jump to navigation

MBI FUTJEN E EMRIT JEHOVA

Postuar tek: Dëshmitarët e Jehovait

MBI FUTJEN E EMRIT JEHOVA NË DHIATËN E RE
“PREJ DËSHMITARËVE TË JEHOVAIT”

Instituti Biblik Shqiptar
Durrës
Qershor 2004
Autori: Mike Brown
Përkthyesi: Milto Marko

Në kapitujt 3 dhe 7 të librit Përgjigjet për Deshmitarët e Jehovait e pamë se si DJ-të gabimisht deklarojnë që kishat e krishtera gjatë gjithë historisë i kanë ndryshuar me qëllim shkrimet e DhV-së kështu që Emri hyjnor, tetragramatoni JHVH, është hequr dhe ndryshuar në ZOT. Ne pamë që ky është pikërisht një parim normal i pranuar i përkthimit. Për më tepër, pamë moskonseguencën e këtij deklarimi të tyre të rremë, përderisa ata vetë e kanë vendosur emrin Jehova në tekstin e DhR-së (në versionin e tyre të Biblës, “Bota e Re”) në shumë pika pa asnjë të drejtë për ta bërë këtë, përderisa fjala Jehova nuk haset në shkrimet e DhR-së, dhe përderisa nuk ekziston dëshmi dorëshkrimore për ta mbështetur atë që kanë bërë ata.

Në këtë kapitull dëshirojmë ta shikojmë këtë çështje një çikë më me hollësi, përderisa mund të zbulojmë disa gjëra me interes për ne.

Versioni Septuagint i DhV-së

Septuaginti (LXX-ja) është një përkthim i shkrimeve hebraike të DhV-së në gjuhën greke, bërë afërsisht dy shekuj para se të lindej Krishti.  Një grup studjuesish hebrenj, duke jetuar në Egjipt, e përkthyen DhV-në në greqisht, në mënyrë që këto Shkrime të mund të lexoheshin dhe kuptoheshin prej popullsisë johebraike të asaj kohe. Atëhere greqishtja ishte lingua franca[1] e asaj pjese të botës.  Siç do ta shohim më vonë, apostujt, kur shkruan DhR-në, shpesh herë cituan vargje nga versioni grek i DhV-së.

Pika e kundërshtimit është nëse këta studjues e përkthyen drejtpërdrejt ose jo tetragramatonin JHVH në përkthimin LXX-në, ose nëse ata e përkthyen atë duke përdorur fjalë greke të tilla si kyrios dhe theos.  DJ-të deklarojnë që, ata fillimisht përdorën tetragramatonin por pastaj më vonë të krishterët e ndryshuan fjalën në të gjitha kopjet e LXX-së, në secilën prej fjalëve të mësipërme greke, duke e fshirë kështu tetragramatonin nga LXX-ja. Atëhere, kjo do të nënkuptonte që sa herë që apostujt në shkrimet e tyre të DhR-së i përdorën citimet nga versioni LXX-ja e DhV-së, që (nga sa thuhet) përmbajnë tetragramatonin, atëhere kjo duhet të mbesë e njëjtë në përdorimin e DhR-së, por meqenëse të krishterët (me sa thuhet) e ndryshuan fjalën, atëhere në të gjitha këto citime të DhV-së në DhR-në, tetragramatoni paraqitet si fjalë greke. Prandaj, DJ-të thonë që, ai duhet të rivendoset nga fjalët greke në tetragramaton, në DhR-në.

“Dëshmia” që përdorin DJ-të për të argumentuar deklarimin e tyre është një fragment i një kopjeje të LXX-së të bërë prej hebrenjve, dhe që daton nga shek.1&2 p.e.s., i quajtur “P.Fouad inv. No.266″. Ky fragment u botua së pari pas zbulimit të tij në 1944.  Ai përbëhet vetëm prej një pjese të gjysmës së dytë të Ligjit të Përtërirë, dhe përdor tetragramatonin nga fillimi në fund.

Nga ky fragment i fundit DJ-të bëjnë deklarimin e ekzagjeruar që, atëherë që të gjithë kopjet e LXX-it duhet të kenë përdorur tetragramatonin nëpër gjithë tekstin e tyre, kështu që prandaj ata e kanë vendosur tetragramatonin në të gjitha vargjet e DhR-së, që citojnë vargje nga DhV-ja që (me sa thuhet) përdorin tetragramatonin.  Megjithatë, ekziston një kopje tjetër fragmenti të LXX-së që daton nga e njëjta periudhë p.e.s., e quajtur “P. Ryl. GK. 458″ që nuk e përdor tetragramatonin, por kyrios.

DJ-të gjithashtu i referohen një numri kopjesh të tjera të LXX-së në përpjekjen e tyre për të argumentuar deklarimin e tyre. Megjithatë, nga shqyrtimi konstatojmë që, vetëm njëri prej këtyre daton p.e.s., dhe nuk e përdor në mënyrë strikte JHVH; të tjerët janë rishikime të tekstit të LXX-së, të bëra në shekullin 1 p.e.s., ose fragmente të pjesshme të bëra prej hebrenjve që e ndryshuan fjalën në formën hebraike, por përsëri jo plotësisht kështu; një kopje hebraike që daton në shek. 1 p.e.s., që në fakt nuk përdor tetragramatonin, por një formë të çuditshme “IAW” (d.m.th., madje as kyrios); një kopje që daton në shek. 3 p.e.s., që përdor një formë tjetër të çuditshme për tetragramatonin; dhe një version prej Akuilës (një hebre) që e përdor tetragramatonin, por i cili gjithashtu përdor edhe kyrios në vende, dhe gjithashtu i ndryshon fjalët e tjera (madje dhe fjalën christos) në disa vende. Prandaj këto versione nuk janë dëshmi të besueshme për DJ-të dhe në fakt nuk e argumentojnë deklarimin e tyre.

Historikisht, studjuesit kanë konkluduar në fakt që, shumica e dorëshkrimeve të LXX-së përdorin kyrios dhe theos dhe jo tetragramatonin, por gjenden disa versione jo të zakonshme të LXX-së që e përmbajnë tetragramatonin. Prandaj, në asnjë mënyrë nuk mund të konkludojmë siç deklarojnë DJ-të, që të gjitha apo shumica e kopjeve e përmbajnë tetragramatonin. Përkundrazi, e kundërta d.m.th., që shumica e kopjeve përmbajnë kyrios dhe theos, jo tetragramatonin. DJ-të nuk kanë dëshmi për ta provuar deklarimin e tyre.

Ekzistenca e një fragmenti të tillë të LXX-së si ai i mësipërmi, të cilin e përdorin DJ-të nuk provon asgjë më shumë se ajo që, fragmenti i veçantë e kishte tetragramatonin; gjenden shumë kopje të tjera që nuk e kanë atë. Versione të tjera të tilla si ai i Akuilës përsëri provojnë vetëm që JHVH përdorej disa herë, por vetëm rrallë. E vërteta e përgjithshme është që LXX-ja (me përjashtime të vogla) përdor kyrios ose theos, jo JHVH.

Gjithashtu, si një pikë tjetër e vogël, ekzistenca e tetragramatonit në disa kopje apo fragmente kopjesh të LXX-së nuk nënkupton që prandaj ai shqiptohej kur lexoheshin ato kopje të veçanta.  Ka shumë të ngjarë që, në vend të asaj fjale të shqiptohej fjala kyrios, tamam siç hebrenjtë shqiptonin adonai kur lexonin JHVH në shkrimet e tyre hebraike.

Një shembull i mirë i asaj se ku e përmban DhV-ja hebraike tetragramatonin, dhe ku në LXX-në është përkthyer me kyrios, është në Psalmin 110:1; ku në hebraisht thuhet: “Zoti (JHVH – tetragramatoni) i tha Zotërisë tim (adonai)…” Në versionin e LXX-së, si tetragramatoni ashtu dhe fjala adonai janë përkthyer me kyrios, Zot: “Zoti (kyrios) i tha Zotit (kyrios) tim…” Ka shumë vargje të tilla.

Citime nga Septuaginti në DhR-në

Ka shumë vende në DhR-në ku apostujt citojnë nga DhV-ja.  Ne do ta prisnim që, duke qenë se ata vetë ishin kryesisht hebrenj, ata do të citonin nga DhV-ja e tyre hebraike, por nuk ndodh gjithmonë kështu.  Meqenëse ata shkruan në greqisht (duke qenë kjo lingua franca e asaj kohe) ata në të vërtetë përdorin shumë citime nga LXX-ja. (Ata gjithashtu disa herë përdorin fjalë në greqisht, që bazohet në DhV-në hebraike, por të tilla nuk paraqesin interes për ne në këtë kapitull).

Tani thelbi është ky: DJ-të, të bazuar në deklarimin e tyre të paargumentuar që, LXX-ja fillimisht e përmbante tetragramatonin nga fillimi në fund, thonë që nëse apostujt cituan nga Septuaginti, atëhere për këtë arsye ata duhet ta kenë shkruar tetragramatonin në shkrimet e tyre të DhR-së, dhe ata thonë që, më pas të krishterët gjatë shek. 2 & 3 e.s. e hoqën tetragramatonin nga teksti i DhR-së dhe e zëvendësuan atë me kyrios dhe theos. Prandaj DJ-të e kanë rivendosur tetragramatonin në DhR-në në BR-në e tyre në të gjitha citimet e konsideruara të jenë nga LXX-ja (si dhe në disa vende të tjera – shihni më poshtë).  Megjithatë, përderisa siç e kemi parë më sipër nuk ekziston provë për deklarimin e tyre që, LXX-ja përgjithësisht e përmbante tetragramatonin, atëhere është e qartë që, apostujt kur citonin nga LXX-ja duhet të kenë përdorur kyrios dhe theos, siç u shkrua në LXX-në.

Atëhere kjo na çon në faktin e dukshëm që përdorimi i tetragramatonit nuk ishte aq i rëndësishëm për apostujt sa do të dëshironin DJ-të që ta besonim.  Kur citonin nga Septuaginti, ata e përdornin lirisht kyrios dhe theos. Të gjithë ne e pranojmë që, ata shkruan nën frymëzimin e Frymës së Shenjtë. Prandaj, përdorimi i ndryshëm i tetragramatonit nuk mund të jetë një çështje aq e madhe në sytë e Perëndisë!.

Një shembull në DhR-në për një citim nga LXX-ja kur tetragramatoni nuk haset në hebraisht është tek Hebrenjtë 10:5 ku apostulli shkruan: “…bëre gati për mua një trup…” që është çfarë shkruhet në LXX-në e Ps. 40:6.  DhV-ja hebraike në këtë varg ka përkthimin: “…ti ke shpuar veshët e mi…”

Një shembull tjetër është tek Hebrenjtë 10:38 ku fjalët: “Por nëse dikush tërhiqet prapa shpirti im nuk do të gjejë pëlqim në të” përputhen me LXX-në.  Ai është një citim nga Habakuku 2:4.  Hebraishtja është: “Ja, është ngritur, shpirti i tij nuk është në rregull me të”.

Një shembull i një pasazhi në DhR-në ku shkrimtari citon nga LXX-ja dhe jo nga DhV-ja hebraike, në citimin e të cilit LXX-ja përdor kyrios, Zot, por ku në hebraishten origjinale fjala e përdorur ishte tetragramatoni, d.m.th. JHVH, është tek Hebrenjtë 8:8-12.  Këtu fjala kyrios, Zot, haset në vargjet 8, 9, 10 dhe 11. Ai citon nga Jer. 31:31-34 ku origjinalja hebraishte përdor tetragramatonin, JHVH.  Shkrimtari nuk po citon nga hebraishtja, por nga versioni LXX-ja, sepse në vargun 8:9 fjalët janë: “…ata nuk vazhduan në besëlidhjen time, dhe unë i braktisa” që përputhet me LXX-në e Jer. 31:32, kurse hebraishtja thotë: “ata e thyen besëlidhjen time, megjithëse unë isha bashkëshort për ta.” Kështu që, BR-ja bën gabim që e përdor tetragramatonin në këto vargje tek Hebrenjtë.

Pra, këtu nën frymëzimin hyjnor të Frymës së Shenjtë, apostulli përdori kyrios, Zot, në vend të JHVH.  Nuk mund të themi që ai e kishte gabim, sepse ai po shkruante me frymëzimin hyjnor. Prandaj, ne vetëm mund të konkludojmë, siç bëmë më sipër, që për Perëndinë nuk është një çështje kaq e madhe që tetragramatoni është përkthyer si kyrios. Ekzistojnë shembuj të tjerë të kësaj në DhR-së, p.sh. tek Heb. 12:5, 6 që përdor kyrios, Zot, duke cituar nga F.Urta 3:11, 12 që përdor tetragramatonin; gjithashtu tek Heb. 10:30 që citon nga L.Përt. 32:36; dhe gjithashtu Heb. 10:16 që citon Jer. 31:33, etj.

A do ta kishin shqiptuar zakonisht Emrin Jezusi dhe dishepujt?

DJ-të besojnë që Vetë Jezusi do ta kishte shqiptuar tetragramatonin dhe madje që Ai dha mësim shqiptimin korrekt të Emrit (që ata besojnë të jetë J-e-h-o-v-a).  Ata i drejtohen faktit që në fillim të shërbesës së Tij në sinagogë në Nazaret, Ai lexoi nga Isaia 61:1-2, që në hebraisht përmban tetragramatonin.  Shihni tek Lluka 4:18-19.

Sidoqoftë, në lidhje me këtë ekzistojnë një sërë pikash:

Së pari, Ungjilli i Llukës u shkrua në greqisht, kështu që kyrios është fjala që ai shkroi në të vërtetë në pasazhin tek Lluka 4.  Ai po citon nga LXX-ja (shihni më vonë).  Kjo në vetvete natyrisht që nuk provon se Jezusi nuk e shqiptoi Emrin kur Ai foli, është thjesht mënyra që na raportohet prej Llukës.  Jezusi do të ketë lexuar nga shkrimet hebraike.

Së dyti, zakoni hebraik për të thënë adonai në vend të Emrit, filloi shumë më përpara kohës së Krishtit.  Të gjithë farisenjtë e zbatonin këtë zakon nga respekti për Perëndinë.  Po ta kishte thyer këtë zakon Krishti, dhe të kishte shqiptuar Emrin, farisenjtë me siguri që do ta kishin vënë re dhe do ta kishin përndjekur.  Por vini re që ata nuk e përndoqën; përkundrazi, vargjet thonë që ata flisnin mirë për Të (v22), diçka që ata nuk do ta kishin bërë nëse Ai do ta kishte shqiptuar Emrin (përndjekja erdhi më vonë kur Ai i akuzoi ata për mospranimin e profetëve, v23-30).  Si Krishti, ashtu dhe dishepujt e hershëm do ta kishin zbatuar këtë zakon hebre.  Edhe sikur Lluka ta kishte shkruar tetragramatonin në tregimin e tij këtu, kjo ende nuk do të provonte që Jezusi në të vërtetë e shqiptoi atë kur foli; përsëri, ai vetëm do të ishte duke raportuar pasazhin që Jezusi po lexonte, si ligjeratë të zhdrejtë.  Jezusi do ta kishte ndjekur zakonin e të shqiptuarit adonai si alternativë.

Së treti, nëse Krishti e kishte prishur zakonin, dhe në të vërtetë e kishte shqiptuar Emrin, dhe e bëri zakon ta shqiptonte Emrin gjatë gjithë shërbesës së Tij, dhe i dha atij shqiptimin e vërtetë, atëhere dishepujt do ta kishin vënë re këtë dhe do të kishin filluar ta kopjonin Atë, duke e shqiptuar Emrin vetë.  Por ne nuk mund të supozojmë që dishepujt shkruanin ndryshe në shkrimet e tyre nga çfarë shqiptonin.  Ata nuk shkruanin JHVH, prandaj ne nuk mund të supozojmë që ata e shqiptonin Emrin.  Ne nuk kemi provë që Jezusi apo dishepujt në të vërtetë e shqiptuan Emrin.  Pa provë, DJ-të nuk kanë bazë për argumentin e tyre.  Ai është vetëm një supozim hipotetik.

Së katërti, nëse Jezusi do të kishte dashur që njerëzit ta dinin dhe ta përdornin shqiptimin e vërtetë të Emrit, atëhere ne vetëm mund të themi që Ai dështoi në mënyrë të bujshme.  Përsëri, nuk ekziston provë që njerëzit ose e dinin shqiptimin e vërtetë, ose e përdornin atë në të folur të zakonshme si rezultat i shërbesës së Krishtit.  Në të vërtetë, zbulesa që Jezusi erdhi për t’u sjellë si hebrenjve ashtu dhe gjithë njerëzimit, nuk ishte si ta shqiptonin Emrin, por për Perëndinë-Atë, diçka që ishte, por që ishte zbuluar në mënyrë të paqartë në DhV-në.  Përsëri e përsëri, Ai i drejtohet dhe i referohet Perëndisë si Atit të Tij.  Kjo ishte zbulesa që mësuan dhe për të cilën shkruan më vonë dishepujt në shkrimet e tyre.  Dhe natyrisht, zbulesa tjetër e madhe që erdhi si rezultat i shërbesës së Krishtit ishte që vetëm nëpërmjet Emrit të Jezusit gjendet shpëtimi (Veprat 4:12) për njeriun.

Megjithatë, DJ-të duke besuar që Jezusi dhe apostujt e përmendën me të vërtetë Emrin, dhe që ai u shkrua në origjinalet e DhR-së, siç kemi thënë, ata e kanë vendosur Emrin në tekstin e DhR-së të BR-së së tyre.  Kështu, në BR-në, ne gjejmë Jezusin dhe apostujt duke e shqiptuar Emrin në bisedë dhe kur luten, dhe e përdorin atë kur citojnë apo lexojnë pasazhe të DhV-së.  Shihni më poshtë për disa shembuj të kësaj.

A u përdor tetragramatoni prej apostujve kur ata shkruan DhR-në?

Më sipër pamë që, DJ-të deklarojnë që apostujt do ta kenë përdorur tetragramatonin në shkrimet e tyre të DhR-së kur përdornin citime nga versioni LXX-ja e DhV-së.  Kështu që, ata e kanë vendosur atë në versionin e tyre BR-në të DhR-së.  Ata thonë që, kopjuesit e hershëm të krishterë me qëllim e hoqën tetragramatonin nga LXX-ja (e pamundur përderisa ekziston ai version i LXX-së që daton nga shekulli 1 p.e.s. dhe që përdor kyrios – përpara se të ekzistonin të krishterët!) dhe pastaj nga DhR-ja gjatë shekullit 2 & 3 e.s., duke e zëvendësuar atë qëllimisht me kyrios dhe theos.

Për ta mbështetur këtë deklarim për dorëshkrimet e DhR-së, ata thonë që Ungjilli i Mateut fillimisht u shkrua në hebraisht, dhe prandaj do ta ketë patur tetragramatonin.  Sidoqoftë, “dëshmia” që ata deklarojnë për këtë është një citim nga vepra e Jeromit për një vepër që pastaj u mendua të ishte Ungjilli i Mateut dhe i shkruar në hebraisht.  Por vetë Jeromi më vonë e hodhi poshtë këtë teori duke thënë që, ajo punë specifike ishte apokrifale.  Pra, “dëshmia” e DJ-ve nuk është e vërtetë. Përsëri, deklarimi i tyre bazohet mbi një supozim të rremë.

Në fakt, megjithëse disa studjues kanë hedhur teorinë që disa prej librave të DhR-së mund të kenë qenë shkruar me të vërtetë fillimisht në hebraisht, nuk ekziston absolutisht dëshmi për ta mbështetur këtë ide.  Gjithashtu, gjenden mbi 5.000 dorëshkrime ekzistuese të DhR-së në greqisht, dhe tetragramatoni nuk haset në asnjërin prej tyre.  Pra, nuk ekziston dëshmi që tetragramatoni ekzistonte në DhR-në, ose që u hoq më vonë prej kopjuesve të krishterë.  Deklarime të tilla janë thjesht imagjinatë nga ana e DJ-ve.

Siç e thamë më sipër, DJ-të e kanë vendosur tetragramatonin në DhR-në të tyre, në vende ku shkrimtarët citojnë nga LXX-ja.  Ata e kanë vendosur atë gjithashtu në vende të tjera.  Ata e bazojnë arsyetimin e tyre për këtë në disa përkthime të DhR-së, të bëra kryesisht prej hebrenjve, që datojnë nga periudha 1385-1981!  Për shkak të natyrës së këtyre përkthimeve, DJ-të e kanë përdorur këtë si arsye për të vendosur JHVH në vende të tjera të DhR-së. Në të gjitha ato, ata e kanë vendosur atë në DhR-në jo më pak se 237 herë!. Megjithatë, duke e bërë këtë, ata shpërfillin sasinë e jashtëzakonshme të dëshmisë tekstuale të mbledhur gjatë shekujve që, greqishtja origjinale e DhR-së nuk e përmbante tetragramatonin.  Me fjalë të tjera, ata nuk kanë të drejtë ta bazojnë atë që e kanë bërë mbi pak përkthime të DhR-së të bëra gjatë periudhës 1385-1981, kur e gjithë dëshmia tjetër tregon ndryshe.

Disa mënyra në të cilat DJ-të e kanë futur fjalën Jehova në tekstin e DhR-së në BR-në e tyre

Gjenden një numër mënyrash të ndryshme në të cilat DJ-të e kanë futur fjalën Jehova në tekstin e DhR-së të BR-së së tyre, dhe më poshtë po japim disa shembuj për secilën.  Gjenden shumë shembuj të tillë.

Shumica e shembujve që japim janë nga shkrimet e Palit dhe të Llukës, të cilët të dy shkruan në greqisht. Lluka nuk ishte hebre, dhe greqishtja në Ungjillin e tij është e një standarti jashtëzakonisht të lartë; Pali shkroi në greqisht, lingua franca e asaj kohe, për të arritur një publik sa më të gjerë që të ishte e mundur. Nuk ka dyshim që ata nuk shkruan në hebraisht, dhe kështu ata nuk e përdorën tetragramatonin, dhe nuk ekziston dëshmi dorëshkrimore, siç e thamë më sipër, që tetragramatoni ekziston në shkrimet e tyre të DhR-së.  Por, siç e shohim tek shembujt, DJ-të e kanë vendosur tetragramatonin në shkrimet e këtyre njerëzve (dhe të të tjerëve) në tekstin e BR-së së tyre.

1. Thjesht si pjesë e tregimit të shkrimit të tyre

Në kapitullin 3 të librit Përgjigjet për Dëshmitarët e Jehovait e pamë çfarë i kanë bërë DJ-të pasazhit tek Romakët 14:8-9 dhe diskutuam përse e kanë bërë këtë. Shembuj të tjerë ka plot dhe vetëm pak minuta duhen harxhuar për të lexuar BR-në për ta kuptuar këtë. Lexoni për shembull tek Veprat 8:25-26; 12:23-24; 13:12. Në disa prej këtyre vargjeve ata e kanë zëvendësuar fjalën kyrios (Zot), dhe në vende të tjera fjalën theos (Perëndi) me fjalën Jehova.  Në asnjë prej këtyre vargjeve nga Veprat nuk po flasin apostujt, as nuk po përdoren citime nga DhV-ja, fjala përdoret vetëm si një pjesë e tregimit të Veprave, kështu që është e pamundur që tetragramatoni të ketë të bëjë me këto vargje, Lluka nuk do ta kishte përdorur atë.  Ato janë vetëm pak prej shumë shembujve të tillë që mund të gjenden.

2. Kur një person në tregim po lutet ose po flet dhe përdor Emrin

Në raste të tjera tek Veprat, BR-ja i paraqet apostujt duke përdorur fjalën Jehova kur flasin ose luten (d.m.th., pa cituar nga DhV-ja) p.sh., Veprat 1:24, 3:19; 8:22; 13:10,11. Por siç e pamë në kapitullin 7 të librit Përgjigjet për Dëshmitarët e Jehovait, kjo nuk do të ndodhte përderisa hebrenjtë përgjithësisht nuk përdornin këtë fjalë për Perëndinë në gjuhën e tyre të folur, ata përdornin fjalën adonai.

3. Kur apostujt citojnë një varg nga DhV-ja në tregimin e historisë apo letrës së tyre

Disa shembuj të kësaj janë si vijon: Pali tek Rom. 9:29 citon nga Isa. 1:9; tek Rom. 10:13 nga Joeli 2:32; tek Rom. 15:11 nga Ps. 117:1; dhe 1 Kor. 2:16 nga Isa. 40:13. Në të gjitha këto citime Pali përdor kyrios, dhe po citon nga versioni LXX-ja e DhV-së që përdor kyrios dhe jo tetragramatonin. DJ-të e kanë zëvendësuar atë në BR-në e tyre me Jehova.

Një vend tjetër ku gjendet një citim i ngjashëm është tek Rom. 10:16, ku Pali citon nga Isaia 53:1.  është interesante të shohim çfarë kanë bërë DJ-të me këtë citim në BR-në e tyre.  DJ-të e kanë ndryshuar atë në: “Sepse Isaia thotë: ‘Jehova, kush beson në gjënë e dëgjuar prej nesh?’” në vend të përkthimit korrekt: “Sepse siç thotë Isaia: “Zot, kush i besoi predikimit tonë?”" (ABS, botimi 2002). Kështu ata e kanë ndryshuar fjalën Zot (ose Perëndi, në versionin LIM) në Jehova (d.m.th., kyrie në tetragramaton).  Apostulli këtu po citon nga pjesa e parë e Isaisë 53:1 në versionin LXX-në të DhV-së.  Në versionin hebraik të Isaias 53:1, fjala Jehova ose Zot nuk gjendet në pjesën e parë të vargut; përkthyesit e LXX-së e shtuan fjalën kyrie në fillim të vargut në tekstin e tyre. Kështu, DJ-të kanë mashtruar kokë e këmbë në këtë varg!  Fjala në DhR-në këtu është kyrie, që mund të përkthehet vetëm si Zot.  DJ-të nuk kanë fare të drejtë të fusin këtu fjalën Jehova.  Dhe ata kanë bërë gjënë identike tek Gjoni 12:38, që në mënyrë të ngjashme citon nga Isaia 53:1. Ata kanë shtuar fjalën Jehova në vende ku fjala është kyrie, dhe ku në hebraishten origjinale nuk kishte tetragramaton.

4. Kur Jezusi apo apostujt duke folur citojnë apo lexojnë shkrime të DhV-së

Në pasazhin tek Lluka 4:18-19 Lluka është duke cituar nga LXX-ja (ai e shton frazën, “…për të çliruar përsëri të shtypurit…”, e përkthyer në greqisht, që mungon nga LXX-ja, por është në hebraisht).  Kështu ai përdor kyrios në citimin e tij. Kjo thjesht është mënyra se si e raporton Lluka atë që lexoi Jezusi; ai nuk po na thotë fjalët e sakta që foli Jezusi, sepse LXX-ja dhe hebraishtja janë disi të ndryshme. Është ligjeratë e zhdrejtë. Vetë Zoti në të vërtetë do të kishte lexuar nga shkrimet hebraike, dhe do të kishte shqiptuar adonai në vend të tetragramatonit sipas zakonit. Por DJ-të e kanë futur fjalën Jehova dy herë në këtë pasazh për ta bërë atë të duket sikur Jezusi në të vërtetë e shqiptoi Emrin.  Mirëpo, natyrisht çfarë ata nuk bënë në BR-në e tyre ishte për t’i shkuar deri në fund dhe për ta ndryshuar citimin për të qenë njësoj si hebraishtja (që është çfarë Jezusi do të kishte lexuar). Fraza “…dhe kthimin e të parit të verbërve…”, që është tek LXX-ja, por jo në hebraisht, është ende në BR-në e tyre (si në DhR-në tonën).  Kështu që ata kanë vënë në gojën e Jezusit fjalën Jehova, si në hebraisht, sikur të ketë thënë “…kthimin e të parit të verbërve…”,

Që në të vërtetë Ai nuk do ta ketë thënë, sepse nuk është në hebraisht.  Nëse ata do t’u shtojnë vargjeve fjalën Jehova (që nuk duhet ta bëjnë, sepse Lluka nuk e shkroi), ata të paktën duhet të jenë konseguentë me veten e tyre dhe ta ndryshojnë të gjithë citimin për të qenë njësoj si në hebraisht. Por, natyrisht që kjo do të ishte prekje e shkrimeve, apo jo?!  DJ-të i ndryshojnë shkrimet sipas asaj që i shkon përshtat doktrinave të parakonceptuara të tyre, dhe nuk kuptojnë jo vetëm se sa e rrezikshme është kjo për ta, por gjithashtu se sa jokonseguentë janë me veten në këtë proçes. Tetragramatoni nuk u përdor këtu prej Llukës; ai përdori fjalën kyrios siç ishte në LXX-në. Përsëri, përdorimi i tetragramatonit nuk ishte aq i rëndësishëm për apostujt siç mundohen DJ-të të na bëjnë ta besojmë.  Për të mos e përdorur atë, dhe për të përdorur një fjalë tjetër në vend të saj, sigurisht që ishte e pranueshme për Frymën e Shenjtë që i frymëzoi këta shkrimtarë!

Disa shembuj të tjerë të kësaj nga predikimi i apostujve janë siç vijon: tek Veprat 2:20, 21 citimi është nga Joeli 2:31, 32 (shihni gjithashtu Rom. 10:13); tek Veprat 2:25 nga Ps. 16:8; tek Veprat 2:34 nga Ps. 110:1; tek Veprat 4:26 nga Ps. Ps. 2:2; tek Veprat 7:49 nga Isaia 66:1; dhe tek Veprat 15:17 nga Amosi 9:12. Gjenden dhe shembuj të tjerë të tillë. Në të gjitha këto vargje, Lluka raporton duke përdorur një citim nga LXX-ja e DhV-së, sepse ai po shkruan në greqisht, duke përdorur kështu kyrios. Në të vërtetë, apostujt do të kenë folur në aramaisht dhe kështu do të kenë thënë adonai në vend të JHVH, sipas përdorimit të tyre normal. DJ-të e kanë futur fjalën Jehova në të gjitha këto vargje, duke e bërë atë kështu të duket sikur apostujt në të vërtetë e shqiptuan tetragramatonin, që ata nuk do ta kishin bërë.

Përmbledhje

Meqenëse informacioni i përmbajtur në këtë kapitull është disi i komplikuar, po ju ofrojmë një përmbledhje të komenteve që kemi bërë.

1. Përgjithësisht, Septuaginti e zëvendëson tetragramatonin me kyrios ose theos. Ekzistojnë pak përjashtime të vogla. Nuk ekziston dëshmi e vërtetë që provon që origjinalët e LXX-së e përdorën tetragramatonin plotësisht, dhe sigurisht që nuk ka dëshmi që kopjuesit e krishterë ta kenë hequr atë. Apostujt nuk e konsideruan LXX-në të rremë thjesht sepse nuk përmbante tetragramatonin. Ata cituan nga ai nën frymëzimin e Frymës së Shenjtë në DhR-në. Prandaj përdorimi i tetragramatonit nuk mund të ketë qenë aq i rëndësishëm për apostujt (dhe prandaj gjithashtu për Vetë Perëndinë që i frymëzoi ata) sa për DJ-të e kohës tonë.

2. Jezusi dhe apostujt do ta kenë ndjekur përdorimin normal të mosshqiptimit të Emrit hyjnor, duke përdorur si alternativë fjalën adonai, si në të folurën normale kur luteshin, ashtu dhe kur citonin apo lexonin shkrimet nga DhV-ja. Nuk ekziston provë që Vetë Jezusi ta ketë shqiptuar Emrin hyjnor, ose që ai ia mësoi të tjerët, ose që Ai i dha Emrit shqiptimin korrekt.  Zbulesa që solli Jezusi nuk ishte si ta shqiptonim Emrin, por që Perëndia të mund të njihej në përvojë si Atë.

DJ-të në BR-në, për shkak të futjes që i kanë bërë emrit Jehova, e bëjnë atë të duket sikur Jezusi dhe apostujt e shqiptuan Emrin. Kjo është diçka që ata nuk do ta kenë bërë.  Ata do të kenë ndjekur zakonin e të thënit adonai, si alternativë.

3. Nuk ekziston dëshmi që origjinalet e DhR-së të ishin shkruar në hebraisht. Tetragramatoni nuk haset në dorëshkrimet greke të DhR-së. Nuk ekziston dëshmi që apostujt ta kenë përdorur tetragramatonin në origjinalet e DhR-së, dhe sigurisht që nuk ka dëshmi për komplot prej të krishterëve të hershëm për ta hequr Emrin nga DhR-ja.  Por DJ-të e kanë futur emrin Jehova në tekstin e DhR-së pa mbështetjen e ndonjë dëshmie tekstuale nga dorëshkrimet greke të DhR-së. Ata e kanë bërë këtë në disa mënyra.


[1] Një gjuhë e përdorur për komunikim ndërmjet njerëzve të një zone në të cilën fliten disa gjuhë, p.sh. anglishtja është bërë lingua franca e botës në ditët tona (marrë nga Oxford Advanced Learner’s Dictionary shën. i përkthyesit).


Nëse këto fjalë ju kanë shtyrë të mendoni mbi problemet e shpirtit, ju ftojme të na shkruani, dhe do të na vijë mirë t’ju ndimojmë.

Albanian Evangelical Mission
29 Bridge Street, Penybryn,
Wrexham LL13 7HP, Britania e Madhe. ,
email: office [©] aemission.org (Shënim)