jump to navigation

Ekzistenca e Perëndisë

Postuar tek: Doktrinat e Biblës

A. Sistemet e rreme dhe të vërteta të teologjisë.

1. Deizmi. Ky sistem pranon që ka një Zot, por mohon që Zoti është zotëruesi i krijesës së Tij. Ata thonë: “Zoti është Krijuesi, por jo Zotëruesi”.

2. Ateizmi. Ata që e mbajnë këtë të ashtuquajtur besim, e mohojnë Zotin krejtësisht.

3. Skepticizmi dhe Mosbesimi. Skeptikët dhe mosbesuesit janë plot me dyshime dhe mosbesime në lidhje me Zotin, veçanërisht me Zotin e zbulesës.

4. Agnosticizmi. Kjo teori nuk e mohon Perëndinë, por mohon që Zoti mund të njihet.

5. Panteizmi. Çdo gjë është perëndi dhe Perëndia është gjithçka. Çdo gjë që ju shihni, është Perëndi. Zoti është në gjithçka. Zoti dhe krijimi janë sinonime.

6. Politeizmi. Ky nënkupton besim në shumë zotër. Ka shumë zotër mbi ne dhe këta zotër kanë zotër mbi ta, e kështu me radhë.

7. Triteizmi. Kjo është doktrina e tre zotërve.

8. Dualizmi. Ky është besimi në dy zotër, një zot që është i mirë dhe një zot që është i keq. Ata janë të dy të barabartë në fuqi.

9. Teizmi Besimi në qenien e një Perëndie personal quhet teizëm. Në qoftë se dikush do të mburrej me këtë gjë, mburrja e tij është e kotë, sepse një njeri duhet ta njohë kush është Zoti dhe si është emri i Tij, me qëllim që të besojë në Të.

10. Monoteizmi. Kjo është doktrina e një Zoti. Ne jemi monoteistë. Judenjtë dhe myslimanët janë monoteistë. Megjithëse kjo është e vërtetë, a janë të shpëtuar ata? Jo! “Ti beson që ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen” (Jakobi 2:19). Të besosh në një Zot, nuk mjafton, por, “po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus dhe po të besosh në zemrën tënde se Zoti e ringjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh” (Romakëve 10:9).

B. Dëshmia për qenien e Perëndisë.

Uroj që studentët të kuptojnë që Bibla nuk përpiqet asnjë herë për të vërtetuar se ka një Perëndi. Bibla e paraqet sikur njeriu e di që ka një Perëndi dhe thotë: “I pamendi ka thënë në zemër të tij, ‘S’ka Perëndi’” (Psalmi 14:1). Megjithatë ka shumë dëshmi të qenies së Perëndisë:

1. Nga Arsyeja.

a. Argumenti intuitiv. Ajo çfarë është brenda njeriut, e quajtur shpesh të vërtetat e para, ai besim që e di se ka një Perëndi, pa patur dikë t’ia shfaqë këtë fakt, quhet argument intuitiv. Një fëmijë e di që ka një Perëndi. Kush i ka treguar? Të gjithë njerëzit në botë e dinë që ka një Zot, megjithëse ata nuk po e adhurojnë të Vetmin dhe të Vërtetin Zot. Në fakt, nuk ekziston asnjë ateist i vërtetë. Dëshmia e ekzistencës së Perëndisë është në njeriun, e lindur tek ai.

b. Argumenti kozmologjik. Ky është argumenti shkak-pasojë. Ja ku e kemi botën, po si erdhi në ekzistencë? Ka një shkak ose fuqi për çdo gjë. Duhet të jetë një Bërës ose një Krijues. Është e lehtë të mendosh që Perëndia shkaktoi krijimin, por është e pamundur të mendosh për shkakun (origjinën) e Perëndisë.

c. Argumenti teleologjik (jo “teologjik”): Me anë të kësaj ne kuptojmë skicimin (arkitektura e universit). Ka një rregull të përsosur në këtë univers. Floku i borës është një model aq i bukur, sa që njeriu nuk mund ta kopjojë kurrë. Pse akulli qëndron në sipërfaqe të ujit dhe jo në fund, kur ngrin? Nëse nuk do të ishte kështu, atëherë i gjithë uji do të ngrihej dhe të gjithë peshqit do të prisheshin. Si është e mundur që pranvera, vera, vjeshta dhe dimri vijnë të gjithë në radhë dhe kanë qenë kështu për shumë mijëvjeçarë? Pse ndodh që dielli nuk i afrohet më shumë tokës (duke e shkrirë) apo nuk largohet më shumë (duke e lënë të ngrihet)? Me siguri është një Arkitekt që planifikoi gjithë krijimin dhe ky Arkitekt është Perëndia!

d. Argumenti antropologjik. Ky argument është i bazuar në cilësitë intelektuale dhe morale të njeriut. Njeriu është një rezultat i drejtpërdrejtë i krijimit të Perëndisë, siç janë edhe krijesat e tjera, por akoma këto krijesa nuk i kanë cilësitë morale dhe intelektuale të njeriut. Pse? Në qoftë se njeriu mund t’i krijonte ato, edhe kafshët mund t’i krijonin. Njeriu ka aftësi për të njohur dhe për të arsyetuar. Në qoftë se njeriu nuk i ka marrë këto cilësi nga dikush, atëherë, nga i ka marrë?

2. Nga historia. Historia e vërteton faktin që ka një Perëndi. Historia e ka vërtetuar faktin e Perëndisë kundër atyre që kanë hedhur poshtë ligjin e Tij. Kështu, të krishterët nuk duhet të shqetësohen për kushtet e botës. Perëndia është në fronin e Tij. Asgjë nuk mund të ndodhë jashtë vullnetit të Tij. Dikush ka thënë: “Profecia është paratregim i historisë”. Perëndia flet dhe vite më vonë përmbushet plotësisht ajo që ka thënë Perëndia. Historia veçse përmbush se çfarë ka thënë Perëndia për atë që do të ndodhë. Historia vërteton që ka një Perëndi!

3. Nga përvoja. Kjo është një nga provat më të mëdha për ekzistencën e Perëndisë. Njerëzit janë transformuar nga fuqia e Perëndisë. S’ka asnjë shpjegim tjetër, përveç Perëndisë! Lutjet që kanë gjetur përgjigje, i drejtohen qenies së Perëndisë.

4. Nga Shkrimet.

a. Mendimi biblik. Bibla është i vetmi libër i frymëzuar nga Perëndia. Bibla është standardi për gjithë sjelljet e mira në botë. Në qoftë se Bibla nuk është Fjala e Perëndisë, atëherë nuk ka Perëndi dhe nuk mund ta njohim Atë.

b. Zbulesa kristologjike. Në Jezus Krishtin, Perëndia zbriti tek njerëzit për të treguar se si është Perëndia. Nëse Jezusi nuk është Perëndi, atëherë nuk ka Perëndi dhe Perëndinë nuk mund ta njohësh kurrë. “Askush s’e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t’Et, është Ai që e ka bërë të njohur” (Gjoni 1:18). Jezus Krishti është Biri i Perëndisë. Ai dhe jeta e Tij vërtetojnë ekzistencën e Perëndisë!

c. Shpalljet profetike. Perëndia paralajmëron të ardhmen. Çdokush që mund ta bëjë këtë, është më shumë se njeri. Njeriu nuk mund të tregojë gjithmonë saktësisht të kaluarën dhe aq më pak të ardhmen. Thuhet që, kur Krishti u kryqëzua, u përmbushën njëzet e pesë profeci, të shkruara shekuj më parë.