jump to navigation

Fitimtarë apo të mundur?

Postuar tek: Një herë në Krishtin në Krishtin përgjithmonë

Një varg që shkakton shqetësime kur është fjala për sigurinë e përjetshme është Zbulesa 3:5:

Kush fiton do të vishet me rroba të bardha dhe unë nuk do ta fshij emrin e tij nga libri i jetës, por do të rrëfej emrin e tij përpara Atit tim dhe para engjëjve të tij.

Fjalët “nuk do ta fshij emrin e tij nga libri i jetës” duket sikur nënkuptojnë se është e mundur që emrat e atyre që nuk do të fitojnë do të fshihen. Që në fillim ngrihen pyetjet “Kush është fitimtar?” dhe “Çfarë është libri i jetës?” Përcaktimi kryesor për fitimtarin gjendet tek 1 Gjo. 5:4-5: fitimtar është ai që mund botën.

Sepse çdo gjë që ka lindur nga Perëndia e mund botën; dhe kjo është fitorja që e mundi botën: besimi ynë. Cili është ai që e mund botën, veçse ai që beson se Jezusi është Biri i Perëndisë?

Në këto vargje, fitimtarët janë ata që kanë lindur nga Perëndia, ata që besojnë se Jezusi është Biri i Perëndisë, me fjalë të tjera, të krishterët e vërtetë. Këto vargje të 1 Gjonit 5 përdoren ndonjëherë për të mbështetur pikëpamjen e shpëtimit të kushtëzuar. Nuk shoh asgjë në këto vargje që mund ta mbështesë këtë pikëpamje, përveçse nëse mbështetësit e saj t’i drejtohen fjalës “besoj” që është në kohën e tashme dhe të ngulin këmbë se kuptimi i kësaj fjale është një veprim i vazhdueshëm. Domethënë, njeriu duhet të besojë dhe të vazhdojë të besojë. Dhe nga kjo rrjedh se një njeri është i lindur nga Perëndia për aq kohë sa ai vazhdon të besojë.[1]

Sipas kësaj një njeri mund të lindë nga Perëndia, pastaj mund të bëhet i palindur (një ide e çuditshme) dhe më vonë mund të rilindë frymërisht përsëri. Numri i përsëritjes së këtij veprimi duket sikur nuk ka kufi. Është sikur Shkrimet të mësonin “Duhet të lindësh përsëri, dhe përsëri, dhe përsëri, dhe përsëri”. Bibla nuk flet për asgjë të tillë.

Ajo që vargjet mësojnë është se besimi e bën të aftë besimtarin që ka rilindur për të mundur botën duke parë shkëlqimin dhe boshllëkun e saj, duke kuptuar se bota është në armiqësi me Perëndinë dhe popullin e Tij, duke pasur frikë nga lajkat e jo nga mosmiratimi i saj. Besimtari nuk pret të trajtohet më mirë se Zoti i tij.

Një shenjtor i vërtetë vazhdon të besojë dhe ky nuk është një kusht për shpëtimin, por një tipar i jetës së tij të re. Tri herë apostulli Gjon u drejtohet të rinjve duke u thënë se ata e kanë mundur të ligun (1 Gjo. 2:13-14; 4:4a). Por këtë ata nuk e bënë me fuqinë e tyre, por me fuqinë e Atij që banon në ta (1 Gjo. 4:4b). Tani le të kthehemi te vargu ynë i fillimit te Zbulesa. Vini re premtimet që i jepen fituesit, këtu dhe në vende të tjera në këtë libër: ai do të hajë nga pema e jetës (2:7); ai nuk do të preket nga vdekja e dytë (2:11) (Meqenëse vdekja e dytë është liqeni i zjarrit dhe meqenëse vetëm jobesimtarët do të preken nga vdekja e dytë [Zbu. 20:14], çdo fitimtar është një bir i vërtetë i Perëndisë); ai do të hajë nga mana që është fshehur (2:17); atij do t’i jepet pushtet mbi kombet (2:26); ai do të vishet me rroba të bardha (3:5a); ai do të jetë shtyllë në tempullin e Perëndisë (3:12); ai do të ulet me Krishtin në fronin e Tij (3:21); ai do të trashëgojë të gjitha gjërat, Perëndia do të jetë Ati i tij dhe ai do të jetë bir i Perëndisë (21:7). Duke i marrë të gjitha këto pjesë së bashku, mësojmë jo vetëm se të gjithë fitimtarët janë besimtarë, por edhe se të gjithë besimtarët konsiderohen si fitimtarë.

John MacArthur shpjegon: «“Ai që fiton” dhe shprehje të ngjashme me këtë janë të zakonshme në shkrimet e Gjonit. Apostulli Gjon thjesht e përdor konceptin e “fitimtarit” si sinonim për besimtarin. Nga përkufizimi i tij rrjedh që të gjithë besimtarët janë përfundimisht “fitimtarë”. …Pra, sipas këtij kuptimi, nuk ka asnjë besimtar që të mos jetë fitimtar».[2]

Tani le të shqyrtojmë Librin e Jetës. Emrat e bashkëpunëtorëve të Palit janë në librin e jetës (Fil. 4:3). Emrat e atyre që adhurojnë bishën që ngrihet nga deti nuk janë në librin e jetës (Zbu. 13:8). Ata që nuk janë regjistruar në librin e jetës do të hidhen në liqenin e zjarrtë (Zbu. 20:15). Vetëm ata që e kanë emrin në librin e jetës së Qengjit do të hyjnë në Jerusalemin e ri (Zbu. 21:27). Duke marrë parasysh të gjitha këto është e qartë se libri i jetës është regjistri i emrave i të gjithë të shpenguarve. (Në disa përkthime të Biblës, libri i jetës përmendet te Zbu. 22:19, por në dorëshkrimet më autentike gjendet shprehja “pema e jetës”).

Le të kthehemi tani te problemi kryesor: Zoti thotë te Zbulesa 3:5 se Ai nuk do t’i fshijë emrat e fitimtarëve nga libri i jetës. A nuk nënkupton kjo se emrat e disa besimtarëve do të fshihen? Para së gjithash, nuk duhet të ndërtojmë doktrina mbi bazën e asaj se çfarë mund të nënkuptojnë disa vargje. Le t’u drejtohemi më mirë thënieve të qarta. Së dyti, e dimë se e kundërta e një thënie mund të mos jetë e vërtetë. Për shembull, unë mund të them: “Kur jam në Jerusalem, jam në Izrael”. E anasjella do të ishte: “Kur nuk jam në Jerusalem, nuk jam në Izrael”. Kjo nuk është e vërtetë. Mund të jem në Haifa ose në Tel Aviv.

Në fakt premtimi që Zoti ka bërë për të mos i fshirë emrat e besimtarëve nga libri i jetës është një premtim për sigurinë e tyre të përjetshme. Nëse Ai nuk i fshin emrat e tyre, atëherë ata do të mbeten në librin e jetës. Në vend që t’i konsiderojmë fjalët e Tij sikur nënkuptojnë një mundësi ogurzezë, është më mirë t’i marrim ato si deklarata pozitive për diçka që Ai nuk do ta bëjë.

Dhe ata e fituan [mundën] atë me anë të gjakut të Qengjit, dhe me anë të fjalës së dëshmisë së tyre; dhe nuk e deshën jetën e tyre deri në vdekje.(Zbu. 12:11).

Kjo pjesë përshkruan shenjtorët e periudhës së Mundimit që kërcënoheshin nga vdekja nëse nuk hiqnin dorë nga besimi i tyre në Krishtin. Ata kishin fituar mbi djallin me anë të gjakut të Qengjit. Gjaku i derdhur i Krishtit përballoi çdo
padi që djalli ngriti kundër tyre. Dhe ata e mundën me anë të fjalës së dëshmisë së tyre: Ata nuk e tërhoqën dëshminë e tyre për Krishtin, megjithëse kjo do të thoshte vdekje si dëshmorë. “Nuk e deshën jetën e tyre deri në vdekje”. Është e vështirë të shihet si ky varg mbështet shpëtimin e kushtëzuar e megjithatë ai përdoret disa herë për këtë qëllim.

Zbulesa 17:14 përmban fjalën “mund” (ose “fitoj”), por këtë herë ajo i referohet Zotit:

Ata do të luftojnë kundër Qengjit dhe Qengji do t’i mundë, sepse ai është Zot i zotërve dhe Mbret i mbretërve; dhe ata që janë me të janë të thirrur, të zgjedhur dhe besnikë.

Ky varg i paraprin Zbulesës 19:19-21. Në ardhjen e dytë të Krishtit, dhjetë mbretërit e përmendur në vargjet 12 dhe 13 do të përpiqen ta ndalojnë Qengjin të marrë në dorë sundimin e gjithësisë. Së bashku me ushtrinë qiellore dhe të gjithë të shpenguarit, Qengji do t’i mundë ata. Fjalët “të thirrur, të zgjedhur, besnikë” mund t’u referohen vetëm shenjtorëve. Këtu flitet për shenjtorë që kanë ardhur nga qielli bashkë me Qengjin (19:14, 21:2). Pra, nuk bëhet fjalë se ata do ta humbin shpëtimin e tyre nëse nuk janë besnikë.

Le të shqyrtojmë edhe një pjesë tjetër që flet për fitoren:

Kush fiton do t’i trashëgojë të gjitha gjërat; dhe do të jem për të Perëndi dhe ai do të jetë për mua bir. Kurse për frikacakët dhe të pabesët, dhe të neveritshmit dhe vrasësit, dhe kurvëruesit, dhe magjistarët, dhe idhujtarët, dhe gjithë gënjeshtarët, pjesa e tyre do të jetë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur, që është vdekja e dytë (Zbu. 21:7-8).

Ka vetëm dy grupe, të shpëtuar dhe të humbur. Vargu 7 përshkruan të shpëtuarit. Pjesa tjetër (vargu 8) flet për të humburit. Nuk shpëtohemi duke fituar. Ne fitojmë, sepse jemi të shpëtuar. Ai që fiton trashëgon të gjitha gjërat; jeta e përjetshme përfshihet te të gjitha gjërat. Perëndia bëhet Ati ynë dhe ne bëhemi bijtë dhe bijat e Tij kur i besojmë Krishtit. Por fjalët “do të jem për të Perëndi dhe ai do të jetë për mua bir” shprehin një intimitet më të thellë të kësaj marrëdhënie (2 Kor. 6:17-18).

Shënime
1. Mënyra e foljes që përdoret këtu është një pjesore e së tashmes, pra fjalë për fjalë “besuesi”. Shiko shënimin 3 në kapitullin “Jetë e përjetshme apo jo e përjetshme?”
2. John F. MacArthur, “The Glory of Heaven”. Wheaton, IL: Crossway Books, 1996, faqe 99-100.