jump to navigation

Mësimi i Dhiatës së Re mbi lirinë

Postuar tek: George Sturm më: 06, 7, 2009

Liria e vërtetë e Dhiatës së Re

“Qëndroni, pra, të patundur në lirinë, me të cilën Krishti na liroi, dhe mos hyni përsëri nën zgjedhën e skllavërisë. Ja, unë, Pali, po ju them se, në qoftë se rrethpriteni, Krishti nuk do t’ju bëjë dobi aspak. Edhe i dëshmoj përsëri çdo njeriu që rrethpritet, se ai është i detyruar të zbatojë mbarë ligjin. Ju që kërkoni të shfajësoheni me anë të ligjit, jeni ndarë nga Krishti; ratë poshtë nga hiri. Ne në fakt në Frymë, nëpërmjet besimit presim shpresën e drejtësisë, sepse në Jezu Krishtin, as rrethprerja, as parrethprerja s’kanë ndonjë vlerë, por besimi që vepron me anë dashurie. Ju vraponit bukur; kush ju ka penguar që të mos i bindeni së vërtetës? Kjo bindje nuk vjen nga ai që ju thërret. Pak maja e bën të vijë gjithë brumin. Kam besim te Perëndia për ju, se nuk do të mendoni ndryshe; por ai që ju turbullon juve, kushdo qoftë, do të marrë dënimin. Sa për mua, o vëllezër, në qoftë se unë vazhdoj të predikoj rrethprerjen, përse më përndjekin akoma? Atëherë skandali i kryqit ra poshtë. Oh, sikur ata që ju turbullojnë, të gjymtoheshin vetë! Sepse ju, o vëllezër, u thirrët në liri; por mos e përdorni këtë liri si një rast për mishin, por, me dashuri t’i shërbeni njëri-tjetrit. Sepse gjithë ligji përmblidhet në këtë fjalë, të vetme: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’. Sepse nëse ju kafshoni dhe hani njëri-tjetrin, ruhuni mos prisheni njëri nga tjetri” (Galatasve 5:1-15).

Në një çast vendimi atdhetari i madh amerikan Patrick Henry u ngrit nga ndenjësja e tij dhe filloi të drejtojë Konventën e Virxhinias. Ishte viti 1776 dhe debati politik për të hyrë apo jo në Luftën Revolucionare ishte ndezur me emocion. Gjithsecili e dinte se rreziku i kundërshtimit të qeverisë britanike ishte i lartë. Përballja me çdo delegat sillte burgosje, marrje të pasurisë dhe madje vdekje. Megjithatë, pavarësisht nga këto rreziqe, Patrick Henry shqiptoi këto fjalë të famshme:

Është e kotë, zotëri, të zbusim çështjen. Zotërinjtë mund të thërrasin paqe, paqe, por nuk ka paqe. Lufta ka filluar tashmë! Era tjetër që fryn nga veriu do të sjellë në veshët tanë vringëllimën e armëve kumbuese! Vëllezërit tanë ndodhen tashmë në betejë! Pse të rrimë ne këtu të topitur? Çfarë dëshirojnë ata zotërinj? Çfarë do të kenë? A është jeta aq e shtrenjtë, apo paqja aq e ëmbël, sa për t’u blerë me çmimin e zinxhirëve dhe skllavërisë? Ndale, o Perëndi Shumë i Lartë! Nuk e di se ç’rrugë do të ndjekin të tjerët; por sa për mua, më jepni lirinë, përndryshe le të vdes.

Patrick Henry e njihte rëndësinë e lirisë politike. Ai e konsideronte të shtrenjtë sa ishte gati të vdiste për të. Në mënyrë të ngjashme të krishterët duhet të kuptojnë rëndësinë e lirisë së vërtetë frymërore dhe të konsiderojnë me të njëjtën rëndësi lirinë e Dhiatës së Re! Megjithatë, për të vlerësuar siç duhet të vërtetën, së pari duhet njohur ajo e vërtetë. Është për të ardhur keq, sepse ka një sasi të konsiderueshme pështjellimi midis të krishterëve përsa i përket asaj që është liria në të vërtetë. Duke përdorur kapitullin e pestë të Letrës drejtuar Galatasve si tekstin tonë kryesor, do të tregojmë përfundimisht se çfarë është liria e Dhiatës së Re.

Liria nga Ligji

Para së gjithash, liria e Dhiatës së Re është çlirim nga skllavëria e Ligjit si mjet shfajësimi. Apostulli shkruan:

“Qëndroni, pra, të patundur në lirinë, me të cilën Krishti na liroi, dhe mos hyni përsëri nën zgjedhën e skllavërisë” (Galatasve 5:1).

Zgjedha e skllavërisë në kontekstin e Galatasve është përpjekja nga disa për të përzier rrethprerjen dhe elementet e tjerë të Ligjit me veprën e Krishtit. Megjithatë, në tërë këtë Letër Pali shtjellon bindshëm se vepra shpenguese e Krishtit është e mjaftueshme! Përfundimi i tij
është:

“Duke ditur se njeriu nuk shfajësohet me anë të veprave të ligjit, por me anë të besimit në Jezu Krishtin, besuam edhe ne në Jezu Krishtin, që të shfajësoheshim me anë të besimit në Krishtin dhe jo me anë të veprave të ligjit, sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet me anë të veprave të ligjit” (Galatasve 2:16).

Për t’u shpëtuar dhe çliruar nga mëkati një njeri nuk ka nevojë për ritin e rrethprerjes, ligjet e dietave, apo ndonjë element të Ligjit. Vepra e Krishtit është e mjaftueshme. Edhe pse Ligji është i shenjtë (Romakëve 7:12), askush nuk mund ta zbatojë të gjithin. Ai bën të ditur mëkatin, por nuk e shlyen atë. Vepra shpenguese e Krishtit mund ta bëjë një gjë të tillë dhe Pali shtjellon se Kryqi është i mjaftueshëm. Për ata që përpiqen të detyrojnë Ligjin ndaj individëve Pali jep këtë paralajmërim të fortë:

“Ju që kërkoni të shfajësoheni me anë të ligjit, jeni ndarë nga Krishti; ratë poshtë nga hiri” (Galatasve 5:4).

Në mënyrë të qartë parimi themelor përtej lirisë është se Krishti çliron dikë nga skllavëria e Ligjit.

Të mos i lihet shkas mishit

Së dyti, liria e vërtetë sipas Dhiatës së Re ka të bëjë me mos lënien shkas të vesit të mishit. Apostulli pohon:

“Sepse ju, o vëllezër, u thirrët në liri; por mos e përdorni këtë liri si një rast për mishin, por, me dashuri t’i shërbeni njëri-tjetrit” (Galatasve 5:13).

Të krishterët duhet të jenë të kujdesshëm ndaj natyrës së tyre të rënë njerëzore, e cila, para kthimit, mbizotëronte në jetët tona. Besimtarët duhet të jenë të zellshëm për të kryqëzuar përditë dëshirat e tyre të mishit. Çuditërisht, shumë të krishterë të rremë duket se kanë një mendje tjetër për këtë pikë dhe besojnë me forcë se liria është privilegji për të qenë të aftë përfundimisht për të jetuar ashtu siç dëshiron dikush pa dënim nga Perëndia. Ecja e tyre e përditshme karakterizohet nga të jetuarit në shkujdesje dhe vetëkënaqësi. Duke vajtuar mbi cektësi të tilla në kohën e tij, C.H. Mackintosh (Shkrime të ndryshme, vëll. VI) përdori termi “lehtësi” për të përshkruar praktika të tilla.

Por ndodh shpesh që njerëzit, kur çlirohen në pamje të parë nga ligjshmëria, bien në të keqen e kundërt të lehtësisë. Kjo mund të dalë nga fakti se doktrinat e hirit merren vetëm intelektualisht, në vend që të veprojnë në shpirt me anë të fuqisë së Frymës së Perëndisë. Një sasi e madhe e të vërtetës ungjillore mund të konsiderohet në një mënyrë shumë të sipërfaqshme, në rastet ku nuk ka patur një vepër të thellë të ndërgjegjes, shkëputje të vërtetë të natyrës, nënshtrim të plotë të mishit në prani të Perëndisë. Kur kemi të bëjmë me këtë rast është e sigurt se do të ketë lehtësi fryme në ndonjë formë apo në ndonjë tjetër. Do të ketë një hapësirë shumë të gjerë të lejuar për mondanësi të llojeve të ndryshme të lirisë dhënë në mënyrë krejt të papërputhshme me Krishterimin praktik. Përveç këtyre gjërave do të shfaqet një dëshirë e mjerueshme e ndërgjegjes në hollësitë praktike të jetës së përditshme: detyra të lëna pas dore, punë e kryer keqas, zotime të papërmbushura besnikërisht, detyra të shenjta të marra me lehtësi, borxhe, zakone të tepruara. Tërë këto gjëra i vënë nën kornizën e lehtësisë dhe këto bëhen, fatkeqësisht, shumë të zakonshme midis profesorëve shumë të lartë të asaj që merr emrin e vërtetë ungjillore.

Fatkeqësisht, ajo që vajtonte z. Mackintosh për shumë vite më parë është saktësisht ajo që shikojmë të mbizotërojë në Krishterimin bashkëkohor. Nxitet qëndrimi se liria është thjesht çlirimi për të jetuar ashtu siç na pëlqen. Një shkrimtar e përkufizon lirinë si çlirimin “…nga frika e dënimit para Perëndisë, nga një ndërgjegje të paditur dhe nga kërkesat e njerëzve të tjerë”. Ka një të vërtetë në këtë shprehje, por duhet të kemi kujdes që të mos mendojmë se është e tëra e vërteta. Kjo është arsyeja se pse kemi nevojë për mësimin e plotë të Dhiatës së Re mbi lirinë. Ndërsa Shkrimi pohon qartë se “tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus…” duhet të kujtojmë se i njëjti varg thotë se kjo është e vërtetë vetëm për ata “që nuk ecin sipas mishit, por sipas Frymës” (Romakëve 8:1).

Duke injoruar këtë aspekt të lirisë (që të krishterët nuk duhet t’i lënë shkas mishit, për ta kryqëzojnë atë) është një goditje vdekjeprurëse e konceptit të Krishterimit të vërtetë. Pjesa më e madhe e Krishterimit sot mund të përshkruhet me fjalët e Mackintosh-it se “ka një hapësirë shumë të gjerë të lejuar për mondanësi të llojeve të ndryshme”. Kjo është me të vërtetë për të ardhur keq. Të mendosh se Perëndisë nuk i intereson nëse detyrat e shenjta lutja, studimi i Biblës dhe pjesëmarrje nëpër takime lihen pas dore, është qesharake! A nuk mërzitet Perëndia kur futemi menjëherë në borxhe për shkak të lakmisë sonë në vend që të jetojmë në sakrificë, apo kur zhytemi në zakone të tepruara për shkak të dashurisë sonë për botën dhe kënaqësitë e saj? Sigurisht që interesohet! Mos lejo askënd të të mësojë ndryshe. Lehtësia karakterizonte Krishterimin në kohën e Mackintosh-it dhe nuk ka ndryshuar në kohën tonë. Duhet të qajmë thellë për gjendjen e Kishës, sepse kjo nuk është liria e vërtetë e Dhiatës së Re.

Me pak fjalë, t’i lësh shkas mishit është skllavëri, vetëm skllavëri e një lloji tjetër. Në vend të skllavërisë së Ligjit njerëzit, që zhyten në mishin e tyre, janë, pa e ditur, nën skllavërinë e mishit. Në të vërtetë lejimi dhe shkujdesja e pafre është një formë më vdekjeprurëse e skllavërisë, sepse nuk pranohet si e tillë. Megjithatë, Vetë Zoti Jezus tha se “kush bën mëkatin është skllav i mëkatit” (Gjoni 8:34). Titit iu tha se të jetuarit për vete është larg Krishterimit të vërtetë dhe praktik: “Sepse edhe ne dikur ishim të pamendë, rebelë, endacakë, robër të lakmive të ndryshme dhe të qejfeve…” (Titi 3:3). Në fakt një i krishterë i rremë njihet pikërisht nga lehtësia. Apostulli Pal kishte pa dyshim këtë në mendje kur tha:

“Edhe ata që janë të Krishtit e kanë kryqëzuar mishin bashkë me pasionet dhe lakmitë të tij” (Galatasve 5:24).

Me fjalë të tjera, të krishterët e vërtetë kanë kryqëzuar (koha e shkuar) mishin bashkë me pasionet dhe dëshirat e tij. Edhe pse një besimtar nuk është i pamëkatë as i përsosur në ecjen e tij, ka patur një shkëputje të qartë dhe të përcaktuar nga bota dhe lakmitë e saj. Të thuash se nuk ka një ndryshim të madh midis besimtarit dhe botës do të thotë të mohosh të vërtetën e Dhiatës së Re rreth karakterit të një shpirti të kthyer. Dëgjoni apostullin Pal kur foli se kush ishin armiqtë e kryqit të Krishtit.

“Sepse shumë nga ata, për të cilët ju kam folur shpesh, edhe tani po jua them duke qarë, ecin si armiq të kryqit të Krishtit, dhe fundi i tyre është humbje, perëndia i tyre është barku dhe lavdia e tyre është në turp të tyre; ata mendojnë vetëm për gjërat tokësorë” (Filipianëve 3:18,19).

Pali e pa qartë të vërtetën e kryqëzimit për botën kur tha:

“Sa për mua, mos ndodhtë kurrë që unë të mburrem me tjetër gjë, veç për kryqin e Zotit tonë Jezu Krisht, për të cilin bota është kryqëzuar tek unë edhe unë te bota” (Galatasve 6:14).

Liria e vërtetë është shumë ndryshe nga të menduarit se kemi një privilegj për t’u zhytur në kënaqësitë e botës. Sipas Shkrimit të krishterët janë çliruar nga një skllavëri e tillë në mënyrë që ata të jetojnë tani një jetë bindjeje ndaj Perëndisë.

Liria për të jetuar një jetë që i pëlqen Perëndisë

Kjo na çon në aspektin e fundit të lirisë së Dhiatës së Re. Apostulli thotë:

“Sepse ju, o vëllezër, u thirrët në liri; por mos e përdorni këtë liri si një rast për mishin, por, me dashuri t’i shërbeni njëri-tjetrit” (Galatasve 5:13).

Liria e krishterë nënkupton shërbim dhe jo egoizëm. Do të thotë të vdesësh dëshirat dhe ëndrrat vetjake, të kryqëzuarit e mishit dhe brakisjes së botës për të ecur ashtu siç eci Ai (1 Gjonit 2:16). Jeta e tij u karakterizua nga dashuria dhe shërbesa. Në vetëpërulje Ai la lavdinë e qiellit dhe zbrazi Veten. Duke thënë: “Jo vullneti im, por i Yti u bëftë”, Ai mori formën e një shërbëtori dhe e përuli veten, duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekjen e kryqit. Ai deshi dhe u shërbeu njerëzve. Ai deshi dishepujt e Tij dhe lau këmbët e tyre (Gjoni 13:1). Ai e deshi kishën dhe dha jetën e Vet për të (Efes. 5:5). Apostulli Pal jehon fjalët e Zotit tonë kur tha se tërë ligji është përmbushur në një fjalë të vetme… Duaje të afërmin tënd porsi vetveten! (Galatasve 5:14). Ne, si dishepujt të Krishtit, a mund të bëjmë më pak?

Pa Krishtin një njeri është skllav i mëkatit (Romakëve 6:17). Me Krishtin një besimtar bëhet një skllav i drejtësisë (Romakëve 6:18). Qëllimi i tij i jetës bëhet për të qenë kripa e tokës, drita e botës, një përfaqësues i Krishtit në tokë që shfaq dashurinë dhe karakterin e Tij. Ashtu siç veproi Mësuesi, edhe ai lë mënjanë vullnetin e tij dhe i nënshtrohet Perëndisë dhe pushtetit të Tij me anë të bindjes së thjeshtë të Fjalës së Tij.

Fatkeqësisht, në kohën tonë nxitja për bindje ndaj Fjalës së Perëndisë barazohet në mënyrë rutinë me të qenit një “legalist”. Ky është me të vërtetë një koment i trishtueshëm në gjendjen e Krishterimit. Për të ilustruar se sa shumë e përhapur është kjo ide le të lexojmë disa nga librat më të shitur të krishterë për të parë se si kuptohet sot liria. Shumë publikime janë të mbushura me gabime, ndërsa të tjerë e lënë lexuesin në pështjellim të plotë përsa i përket lirisë biblike. Për shembull, është e lehtë të shohim se si një besimtar i pamësuar mund të mbetet me përshtypjen se nuk ka standarde në Fjalën e Perëndisë duke lexuar pohimin e mëposhtëm (Charles Swindol, te “The Grace Awakening” [Zgjimi i hirit]):

“Siç e shikoni, Perëndia nuk shtyp të krishterë kallëp të vegjël në mbarë botën në mënyrë që të gjithë të mendojmë njësoj, të dukemi njësoj, të ngjajmë njësoj dhe të veprojmë njësoj. Trupi ka larmi! Ne nuk jemi krijuar për të patur të njëjtin temperament, të përdorim të njëjtin fjalor, të kemi të njëjtën buzëqeshje të ëmbël, të vishemi në të njëjtën mënyrë dhe të kryejmë të njëjtën shërbesë” (pjerrtëzimi është i autorit).

E pranojmë se ka një farë të vërtete në pohimin e mësipërm. Të kërkosh bindje ndaj standardeve jobiblike (për shembull, të gjithë duhet të vishemi me të zeza) është tepër e gabuar dhe duhet të paditet, jo si legalizëm, por si një nxitje për rregulla të shpikura nga njeriu. Them jo si legalizëm sepse legalizmi biblik është kërkesa e Ligjit të Moisiut përveç veprës së Krishtit për shfajësim. Gjithsecili që vishet me të zeza nuk ka të bëjë fare me Ligjin e Moisiut.

Megjithatë, duhet të pranojmë të metat e pohimit të mësipërm rreth lirisë. Pse mungon ajo? Sepse ka pak ose aspak theksim të aspekteve të tjera të lirisë: të mos i lënit shkas mishit, bindja ndaj Fjalës, etj. Një pohim i tillë i pakualifikuar ka një fuqi të madh për keqdrejtim të disave për të menduar se është e gabuar për këdo të ngulë këmbë në konformitetin ndaj Fjalës. Një gjë e tillë nuk është një e vërtetë e Dhiatës së Re.

Ka standarde në Fjalën e Perëndisë dhe të thuash ndryshe do të thotë të mohosh Krishterimin e vërtetë. Të krishterët do të mendojnë njësoj meqë kanë mendjen e Krishtit (Filip. 2:2). Ata do të vishen dhe do të duken njësoj meqë urdhërohemi të jemi të thjeshtë dhe me hijeshi në dukje (1 Tim. 2:9). Zoti ynë pohoi se goja nxjerr jashtë ç’ka zemra (Mat.12:34), që do të thotë se besimtarët do të ngjajnë gjithashtu njësoj. Të krishterët e vërtetë do të kenë të njëjtin temperament, të njëjtën dashuri, do të kenë të njëjtën buzëqeshje, gëzimin e Frymës dhe do të kryejnë të njëjtën shërbesë pajtimi. Së fundi, do të veprojnë njësoj, jo sipas botës, meqë kanë kryqëzuar mishin e tyre nga pasionat dhe dëshirat e tij.

Duhet të kujtojmë gjithmonë se Perëndia i ka thirrur të krishterët në standarde sa më të larta të mundshme.

“Por ashtu si është i shenjtë ai që ju thirri, të jini edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj, sepse është shkruar: ‘Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë’” (1 Pjetrit 1:15,16).

Prandaj, dëshira për t’iu bindur Fjalës së Perëndisë sa më shumë të jetë e mundur nuk është legalizëm. Të vendosësh një hapësirë të madhe midis teje dhe botës duke zbatuar Shkrimin nuk është legalizëm. Nuk është e drejtë të përdorësh termin legalizëm për të dënuar të krishterët që përpiqen të jetojnë jetën e krishterë me anë të parimeve të perëndishme. Pse? Sepse është një keqpërdorim i fjalës dhe një keqinterpretim i gabimit që Pali u drejtohet galatasve (shfajësimi me anë të Ligjit të Moisiut) dhe është një dhunim dhe shthurje e drejtpërdrejtë e frymës dhe mesazhit të përgjegjësisë sonë shkrimore dhe qëndrimi ndaj besimtarëve (Romakëve 14:3-10). Për shembull, nuk është e drejtë të quash si legaliste gratë që besojnë se është e drejtë para Perëndisë të vishen me hijeshi, duke veshur rroba të gjata dhe refuzimi i gurëve të çmuar dhe makiazheve.

Bibla thotë se në ditët e fundit njerëzit do të egoistë, lakmues parash dhe dëfrimdashës më fort se perëndidashës (2 Tim. 3:1-4). I tillë është brezi në të cilin jetojmë. Ajo që ka nevojë brezi ynë nuk është më tepër inkurajim apo shfajësim për të jetuar sipas botës, por zotim ndaj Krishtit. Bibla na paralajmëron të mos përdorim lirinë tonë si një mbulesë për të keqen, meqë duhet të jemi shërbëtorë të Perëndisë:

“Silluni si njerëz të lirë, por jo duke përdorur lirinë si një pretekst për të mbuluar ligësinë, por si shërbëtorë të Perëndisë” (1 Pjetrit 2:16).

Ky paralajmërim nuk duhet të na shpëtojë pa ia vënë veshin. Duhet të marrim dëshirat dhe pasionet tona të mishit dhe t’i gozhdojmë në Kryq nëse duam të jemi ndjekës të vërtetë të Tij!

Përfundim

A po ecën me të vërtetë në liri? Atëherë do të sigurohesh për shpëtimin tënd për shkak të asaj që Krishti ka përmbushur në shpengimin se sa për kërkesat e Ligjit të Moisiut. Jeta jote do të jetë krejt ndryshe nga ajo e botës, meqë nuk do t’i lësh shkas mishit, por do ta kryqëzosh përditë. I krishteri i vërtetë do të ketë një jetë të kontrolluar nga dashuria dhe të karakterizuar nga shërbimi si një lajmëtar i Krishtit. Do të përkushtohesh duke i shërbyer vëllezërve dhe motrave të tu në Zotin ndërsa mban barrët e njëri-tjetrit (Galatasve 6:2). Do të përmbushësh ligjin e Krishtit ndërsa lutesh për të tjerët, ndërsa kujdesesh për ta dhe ndërsa u bën të mirë gjithë njerëzve (Galatasve 6:6,10). Një besimtar që ecën në lirinë e vërtetë do të përdorë dhuntinë e tij frymërore për të ndërtuar trupin e Krishtit në dashuri (Efes. 4:16), në vend që të zhytet në pasionet e botës dhe të jetuarit për vete. Fqinji yt do të jetë gjithkush në botë ndërsa shkon me dashuri me anë të Ungjillit.

Politikani i madh misionar, C. T. Studd, në moshën 50 vjeçare, u nis për në brendësi të Afrikës kundër këshillave të doktorëve të tij. Atje ai jetoi dhe predikoi për 20 vjet. Në kohën e nisjes së tij shkroi:

Kur do t’i thotë Perëndia djallit: “A nuk i ke parë të krishterët e sotëm? Ata nuk kërkojnë më ar apo kënaqësi, ndere apo qejfe. Prandaj të krishterët e Mi do të derdhin gjakun e tyre për hirin dhe çështjen e Birit Tim të dashur dhe shpëtimin e njerëzve më në nevojë”.

Po, kur? Nuk do të ndodhë kurrë në një atmosferë lehtësie dhe vetëkënaqësie. Do të ndodhë vetëm nëse jetojmë lirinë tonë të vërtetë në Krishtin. Ashtu si Patrick Henry që tha: “më jepni lirinë, përndryshe do të vdes” ndërsa u ndesh për lirinë politike, po kështu të krishterët u përpjekshin me zell dhe mos e konsiderofshin më pak të rëndësishme lirinë e vërtetë frymërore! Lutja jonë qoftë:

O Zot, na jep lirinë e vërtetë të Dhiatës së Re. Lirinë nga skllavëria e Ligjit, lirinë nga skllavëria e unit, mishit, në mënyrë që të të pëlqej Ty. Amen.

Nga George Sturm

Share|