jump to navigation

KAPITULLI 3: TI KE NJË FUQI QË NUK E IMAGJINON

Postuar tek: Ndryshoje Botën me anë të Lutjes

Privilegji më i madh që Perëndia të ka dhënë ka të bëjë me lirinë për t’iu afruar Atij në çdo çast. Jo vetëm që të lejohet të flasësh me të, por je i ftuar ta bësh! Perëndia pret që ti të komunikosh me Të. Ti ke liri të menjëhershme dhe të drejtpërdrejtë për të hyrë në praninë e Tij. Ai e do aq shumë qenien njerëzore, dhe, në mënyrë të veçantë, bijtë e Tij, saqë është i gatshëm në çdo çast. Ky privilegj hyjnor të ofron shtatë zgjedhje të ndryshme:

I. AFTËSIA PËR TË DALË PËRBALLË FRONIT TË PERËNDISË

Si bir i Tij, ke mundësinë të flasësh me Perëndinë, me Sovranin e gjithësisë sa herë të duash. Ai ndodhet gjithmonë në qiell; megjithatë, nëpërmjet lutjes, ti ke liri hyrje në praninë e Tij, ashtu si engjëjt dhe kryeengjëjt. Nuk ke nevojë të presësh një ftesë; të është bërë një e tillë. Nuk është e nevojshme të lësh një takim; ti ke marrë autorizimin t’i afrohesh Perëndisë. Menjëherë! Ai nuk është asnjëherë i zënë për të të dëgjuar. Ai nuk është asnjëherë i zënë për të t’u përgjigjur.

Një herë, ndërsa po prisja të takohesha me mbretëreshën Elisabeta, më thanë: “Mos kërko asgjë, por përpiqu t’i përgjigjesh shkurt pyetjeve që do të të drejtojë mbretëresha. Dhe mos harro t’i drejtohesh me “Madhëri”. Kur flet me Zotin e gjithësisë, situata paraqitet krejt ndryshe. Jezusi tha: “Kur të luteni thoni: At” (Lluka 11:2). Nuk duhet të mendosh se Perëndia nuk ndihet i nderuar nëse nuk e thërret me tituj të madhërishëm, ose që Ai do të të përgjigjet më shpejt nëse lutja jote është e shprehur me fjalë të bukura. Kur mbretëresha Elisabeta vizitoi Indinë, një vajze të vogël iu besua detyra që t’i jepte një tufë me lule. Fëmija i vogël u ushtruar me javë të tëra se si të gjunjëzohej përballë mbretëreshës dhe të ecte mbrapsht (pa rënë) në mënyrë që të mos i kthente shpinën asaj. Por jemi të sigurt se fëmijëve të mbretëreshës nuk u kërkohet të bëjnë këtë ceremoni!

Me anë të lutjes ti paraqitesh përpara Perëndisë si bir i Tij. Nuk të duhet të përgatitesh dhe nuk ke nevojë që një ëngjëll të të paraqesë. Nuk duhet të zgjedhësh fjalët që do të thuash. Mund të paraqitesh ashtu siç je, duke i hapur zemrën tënde dhe duke i thënë gjithçka që dëshiron.
Ti je një bir i Perëndisë dhe Ai është i gatshëm të komunikojë me ty!

II. AFTËSIA PËR TË BASHKPUNUAR ME PERËNDINË

Perëndia ka vendosur të realizojë projektet e Tij, duke përdorur ndihmën tënde. Pali na kujton shpeshherë se Perëndia ka caktuar për ne një aleancë të shenjtë për përparimin e Ungjillit. Apostulli e vë në dukje këtë përgjegjësi të çmuar për të bashkëpunuar me Perëndinë. Ka shumë mënyra për të bashkëpunuar me Të dhe të gjitha janë të domosdoshme. Megjithatë duhet t’u nënshtrohemi disa kufizimeve. Për shembull, mund të gjendemi larg vendit ku mund të ishte e nevojshme ndihma jote: mund të mos jemi të përgatitur për diçka të veçantë. Por, për ndërmjetësimin në lutje nuk ka kufizime: në çdo vend, në çdo çast dhe për çdo lloj nevoje ne mund të bashkëpunojmë me Perëndinë.

Ne jemi krijuar për t’u lutur dhe jemi shpëtuar prej hirit të Perëndisë, për të shërbyer në lutje. Kemi lirinë, të drejtën dhe titullin zyrtar të bijve të Perëndisë dhe kjo gjë na aftëson për këtë shërbesë. Tek Eksodi 19:16 Perëndia thotë: “Sepse e gjithë toka është e imja; dhe do të jeni për mua një mbretëri priftërinjsh…”. Isaia profetizon: “Por ju do të quheni ‘priftërinj të Perëndisë’” (Isaia 61:6). Pse Jezusi na ka bërë “priftërinj të Perëndisë” (Zbulesa 1:6)? Pse të krishterët janë quajtur “priftëri e shenjtë” (1 Pjetrit 2:5) dhe “priftëri mbretërore” (vargu 9)? Sigurisht, duke na përshkruar si priftërinj të Tij, Perëndia do që ne ta adhurojmë dhe ta lavdërojmë, por jo vetëm kaq. Ne jemi edhe një priftëri “mbretërore”, në kuptimin se marrim pjesë në qeverisjen e Krishtit, duke ndërmjetësuar për botën, ashtu siç Krishti ndërmjetëson për ne (Hebrenjve 7:25). Ne na është dhënë liria për të hyrë zyrtarisht në sallën e fronit hyjnor, derisa mund të bashkojmë ndërmjetësimin tonë me atë të Krishtit!

Por nëse Krishti ndërmjetëson, pse është i nevojshëm edhe ndërmjetësimi ynë? Çfarë mund t’i shtojnë lutjet tona modeste ndërmjetësimit të Tij të fuqishëm? Perëndia ka dashur të parapërgatisë planin e Tij të përjetshëm në mënyrë që sot, ne bijtë e Tij, të mund të bashkohemi me Krishtin, në rolin e Tij të ndërmjetësimit dhe udhëheqjes. Nëse ne nuk kushtojmë kohën tonë në shërbesën e ndërmjetësimit në favor të të tjerëve, ne nuk i bindemi thirrjes së veçantë, që Ai na ka drejtuar. Nëse duam, mund të konsiderojmë çdo transmetim radio-televiziv, çdo artikull gazete si një thirrje ndaj lujes tonë. Le të përjetojmë hidhërimin e Perëndisë për këtë botë që po shkon drejt shkatërrimit. Lutja jonë është mënyra më e shkëlqyer për të bashkëpunuar me Të.

III. AFTËSIA PËR T’I REZISTUAR DHE LUFTUAR SATANIN

Satani është kundërshtari më i madh i Perëndisë dhe njeriut “…rrini zgjuar sepse kundërshtari juaj djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues duke kërkuar cilin mund të përpijë” (1 Pjetrit 5:8). Ai është autori i së keqes që është në botë. Mbretëria e tij është e përbërë nga engjëjt e rënë, nga demonët dhe mëkatarët. Ai kërkon gjithmonë të shkurajojë, frenojë dhe çojë në dështim punëtorët e Krishtit dhe veprën e Tij. Ai është i vendosur të kundërshtojë me të gjitha mënyrat e mundshme. Një nga emrat e tij është “Shkatërrim”(Zbulesa 9:11). Ai, në fakt, kërkon të shkatërrojë njerëz, familje, kombe, si edhe planin dhe veprën e Perëndisë.

Satani është në krye të një mori frymërash të ligj, që quhen demonë. Duket se ata kanë fuqinë të mundojnë njerëzit. Shpeshherë, duket se Satani është në gjëndje të ushtrojë një farë kontrolli mbi forcat e natyrës dhe të përmbysë veprën e Perëndisë, me “mrekulli të rreme” (2 Thesalonikasve 2:9,10). Ai ka një autoritet kaq të fuqishëm dhe të egër saqë kryeengjëlli, Mikael, duhej t’i drejtohej Perëndisë që ta qortonte (Juda 1:9). Në çfarë mënyre mund ta kundërshtojmë dhe mundim Satanin? Sigurisht vetëm Perëndia është në gjendje ta frenojë, ta mbajë nën kontroll dhe të mundë një armik kaq të fortë. Megjithatë Bibla pohon se Perëndia u jep këtë aftësi edhe besimtarëve të thjeshtë. Ne nuk duhet të biem në tundim. Jezusi, me shëmbullin e Tij, na mëson se duhet të varemi nga premtimet e Perëndisë (Mateu 4:1-11). Ai e nxiti Pjetrin të ishte fitimtar, duke qëndruar zgjuar dhe duke u lutur (Mateu 26:41).

Ne duhet të qëndrojmë të fortë në besim. Shkrimi na siguron: “Kundërshtoni djallin dhe ai do të largohet nga ju” (Jakobi 4:7). Fjala greke “të kundërshtosh” do të thotë “të qëndrosh kundër”. Kur Krishti është me ne, ne mund ta kundërshtojmë Satanin. Ne duhet të lutemi. Kjo është arma jonë më e vlefshme. Lutja e bën të dukshme praninë e Krishtit dhe Satani, me demonët e tij, do të detyrohet të zbrapset, ashtu siç bënë ata që erdhën në Gjetseman për të arrestuar Jezusin (Gjon 18:6). Lutja mban premtimet e Perëndisë dhe i ngre si një mur midis nesh dhe forcave të errësirës. Lutja mund të bëjë që engjëjt e Perëndisë të vijnë në ndihmë (2 Mbretërve 6:15- 17; Danieli 10:13; Hebrenjve 1:14). Lutja mund të godasë planet e Satanit dhe mund të luftojë çdo sulm të fuqive satanike.

Kur Pali, tek Efesianëve 6, përshkruan luftën tonë frymërore, thotë: “Në fakt beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës dhe errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave në vendet qiellore” (vargu 12). Në vargun e mëparshëm Pali na flet për nevojën për të kundërshtuar mashtrimet e djallit. Pastaj rradhit aspektet e ndryshme të armaturës frymërore, me të cilën duhet të vishemi në luftën kundër Satanit. Po kur jemi plotësisht të armatosur, si mund të luftojmë? Pali na sugjeron dy mënyra: me Shpatën e Frymës, e cila është Fjala e Perëndisë dhe me lutjen.

Lutja është strategjia më e mirë që Perëndia na tregon për të mundur dhe larguar Satanin: “Duke u lutur në çdo kohë dhe me çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi në Frymën, duke ndenjur zgjuar për këtë qëllim” (Efesianëve 6:18). Nëpërmjet lutjes, Fryma e Shenjtë mund të na forcojë deri në atë pikë sa të bëjë që laku i shtrënguar i Satanit në jetën tonë, të këputet, që pengesat e Mbretërisë të zhduken dhe vepra e armikut të shkatërrohet. Krishti erdhi për të shkatërruar veprat e djallit (1 Gjonit 3:8). Këtë gjë ai e ka kryer në Kalvar dhe fitorja në Kalvar e bën të vlefshme lutjen e nuses së Tij, Kishës. Dhe për këtë qëllim, populli i Perëndisë është edhe ushtria e Tij. Nëse populli i Perëndisë do të ishte i ndërgjegjshëm se është ushtria e Perëndisë dhe do t’i jepte përparësinë armës së lutjes, nëse të gjithë do të bashkoheshim në ndërmjetësim, nën udhëheqjen dhe vajosjen e Frymës, ne do të mundnim Satanin dhe do të kishim një rizgjim të vërtetë frymëror! Mund të shihnim korrjen më të madhe të shpirtrave që ka ndodhur ndonjëherë.

Ne jemi thirrur të ndalojmë Satanin, ta mposhtim dhe ta mundim nëpërmjet lutjes dhe agjërimit. Fatkeqësisht ne nuk e kemi zakon të lutemi, jemi moskokëçarës, të kënaqur nga mediokriteti dhe nga thatësira frymërore në të cilën jetojmë. Duket sikur e kemi pranuar në heshtje se djalli ka fituar. O Perëndi, na rizgjo! O Perëndi, na mëso të lutemi! Perëndi, na udhëhiq drejt një beteje lutjeje që do të na lejojë të kërkojmë shpëtimin e personave të rëndësishëm, të familjeve të tëra dhe deri shpëtimin e gjithë kontinenteve! Le të gjunjëzohemi që ungjillëzimi i botës të ndryshojë rrënjësisht! Le të gjunjëzohemi, që më pas të bëhet i dukshëm triumfi i Krishtit!

IV. AFTËSIA PËR TË PËRMBYSUR LIGJET E NATYRËS

Lutja mund të përmbysë “ligjet e natyrës”, mund të çojë përgjigjet e mrekullueshme të Perëndisë nevojave të njeriut. Do të ishte e kotë nëse kjo nuk do të ishte e vërtetë për situatat e vështira. Nëse do të kishte kufizime në atë që Perëndia mund të bënte, lutja do të bëhej një lojë përballë nevojave njerëzore dhe një mashtrim i tmerrshëm. Por nuk është kështu! Lutja është një realitet si vetë Perëndia. Perëndia mund të bëjë gjithçka për përparimin e Mbretërisë së Tij dhe sipas vullnetit të Tij. Lutja i hap rrugë të lirë fuqisë së Perëndisë.

Krishti është Krijuesi dhe Mbrojtësi i gjithësisë (Gjoni 1:3; Kolosianëse 1:16,17). Ai është Krijuesi i disiplinës,i rregullit dhe i fuqisë. Ne i quajmë “ligje të natyrës” mënyrat e Tij normale për të vepruar. Ai e ka krijuar gjithësinë në atë mënyrë që disa rregulla të jenë të zakonshme dhe të tjerat të jashtëzakonshme. Për shembull, ligji i energjisë mund të bjerë ndesh në të njëjtën kohë me ligjin e rëndesës. Për shembull, kur ne hedhim një top, ligji i energjisë e shtyn topin të qëndrojë në ajër derisa vetë energjia të mos ushtrojë më forcë mbi të. Vetëm atëherë ai (pra, topi) do të jetë nën ndikimin e ligjit të rëndesës dhe do të bjerë në tokë.

Ligjet e vogla, të zakonshmet, ndjekin në mënyrë të rregullt të njëjtin drejtim me ligjet më të larta. Ato harmonizohen, por mund ta tejkalojnë njëra-tjetrën. Ligjet kryesore të materias mund të tejkalohen nga ligjet e biologjisë dhe të jetës. Secila prej këtyre ligjeve mund t’u nënshtrohet ligjeve të psikologjisë. Ligjet morale i tejkalojnë ligjet fizike dhe ligjet frymërore të gjitha këto. Perëndia është Frymë dhe qëndron mbi gjithë krijimin. Ai që është Krijuesi, Mbajtësi dhe Qeverisësi i gjithçkaje, është plotësisht i lirë. Ai është i lirë të anullojë çfarëdo lloj ligji, sepse ligjet nuk janë gjë tjetër veçse shprehja e mendjes së Tij krijuese: mënyra se si zgjedh të veprojë në botën që ka krijuar. “Të anullosh” një ligj” nuk e “shkel” dhe nuk “e dobëson” këtë ligj, por e eliminon përkohësisht, për një qëllim më të mirë.

Kur Perëndia shkel mënyrën e Tij të zakonshme të të vepruarit (ligjin e natyrës) dhe ndërhyn me një vepër të veçantë, ndodhemi përballë një mrekullie. Por Jezusi i quante këto mrekulli si “vepra”. Lutja mund të kërkojë edhe gjëra që nga ana njerëzore janë të pamundura, nga çasti që Perëndia është i Gjithfuqishëm dhe Sovrani, të cilit i bindet i gjithë krijimi. Planet e Tij janë të përjetshme. Shpesh Ai kapërcen një nga mënyrat e Tij normale të të vepruarit, për të realizuar qëllimet morale dhe frymërore, për planet e Tij të përjetshme. Kështu, lutja ka gjithmonë mundësinë të kontribuojë në qëllimin e përjetshëm të Perëndisë dhe të sigurojë fuqinë e Tij të jashtëzakonshme. Perëndia nuk garanton mrekullira, por është gjithmonë i vëmendshëm ndaj lutjes tonë dhe ky është modeli i përcaktuar prej Tij, që fuqia e Tij të ndërmjetësojë në mbështetje të nevojave njerëzore.

V. AFTËSIA PËR TË PATUR NDIHMËN E ENGJËJVE

Ne jetojmë në një epokë shumë supersticioze, por edhe skeptike përballë të mbinatyrshmes. Shumë të krishterë mendojnë shumë rrallë rreth mësimit biblik të engjëjve. Hebrenjve 1:14 na siguron se të gjithë engjëjt janë “frymëra shërbenjës që dërgohen për të shërbyer për të mirën e atyre që kanë për të trashëguar shpëtimin”. Ne nuk i njohim të gjitha mënyrat se si ëngjëjt ndihmojnë bijtë e Perëndisë, por Bibla përmend disa funksione të tyre: Ata mbrojnë nga rreziku. Engjëjt mbrojtën Jakobin pas natës së lutjes (Zanafilla 32:1). Ata mbrojtën Eliseun, njeriun e lutjes (2 Mbretërve 6:17).

Ata çlirojnë bijtë e Perëndisë. Engjëjt çliruan Pjetrin nga burgu (Veprat e Apostujve 12:1-11). Një engjëll vjen për të siguruar Palin, se, ai dhe të gjithë miqtë e tij, do të shpëtoheshin si përgjigje të lutjes që i drejtoi Perëndisë. Ata u çojnë lajme bijve të Perëndisë. Ka shumë shembuj biblik përsa i përket kësaj gjëje. Engjëjt u çuan lajmin barinjve (Lluka 2:9-13) dhe grave, kur Krishti u ringjall (Mateu 28:2-7); Kornelit në përgjigje të lutjeve të tij (Veprat e Apostujve 10:1-7). Përveç kësaj, ata mund të na japin këshilla nëpërmjet mendjes tonë. Ata përtërijnë energjinë fizike. Ata ngushëlluan Krishtin gjatë provës së Tij të vështirë në kopshtin e Gjetsemanit (Lluka 22:43). Pa dyshim që bëhet fjalë për një ndihmë të padukshme, por reale, dhe biografitë e njerëzve të Perëndisë na kanë sjellë shumë shembuj të ndërmjetësimit të tyre. Jam i sigurtë se kur isha në Indi engjëjt më kanë ndihmuar në shumë raste, edhe pse nuk i kam parë kurrë. Për shembull, njëherë kuptova se isha në rrezik dhe ndryshova drejtim: më vonë zbulova se kisha arritur në kohë të largohesha nga një grup keqbërësish. Një herë tjetër, kalova shëndoshë e mirë përmes një turme që po më kërcënonte. Nuk pësova as edhe një gërvishtje dhe pata përshtypjen se isha i rrethuar nga prania e Perëndisë. Më pas zbulova se në të dyja rastet, në vende të ndryshme, një bir i Perëndisë, në atë çast, ishte duke u lutur, edhe pse nuk dinte gjë se ndodhesha në rrezik.

Perëndia përdor çdo lloj mjeti për të mbrojtur të Tijtë, kur lutja bëhet sipas vullnetit të Tij. Ne i kemi të gjitha të drejtat të mbështetemi në premtimin e Tij, duke i kërkuar të mbrojë shërbëtorët e Tij, që punojnë në vende me rrezik të veçantë. Ne nuk duhet të hezitojmë që t’i kërkojmë Perëndisë një mbrojtje të veçantë engjëllore për të dashurit tanë.

VI. AFTËSIA PËR TË ZHVENDOSUR MALET

Në Bibël fjala “mal” përdoret, shpeshherë, në kuptimin simbolik dhe përfaqëson forcë dhe qëndrueshmëri. Nga ana tjeter, malet simbolizojnë edhe vështirësitë, problemet dhe pengesat. Kështu, nëse duam të përgatisim rrugën e Zotit, çdo gjë që është e shtrembër duhet drejtuar dhe malet të sheshohen. Në rrethana të tilla lavdia e Zotit do të shfaqet (Isaia 40:3-5; Lluka 3:4-6). Kur Fryma e fuqishme e Perëndisë vepron, malet që nuk mund të lëvizin, në asnjë lloj mënyre, bëhen fusha (Zak 4:6-7). Vetëm Fryma e Shenjtë mund ta bëjë këtë dhe mund të ndryshojë malet më të thepisura në rrugë kryesore që lehtësojnë ecjen (Isaia 49:11).

Jezusi ka përdorur këtë shembull, të Dhjatës së Vjetër, në shumë prej mësimeve të Tij. Kur dishepujt e Tij nuk mundën ta dëbonin demonin nga fëmija që vuante, Jezusi u tha atyre se, nëse do të kishin besim sa një kokërr sinapi, do t’i thonin atij “mali” (simboli i një situate ose i një problemi të pazgjithshëm)… dhe ai do të zhvendosej. “Asgjë nuk do të jetë e pamundshme” (Mateu 17:20). Dhe më pas Ai shtoi se e gjitha kjo bëhet e mundur me anë të lutjes dhe agjërimit (vargu 21). Përsëri, dishepujt u çuditën nga fuqia e Jezusit, që bëri të thahej fiku që nuk jepte fryte. Ai u përsëriti duke thënë se ata jo vetëm që do të bënin të njëjtën gjë, por gjithashtu do të urdhëronin malet të hidheshin në det. Jezusi tha: “Gjithçka që kërkoni në lutje, duke patur besim do ta merrni” (Mateu 21:22). Marku sjell të njëjtën pjesë dhe citon shprehjen e Jezusit: “Të gjitha ato që ju kërkoni duke u lutur, besoni se do t’i merrni dhe ju do t’i merrni (Mark 11:24).

Perëndia pret që bijtë e Tij të përballojnë malet e vështirësisë dhe t’i zhvendosin ato (shih kapitullin 15). Perëndia nuk do që të bllokohemi nga to, por që t’i pranojmë si një sfidë, qoftë për të na kthyer në rrugë kryesore, për lavdinë e Tij, qoftë për t’i hedhur në det, duke i larguar plotësisht nga sytë e Tij, ashtu sikur të mos kishin ekzistuar. Jezusi na siguron se kjo bëhet e mundur kur besimtarët i përballojnë malet me besim, por na kujton edhe se kjo gjë kërkon lutje dhe agjërime. Mrekullia do të kryhet nga Fryma e Shenjtë dhe nuk do të jetë fryt i fuqisë apo i aftësive tona (Zakaria 4:6). Sot, me qindra male pengojnë përparimin e misioneve dhe të Kishës së Krishtit, sepse, fatkeqësisht, ne mbështetemi plotësisht në njohurinë, aftësitë dhe veprat tona. Por do të ishte shumë më mirë nëse do t’i përkushtoheshim me të vërtetë lutjes dhe agjërimit! Këto janë mjetet që Perëndia na jep për të kthyer malet në rrugë të gjëra.

VII. AFTËSIA PËR TË BEKUAR

Perëndia i Biblës është një Perëndi që bekon. Për këtë, Fjala e Tij është plot me premtime. Ne mund të jemi të sigurtë (përjashto rastet në të cilat Ai duhet të përdorë ndëshkimin) se Ai është gjithmonë i gatshëm të bekojë në mënyrë të veçantë ata që i
binden. “Jezusi përshkoi vendin duke bërë mirë” (Veprat e Apostujve 10:38). Në shembullin e Tij, ne duhet t’i bëjmë mirë të afërmit dhe duhet të bëjmë të njohura veprat tona të mira ndaj të tjerëve (Mateu 5:16; Efesianëve 2:10). Ne duhet të jemi “të përkryer dhe tërësisht të pajisur për çdo vepër të mirë” (2 Timoteut 3:17). Mënyra më e mirë, me anë të së cilës të krishterët mund të bekojnë, është nëpërmjet lutjes. Ne kemi mundësinë të lutemi për ata që nuk mund t’u afrohemi në një mënyrë tjetër. Ne mund t’u çojmë bekime krerëve të kombit dhe drejtuesve të Kishës tonë, të varfërve, nevojtarëve dhe atyre që vuajnë. Ne mund të jemi mjete të bekimeve hyjnore për familjen, për miqtë tanë dhe për ata që kemi takuar ndonjëherë, apo që kemi dëgjuar të flitet për ta.

Kërkesa që shpeshherë na bëhet “Lutu për mua” është, në fakt, një kërkesë ndihme dhe bekimi. Si të krishterë duhet ta kalojmë jetën duke bekuar të tjerët. Kudo që shkojmë, mund të çojmë lumenj bekimi, lehtësimi dhe inkurajimi, duke ndërmjetësuar për të tjerët. Sa herë që kemi kohë dhe mundësi, duhet, me çdo mënyrë, t’u bëjmë mirë të gjithëve (Galatasve 6:10). Prania jonë duhet të sjellë bekime dhe kjo do të ndodhë nëse bekimet do t’ia kërkojmë Perëndisë në lutje.

Gjenerali Stonewall Jackson ka thënë: “E kam zakon që, asnjëherë, nuk vë në buzë një gotë me ujë pa kërkuar bekimet e Perëndisë. Nuk vulos kurrë një letër pa vendosur një lutje në mbyllje të letrës. Nuk tërheq asnjëherë një letër nga posta pa i drejtuar mendimet e mia drejt qiellit. Në shkollën ku unë jap mësim asnjëherë nuk harroj t’i kushtoj një minutë kohë lutjes ndërmjetësuese për nxënësit e mi që dalin dhe hyjnë”. Sir Thomas Browne, një mjek anglez i vlerësuar, i viteve 1600, na jep një shembull të lutjes të vazhdueshme të bekimit. Ai thoshte: “Kam vendosur të lutem më shumë në të gjitha vendet që të çojnë në meditim: në shtëpi, përgjatë rrugës dhe në rrugët e qytetit. Çdo rrugë dhe pjesë e këtij qyteti mund të dëshmojë se unë nuk e kam harruar Perëndinë… Gjej rastin të lutem për çdo kishë ku kam qenë, që Zoti të adhurohet në ju, në Frymë dhe që shpirtrat të shpëtohen. Lutem për pacientët e mi dhe për pacientët e mjekëve të tjerë. Them në hyrje të çdo shtëpie “paqja e Perëndisë qoftë këtu”. Pasi kam dëgjuar predikimin kërkoj bekimet e Perendisë mbi predikuesin, dhe lutem që Fjala e Perëndisë të veprojë në zemrat e atyre që dëgjojnë. Falenderoj Perëndinë për krijesat e Tij, kur shoh ndonjë person me pamje të bukur. Lutem derisa Perëndia ta pasurojë me hir të brendshëm dhe që paraqitja e jashtme të korrespondojë me atë të brenshme. I lutem Perëndisë për një person të deformuar, derisa Ai t’i japë plotësinë e Frymës dhe, kur të vijë koha, t’i japë edhe bukurinë e ringjalljes”.

Perëndia i premtoi Abrahamit se do ta bekonte dhe do ta bënte burim bekimi (Zanafilla 12:2). Kjo duhet të jetë përvoja e çdo besimtari; sa më shumë na bekon Perëndia, aq më tepër secili prej nesh duhet të jetë burim bekimi për të tjerët. Lutja është rruga e sigurt për të marrë bekime dhe mjeti më i madh për të qenë bekim për të tjerët. Mbushu çdo ditë me lutje bekimi dhe rrok aftësinë e jashtëzakonshme që Perëndia të ka dhënë.