jump to navigation

Emrat dhe titujt e Perëndisë

Postuar tek: Doktrinat e Biblës

Fjala “teologji” vjen nga fjala greke “theos” që do të thotë “Perëndi”. Si rrjedhim, teologjia është doktrina e Perëndisë. Për të filluar studimin e shumë doktrinave të Biblës, duhet të fillojmë nga Burimi i të gjitha gjërave, nga Perëndia! Duhet të fillojmë me Perëndinë, sepse nuk ka asnjë dhe asgjë përpara Tij. Ai ishte përpara se çdo gjë të vinte në jetë: “në fillim Perëndia …” (Zanafilla 1:1). “Perëndia, në kohë të lashta dhe në shumë mënyra …” (Hebrenjve 1:1). “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte me Perëndinë dhe Fjala ishte Perëndi” (Gjoni 1:1). Gjërat që duhet të studiojmë janë:

I. Emrat dhe titujt e Perëndisë

Emri i një personi, vendi apo gjëje është ai me të cilin njihet nga të tjerët. Emrat e Perëndisë janë ata me të cilët ai është i njohur. Ata përcaktojnë karakterin e Tij. Po, emrat e Perëndisë janë ata me të cilët ai është i njohur nga populli i Tij: “Më shpëto, o Zot, me emrin tënd” (Psalmi 54:1a). “Ata që njohin emrin tënd do ta vënë besimin e tyre në Ty” (Psalmi 9:10). Kur ju lexoni në Bibël fjalën “Perëndi”, e dini që është përkthyer ose nga fjala hebraike “Elohim”, ose nga fjala hebraike “Jehova”. Fjala “Zot” vjen zakonisht nga fjala hebraike “Adonai”. Për të ditur se cila fjalë përdoret në ndonjë varg, këshillohuni me një mjet teknik si “Concordance” (Strong’s apo Young’s). Secila nga këto fjalë, Elohim, Jehova dhe Adonai përshkruan karakterin e Perëndisë dhe veprimet e Tij ndaj njerëzisë, duke dalluar shenjtorin nga mëkatari.

A. Elohim.

Fjala “Elohim”, që përkthehet “Perëndia”, gjendet më shumë se dy mijë e treqind herë në Shkrimin e Shenjtë. Ky nuk është një emër personal i Perëndisë, por është titulli zyrtar i Tij, çfarë Ai është, Perëndi, Elohim! Fjala “Elohim” nuk është përdorur vetëm për Perëndinë, por edhe për njerëzit (“Unë kam thënë ju jeni perëndi, jeni të gjithë bijtë e Shumë të Lartit”, Psalmi 82:6 dhe Gjoni 10:34-35) dhe për idhujt (“Mos iu drejtoni idhujve dhe mos bëni perëndi me metal të shkrirë” Levetiku 19:4). Ky është titulli i Perëndisë ashtu siç është titulli “president”. President është titulli zyrtar i kryeekzekutivit të një shteti. Nuk është emri, por titulli i tij. Ashtu siç ka presidentë të shumë llojeve, si: president i firmave, i shoqërive misionare etj., edhe emri zyrtar i Perëndisë është Elohim, zyra e Tij.

Elohim është emër në numrin shumës, dhe, kur themi “shumës”, nënkuptojmë që kemi të bëjmë me dy ose më shumë gjëra. Kjo është e vlefshme për gjuhën shqipe, por jo edhe për gjuhën hebraike. Gjuha shqipe ka dy numra: njëjësin (me kuptimin një) dhe shumësin (me kuptimin dy a më shumë). Në hebraisht kemi tre numra: njëjës, për një; duali, që i referohet numrit dy; shumësi, që do të thotë tre ose më shumë. Kështu emri Elohim është shumës, tre ose më shumë. Zanafilla 1:1 thotë: “Në fillim Perëndia (tre ose më shumë) krijoi qiejt dhe tokën”. Një tregues tjetër i trinisë gjendet në Zanafilla 1:26-27: “Perëndia [Elohim] tha: ‘Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë’”.

Kuptimi i vërtetë i fjalës “Elohim” është Ushtruesi i Fuqisë, Ai i Forti. Në kapitujt e parë të Zanfillës, Elohim është përshkruar duke shfaqur pushtetin e Tij në këto dhjetë fjalë: krijoi, bëri, lëvizi, tha, shikoi, quajti, ndau, vendosi, mbaroi dhe bekoi.

Asnjë krijesë nuk ka pushtet, përveç atij që i ka dhënë Perëndia. Pushteti i përket Perëndisë. Njeriut i duhet të punojë për pushtetin e tij në të gjitha fazat e jetës. Perëndia vetëm flet dhe çdo gjë kryhet. Perëndia jo vetëm e krijon, por edhe e mban atë që e krijon nga asgjëja.

Elohim (Perëndia) ka pushtet mbi qeverinë. Danieli e theksoi këtë dhe Nebukadnetsarit iu desh ta provonte “që të gjallët të dinë që Shumë i Larti sundon mbi mbretërinë e njerëzve; Ai ia jep atij që dëshiron dhe larton mbi të keqin e të këqinjve” (Danieli 4:17). Duke pasur zemrën e tij të mbushur me krenari, Nebukadnetsarin e zuri marrëzia, derisa pranoi se Shumë i Larti në të vërtetë mbretëronte. Atëherë atij iu kthye arsyeja dhe u bë një besimtar i fortë i kësaj të vërtete.

Elohim (Perëndia) ka pushtet në gjykim, si mbi njerëzit, ashtu edhe mbi kombet. Kur godet, askush nuk mund t’i qëndrojë Atij.

El është forma e njëjësit për Elohim. Gjendet dyqind e pesëdhjetë herë në Shkrimet e Shenjta. është përdorur në emra të përveçëm si Samuel (i kërkuar nga Perëndia) dhe Elija (Jehova është Perëndia im).

B. Jehova.

Jehova është emri personal i Perëndisë. Është një emër mbi çdo emër tjetër. Jehova do të thotë Shpengues. Sa herë që është përdorur në Bibël, është e lidhur me çlirimin e Zotit: “Kështu kur kapitenët e qerreve panë Jozafatin, ata thanë: ‘Ai është mbreti i Izraelit’. Pastaj e rrethuan për ta sulmuar; por Jozafati lëshoi një britmë dhe Zoti [Jehova] i vajti në ndihmë; Perëndia i shtyu të largoheshin prej tij” (2 Kronikave 18:31).

Ndërsa emri personal i Perëndisë, Jehova, shkruhej, nuk shqiptohej kurrë. Hebrenjtë e konsideronin këtë emër si tepër të shenjtë për t’u përmendur nga buzët njerëzore. Ka mundësi që ky shqiptim të mos jetë i saktë as sot, sepse në gjuhën hebraike shkruhet pa asnjë zanore. Emri “Jehova” në hebraisht shkruhet JHVH. Shpresojmë që e shqiptojmë në rregull. Ndoshta mund të shqiptohet Jeheveh, Jihivih, Jahavah, ose në shumë mënyra të tjera. Kur skribët vinin tek emri Jehova, duke kopjuar, ata i lanin trupat e tyre, dhe penat, me të cilat do të shkruanin këtë emër, pastroheshin. Madje edhe në publik, kur lexuesit do të arrinin tek ky emër, nuk e shqiptonin, sepse kishin frikë se mos e merrnin nëpër gojë kot, kështu që e zëvendësonin me Elohim apo Adonai. Një arsye pse fjala “Jehova” u përdor rrallë, ishte që të ruhej një njohje sa më e plotë e shenjtërisë së Tij.

Kur Zoti (Jehova) iu shfaq Moisiut në ferrishten që po digjej dhe e urdhëroi që të udhëhiqte bijtë e Izraelit të dilnin nga Egjipti për të shkuar në tokën e premtuar, Moisiu pyeti: <<Ja, kur të shkoj te bijtë e Izraelit dhe t’ju them: “Perëndia i etërve tuaj më ka dërguar te ju”, po të jetë se ata më thonë: “Cili është emri i tij?”, ç’përgjigje duhet t’u jap?. Perëndia i tha Moisiut: “UNË JAM AI QË JAM”. Pastaj tha: “Do t’u thuash kështu bijve të Izraelit: ‘UNë JAM-i më ka dërguar tek ju’”>> (Eksodi 3:13-14).

Jehova është UNë JAM-i i përjetshëm. S’ka as të kaluar, as të ardhme me Jehova-in; Ai është i Tashmi i Përjetshëm, Vetekzistuesi, Ai që e bëri veten e Tij të njohur.

Tek Eksodi 20:2 lexojmë: “Unë jam Zoti Perëndia yt”, domethënë, “Unë jam Jehova, Elohim-i yt”. Kishte shumë elohimë, por vetëm një Jehova. Ju mund të lexoni në Bibël “Elohim i Izraelit”, por kurrë nuk lexoni “Jehova i Izraelit”, sepse nuk ka asnjë tjetër Jehova. Kur Elija dhe profetët e Baalit patën një provë, kjo ishte për të vendosur kush ishte Elohim (Perëndia), Jehova apo Baali.

Jehova ishte gjithmonë i lidhur në një mënyrë shpenguese me njerëzit e Tij, por marrëdhënia e Tij me krijesat e Tij (kjo përfshin edhe njerëz jo të rilindur) ishte gjithmonë si Elohim. E njëjta gjë është edhe sot. Perëndia është Perëndia i gjithë të pashpëtuarve, por Ai është Jehova, Átë për gjithë të shpëtuarit. Libri i Jonës e ilustron këtë gjë më së miri. Në kapitullin 3 dhe 4 njerëzit i thirrën Elohim-it dhe Jona iu drejtua Jehova-it! Ata ishin të humbur, por ai ishte i shpëtuar. Ata më vonë u shpëtuan dhe mund ta quanin tashmë Perëndinë Jehova. Mund të shihni shkrime të tjera, si: Gjyqtarët 7:14-15; 2 Kronikave 19:6-9; Zanafilla 7:16; 1 Samueli 17:46.

JAH është një tjetër emër për Perëndinë. Gjendet dyzet e tetë herë në përkthimet e ndryshme. Disa studiues biblikë besojnë se JAH është një shkurtim i fjalës “Jehova”. Kuptimi është i njëjtë: “Këndojini Perëndisë, këndojini lavde emrit të tij, përgatitini rrugën atij që kalon me kalë në shkretëtirë; emri i Tij është Zoti [JAH]; ngazëlloni para tij” (Psalmi 68:4). Emri JAH është gjithmonë i lidhur me lavdërimin dhe gjendet, së pari, tek Eksodi 15:2.

Ne besojmë se fjala “Perëndi” (Elohim), duke qenë shumës tek Zanafilla 1:1, sugjeron pa dyshim që Trinia ka krijuar qiejtë dhe tokën. Edhe sot shohim që mendimet moderne e interpretojnë këtë në mënyra të ndryshme. Mendimi modern thotë që kjo pjesë duhet të lexohet: “Në fillim perënditë kanë krijuar qiejt dhe tokën”. Arsyeja për këtë, thonë ata, është se në fillim Izraeli ka besuar në shumë zotër, por feja e tyre u shndërrua në monoteizëm (me një Perëndi). Kjo formë e arsyetimit është shumë e vështirë për shumë studiues. A ka ndonjë pjesë të Shkrimit që do ta hedhë poshtë këtë? Sigurisht që po! Mund të shikoni tek Ligji i Përtërirë 6:4: “Dëgjo, o Izrael, Zoti Perëndia ynë është një i vetëm”. Tani, vendosni fjalët e sakta Elohim dhe Jehova në këtë pjesë dhe do të shihni se sa qartë del Trinia e Zanfillës 1:1: “Dëgjo o Izrael, Jehova-i, Elohim-i ynë (tre ose më shumë) është një i vetëm”. Prandaj, njeriu filloi me besimin në një Zot dhe më vonë u shthur deri në thellësi “dhe e shndërroi lavdinë e Perëndisë së pakalbshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me atë të një njeriu të kalbshëm, të shpendëve, të kafshëve katërkëmbëshe dhe të rrëshqanorëve” (Romakëve 1:23).

C. Adonai.

Termi “Adonai”, në të vërtetë, ka kuptimin zotëri ose zotërues, një që zotëron, që drejton dhe që bekon të tijtë. Kjo gjendet së pari tek Zanafilla 15:1-2: “Mbas këtyre gjërave fjala e Zotit iu drejtua Abramit në vegim, duke i thënë: ‘Mos ki frikë Abram, Unë jam mburoja jote dhe shpërblimi yt do të jetë shumë i madh’. Po Abrami i tha: ‘Zot (Adonai) Perëndi, çfarë do të më japësh, sepse unë jam pa fëmijë dhe trashëgimtari i shtëpisë sime është Eliezeri i Damaskut?’”.

Adonai mund të njihet gjithmonë me fjalën “Zoti” dhe “zot” në Dhiatën e Vjetër. Ka dy forma të ndryshme për këtë fjalë: Adon, e cila është njëjës, dhe Adonai, që është shumës.

Adonai është përdorur në dy mënyra në Shkrimet, kur ka lidhje me njeriun dhe marrëdhëniet e tij tokësore, si një zotëri i skllevërve të tij dhe si një burrë ndaj gruas: “Kështu shërbëtori e vuri dorën nën kofshën e Abrahamit, zotit të tij, dhe iu betua lidhur me këtë problem. Pastaj shërbyesi mori dhjetë deve nga devetë e zotit të tij dhe u nis, duke pasur me vete çdo lloj të mirash të zotërisë së tij” (Zanafilla 24:9-10a). “Ashtu si Sara që i bindej Abrahamit duke e quajtur ‘zot’” (1 Pjetri 3:6). Shihni gjithashtu Zanafilla 18:12.

Një hebre mund të shiste vetveten tek një hebre tjetër dhe ai do të bëhej zotëria i tij. Megjithatë, ai nuk mund të shitej përgjithmonë, sepse në vitin shtunor ose në vitin e Jubileut, të gjithë skllevërit liroheshin. Kishte ende një rrugë me të cilën një skllav mund të mbetej skllav përgjithmonë, dhe kjo ishte me anë të vendimit: “Por në qoftë se skllavi thotë haptazi: ‘Unë e dua zotërinë tim, gruan time dhe fëmijët e mi dhe nuk dua të shkoj i lirë’, atëherë pronari i tij do t’ia afrojë Perëndisë dhe do ta avitë te dera ose te shtalkat; pastaj pronari i tij do t’i shpojë veshin me një fëndyell; dhe ai do t’i shërbejë përgjithnjë” (Eksodi 21:5-6). Pali tha se ishte skllav (shërbëtor) i Jezus Krishtit, i blerë me gjak dhe i lidhur me dashuri! Sa herë që ju përdorni emrin Zoti Jezus Krisht, ju thoni: “Ai është Zotëria im”. “Ju më quani Mësues dhe Zot dhe mirë thoni, sespe jam” (Gjoni 13:13).

D. Kombinime me emrin Jehova.

1. Jehova-jireh: “Zoti do të sigurojë (do të japë)”. “Dhe Abrahami e quajti këtë vend Jehova-jireh. Prandaj edhe sot e kësaj dite thuhet: ‘Do të furnizohet (jepet) në malin e Zotit’” (Zanafilla 22:14). Ky ishte rasti kur Abrahami mori në mal djalin e tij të vetëm, Isakun. Isaku mbante drutë, kurse Abrahami mbante thikën dhe zjarrin. Djali i tij e pyeti se ku do ta merrnin flinë. At Abrahami iu përgjigj: “Perëndia do të sigurojë vet qengjin për sakrificën” dhe Perëndia e bëri këtë! Para se Abrahami ta vriste djalin e tij si flijim të kërkuar nga Perëndia, engjëlli i Zotit e ndaloi dorën e tij dhe sytë e tij shikuan në kaçube, ku ai pa dashin që Zoti e kishte siguruar (dhënë). Afërsisht dy mijë vjet më parë, Biri i Perëndisë mbarti vetë një barrë të drunjtë, Kryqin, dhe Ati mbajti zjarrin (që flet për gjykimin) dhe thikën (që flet për vdekjen) dhe Zoti me të vërtetë i siguroi vetes një flijim për mëkatet tona, Birin e Tij, Zotin dhe Shpëtimtarin Jezus Krisht. A është Ai Jehova-jireh për ju? Çfarëdo që të ndodhë, mbani mend: Ai është Jehova-jireh, “Zoti do të sigurojë [do të japë]“.

2. Jehova-Rafa: “Zoti që shëron”. “[Zoti] tha: ‘Në qoftë se ti dëgjon me vëmendje zërin e Zotit, Perëndisë tënd dhe bën atë që është e drejtë në sytë e Tij dhe dëgjon urdhërimet e Tij dhe respekton tërë ligjet e Tij , unë nuk do të jap asnjë nga ato sëmundje që u kam dhënë egjiptasve, sepse unë jam Zoti [Jehova-Rafa] që të shëron” (Eksodi 15:26). Ai është Zoti, Mjeku. Mënyra se si është përdorur kjo nuk është se “Unë do të shëroj sëmundjet e tua”, por “Unë nuk do të sjell ligësi mbi ty”.

Bota është quajtur ndryshe “bota e sëmurë”. Livingstone, një misionar dhe zbulues në Afrikë, e ka quajtur Afrikën “një plagë e hapur” dhe arsyeja për këtë është plaga e thellë e mëkatit! Fjala “shëroj” është një fjalë interesante dhe ka kuptimin riparoj, rregulloj, kuroj. Ka një shërim të përsosur tek Jehovai-Rafa sespe “me vurratat e tij ne u shëruam” (1 Pjetri 2:24). Shikoni gjithashtu Psalmi 41:4.

3. Jehova-nissi: “Zoti, Flamuri ynë”. “Moisiu ndërtoi pastaj një altar të cilit i vuri emrin: ‘Zoti është flamuri ynë’ [Jehova-nissi]” (Eksodi 17:15). Zoti është Fitorja jonë. Krishti i kryqëzuar është Flamuri ynë i Fitorës!

4. Jehova-kadesh: “Zoti që shenjtëron”. “Respektoni statutet e mia dhe i vini në zbatim. Unë jam Zoti [Jehova-kadesh] që ju shenjtëron” (Levitiku 20:8). Zoti është i njëjti Zot, si i të krishterëve, ashtu edhe i hebrenjve. “Ai shtoi: ‘Ja, unë vij për të bërë, o Perëndi vullnetin tënd’… Prej këtij vullneti, ne jemi shenjtëruar me anë të kushtimit të trupit të Jezus Krishtit, që u bë njëherë për të gjithë” (Hebrenjve 10:9-10). Shihni për këtë edhe Hebrenjve 10:14 dhe Eksodi 31:13.

5. Jehova-shalom: “Zoti Paqja jonë”. “Atëherë Gideoni ndërtoi një altar për Zotin atje dhe e quajti ‘Jehova-shalom’. Ai gjendet edhe sot në Orfrahun e Abiezeritëve” (Gjyqtarët 6:24). Ka vetëm një rrugë për të siguruar paqen sot dhe kjo është nëpërmjet Zotit Jezus Krisht. Ai është Paqja jonë: “Ai në fakt, është paqja jonë, ai që ka bërë të dy popujt një dhe ka shëmbur murin e ndarjes” (Efesianëve 2:14). Shihni gjithashtu Romakëve 5:1.

6. Jehova-tsedekah: “Zoti Drejtësia jonë”. “Në ditët e tij Juda do të shpëtohet dhe Izraeli do të qëndrojë me siguri. Ky do të jetë emri me të cilin do të thirret: ‘Zoti drejtësia jonë’ [Jehova-tsedekah]” (Jeremia 23:6). Izraeli do të kthehet në Tokën e Premtuar përsëri dhe, gjatë mijëvjeçarit të Jezusit, Jehovai do të quhet Jehova-tsedekah “Zoti drejtësia jonë”. Zoti erdhi, në të vërtetë, i vetmi i drejtë, por ata e kryqëzuan. Por një ditë Ai do të vijë përsëri për herë të dytë dhe Izraeli do ta shpallë Zotin Jezus Krisht si Drejtësinë e tyre. Për shkak se “nuk ka asnjë njeri të drejtë, as edhe një” (Romakëve 3:10), Jezus Krishti është e vetmja drejtësi që ndokush mund të shpallë si të tijën.

7. Jehova-shamah: “Zoti është atje”. “Gjithë perimetri do të jetë tetëmbëdhjetë kubitë. Prej kësaj dite emri i qytetit do të jetë: ‘Zoti është atje [Jehova-shamah]‘” (Ezekieli 48:35). Kur Izraeli do të rikthehet në vend dhe toka do të jetë plot me njohurinë e Zotit, Jeruzalemi do të quhet Jehova-shamah, “Zoti është atje”.

8. Jehova-sabaoth: “Zoti i Ushtrive”. “Çdo vit ky njeri nisej nga qyteti i tij për të adhuruar dhe për t’i ofruar flijime Zotit të ushtrive [Jehova-sabaoth] në Shiloh” (1 Samueli 1:3a). Izraeli është Ushtria, Zoti është Perëndia i Ushtrive. Shihni gjithashtu Eksodi 12:41; 2 Mbretërve 6:14-23; Romakëve 9:29 dhe Jakobi 5:4.

9. Jehova Ra-ah: “Zoti Bariu im”. “Zoti [Jehova Ra-ah] është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë” (Psalmi 23:1). Një herë një vajzë e vogël po e thoshte këtë varg përmendësh dhe kjo ishte mënyra se si u shpreh: “Zoti është Bariu im dhe pse duhet të shqetësohem?” A e keni gjetur ju atë Burim Fuqie? A keni gjetur paqe të përsosur duke ndjekur Shpëtimtarin, kudo që Ai ju drejton? Frika nuk do t’ju shqetësojë, errësira nuk mund t’ju mërzitë, varfëria nuk mund t’ju shkatërrojë, në qoftë se Jezusi është Jehova Ra-ah për ju, Bariu juaj.

E. Kombinime me emrin Elohim. Siç ka kombinime me emrin “Jehova”, ka kombinime edhe me emrin “Elohim”.

1. El Eljon: “Më i Larti Perëndi”. “Melkizideku mbreti i Salemit, i shpuri bukë dhe verë. Ai ishte prift i Shumë të Lartit Perëndi [El Eljon]” (Zanafilla 14:18). Eljon do të thotë më i larti, ndersa El Eljon ka kuptimin më i larti Perëndi. Mund të shihni Ligji i Përtërirë 32:8 dhe Danieli 4:34-35. Jezus Krishti është El Eljon-i ynë: “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë” (Mateu 28:18).

2. El-Olam: “Perëndi i Përjetshëm”. “Pastaj Abrahami mbolli një marinë në Beer-Sheba dhe aty thirri emrin e Zotit [El-Olam], Perëndi i Përjetësisë” (Zanafilla 21:33). Po, Perëndia është “Perëndi i Përjetshëm”, “Perëndi i të gjitha kohërave”.

3. El-Shadai: “Perëndia i Plotfuqishëm”. Kjo gjendet për herë të parë tek Zanafilla 17:1. “Kur Abrami u bë nëntëdhjetë e nëntë vjeç Zoti i doli përpara dhe i tha: ‘Unë jam Perëndia i plotfuqishëm [El-Shadai]; ec në praninë time dhe qëndro i ndershëm’”. El do të thotë i Fuqishmi. Shadai vjen nga fjala “shad”, që do të thotë gji, gjiri i një gruaje. Kjo ilustrohet nga pjesa e Shkrimit tek Isaia 28:9. Prandaj El-Shadai do të thotë Gjiri i Perëndisë, Ushqyesi, Fuqidhënësi dhe Përdëllyesi.

El-Shadai është një nga emrat më të çmuar të Perëndisë, që vlerësohet nga studiuesit e Biblës: Gjiri i Perëndisë, Fuqi-dhënësi, Zoti i Gjithmjaftueshëm, Zoti Bujar, Zoti që është i Aftë! “Ai mund t’i shpëtojë plotësisht ata …” (Hebrenjve 7:25). Pse? Sepse Jezus Krishti, Zoti ynë është El-Shadai ynë, Zoti që është i Aftë.