Vetë shqyrtimi
Postuar tek: Të Ecurit Me PerëndinëLe të kthehemi të shohim vëllezërit tanë në çdo qytet, ku kemi shpallur fjalën e Perëndisë, për të parë si janë. – Veprat 15:36
Pas udhëtimit të tyre të parë misionar së bashku, apostulli Pal i sugjeroi Barnabës që ata të bëjnë një vizitë tjetër në kishat që i kishin themeluar për të parë se si po ia kalonin. Ai kishte merak të dinte nëse ata po rriteshin si të krishterë. Kështu ai tha, “Le të kthehemi të shohim vëllezërit tanë… për të parë si janë”. Prej kësaj ne mund të mësojmë diçka – ne duhet ta shqyrtojmë veten për të parë se si ne po ia kalojmë në marrëdhëniet tona me Perëndinë.
Ne jetojmë në një epokë me privilegje shpirtërore të mëdha. Gati në mbarë botën ungjilli është predikuar. Bibla disponohet në më shumë gjuhë se kurrë më parë. Në shumë pjesë të botës kisha është rritur me shpejtësi të madhe. Por ne duhet t’i bëjmë vetes pyetjen, “Po ne a jemi më mirë prej gjithë kësaj?”
Ne jetojmë në një epokë me rreziqe shpirtërore të mëdha. Kurrë më parë kaq shumë njerëz nëpër botë janë shtirur si të krishterë. Po a janë kthyer të gjithë në besim? Shumë njerëzve u pëlqen të marrin pjesë në mbledhje të mëdha, ku ndodhin gjëra emocionuese. Por tjetër gjë është të kërkosh ngazëllime dhe tjetër gjë është të rritesh si i krishterë, dhe ka rëndësi tepër të madhe që ne nganjëherë të ndalim dhe ta pyesim veten se ku ndodhemi vërtet nga ana shpirtërore.
Le t’ju sugjeroj dhjetë pyetje për t’ju ndihmuar ta zbuloni të vërtetën rreth gjendjes suaj shpirtërore. Këto pyetje i bëj vetëm për të mirën tuaj. Në rast se disa prej tyre duken disi të ashpra, kujtohu që ai njeri i cili të thotë më shumë të vërtetë është në fakt miku juaj më i mirë.
1. A mendon sadopak ndonjëherë për gjendjen tuaj shpirtërore?
Mjerisht, ka shumë të cilët nuk mendojnë kurrë për shpëtimin. Ata nuk ndalin asnjëherë për të menduar seriozisht prë vdekjen dhe gjykimin, për përjetësinë, për parajsën dhe skëterrën. Ata merren së tepërmi me punët, qejfet, familjen e tyre, politikën ose paratë. Ata jetojnë sikur nuk do të vdisnin kurrë dhe të qëndronin para gjyqit të Perëndisë. Të tillë njerëz në fakt po e ulin veten në nivelin e kafshëve, sepse ata nuk mendojnë kurrë për çështjet më të rëndësishme të jetës. A mendon ti për këto punë?
2. A bëni ndonjë gjë ndonjëherë për shpëtimin tuaj?
Ka shumë të cilët mendojnë hera-herës për krishterimin, por të cilët nuk ecin përpara asnjëherë më tej të menduarit. Ndoshta kur bien në telashe, ose kur dikush sapo u ka vdekur, ose ndoshta kur ata kanë takuar një të krishterë të vërtetë ose kanë lexuar një libër të krishterë, ata mendojnë shumë rreth tij. Por ja ku pushojnë këta. Nuk ndahen nga shërbimi i mëkatit dhe botës mëkatare; ata nuk marrin sipër kryqin e vet duke ndjekur Krishtin. Kujtohuni – nuk mjafton vetëm të mendosh për Perëndinë dhe për shpëtimin. Duhet të bësh diçka për të, përndryshe nuk mund të shpëtosh.
3. A mundohesh ta pajtosh ndërgjegjen tënde me një fe të jashtme?
Shumë bëjnë këtë gabim. Krishterimi i tyre përbëhet tërësisht nga detyra të jashtme. Ata marrin pjesë në të gjitha mbledhjet për adhurim. Kurrë nuk i mungojnë Darkës së Zotit. Ndoshta kapen shumë fort pas mësimeve të veçanta të kishës së tyre, dhe të diskutojnë me çdo njeri i cili nuk bie dakord me ta. Megjithatë, në zemrat e tyre nuk ka aspak përkushtim ndaj Krishtit. Feja e tyre nuk i kënaq, sepse nuk dinë asgjë për gëzimin dhe paqen e brendshme. Ndoshta fshehurazi në zemrat e tyre ata e dinë që diçka nuk shkon, por nuk e dinë se çfarë. Ju bëj apel, pra, ta shqyrtoni vetveten. Nëse kujdeseni për shpëtimin tuaj, mos u mbetni i kënaqur me rite të jashtme pa mbështetje. Duhet të kesh shumë më tepër se kaq për të shpëtuar.
4. A të janë falur mëkatet?
Ti e di në zemrën tënde se je mëkatar – që ke rënë poshtë standardeve të Perëndisë në mendime, në fjalë dhe në vepra. Prandaj ti e di që nëse në ditën e fundit mëkatet e tua nuk të janë falur, patjetër do të dënohesh përjetësisht. Tani është lavdia e besimit të krishterë që ai ofron pikërisht atë falje për të cilën ke nevojë – një falje të plotë, falas dhe të përjetshme. Kjo falje është blerë për ne nga Zoti Jezu Krisht, kur ai erdhi në botë për t’u bërë Shpëtimtari ynë, dhe jetoi, vdiq dhe u ringjall si zëvendësi ynë. Por, ndonëse kjo falje vjen krejtësisht falas, ajo nuk na jepet automatikisht. Nuk e merr dot thjesht duke vajtur në një kishë të krishterë, madje as duke u anëtarësuar në një kishë. Është diçka të cilën secili duhet ta rrokë për veten e tij nëpërmjet ushtrimit të besimit personal. Në qoftë se nuk e përvetëson nëpërmjet besimit, atëherë për sa të përket ty Krishti po aq mirë mund të mos ketë vdekur. Besimi është thjesht një përbesim i përulur dhe i sinqertë tek Zoti Jezus për të të shpëtuar.
Të gjithë ata të cilët i besojnë atij pranohen dhe falen menjëherë, por pa këtë besim nuk ka aspak falje. Kështu pra e shihni se nuk mjafton vetëm t’i dish faktet për Zotin Jezu Krisht. Ti e di që ai është Shpëtimtari i njerëzve, por vallë a është Shpëtimtari juaj? A e di se mëkatet e tua janë falur?
5. A ke përjetuar realitetin e kthimit drejt Perëndisë?
Në qoftë se nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve (Mateu 18:3). Nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re” (2 Korintasit 5:17). Prej natyrës ne jemi aq të dobët, të mëkatshëm dhe me mendje aq tokësore saqë pa një ndryshim total nuk mund t’i shërbejmë Perëndisë në këtë jetë, dhe nuk mund të gëzohemi në të në parajsë. Ashtu si rosat kur lindin jepen natyrshëm pas ujit, po kështu kur ne lindin ne jepemi natyrshëm pas mëkatit. Nëse duam ta lëmë mëkatin dhe të mësojmë ta duam Perëndinë, një ndryshim i madh duhet të ndodhë në jetën tonë.
Dhe në rast se ky ndryshim ka ndodhur, ai do të shihet me anë të fryteve të tij. A ke një ndjenjë të mëkatit dhe të urrejtjes për të? A ke një besim tek Krishti dhe një dashuri për të? A e do shenjtërinë, dhe mezi pret të bëhesh më i shenjtë? A e sheh që po rritesh në dashuri për popullin e Perëndisë dhe në mospëlqim të rrugëve të botës? Këto janë shenjat të cilat pasojnë gjithmonë kthimin e njeriut drejt Perëndisë. Po ti ku qëndron?
6. A njeh sadopak shenjtërinë praktike të krishterë?
Bibla e bën të qartë se “pa shenjtërinë askush nuk ka për ta parë Zotin”. Shenjtëria është rezultati i pashmangshëm i kthimit të vërtetë.Tani, shenjtëria nuk është përsosmëri absolute – liri absolute nga mëkati.Kjo ekziston vetëm në parajsë.As nuk është shenjtëria diçka të cilën e fitojmë pa një luftim dhe përleshje të pandërprerë.Por, edhe pse shenjtëria në këtë jetë është e papërsosur, prapë është diçka reale.Shenjtëria e vërtetë do ta bëjë njeriun të kryejë detyrën e tij në shtëpinë e vet dhe në punë, dhe ajo do të ndikojë në mënyrë se si ai jeton në jetën e përditshme dhe si përballet me problemet e saj. Ajo do ta bëjë të përulur, zemërmirë, jo egoist, të vëmendshëm për të tjerët, të dashur dhe gati për të falur. Ajo nuk do ta largojë nga detyrat e zakonshme të jetës së përditshme, por do ta aftësojë të jetojë si i krishterë kudo që Perëndia e ka thirrur të jetë.
7. A njeh sadopak kënaqësinë në përdorimin e mjeteve të hirit?
Me shprehjen “mjete të hirit” e kam fjalën për pesë gjëra kryesore: leximi i Biblës, lutja private, mbledhja me të krishterë të tjerë për adhurim, marrja e Darkës së Zotit dhe shenjtërimi i Ditës së Zotit. Këto gjëra i ka caktuar Perëndia me hir ose për të na sjellë në besim te Krishti ose për të na ndihmuar të përparojmë si të krishterë. Gjendja jonë shpirtërore do të varet gjerësisht nga mënyra se si i përdorim. Vini re që them, mënyra se si i përdorim, sepse në kryerjen e tyre nuk ka asnjë vlerë automatike. Ka rëndësi shumë të madhe ajo se si i kryejmë. Prandaj duhet të të pyes, A gjen gëzim në leximin e Fjalës së Perëndisë? A ia zbraz zemrën Perëndisë në lutje?A është Dita e Zotit një gëzim për ty ndërsa e kalon në lavdërim, lutje dhe shoqëri të krishterë? Edhe sikur ato të mos kishin asnjë qëllim tjetër, “mjetet e hirit” do të ishin ende të përdorshme si tregues për gjendjen tonë të vërtetë shpirtërore. Më thuaj se çfarë bën një njeri në lidhje me këto gjëra dhe do të të tregoj së shpejti nëse ai ndodhet në rrugën drejt qiellit ose drejt ferrit.
8. A përpiqesh ndonjëherë të bësh sadopak të mirë në botë?
Në tokë, Zoti Jezus përshkoi vendin duke bërë mirë (Veprat 10:38). Qysh atëherë të krishterët e vërtetë janë munduar ta ndjekin shembullin e tij. Kur Zoti Jezus rrëfeu tregimin e Samaritanit të Mirë (Lluka 10:25-37) ai përfundoi duke thënë, Shko dhe bëj kështu edhe ti. Ka gjithmonë hapësira për të bërë mirë. E vetmja pyetje është ajo nëse duam vërtet ta bëjmë. Edhe ata të cilët nuk kanë para për të dhënë mund t’u bëjnë të mirë të sëmurëve dhe atyre me probleme të tjera, duke u treguar të gatishëm të kalojnë kohë me ta dhe duke u treguar simpati dhe përkujdesje. Lexo historinë e Samaritanit të Mirë. A di ti ndonjë gjë për këtë lloj dashurie ndaj të tjerëve? A përpiqesh t’u bësh mirë të tjerëve përveç shokëve, familjes dhe kishës tënde? A po jeton si dishepull i atij i cili përshkoi vendin duke bërë mirë dhe na la urdhër ta ndjekim si shembullin tonë? (Gjoni 13:15)
9. A njeh sadopak jetën e shoqërisë së vazhduar me Krishtin?
Me fjalën “shoqëri” dua të them zakonin e “qëndrimit në Krisht” i cili Zoti ynë na thotë se është i nevojshëm nëse duam të japim fryt si të krishterë (Gjoni 15:4-8). Ne duhet të kuptojmë qartë që shoqëria me Krishtin është shumë më tepër se thjesht të qenët i krishterë. Të gjithë ata të cilët janë penduar dhe kanë ardhur te Krishti janë të krishterë, dhe i përkasin atij. Por shumë, sa për të ardhur keq, nuk kalojnë kurrë këtë etapë. Për shkak të paditurisë, përtacisë, frikës nga njeriu, dashurisë ndaj botës, ose ndonjë mëkati skllavërues me të cilin nuk janë përballur asnjëherë, ata kanë vetëm pak besim, pak shpresë, pak paqe dhe pa shenjtëri. Tërë jetën e tyre e bëjnë duke dhënë fryt vetëm tridhjetëfish (Mateu 13:8).
Shoqëria me Krishtin është e ndryshme. është diçka e cila përjetohen nga ata të cilët mundohen vazhdimisht të rriten në hir: në besim, njohuri, përshtatje ndaj vullnetit të Krishtit në çdo gjë. Përjetohet prej atyre të cilët “rendin drejt synimit” (Filipianët 3:14). Sekreti i madh i shoqërisë është të jetosh gjithmonë me anë të besimit në Krisht, dhe të marrësh vazhdimisht prej tij të gjitha burimet që na nevojiten. Apostulli Pal mund të thoshte, Për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim (Filipianët 1:21), dhe Nuk rroj më unë, po Krishti rron në mua (Galatasit 2:20). Ky lloj shoqërie përputhet tamam me një bindje të tjellë për mëkatet dhe çoroditjen tonë. Ajo nuk na çliron nga përvoja e cila përshkruhet në kapitullin e shtatë të Romakëve. Por ajo na mundëson ta kthejmë shikimin larg vetes sonë nga Zoti Jezus, dhe të gëzohemi në të.
10. A njeh sadopak gatishmërinë për ardhjen e dytë të Krishtit?
Është një nga gjërat e mëdha të sigurta të Biblës që Krishti do të vijë përsëri në këtë botë. Ai do të vijë si për t’i ndëshkuar mëkatarët ashtu dhe për të përsorur shpëtimin e popullit të tij në mbretërinë e tij të përjetshme të drejtësisë. A je gati për ardhjen e tij? Të jesh gati nuk përfshin asgjë më pak se të jesh një i krishterë i vërtetë dhe i palëkundur. Nuk të kërkon që ta lësh punën tënde të përditshme që të jesh gati për të, por më mirë që atë punë ta bësh si i krishterë, me një zemër gjithnjë gati për të lënë gjithçka kur të shfaqet ai. Përsëri po të bëj pyetje, A je gati?
Përfundim
Le të mbaroj me dy fjalë aplikimi.
- A je në gjumë dhe i shkujdesur për realitetet shpirtërore? Zgjohu! Ti i ngjan një njeriu i cili po fle gjumë në një varkë e cila po shket drejt shkëmbinjve të cilët do ta shkatërrojnë. Zgjohu, dhe thirr Perëndinë!
- A ndihesh i vetë-dënuar dhe ke frikë se nuk ka shpresë për ty? Flaki tej frikërat e tua dhe dëgjoje Krishtin.Ai thotë, Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje (Mateu 11:28). Atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë (Gjoni 6:37). Këto fjalë janë për ty si dhe për të tjerët. Sill gjithë mëkatin dhe fajin tuaj, mosbesimin dhe dyshimin tuaj, papërshtatshmëritë dhe dobësitë tuaj – të gjitha, sillja Krishtit. Ky i pranon mëkatarët (Lluka 15:2). Ai do të të pranojë. Thirre qysh tani.
- A hiqesh si besimtar në Krisht, por nuk ke shumë gëzim, paqe dhe ngushëllim? Shqyrtoje sot zemrën tënde, dhe shiko nëse faji nuk është krejtësisht i yti. Ka mundësi se po bën pak në mos aspak përpjekje, kënaqesh me vetëm pak besim, pendim dhe shenjtërim, dhe të mungon dëshira për të qenë vërtetë i zellshëm në jetën e krishterë. Në qoftë se po, nuk do të jesh kurrë një i krishterë i lumtur, po të mos ndryshosh huqet e tua. Ndryshohu sot! Fillo të jesh i krishterë me gjithë zemër. Mundohu t’i afrohesh Krishtit, të qëndrosh në të, të kapesh pas tij, të ulesh te këmbët e tij si Maria, dhe të pish lirisht nga burimi i jetës. Vetëm atëherë gëzimi yt do të jetë i plotë.
- A je besimtar, por shqetësohesh me dyshime dhe frikëra, për shkak të dobësisë, brishtësisë dhe ndjenjës që ke për mëkatin? Kujtohu për atë që thotë Bibla për Jezusin: Ai nuk do ta thërmojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë kandilin që bën tym (Mateu 12:28). Ky tekst është për ty. Madje edhe një besim i dobët është më mirë sesa “aspak besim”. Një kokërr e vogël jetë është më mirë sesa “aspak jetë”. Ndoshta po pret në këtë botë më shumë se duhet, duke harruar se nuk je ende në qiell. Duhet të presësh vetëm pak nga ti vetë, por shumë nga Krishti. Shiko më shumë nga Krishti, dhe më pak nga ti.
- Së fundi, a je nganjëherë i trishtuar për shkak të sprovave me të cilat ndeshesh në jetë? Shiko lart nga Krishti! Ai është krejtësisht simpatizues, sepse ai vetë ka vuajtur. Ai ndodhet në dorën e djathtë të Perëndisë. Zbrasja zemrën atij. Ai mund të bëjë më shumë sesa ndiejë simpati me ty: ai mund të të ndihmojë. Duhet të mësosh t’i afrohesh atij. Dhe mbaj mend – koha është shkurtuar. Së shpejti gjithçka do të ketë marrë fund dhe do të jemi bashkë me Zotin. Sepse ju keni nevojë për ngulm që mbasi, të bëni vullnetin e Perëndisë, të merrni gjërat e premtuara. Edhe fort pak kohë, edhe ai që duhet të vijë do të vijë dhe nuk do të vonojë (Hebrenjtë 10:36,37).