jump to navigation

Sëmundja

Postuar tek: Të Ecurit Me Perëndinë

Ai që ti e do shumë është i sëmurë – Gjoni 11:3

Ky mesazh i shkurtër, Ai që ti e do shumë është i sëmurë, iu dha Zotit Jezus nga Marta dhe Maria. Ishte vëllai i tyre Llazari ai që ishte i sëmurë. Llazari ishte i krishterë, i dashur shumë prej Zotit Jezus, por ja që ishte i sëmurë. Prandaj ne nuk duhet të mendojmë se sëmundja është shenjë e zemërimit të Perëndisë. Në fakt është për të mirën tonë – të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij (Romakët 8:28).

Është e rëndësishme që të shqyrtojmë çështjen e sëmundjes. Ndoshta një ditë do sëmureni, dhe të mendoni seriozisht për të përpara se të ndodhë, ndoshta do ju bëjë mirë. Le ta shqyrtojmë këtë çështje në tri ndarje.

1. Sëmundja ekziston kudo

Sëmundja ekziston në çdo vend të botës, dhe në çdo lloj klase njerëzore. As pasuria tokësore e as besimi në Krishtin nuk na perjashton nga mundësia e të qenit sëmurë. Shpesh sëmundja është një eksperiencë përulëse. Të fortin e bën si një fëmijë, dhe të guximshmin e bën të dridhet para gjërave tepër të vogla. Ndikon në mendjen dhe në mendimet tona. Dhe nuk mund të parandalohet nga asgjë që mund të bëjë njeriu. Mjekësia me arritjet e saj mund t’u zgjasë jetën njerëzve. Kura të reja mund t’i gjejnë për shumë sëmundje. E prapë, Ditët e viteve tona shkojnë deri në shtatëdhjetë vjet dhe për më të fortët në tetëdhjetë, por ajo që përbën krenarinë e tyre nuk është veçse mundim dhe dëshirë për t’u dukur, sepse kalon me të shpejtë dhe ne fluturojmë tutje (Psalmi 90:10). Ky fakt ishte i vërtetë kur Moisiu e shkroi këtë, por është i vërtetë edhe sot.

Cili është shpjegimi për përhapjen kudo të sëmundjes? Përse njerëzit sëmuren dhe vdesin? Nuk mund të supozojmë që Perëndia e krijoi sëmundjen që prej fillimit. Çdo gjë që ai krijoi ishte shumë mirë, ku sigurisht sëmundja nuk përfshihej. Por Bibla na tregon se diçka që nuk ekzistonte në fillim hyri në botë më pas. Kjo gjë ishte mëkati. Dhe mëkati është shkaku i çdo sëmundjeje, dhimbjeje, dhe vuajtjeje ne botë. Pa mëkatin nuk do kishte asnjë sëmundje.

Siç e shikoni, vetëm Bibla mund të na japë një përgjigje të qartë rreth së vërtetës. Bibla na shpjegon pse ne zotërojmë formë trupore kaq të mrekullueshme. Perëndia i krijoi ato! Bibla na shpjegon se pavarësisht se jemi të krijuar nga një Perëndi tepër i mençur dhe i mirë – tani prekemi nga sëmundja dhe vuajtja. Doktrina biblike e Krijimit dhe Rënies, janë shpjegimi i vetëm për këtë çështje.

2. Sëmundja ndikon për të mirë tek njeriu

Ndoshta habiteni kur mësoni se sëmundja ndikon për mirë tek njeriu. Shumë njerëz nuk e besojnë. Ata shohin vetëm vuajtjen dhe dhimbjen, dhe nuk shohin aspak të mirën në të. Jam dakord që nëse nuk do kishte mëkat në botë, do ishte e pamundur që sëmundja t’i bënte mirë njeriut. Nuk kishte sëmundje në botën e pamëkatshme që Perëndia krijoi. Por me mençuri, ai e lejoi atë pas Rënies së njeriut, dhe sipas mendimit tim unë e shoh po aq bekim sa dhe mallkim. Perëndia është në gjendje të përdorë dhimbjen dhe vuajtjen tonë të përkohshme, për diçka më të mirë në zemrën, mendjen, ndërgjegjen, dhe shpirtin tonë gjer në përjetësi.

Sëmundja i kujton njeriut vdekjen. Shumica e njerëzve jetojnë sikur nuk do vdesin kurrë, dhe as që përgatiten për një fakt të tillë. Prandaj sëmundja u kujton atyre atë që ata do preferonin të harronin.

Sëmundja na bën të mendojmë seriozisht rreth Perëndisë. Shumë njerëz me shëndet të mirë, harrojnë Perëndinë dhe marrëdhënien e tyre me të. Sëmundja u kujton atyre se një ditë do takohen me Perëndinë.

Sëmundja na bën të ndryshojmë opinionin tonë për jetën. Shumë njerëz nuk mendojnë për asgjë tjetër veç lumturisë në këtë botë. Një periudhë e gjatë sëmundjeje mund t’ua ndryshojë mendimin rreth gjërave që më parë i konsideronin të rëndësishme. Për shembull, njeriu që ka dashuri për paranë mund të mësojë se paratë e tij nuk i japin ngushëllim në kohë sëmundjeje.

Sëmundja na ndihmon të përulemi. Nga natyra ne jemi krenarë. Kërkojmë gjithmonë të shohim të tjerët me përbuzje. Por sëmundja na tregon dobësinë tonë. Ajo vjen si tek i pasuri ashtu dhe tek i varfëri, tek njeriu me famë dhe tek njeriu i panjohur, duke na vendosur të gjithëve në një nivel.

Sëmundja ndihmon për të sprovuar kristianizmin tonë. Na ndihmon të kuptojmë nëse besimi ynë është i vërtetë – nëse është i ndërtuar mbi një themel të patundur. Ka njerëz që nuk po ndërtojnë mbi themele të forta, sëmundja mund t’u zbulojë atyre se “kristianizmi” i tyre nuk u jep aspak ngushëllim në kohë prove.

Nuk dua të mendoni që sëmundja u bën gjithmonë të tilla të mira njerëzve. Aspak! Shumë njerëz përjetojnë sëmundje dhe nuk mësojnë asgjë prej tyre, dhe veprimet e tyre të mëpasshme e vërtetojnë një gjë të tillë. Zemra e tyre është e ngurtë ndaj nuk përfitojnë asgjë të mirë.

Por ka të tjerë që Perëndia ua ka bërë sëmundjen bekim. Perëndia e ka përdorur atë për t’u folur atyre, dhe për t’i nxitur që të kërkojnë Krishtin. Prandaj nuk duhet të ankohemi kurrë prej sëmundjes. Nëse reagojmë ashtu siç duhet, ajo mund të na sjellë shumë të mira.

3. Sëmundja na thërret për detyra të veçanta

Dua të jem praktik dhe specifik rreth detyrave të veçanta që sëmundja na thërret. Dua që ju të dini qartë se çfarë duhet të bëni në këtë botë sëmundjesh dhe vdekjeje.

Detyra e parë që sëmundja na kujton, është nxitja për të jetuar një jetë të atillë ku të jemi gjithmonë gati të takojmë Perëndinë. Sëmundja na kujton vdekjen, dera prej së cilës kalojmë drejt gjykimit. Në atë gjykim do shohim Perëndinë sy më sy. Prandaj, mësimi i parë që sëmundja duhet të na mësojë është të përgatitemi të takojmë Perëndinë.

Kur do jesh gati të takosh Perëndinë? Vetëm kur mëkatet të të jenë falur, zemra të jetë përtërirë dhe vullneti yt të jetë mësuar të kënaqet në vullnetin e Perëndisë. Ti ke shumë mëkate, dhe vetëm gjaku i Jezus Krishtit mund t’i pastrojë. Vetëm drejtësia e tij mund të të bëjë të pranueshëm në prezencën e Perëndisë. Dhe këto bekime arrihen vetëm me anë të besimit. Ndaj nëse kërkon të dish nëse je gati të takosh Perëndinë, duhet të pyesësh veten, “A kam unë besim?” Nga natyra zemra jote është e papërshtatshme për miqësinë e Perëndisë. Vetëm Fryma e Shenjtë mund të të transformojë, të bëjë të gjitha gjërat të reja dhe të të japë një kënaqësi në zbatimin e vullnetit të Perëndisë. Prandaj nëse kërkon të dish nëse je gati të takosh Perëndinë, bëji një pyetje tjetër vetes, “A është zemra dhe jeta ime e ndryshuar nga Fryma e Shenjtë?”.

Asgjë tjetër prej kësaj mund të na përgatisë të takojmë Perëndinë. Duhet të shpallemi të drejtë dhe të shenjtërohemi. Gjaku i Krishtit duhet të spërkatet në ne dhe Fryma e Krishtit duhet të banojë në jetët tona. Kjo është baza e besimit kristian, ndaj në këtë botë sëmundjesh dhe vdekjeje detyra jote parësore është të sigurohesh nëse i ke këto gjëra.

Detyra e dytë që sëmundja na kujton është të jetojmë një jetë të atillë për ta duruar sëmundjen me durim. Nuk është aspak e lehtë të sëmuresh. Do kemi ndërprerje nga aktivitetet e zakonshme, planet do na shtyhen, e duhet të durojmë orë të gjata lodhje dhe dhimbje. Mund të jetë një barrë për ne e cila do provojë durimin tonë. Prandaj duhet të mësojmë të jemi të durueshëm në shëndet të mirë, përpara se sëmundja të vijë tek ne. Duhet te lutemi që Fryma e Shenjtë të shenjtërojë karakterin dhe pikëpamjet tona. Duhet të punojmë me lutjen, duke kërkuar rregullisht forcë për të pranuar vullnetin e Perëndisë dhe forcë për të bërë vullnetin e Perëndisë. Mbani mend që forca që kemi nevojë është gjithmonë gati për ne. Në qoftë se do të kërkoni diçka në emrin tim, unë do ta bëj (Gjoni 14:14).

Dua ta theksoj këtë pikë. Unë besoj se virtytet joaktive të kristianizmit nuk vlerësohen ashtu siç duhet. Qetësia, butësia, vuajtja, besimi dhe durimi janë frytet e Frymës. Ato lavdërojnë Perëndinë. Shpesh, njerëzit që injorojnë anën aktive të jetës së një kristiani, nxiten të mendojnë seriozisht përsa u përket këtyre virtyteve pasive që ai ka. Dhe është pikërisht në kohë sëmundjeje kur këto virtyte duken më qartë. Shumë kristianë kanë patur një ndikim shumë të madh në jetën e të tjerëve, jo me anë të fjalëve, por nga mënyra se si iu përgjigjën sëmundjes.

A dëshiron që kristianizmi yt të jetë joshës dhe i bukur për të tjerët? Atëherë kërko virtytin e durimit përpara se të sëmuresh. Më pas, nëse sëmuresh, sëmundja jote do vlejë për lavdi të Perëndisë.

Një detyrë e tretë që sëmundja na kujton është të jemi gjithmonë të gatshëm të simpatizohemi dhe të ndihmojmë njerëzit. Do ketë gjithmonë një të sëmurë pranë jush, ndoshta në familje, kishë apo në lagje. Duhet ta konsideroni këtë fakt si një mundësi për të bërë të mirën. Nuk kërkon veçse një interesim miqësor, një shprehje shqetësimi, apo një vizitë të këndshme. Këto veprime të thjeshta mirësie kanë tendencën të shkulin barrierat dhe të krijojnë një zemër të butë. Mund të jenë mënyra për të udhëhequr njerëzit tek Krishti. Këto janë vepra të mira për të cilat çdo kristian duhet të jetë gati. Në këtë botë sëmundjesh ne duhet “të mbajmë barrën e njëri-tjetrit” (Galatasit 6:2) dhe “të jemi të mirë dhe të  mëshirshëm njeri me tjetrin” (Efesianët 4:32). Vëmendja e ndërgjegjshme ndaj veprave të tilla mirësie është një nga evidencat më të qarta të të pasurit “mendjen e Krishtit”. Vetë Zoti Jezus përshkoi vendin duke bërë mirë ndaj atyre që ishin të sëmurë dhe që vuanin (Veprat 10:38). Rëndësia që ai u kushtonte veprave të tilla tregohet në përshkrimin që ai bën për popullin e tij në ditën e gjykimit, ku ai thotë: Isha i sëmurë dhe ju më vizitonit (Mateu 25:36).

A dëshiron të vërtetosh realitetin e dashurisë sate kristiane? Nëse po, atëherë ruaju nga neglizhimi egoist ndaj vëllezërve e motrave të sëmurë. Kujdesu për to. Jepu ndihmën që kanë nevojë. Mundohu t’i kuptosh e lehtësojau barrën. Mbi të gjitha, përpiqu t’u bësh të mira shpirtërore. Edhe nëse nuk do u bëjë mirë atyre, padyshim do të të bëjë mirë ty. Unë besoj se Perëndia po na teston e sprovon me çdo rast sëmundjeje. Duke lejuar vuajtjen, Perëndia teston ndjenjat e kristianëve. Bëj kujdes se mos dështosh në të tilla sprova! Nëse mund të jetoni në një botë të sëmurë që po vdes dhe nuk ke ndjenja ndaj njerëzve të tjerë, atëherë ti ke akoma shumë për të mësuar.

Përfundimi

Më lejoni ta mbyll me katër gjëra praktike.

1. Së pari, ju bëj këtë pyetje. Çfarë do bëni ju kur të sëmureni? Sëmundja dhe vdekja vjen për çdo njeri. Herët a vonë ajo kohë do vijë edhe për ju. Si do veprosh? Ku do gjesh ngushëllim? Ku do e ndërtosh shpresën tënde? Të nxis të mos i harrosh këto pyetje. Lëri të punojnë në ndërgjegjen tënde, dhe mos gjej prehje gjersa t’u përgjigjesh siç duhet. Fati yt i përjetshëm është shumë më i rëndësishëm sesa neglizhimi i këtyre pyetjeve. Gjëja më e rëndësishme në jetë nuk duhet të lihet për në fund. Nuk duhet të shpresoni se do pendoheni në shtratin e vdekjes. Dy kriminelë u kryqëzuan me Jezusin. Në fund njëri u pendua, ndërsa tjetri jo. Nuk ke asnjë arsye të besosh se do pendohesh në momentin e fundit, nëse nuk pendohesh tani.

Nëse do jetoje përjetësisht në këtë botë, nuk do t’ju drejtohesha në këtë mënyrë. Por ti nuk ke për të jetuar këtu përgjithmonë. Ti do vdesësh, ndaj dua që të jesh gati për atë ditë. Mendo, të lutem, ç’gjë e tmerrshme do ishte nëse ke bërë plane për çdo gjë përveç asaj që është vërtet e nevojshme.

2. Së dyti, unë u ofroj këshillë atyre që kanë nevojë dhe që janë të gatshëm të pranojnë këshillat e mia. Ua ofroj të gjithë atyre që nuk janë gati të takojnë Perëndinë. Pa vonuar, njihu me Zotin Jezus Krisht. Pendohu, kthehu, vrapo drejt Krishtit dhe shpëtohu. Asnjë bastexhi në botë nuk është aq budalla sa njeriu që vë bast shpirtin e tij – njeriu që nuk është gati të takojë Perëndinë por që refuzon pendimin. Ju e dini që mëkatet e tua duhet të pastrohen. Dhe ti je në dijeni që ke nevojë për një Shpëtimtar. Atëherë shko tek ai, dhe lutju e përgjërohu të të shpëtojë shpirtin. Shko tek ai menjëherë. Kërkoje me besim. Dorëzoja shpirtin atij. Kërkoji falje dhe paqe me Perëndinë. Kërkoji të derdhë Frymën e Shenjtë mbi ty dhe të të bëjë një kristian të vërtetë. Ai ka për të dëgjuar. Si do që të kesh qenë në të kaluarën, ai nuk do e refuzojë lutjen tënde. Ai tha: Atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr  jashtë kurrë (Gjoni 6:37).

Ju nxis të ruheni nga kristianizmi i paqartë, dhe i dyshimtë. Mos mendoni se gjërat do ju ecin mbarë meqenëse jeni pjesëtarë të një kishe. Vetëm një marrëdhënie personale me Krishtin do e bëjë një gjë të tillë. Mos pushoni, gjersa të keni dëshminë e Frymës së Shenjtë në zemrën tuaj që jeni pastruar, shenjtëruar, shpallur të drejtë, dhe bërë një me Krishtin. Kristianizmi i paqartë dhe i dyshimtë mund të duket në rregull kur jeni me shëndet të mirë. Por nuk do ju duket më i tillë kur të sëmureni. Ai ka për t’u prishur fare kur të afrohet fundi. Vetëm Krishti heq gjembin e vdekjes, dhe na aftëson të përballojmë sëmundjen tonë të fundit pa frikë. Duhet të jemi të bashkuar me të. Duhet ta njohim dhe ta besojmë atë si Priftin që ndërmjetëson për ne në krah të djathtë të Perëndisë. Vetëm ai çliron ata të burgosur nga frika e vdekjes. Nëse dëshiron të kesh ngushëllim dhe shpresë në kohë sëmundjeje, njihu me Krishtin. Kërkoje atë tani.

3. Së treti, nxis të gjithë kristianët e vërtetë të mbajnë mend sesi mund ta lavdërojnë Perëndinë në kohë sëmundjeje, dhe të shtrihen të qetë në duart e tij në ato çaste të vështira. Kjo është një çështje e rëndësishme. Unë e di sesa e gatshme është zemra e besimtarit për të dyshuar. E di dhe se sa i zënë është Satani duke vënë dyshime dhe pyetje kur trupi i besimtarit është i dobët. Kam përvojë edhe me depresionin që zë fëmijët e Perëndisë kur sëmunden papritur dhe detyrohen të pushojnë.

Me ngul u kërkoj të gjithë besimtarëve të sëmurë, të kujtojnë se me durimin dhe vuajtjen ata mund të lavdërojnë Perëndinë po aq sa dhe me punët aktive. Shpesh është më e virtytshme të pushosh në qetësi sesa të kryesh punë të rënda. U bëj thirrje të kujtojnë se, Krishti kujdeset për ta kur janë të sëmurë po aq shumë sa edhe ne kohë të mira. Disiplina që ata po përjetojnë i është dhënë me dashuri dhe jo me zemërim. Kujtoni mbi të gjitha simpatinë e Jezusit për të dobëtit e tij. Ata janë gjithmonë të trajtuar me dashuri, sidomos në kohë nevoje. Krishti ka përvojë me sëmundjen. Ai njeh zemrën e të sëmurit. Shpesh sëmundja dhe vuajtja bën besimtarët të ngjasojnë me Zotin e tyre. Ai i mori lëngatat tona dhe i mbarti sëmundjet tona (Mateu 8:17). Zoti Jezus ishte Njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes (Isaia 53:3). Dishepujt që vuajnë kanë mundësinë të mësojnë mendjen e Shpëtimtarit që vuajti.

4. Së fundi, nxis të gjithë besimtarët të vazhdojnë marrëdhënien e ngushtë me Krishtin, dhe kurrë të mos frikësohen se “po e tejkalojnë” me kristianizmin e tyre. Mbajeni mend këtë, nëse dëshironi të keni paqe të vërtetë kur të sëmureni. Unë besoj se një arsye përse shumë besimtarë kanë pak ngushëllim në të mirë a në sëmundje, është mungesa e besimit me gjithë zemër. Unë besoj se një kristianizëm me gjysmë zemre “ta kemi mirë me të gjithë”, është fyese për Perëndinë, dhe shkatërron ngushëllimin ndaj vdekjes. Dobësia e një kristianizmi të tillë duket më qartë në kohë sëmundjeje.

Nëse duam të kemi “ngushëllim të fortë” në kohë nevoje, nuk duhet të kënaqemi me të qenët thjesht kristianë. Ne duhet të kultivojmë një marrëdhënie të përjetuar dhe me zemër me Perëndinë. Kur ilaçet s’do kenë efekt dhe kur s’do na mbetet gjë tjetër veç të vdesim, kush do na ngushëllojë neve? Kush do na bëjë të mos i “frikësohemi të keqes” (Psalmi 23:4)? Asgjë – asgjë – s’mund ta bëjë, përveç marrëdhënies së ngushtë me Krishtin. Krishti duke jetuar në zemrën tonë prej besimit, Krishti duke vendosur krahun e tij të djathtë nën kokat tona, Krishti duke qëndruar pranë nesh – Krishti, i vetmi që mund të na japë fitore të plotë në përpjekjet tona të fundit.

Prandaj, le të shtrëngohemi fort rreth Krishtit, ta duam më shumë, të jetojmë për të më shumë, t’i rrëfehemi më guximshëm, ta ndjekim më shumë. Ky lloj kristianizmi do sjellë fitoren e tij. Njerëzit e botës mund të tallen. Kristianët e dobët mund të mendojnë se është ekstrem. Mos u shqetësoni! Kur të sëmureni do ju sjellë paqe. Në botën e ardhshme do ju sjellë kurorë lavdie që nuk humbet kurrë.

Koha është e shkurtër. Bota po shuhet. Disa sëmundje më shumë dhe gjithçka do mbarojë. Disa funerale më shumë dhe do kemi radhën ne më pas. Disa stuhira më shumë dhe ne do jemi të sigurt në liman. Në prezencën e Krishtit do jetë plotësia e gëzimit. Perëndia do thajë çdo lot nga sytë e popullit të tij.

Ndërkohë, le ta jetojmë jetën tonë në besim tek Biri i Perëndisë. Ai jeton, ndonëse ne mund të vdesim. Ai jeton, ai që shfuqizoi vdekjen dhe solli në dritë jetën dhe pavdekësinë me anën e ungjillit. Një ditë ai do ndryshojë trupat tanë të dobët në trupa të lavdishëm si trupi i tij. Në sëmundje dhe shëndet, në jetë dhe vdekje, le të mbështetemi me besim në Zotin Jezus Krisht.