Cilat ishin fjalët e fundit të Jezusit?
Postuar tek: Mospërputhjet në BibëlA ishin fjalët e fundi të Jezusit “O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën time” (Luka 23:46), apo “U krye” (Gjoni 19:30)?
(Kategoria: Tekste janë në pajtueshmëri nëse u kushtohet më tepër vemendje)
“Cilat ishin fjalët e fundit të Jezusit, para se ai vdiq?” është pyetja që parashtrohet nga Shabiri në mospërputhjen e supozuar. Kjo gjë nuk tregon një mospërputhje dhe është e njëjtë sikur në rastin e aksidentit në një kryqëzim ku dy dëshmitarë do të dëshmonin për dy skenaret e atij aksidenti, varësisht nga vendi ku ata kishin qëndruar. Asnjëri prej dëshmitarëve nuk do ta kishte gabim, pasi që ata do ta përshkruanin rastin nga perspektivat e ndryshme. Luka nuk ishte dëshmitar i ngjarjes, kështu që ishte i varur nga ata që kishin qenë atje. Gjoni ka qenë dëshmitar. Atë që ata së bashku janë duke treguar është që Jezusi në fund e dha veten e tij në vdekje.
Mund të thuhet që Luka i përdori fjalët e fundit që ai e ndjeu se ishin të nevojshme për shënimet e ungjillit të tij, fjalë të cilat koncentroheshin në humanitetin e Krishtit (që e kemi cekur në një pyetje të mëparshme), ndërsa Gjoni, së bashku me citimin e fjalëve të fundit të Jezusit, ishte i interesuar në përmbushjen e mesazhit shpëtues, dhe kështu citoi frazën e fundit “u krye”. Gjoni 17:4 regjistron lutjen që Jezusi ja bën Atit në dritën e kryqëzimit të ardhshëm të Krishtit, duke thënë që Ai kishte përfunduar punën e zbulesës (Gjoni 1:18), dhe pasi që zbulesa është theksi i veçantë i Ungjillit të Gjonit, dhe kryqi është përmbushja e atij mandati (Gjoni 3:16), është e natyrshme që ky Ungjill duhej të koncentrohej në tetelestai (greq. u krye).
Për çdo rast, nëse Jezusi do të thoshte “U krye; Atë në duart e tua po e dorëzoj frymën time” apo të kundërtën, do të ishte plotësisht në rregull të regjistrohej cilado nga këto fjalë, si fjalët e tij të fundit. Tek Veprat, që janë shkruar nga Luka, përfundimi arrihet pa ndonjë pikë kulmore, sepse shërbesa e vazhdueshme e Krishtit të lartësuar përmes Shpirtit të shenjtë dhe Bashkësisë (Kishës) nuk ka përfundim para Parousias (greq.kthimit,ardhjes) dhe regjistrimi (shënimi) i tetelestai-t do të kishte mundur të dobësonte këtë theksim, apo do të ishte kuptuar gabimisht. Sidoqoftë, këtu nuk përfshihet asnjë mospërputhje; këtu ka vetëm një dallim të theksimit.