jump to navigation

Emrat e Perëndisë në Bibël

Postuar tek: Pergjigjet per Deshmitaret e Jehovait

Ka të ngjarë që gjëja më e mbarënjohur rreth DJ-ve, që njihet si nga besimtarët ashtu edhe nga jobesimtarët, është këmbëngulja e tyre në përdorimin e emrit Jehova për Perëndinë. Për ata kjo është një çështje kryesore dhe themelore në sektin e tyre. Është kaq e rëndësishme për ta sa shpesh pyetja e parë që DJ-të i bëjnë një të krishteri është: “Cili është emri i Perëndisë në Biblën tuaj?”, ose “A e quani ju Perëndinë Jehova?”, apo ndonjë pyetje tjetër e këtij lloji. Ai do ta marrë Biblën tënde dhe nëse emri Jehova nuk gjendet në faqet e DhV-së, do ta trajtojë Biblën tënde si një përkthim të gënjeshtërt. Për ata kjo është një çështje e një rëndësie parësore. Ata madje edhe emrin e sektit të tyre e kanë Dëshmitarët e Jehovait, pas këtij emri, i cili është marrë nga Isaia 43:10. Prandaj, në këtë libër, është e nevojshme që ta shqyrtojmë me kujdes këtë çështje.

Emri Jehova

Në kohën para Krishtit, kur DhV-ja u shkrua nga shkruesit judenj, gjuha hebreje nuk përdorte asnjë lloj zanoreje. E vetmja mënyrë që ata shkruanin fjalët ishte me anë të përdorimit të bashkëtingëlloreve. Tingujt zanorë, natyrisht që përdoreshin në gjuhën e folur, kështu kur njerëzit lexonin gjuhën e shkruar, e dinin se cilat zanore shkonin me fjalët dhe mund të kuptonin domethënien e fjalës nëpërmjet kontekstit në të cilin ajo përdorej. Sigurisht që shumë fjalë shkruheshin në të njëjtën mënyrë, d.m.th. ato përbëheshin nga të njëjtat bashkëtingëllore, por ato mund të dalloheshin nga njëra-tjetra sepse njerëzit e kuptonin se çfarë zanoresh të përdornin për shkak të gjuhës së folur.

Ishte vetëm disa shekuj pas kohës së Krishtit që, për tingujt zanorë, u përdorën për herë të parë shenja në gjuhën e shkruar hebreje. Prandaj në gjithë kopjet e DhV-së të shkruara në hebraisht para kësaj kohe nuk ka shenja për zanoret; por teksti masoretik, një tekst hebraisht i DhV-së që u shkrua nga judenjtë masoritë, ishte i pari që kishte këto shenja.

Kështu, kur shohim dorëshkrimet më të hershme në hebraisht, emri Jehova יהוה JHVH. Kjo fjalë katërgërmëshe njihet me emrin gjendet i shprehur me shkronjat, tetragramaton. Kështu, për judenjtë, ky emër për Perëndinë që gjendej në gjithë dorëshkrimet e tyre para kohës së masoritëve kishte formën e tetragramatonit. Gjithashtu, si një çështje me interes është fakti që judenjtë kishin një koncept dhe respekt kaq të lartë për shenjtërinë e Perëndisë sa që në përgjithësi nuk e shqiptonin këtë emër (dhe në vend të tij e shqiptonin fjalën Adonai, Zot). Kjo është diçka që dallohet mjaft qartë nga DJ-të që debatojnë e debatojnë kaq shumë rreth kësaj çështjeje!

Problemi qëndron këtu: DJ-të këmbëngulin se, patjetër, e vetmja formë korrekte (në gjuhën angleze) për këtë emër është J-E-H-O-V-A-H, shkruar në këtë mënyrë, me zanoret E-O-A të futura mes bashkëtingëlloreve J-H-V-H. Në gjuhën shqipe kjo formë e këtij emri përkthehet si J-E-H-O-V-A, d.m.th. pa bashkëtingëlloren e fundit H. Siç do të shohim më poshtë, DJ-të nuk kanë të drejtë të këmbëngulin që duhet të jetë kështu dhe, për këtë, theksimi i tyre ekstrem i kësaj forme është i gabuar. Prandaj gjithë themeli për sektin e tyre është i ndërtuar në rërë, meqë kjo këmbëngulje është një nga gjërat kryesore në të cilat sekti i tyre është i themeluar.

Forma J-E-H-O-V-A, d.m.th. duke përdorur zanoret E-O-A, u përdor për herë të parë pas rreth shek. të 10-të e.s. Ka disa që thonë se kjo formë u përdor për herë të parë nga teologët e Kishës Katolike rreth asaj kohe dhe disa thonë se forma lindi prej faktit se teologët morën bashkëtingëlloret JHVH dhe me to përdorën zanoret hebreje të fjalës Adonai, fjala që do të thoshte Zot në hebraisht, duke treguar kështu që fjala Jehova, siç e kemi ne sot, është një përzierje e dy fjalëve hebreje, tetragramatonit dhe fjalës Adonai. Por, sido që të jetë, është më se e qartë që tetragramatoni, ashtu siç shkruhej para kohës së masoritëve, nuk shkruhej me zanoret dhe se, pas kësaj, kur zanoret u përdorën për të formuar fjalën “Jehova” askush nuk mund të thotë me 100% siguri se zanoret që u përdorën ishin zanoret e duhura, pasi askush sot nuk e di shqiptimin origjinal të fjalës.

Një gjë tjetër është edhe kjo: kur fjala përkthehet në anglisht, ata këmbëngulin që të shkruhet vetëm Jehovah (ose, në shqip, Jehova). Por, përsëri, këmbëngulja e tyre është e pabazë. Ashtu siç dihet mjaft mirë, ajo mund të shkruhet edhe Y-A-H-W-E-H, ose Yahweh (d.m.th. tetragramatonit i shtohen zanore të ndryshme), një emër që është po aq i pranueshëm sa edhe Jehovah dhe që gjendet në disa vende në DhV-në të disa përkthimeve në anglisht. Kështu, fjala anglisht nuk është e thënë të jetë Jehovah por edhe Yahweh! Fjala Yahweh do të përkthehej në shqip si Jahve. I kam sfiduar DJ-të me këtë shumë herë dhe kurrë nuk kam marrë ndonjë përgjigje të kënaqshme. Pse e quajnë veten atëherë Dëshmitarët e Jehovait me kaq këmbëngulje? Pse jo Dëshmitarët e Jahve-ut?

E vetmja gjë, në këtë çështje, për të cilën mund të jesh i sigurt me saktësi të plotë është fakti që ky emër për Perëndinë, ashtu siç gjendet në tekstin hebre të DhV-së, është tetragramatoni JHVH. Të shkosh më tej se kaq do të thotë të shkosh tej autoritetit biblik.

Kjo atëherë ngre pyetjen se si do ta përkthejmë këtë emër në anglisht (ose shqip) për Biblën tonë? Marrëveshja, dhe kjo është vetëm një marrëveshje, në historinë e përkthimit të Biblës në anglisht është të zëvendësohet tetragramatoni (që është hebraisht, jo anglisht) me fjalën ZOT (LORD në anglisht shën. përk.), shkruar me gërma të mëdha. Sidoqoftë, emri Jehovah është lënë në disa raste si p.sh. kur Perëndia zbulon një emër të ri shpërblyes (p.sh. Zan. 22:14, Gjyq. 6:24 etj.). Kjo mund të shihet në faqet e pothuaj çdo Bible në gjuhën angleze. Kështu, ajo që duam të themi është kjo: atje ku gjendet fjala ZOT (LORD në anglisht shën. përk.), atje përdoret tetragramatoni në tekstin hebre. Përkthimi në shqip (Diodati i Ri, botuar në vitin 1994) përdor një marrëveshje të ngjashme, d.m.th. atje ku gjendet tetragramatoni në tekstin hebraik, ai përkthehet me fjalën Zoti (shih tek hyrja e përkthimit Diodati i Ri, faqe V).

Është e rëndësishme të vëmë re se kjo është vetëm një marrëveshje për përkthim dhe asgjë tjetër. Kur DJ-të i dënojnë fuqimisht të krishterët për këtë marrëveshje, duke thënë se ne kemi fshirë emrin e Perëndisë nga DhV-ja, kjo thjesht tregon se ata nuk e kuptojnë faktin se këtu po përdoret një marrëveshje përkthimi. Ne të gjithë e dimë dhe biem dakord se në këto vende në origjinal kjo fjalë është tetragramatoni. DJ-të nuk kanë asnjë të drejtë të bëjnë këto akuza kaq të rënda. Vërtet, ashtu siç e kemi parë edhe më sipër, vetë ata nuk kanë asnjë të drejtë të këmbëngulin që në tekstin anglisht duhet të përdoret emri Jehovah (ose Jehova në tekstin shqip)! Në po të njëjtën mënyrë mund të përdoret mjaft mirë një formë tjetër.

Emrat e ndryshëm të Perëndisë në DhV-në

Tetragramatoni JHVH, nuk është i vetmi emër që përdoret për Perëndinë në DhV-në. Kjo mund të jetë një surprizë për ty pasi ke biseduar me një DJ, pasi ai duket se flet vetëm për emrin Jehova. Ka edhe emra të tjerë.

Fjala hebreje për Perëndi është El. Kjo ka dy forma të tjera, Eloah dhe Elohim. Kjo fjalë gjendet nëpër të gjithë DhV-në në këto forma të ndryshme. Përgjithësisht ajo përkthehet Perëndi në shqip. Ajo gjendet afërsisht 2.500 herë në DhV-në. Ajo përdoret gjithashtu edhe në një numër rastesh në forma të përbëra me fjalë të tjera, p.sh. El Shadai (Zan. 17:1) që do të thotë Perëndia i Gjithfuqishëm.

Një fjalë tjetër e përdorur në DhV-në është Adonai. Ajo do të thotë Zoti im dhe kjo është mënyra se si përkthehet (shih p.sh. tek Zan. 18:27). Ajo gjendet rreth 300 herë në DhV-në. Kjo përdoret shpesh në formën e përbërë me Elohim, përkthyer si Zoti Perëndi.

Pastaj është tetragramatoni JHVH siç e pamë edhe më sipër. Ky përdoret afërsisht 6.500 herë në DhV-në. Judenjtë, meqë në përgjithësi nuk e shqiptonin këtë emër për shkak të respektit që kishin për Perëndinë, e zëvendësonin atë me fjalën

Adonai në gjuhën e folur. Perëndia e quan veten me këtë emër tek Eksodi 3:15, megjithëse ky emër ishte në përdorim në kohërat e librit të Zanafillës (shih tek Zan. 22:14).

Tetragramatoni përkthehet edhe me forma të tjera në gjuhën shqipe, për shembull Jah (forma e tij e shkurtuar) dhe Jahve. Ai ka shumë forma të përbëra në DhV-në p.sh. Jehova Jire (Zan. 22:14), Jehova Shalom (Gjyq. 6:24), Jehova Shamah (Ezek. 46:35), Jehova Tsedaka (Jer. 23:6), Jehova Tsabaoth (1 Sam. 1:3), e kështu me radhë.

Emra të tjerë për Perëndinë në DhV-në përfshijnë: UNË JAM, ose UNË JAM AI QË JAM (Eksodi 3:14), Shkëmbi (LiP. 32:4),

Elion - shumë më i Larti (LiP. 32:8), Qadosh - i Shenjti (Isa. 43:3), Shadai - i Gjithfuqishmi (Zan. 17:1), e kështu me radhë.

Futja e emrit Jehova në tekstin e DhR-së në BR-në

Kur isha i krishterë i ri dhe nuk dija gjëra të tilla si marrëveshjet e përkthimit, gjithmonë shqetësohesha kur DJ-të më thoshin se kishat e krishtere kishin ndryshuar tekstin e DhV-së duke mos përdorur emrin Jehova dhe duke përdorur në vend të tij Zot. Kur kuptova këtë marrëveshje dhe arsyet e përdorimit të saj (siç e pamë më sipër), nuk u shqetësova kurrë më.

Sidoqoftë, kur lexova versionin BR të DJ-ve për herë të parë, në mënyrë që të kuptoja më shumë rreth DJ-ve dhe ku e kishin gabim ata, pashë diçka që më shqetësoi së tepërmi në BR-në e tyre. Meqë DJ-të bëjnë këtë akuzë (të rreme) ndaj kishave të krishtere, çdo njeri do të presë prej tyre që ata për vete të kenë qenë absolutisht të ndershëm në versionin e tyre të Shkrimeve. Përndryshe, ata nuk kanë fare gojë të bëjnë akuza ndaj kujtdo qoftë.

Por ja që nuk ndodh kështu. Ata akuzojnë kishat e krishtere, por në fakt vetë ata janë fajtorë për keqpërdorimin e këtij emri të Perëndisë, në BR-në, versionin e tyre. Ashtu siç kemi thënë në kapitullin 3 mbi BR-në, DJ-të kanë futur dhe përdorur në tekstin e DhR-së emrin Jehova. Ata nuk kanë asnjë farë të drejte ta bëjnë këtë. Kjo nuk është një marrëveshje përkthimi, pasi fjala kyrios, që është fjala greke për Zot në DhR-në, mund të përkthehet vetëm me fjalën Zot (ose me fjalët zot e padron në rastin e njerëzve). DhR-ja u shkrua në greqisht, jo në hebraisht, dhe emri Jehova nuk gjendet në Shkrimet e DhR-së. Të futësh emrin Jehova është një gabim i madh.

Siç e kemi thënë gjerësisht edhe në kapitullin 3 mbi BR-në, mund të shohim se ata e kanë bërë këtë vetëm e vetëm që të futin në Bibël doktrinat e tyre të veçanta dhe të gabuara. Ata e kanë falsifikuar tekstin e DhR-së për ta bërë atë të jetë në përputhje me doktrinat e tyre. Janë DJ-të ata që janë fajtorë për keqpërdorimin e emrit të Perëndisë dhe jo kishat e krishtere!


Shënim nga editori: Për më shumë rreth subjektit ju këshillojmë të lexoni: Emrat dhe Titujt e Perëndisë.