jump to navigation

Parathënie

Postuar tek: Të Ecurit Me Perëndinë

Libri i parë që kam lexuar nga J C Ryle ka qenë Shenjtëria, dhe ai ndikoi thellë tek unë për të mirën. I dyti ka qenë Feja praktike. Nuk e di se si ky libër u bë prona ime. Dukej qartë se ishte një libër që e mora si dhuratë kur isha një pastor mjaft i ri. Menjëherë zbulova vlerën e tij, sepse përpilova indeksin tim personal të përmbajtjeve të tij, dhe i jam drejtuar shumë herë gjatë viteve që vijuan.

Pak janë shkrimtarët e shekullit të nëntëmbëdhjetë të cilët ruajnë freskinë dhe vlerën praktike të J C Ryle. Feja praktike arrin standardin e vendosur nga titulli i tij. Çdo kapitull lexohet me thjeshtësi, ka strukturë të mirë, dhe përshkon deri në thelb të çështjeve në diskutim.

Ryle vlen të lexohet për disa arsye. E para, ai është gjithnjë besnik i Biblës, jo thjesht ngaqë ai citon Shkrimin, por sepse ai ka thithur mësimet e tij aq mirë saqë gjithçka thotë rrjedh prej tij. E dyta, ai lidh gjithçka me veprën shpëtuese të Zotit tonë Jezu Krisht, duke mos lejuar kurrë që lexuesi të harrojë që reagimi i duhur ndaj hirit është mirënjohja dhe ndryshimi i mënyrës së jetesës. E treta, ai është praktik në mënyrë të spikatur. Ai sqaron parime dhe tregon zbatimin e tyre në jetën e përditshme. E katërta, ai merret me tema të cilat shpesh lihen në harresë, por të cilat kanë një rëndësi të përhershme për të krishterin, siç janë ndarjet për vetë-shqyrtimin dhe qëndrimin e të krishterit ndaj botës.

Më vjen mirë që kapitulli për “Ditën e Zotit” është shtuar, sepse është një model thjeshtësie, deklarimi i qartë i parimeve biblike, si dhe i zbatimit të tyre, në një mënyrë tepër të arsyeshme dhe pa fjalë bombastike.

Shkurtimi nuk humb asgjë nga fryma urgjente praktike dhe pastorale e cila karakterizon Ryle. Si të krishterët ashtu dhe ata të cilët po kërkojnë të vërtetën rreth Perëndisë dhe Birit të tij Jezu Krisht do të gjejnë mësime, sfida dhe inkurajim.

Derek Prime
Edinburg