka 24:39). Një frymë ka një trup, një trup frymëror, por jo një trup natyror apo material. Perëndia nuk mund të vështrohet nga syri njerëzor. Askush nuk e ka parë Perëndinë në thelbin ë Tij të mirëfilltë. “Askush s’e pa Perëndinë kurrë, i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t’Et, është Ai që e ka bërë të njohur” (Gjoni 1:18).

2. Shfaqjet e Tij. Megjithëse Perëndia, në thelbin e Tij të vërtetë, nuk është parë ndonjëherë, Ai e ka shfaqur Vetveten dhe Personin e Tij tek njerëzit në forma të ndryshme. Shkrimi pyet: “‘Me kë kërkoni, pra, të më ngjasoni, që të jem baras me të?’, thotë i Shenjti” (Isaia 40:25). Njeriu nuk mund ta njohë Perëndinë, perveçse në mënyrën që Ai është shfaqur. A nuk jemi ne të gëzuar që Perëndia është shfaqur në Birin e Tij? Krishti është shëmbëllesa e Perëndisë, por Antikrishti do të jetë një imitim.

Nganjëherë duket sikur ka kundërshtime në Bibël, pasi në disa vende thuhet që njerëzit e kanë parë Perëndinë. “Kështu Zoti flistë me Moisiun ballë për ballë” (Eksodi 33:11); “Pastaj Moisiu dhe Aaroni, Nadabi dhe Abihu dhe shtatëdhjetë nga pleqtë e Izraelit u ngjitën, dhe panë Perëndinë e Izraelit” (Eksodi 24:9-10). Në vende të tjera Bibla thotë se është e pamundur ta shohësh Perëndinë. “Dhe akoma tha: ‘Ti nuk mund të shikosh fytyrën time, sepse asnjë njeri nuk mund të më shikojë dhe të jetojë’” (Eksodi 33:20). Në të vërtetë, njeriu nuk e ka parë kurrë fytyrën e Perëndisë në thelbin e vërtetë të Tij, por ka parë fytyrën e Tij dhe ka folur gojë më gojë me Të, kur Perëndia është shfaqur në një formë tjetër, jo në thelbin e Tij të vërtetë. “Me të unë flas sy për sy …” (Numrat 12:8a).

Ne dimë një gjë, që Fryma e Shenjtë mund të shfaqet në një formë të dukshme. “Dhe Gjoni dëshmoi duke thënë: ‘E pashë Frymën duke zbritur nga qielli si një pëllumb dhe ndenji mbi të’” (Gjoni 1:32). Në pagëzimin e Zotit Jezus, Gjoni pa një formë të Frymës, por jo Frymën vetë dhe, sidoqoftë, Fryma u shfaq.

Perëndia është shfaqur në shumë mënyra, ndër të cilat veçojmë:

a. Në forma krijese. Me këtë nuk nënkuptojmë që Perëndia u shfaq në formën e ndonjë kafshe, por në formën e qenieve njerëzore. Zanafilla 3:8 dhe 12:7 e illustrojnë këtë më së miri. “Pastaj dëgjuan zërin e Zotit Perëndi që shëtiste në kopësht në flladin e ditës; dhe burri e gruaja e tij u fshehën nga prania e Zotit Perëndi midis pemëve të kopshtit” (Zanafilla 3:8). “Atëherë u shfaq Zoti përpara Abramit dhe i tha: ‘Unë do t’ua jap këtë vend pasardhësve të tu’. Atëherë Abrami i ndërtoi aty një altar Zotit që i ishte shfaqur” (Zanafilla 12:7). Shihni gjithashtu Zanafilla 16:7,10,13; Eksodi 24:9-11; Zanafilla 18:1-16; Gjyqtarët 13:22-23; Zanafilla 32:24-30.

Perëndia është shfaqur edhe si Engjëlli i Zotit. “Engjëlli i Zotit zë vend rreth atyre që kanë frikë prej tij dhe i çliron” (Psalmi 34:7). “Engjëlli i Zotit i tha akoma: ‘Ja, ti je me barrë dhe do të lindësh një djalë dhe do ta quash Ismael, sepse Zoti mori parasysh hidhërimin tënd’” (Zanafilla 16:11). Një marrëveshje është arritur nga shumica e studiuesve biblikë që Engjëlli i Zotit nuk është gjë tjetër, veçse vetë Zoti Jezus.

b. Në forma materiale. Njeriu nuk mund ta shihte Perëndinë, prandaj Perëndia u shfaq në forma, nëpërmjet të cilave Ai ka folur dhe e ka udhëhequr njeriun. Një formë e tillë ishte ferrishtja që digjej: “Zoti vuri re që ai ishte zhvendosur për të parë, dhe Perëndia e thirri nga mesi i ferrishtes dhe i tha: ‘Moisi, Moisi!’. Ai u përgjigj: ‘Ja ku jam’” (Eksodi 3:4). Një formë tjetër ishte kolona e resë dhe kolona e zjarrit: “Dhe Zoti shkonte para tyre, ditën në një kolonë resh për t’i udhëhequr në rrugë, dhe natën në një kolonë zjarri për t’u bërë atyre dritë, që të mund të ecnin ditën dhe natën” (Eksodi 13:21).

c. Në personin e Jezus Krishtit. Ne themi përsëri që jemi të gëzuar që Perëndia shfaqet vetëm në Birin e Tij, Jezus Krisht! Zoti nuk shfaqet në një avull, por tashmë në një formë njerëzore: “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë dhe Fjala ishte Perëndi … dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir dhe të vërtetë” (Gjoni 1:1, 14). Shikoni gjithashtu 1 Timoteu 3:16 dhe Hebrenjve 1:3.

C. Personaliteti i Perëndisë.

Perëndia është person, që ka vetëndërgjegje, vetëvendosje dhe pushtet. Njerëzit kanë shumë ide të zbehta për Perëndinë. Ata e mendojnë Atë si një forcë, një fuqi ose një ndikim, por është e pamundur të kesh miqësi me një forcë apo ndikim. Fjalët e Zotit tonë Jezus, ndërsa ecte në kopësht, sugjerojnë miqësi me Perëndinë: “Por tani unë po vij te ti dhe i them këto gjëra në botë, që gëzimi im të bëhet i plotë në ta” (Gjoni 17:13). Shikoni për këtë Eksodi 3:14 dhe 1 Korintasve 2:11. Personaliteti nuk duhet ngatërruar asnjëherë me paraqitjen. Substanca nuk ka të bëjë fare me personalitetin. Personaliteti i Perëndisë mund të shihet:

1. Në emra. <<Perëndia i tha Moisiut: ‘UNË JAM AI QË JAM’. Pastaj tha: ‘Do t’u thuash kështu bijve të Izraelit: “UNË JAM-i më ka dërguar tek ju”‘>> (Eksodi 3:14). Fjalët UNË JAM AI QË JAM sugjerojnë personalitet.

2. Në kontraste. Me këtë nënkuptojmë që Bibla e vë të vetmin Perëndi përballë perëndive të paganëve: “Ju u kthyet nga idhujt tek Perëndia, për t’i shërbyer Perëndisë së gjallë dhe të vërtetë” (1 Thesalonikasve 1:9). Shihni gjithashtu Jeremia 10:16 dhe Veprat 14:15.

3. Në tipare. Ajo që është karakteristike për Perëndinë, quhet tipar. Personalitetin e përcakton ajo çfarë Ai bën, p.sh:

a. Perëndia brengoset. Vetëm një person mund të brengoset: “Dhe Zoti u pendua që kishte krijuar njeriun mbi tokë dhe u brengos për këtë në zemër të vet” (Zanafilla 6:6).

b. Perëndia pendohet. Në shkrimin e mësipërm (Zanafilla 6:6) vëmë re që Perëndia pendohet. 1 Samueli 15:29 thotë: “Lavdia e Izraelit nuk do të gënjejë dhe nuk do të pendohet, sepse ai nuk është njeri që pendohet”. Këtu një pjesë e Shkrimit thotë që Perëndia pendohet, një tjetër pjesë thotë që nuk pendohet. Cila është përgjigjja? Kur njeriu pendohet, ai pendohet për një vepër morale, por kur Perëndia pendohet, Ai pendohet për ndonjë akt gjyqësor. Qëndrimi i Zotit ndaj mëkatit nuk ndryshon kurrë. Merrni rastin e Jonas dhe Ninivës. Ninive u pendua. Ata ndryshuan mendje dhe karakter. Megjithatë Perëndia nuk e ndryshoi mendjen e Tij. Ai nuk e ndryshoi qëndrimin ndaj mëkatit. Përderisa Niniva ishte penduar, atëherë nuk kishte nevojë për ndonjë gjykim ndaj mëkatit. Mëkatet e tyre ishin rrëfyer dhe falur tashmë.

c. Perëndia do. “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e Tij të vetëmlindur, që kushdo që beson në Të, të mos humbasë por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16). “Unë të gjithë ata që i dua i qortoj dhe i ndëshkoj; prandaj ji i zellshëm dhe pendohu” (Zbulesa 3:19). Vetëm një personalitet mund të të dojë.

d. Perëndia urren. “Zoti i urren këto gjashtë gjëra, madje shtatë janë të neveritshme për Të” (Fjalët e urta 6:16).

e. Perëndia dëgjon. Psalmi 94:9-10:”Ai që ka vënë veshin, a nuk dëgjon? Ai që ka formuar syrin a nuk shikon. Ai që ndreq kombet, a nuk do t’i dënojë ata, ai që i mëson diturinë njeriut, a nuk do të dijë ai?”

4. Në veprime.

a. Perëndia krijon. “Në fillim Perëndia krijoi qiejtë dhe tokën” (Zanafilla 1:1). Shihni edhe Isaia 45:18.

b. Perëndia jep (siguron). “Të gjithë presin që ti t’jua japësh ushqimin në kohën e duhur. Ti ua jep atyre dhe ata e mbledhin; ti hap dorën dhe ngopen me të mira. Ti fsheh fytyrën tënde dhe ata hubmasin fare; ti heq frymën dhe ata vdesin duke u kthyer përsëri në pluhurin e tyre. Ti dërgon frymën tënde dhe ata krijohen, kështu ti ripërtërin faqen e dheut” (Psalmi 104:27-30). Nevojat materiale të krejt kësaj bote shihen dhe plotësohen nga Perëndia.

c. Perëndia ngre në përgjegjësi. Disa njerëz duket që janë të shtyrë pak më përpara sesa disa të tjerë. Bota ka një emër për këtë dhe ky emër është: fat. Por përgjigjja e saktë është: Perëndia! Mbretërit marrin pushtet nga Ai, pastorët marrin përgjegjësitë e tyre prej Tij dhe burrat i marrin bashkëshortet e tyre prej Tij. E gjithë përkrahja vjen nga Perëndia. “Sepse lëvdimi nuk vjen as nga lindja, as nga perëndimi, as edhe nga shkretëtira. Sepse Perëndia është ai që gjykon, ai ul njërin dhe ngre tjetrin” (Psalmi 75:6-7).

d. Perëndia kujdeset. Perëndia ka një zemër dhe vetëm një person mund të ketë zemër. Perëndia merakoset: “Përuluni, … dhe gjithë merakun tuaj hidheni mbi të, sepse ai merakoset për ju” (1 Pjetri 5:6-7).

D. Trinia e Perëndisë.

1. Trinia në personalitet. Me anë të kësaj nënkuptojmë që Perëndia është tre në një. Ka disa gabime në lidhje me Trininë. Disa ngrihen nga padituria dhe disa me qëllim.

Një arsye që besojmë se Bibla është Fjala e Perëndisë, është se në të gjendet doktrina e Trinisë. Nëse njeriu do ta kishte shkruar Biblën, ai do ta linte jashtë Trininë, sepse Trinia është shumë e vështirë për t’u kuptuar nga njeriu. Mendja e kufizuar e njeriut nuk mund ta rrokë atë. E vetmja gjë që një bir i Perëndisë mund të bëjë, është ta pranojë me besim dhe të qëndrojë mbi atë që thotë Perëndia për Trininë. Edhe pse ne nuk mund të kuptojmë gjithçka për Trininë, kjo nuk është shenjë që Trinia nuk është e vërtetë.

Një ide e gabuar thotë se janë tre individë në Hyjninë. Por mos harroni, Perëndia nuk është Triadë.

Një ide tjetër e gabuar është që Trinia është vetëm një Person, i cili është shfaqur në tre. Kjo do të thotë që janë tri thelbe në një Person, pra, në Jezus Krishtin. Ati dhe Fryma e Shenjtë janë vetëm shfaqje.

Një mendim tjetër, madje shumë blasfemues, e mohon Trininë krejtësisht dhe, si rrjedhim, i bën Birin dhe Frymën e Shenjtë krijesa të Perëndisë, të cilët erdhën në jetë pas Perëndisë. Me fjalë të tjera, ata që e mbrojnë këtë teori të gabuar, deklarojnë se ka qenë një kohë kur Biri i Perëndisë nuk ishte fare. Ata përdorin këtë arsyetim: “Një bir nuk mund të jetë aq i vjetër sa babai. Një baba gjithmonë duhet të ekzistojë para të birit, me qëllim që ta ketë atë si bir. Perëndia është Ati i Birit të Perëndisë dhe, si rrjedhim, Ati duhet të ketë qenë para Birit, me qëllim që ta ketë Bir”. Këtij arsyetimi ne i përgjigjemi kështu: “Në qoftë se një person deklaron që është atë dhe ka qenë baba për dhjetë vjet, atëherë e dimë se ai ka një fëmijë prej dhjetë vjetësh. Një njeri nuk mund të jetë baba pa patur fëmijë. Një njeri që ka qenë baba për dhjetë vjet, ka një fëmijë për dhjetë vjet me radhë. Kështu edhe me Hyjninë: Perëndia është Ati i Përjetshëm, atëherë ai duhet të ketë patur një Bir të Përjetshëm!”

Doktrina e trinisë është një doktrinë e pastër zbulese nga Perëndia. Kujtoni që ne adhurojmë jo tri Perëndi, por një Perëndi: Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë.

është e pamundur të japësh shembuj praktikë të Trinisë. Disa marrin shembullin e gjethes me tre ndarje. Të tjerët marrin ujin si shembull: ujë në gjendjen normale që, kur ngrohet, jep avull dhe, kur ngrihet, bëhet akull. Por kjo akoma nuk është e qartë. Sepse Perëndia është Tre në Një! Prandaj ne propozojmë se ilustrimi më i mirë është vetë njeriu: trupi, shpirti dhe fryma. Njeriu nuk është tre persona, por është një person tre në një. Ai mund të këtë tri gjëra që kanë lidhje me çdonjërën veças; ushqim për trupin, muzikë për shpirtin dhe adhurim për frymën, megjithatë të tria këto gjëra i drejtohen të njëjtit person.

Rrezet e diellit mund të përdoren si një ilustrim tjetër. Kur rrezet e diellit bien mbi tokë, përbëhen nga tri elemente: rrezet e nxehtësisë, që mund t’i ndiesh, por nuk mund t’i shohësh; rrezet e dritës, që nuk i ndien, por mund t’i shikosh; rrezet kimike, që nuk mund t’i ndiesh, as t’i shohëh, por ato kanë një ndikim mbi tokë. Të gjitha së bashku përbëjnë rrezet diellore. Ne nuk mund ta kuptojmë dritën në tri rreze, që përsëri është një dritë. Pa njërën nga këto tri elemente, nuk do të kishte dritë. Pa njërën pjesë të tij, njeriu nuk mund të ishte, dhe pa një Person të Hyjnisë, Perëndia nuk do të ishte Perëndi!

a. Emrat e Dhiatës së Vjetër

(1) Emrat shumës. “Në fillim Perëndia (Elohim) krijoi qiejtë dhe tokën” (Zanafilla 1:1). Elohim është emri në shumës, tre ose më shumë. Kjo sigurisht sugjeron Trininë në krijimin e botës. Shihni gjithashtu Zanafilla 3:5, Eksodi 20:3 dhe Ligji i përtërirë 13:2-3. Shumë herë Elohim është përkthyer në shumës dhe në njëjës.

(2) Përemrat shumës. “Dhe Zoti Perëndi tha: ‘Ja, njeriu u bë si një prej nesh, sepse njeh të mirën dhe të keqen. Dhe tani nuk duhet t’i lejohet që të shtrijë dorën e tij për të marrë edhe nga pema e jetës, kështu që, duke ngrënë nga ajo, të jetojë përgjithnjë” (Zanafilla 3:22). Shihni për këtë edhe Zanafilla 1:26 dhe Isaia 6:8. Ky, pra, është Perëndia që i flet Perëndisë. Këtu del Trinia.

(3) Thënie të Shkrimit të Shenjtë. Shkrimet thonë që Perëndia vajosi Perëndinë, dhe si mund të ishte kjo, nëse Perëndia nuk është Trini? “Froni yt, o Perëndi, vazhdon në përjetësi; skeptri i mbretërisë sate është një skeptër drejtësie. Ti e do drejtësinë dhe urren mbrapshtinë; prandaj Perëndia, Perëndia yt, të ka vajosur me vaj gëzimi përmbi shokët e tu” (Psalmi 45:6-7). Shihni gjithashtu Hebrenjve 1:8-12; Psalmi 110:1.

(4) Emërtime të Shkrimeve të Shenjta. Tek Zanafilla 1:1, Perëndia shpall se ka krijuar qiejtë dhe tokën; dhe në vargun 2, Fryma e Shenjtë, personi i tretë i Trinisë, theksohet qartë: “Fryma e Perëndisë fluturonte [lëvizte] mbi sipërfaqen e ujërave”. Shikoni edhe Jobi 24:13 dhe Isaia 11:1-2: “Pastaj një degëz do të dalë nga trungu i Isaias dhe një filiz do të mbijë nga rrënjët e tij. Fryma e Zotit do të pushojë mbi të; fryma e diturisë dhe zgjuarsisë, fryma e këshillës dhe e fuqisë, fryma e njohurisë dhe e frikës së Zotit”.

Edhe Biri, personi i dytë i Trinisë, veçohet: “Do të shpallë dekretin e Zotit. Ai më ka thënë: ‘Ti je biri im, sot më linde’. Nënshtrojuni Birit që të mos zemërohet dhe të mos vdisni rrugës” (Psalmi 2:7,12a). Engjëlli i Perëndisë në Dhiatën e Vjetër s’është askush tjetër, veç Jezus Krishti, dhe në këtë pjesë të Shkrimit Ai shpallet si i veçuar nga Perëndia Atë dhe Fryma e Shenjtë: “Engjëlli i Zotit e gjeti pranë një burimi uji në shkretëtirë, pranë burimit në rrugën e Shurit” (Zanafilla 16:7). Trinia del qartë në Shkrimet e mëposhtme: Zanafilla 18:1-2, 33; Isaia 48:16; 63:8-10.

(5) Shprehjet treshe. Kurdo që Shkrimet shprehin lavdërim ose bekime të Hyjnisë, përdoret një shprehje treshe e cila thekson se Perëndia është Perëndi, Tre në Një. Këto shprehje duhet të jenë treshe: “Zoti të të bekojë dhe të të ruajë! Zoti të bëjë që të shkëlqejë fytyra e tij mbi trupin tënd dhe të tregohet i mbarë me ty! Zoti të kthejë fytyrën e tij mbi ty dhe të të sjellë paqe!” (Numra 6:24-26). “Edhe të katër qeniet e gjalla kishin secila nga katër krahë përqark, edhe përbrenda ishin plot me sy; dhe nuk pushojnë kurrë, as ditë as natë, duke thënë: ‘I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti Perëndi, i Plotfuqishmi, që ishte, që është dhe që do të vijë!’” (Zbulesa 4:8).

b. Shpalosjet e Dhiatës së Re.

(1) Pagëzimi i Krishtit. Pagëzimi i Krishtit është një nga ilustrimet më të mira që vërteton Trininë: “Dhe Jezusi, sapo u pagëzua, doli nga uji; dhe ja, qiejtë u hapën, dhe ai pa Frymën e Perëndisë duke zbritur si një pëllumb e duke ardhur mbi të; dhe ja një zë nga qielli që tha: <<Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur>>” (Mateu 3:16-17). Këtu është shfaqur Ati në qiell, Biri në ujë dhe Fryma e Shenjtë duke zbritur si një pëllumb.

(2) Formula e pagëzimit. Kisha e Perëndisë në Krishtin Jezus ka përdorur gjithmonë formulën e paraqitur nga vetë themeluesi, Jezus Krishti: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, …” (Mateu 28:19-20). Vini re se Bibla nuk thotë, “në emrat e”, por, “në emër të”. Një në Tre; një emër, por tre Persona, Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë.

(3) Bekimi apostullor. Kisha e ka përdorur këtë bekim (i cili u përdor nga Apostulli Pal me frymëzim të Frymës së Shenjtë) në njëzet shekujt e fundit: “Hiri i Zotit Jezus Krisht, dashuria e Perëndisë dhe bashkësia e Frymës së Shenjtë qofshin me ju të gjithë. Amen” (2 Korintasve 13:13).

(4) Referime të tjera të Shkrimit të Shenjtë. Vargu i mëposhtëm shfaq në mënyrë të qartë faktin e Trinisë: “Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do t’ju dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë” (Gjoni 14:26).

2. Uniteti i qenies, i pandashëm dhe i padukshëm. Ka vetëm një Perëndi. Ai është një dhe i vetmi Perëndi: “Për këtë ti je i madh, o Zot Perëndi. Asnjeri nuk është si ti dhe nuk ka Perëndi tjetër përveç teje, me sa kemi dëgjuar me veshët tona” (2 Samueli 7:22). “Kush ka vepruar dhe ka kryer këtë, duke thirrur brezat që nga fillimi? Unë Zoti, jam i pari dhe me ata të fundit do të jem po ai” (Isaia 41:4). Shihni gjithashtu Isaia 43:10-11, 44:6 dhe Ligji i Përtërirë 6:4.

Perëndia (Elohim) është një unitet i përbërë. Emri “Perëndi” (që është në shumës) përdoret gjithnjë me një folje njëjës: “Në fillim Perëndia [shumës] krijoi [njëjës] qiejtë dhe tokën” (Zanafilla 1:1); “Zoti [njëjës] Perëndia [shumës] i perëndive, Zoti [njëjës] Perëndia [shumës] i perëndive! Ai e di, madje edhe Izraeli do ta mësojë. Në qoftë se e bëmë për rebelim ose për mosbesnikëri ndaj Zotit [njëjës], mos na kurseni në këtë ditë” (Jozueu 22:22). Shihni gjithashtu Zanafilla 1:5, 8, 13 dhe 33:20.

3. Një përmbledhje biblike.

a. Tre njihen si Perëndi.

(1) Ati njihet si Perëndi. “Për ju të gjithë që jeni në Romë, të dashur nga Perëndia, të thirrur shenjtorë: hir dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë e nga Zoti Jezus Krisht” (Romakëve 1:7). Shihni edhe Gjoni 6:27 dhe 1 Pjetri 1:2.

(2) Biri njihet si Perëndi. “Ndërsa për të Birin thotë: ‘Froni yt, o Perëndi është në shekuj të shekujve; skeptri i mbretërisë sate është skeptër drejtësie’” (Hebrenjve 1:8). “… ne rrojmë me urtësi, me drejtësi dhe me perëndishmëri në këtë jetë, duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezus Krisht” (Titit 2:12-13).

(3) Fryma e Shenjtë njihet si Perëndi. “Pjetri i tha: ‘Anania, pse Satani ta mbushi zemrën që të gënjesh Frymën e Shenjtë dhe të mbash një pjesë të çmimit të arës? Po të mbetej e pashitur, a nuk do të ngelte e jotja? Dhe ato që more nga shitja a nuk ishin vallë në dispozicionin tënd? Pse e shtive në zemër këtë gjë? Ti nuk ke gënjyer njerëzit, por Perëndinë!’” (Veprat 5:3-4).

b. Tre përshkruhen si persona të veçuar.

(1) Ati dhe Biri janë persona të veçuar nga njëri-tjetri.

(a) Krishti e veçoi Atin nga Vetja. “Sepse, sikur Ati ka jetë në vetvete, kështu ia ka dhënë dhe Birit të ketë jetë në vetvete; dhe i ka dhënë gjithashtu autoritet të gjykojë, sepse është Bir i njeriut” (Gjoni 5:26-27). Shihni gjithashtu Gjoni 5:32.

(b) Ati dhe Biri janë të veçuar si Ati dhe i vetëmlinduri. Shihni Gjoni 3:16.

(c) Ati dhe Biri janë të veçuar si Dërguesi dhe i Dërguari. “Por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit” (Galatasve 4:4). Shihni gjithashtu Gjoni 10:36.

(2) Ati dhe Biri janë persona të veçuar prej Frymës së Shenjtë.

(a) Biri veçon Frymën e Shenjtë nga Vetja dhe nga Ati. “Dhe Unë do t’i lutem Atit dhe Ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju, Frymën e së Vërtetës, që bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh dhe nuk e njeh; por ju e njihni, sepse qëndron me ju dhe do të jetë në ju” (Gjoni 14:16-17).

(b) Fryma vjen nga Ati. “Por kur të vijë Ngushëlluesi, që do t’ju dërgoj prej Atit, Fryma e së vërtetës, që del nga Ati im, ai do të dëshmojë për mua” (Gjoni 15:26).

(c) Fryma dërgohet nga Ati dhe Biri. “Por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë” (Gjoni 14:26). “Kur të vijë Ngushëlluesi, që do t’ju dërgoj prej Atit, Fryma e së Vërtetës, që del nga Ati im, ai do të dëshmojë për mua” (Gjoni 15:26).

c. Këta tre persona janë të barabartë.

(1) Jo vetëm Ati është Perëndi, sepse Perëndia është Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë.

(2) Jo vetëm Biri është Perëndi, sepse Perëndia është Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë.

(3) Jo vetëm Fryma e Shenjtë është Perëndi, sepse Perëndia është Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë.

E. Vetëqenia e Perëndisë.

Perëndia është brenda Tij. Ne jemi të varur nga Ai. Ai nuk është i varur nga asgjë. Diçka na solli në jetë, por asgjë nuk u bë shkak që Perëndia të ekzistonte. Ai ishte gjithmonë. Perëndia nuk ekziston sepse e solli veten në ekzistencë. Perëndia ekziston sepse është natyra e Tij të ekzistojë.

Jeta jonë vjen nga një burim i jashtëm, prandaj ka qenë një kohë kur ne filluam. “Por dëshmia që kam unë është më e madhe nga ajo e Gjonit; sepse veprat që Ati më ka dhënë të kryej, ato vepra që bëj unë, dëshmojnë për mua, se Ati më ka dërguar” (Gjoni 5:36). Ne nuk mund ta themi një gjë të tillë.

F. Pafundësia e Perëndisë.

Natyra hyjnore nuk ka kufizime apo kufij. “I madh është Zoti ynë, e pamasë është fuqia e tij dhe e pafund është zgjuarsia e tij” (Psalmi 147:5). “A mundesh ti të hulumtosh thellësitë e Perëndisë? A mund të depërtosh në përsosmërinë e të Plotfuqishmit? Janë më të larta se qielli; çfarë mund të bësh? Janë më të thella se Sheoli: çfarë mund të dish? Madhësia e tyre është më e gjatë se toka dhe më e gjerë se deti” (Jobi 11:7-9). “Po a është e vërtetë që Perëndia banon mbi tokë? Ja, qiejt dhe qiejt e qiejve nuk mund ta nxënë dhe aq më pak ky tempull që kam ndërtuar” (1 Mbretërve 8:27). “O thellësi pasurie, urtësie dhe diturie të Perëndisë! Sa të pahulumtueshme janë gjykimet e tij dhe të pashtershme janë udhët e tij!” (Romakëve 11:33). Shihni gjithashtu Isaia 66:1 dhe Psalmi 113:5-6.

“Bota është një bulëz nga tenda e bukurisë së Tij

“Dielli është një shkëndijë nga drita e mençurisë së Tij

“Qielli është një flluskë në detin e fuqisë së Tij

Share|