jump to navigation

Gjëndja e ndërmjetme

Postuar tek: Doktrinat e Biblës

Ku janë të vdekurit? Kjo është pyetja që bëhet edhe sot nga njerëzit. Përgjigjja e vetme dhe e saktë është dhënë nga Fjala e Perëndisë. Sekte të ndryshme i kanë bërë viktima shpirtrat naivë, duke i zënë robër në vullnetin e Djallit.

Këto që pasojnë janë gjëra që duhen mbajtur mend, ndërsa shpjegojmë gjendjen e ndërmjetme, gjendjen e njeriut mes vdekjes dhe ringjalljes: Vdekja është ndarja e shpirtit dhe e frymës nga trupi. Shpirti dhe fryma janë së bashku në vdekje. Shpirti është mbajtësi i oreksit, fryma është mbajtësi i njohurisë, dhe që të dyja funksionojnë në vdekje, siç është treguar nga shembulli i njeriu të pasur në Hades. Ai ishte në torturë, pra kishte ndjenja. Ai arsyetonte, kështu që fryma dhe shpirti i tij ishin së bashku.

Fjala “Sheol” dhe fjala “Hades” janë të njëjta. Sheol është fjala hebraike e Dhiatës së Vjetër. Hades është fjala greke e Dhiatës së Re. Edhe vetë Apostulli Pjetër, në ditën e Rrëshajve, citoi nga Psalmi 16, duke thënë: “Sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Hades dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë kalbjen” (Veprat 2:27). Psalmi 16 e përdor fjalën “Sheol” për ferrin [Hades]. Kështu, Hades dhe Sheol janë të njëjtat fjalë. Ky është vendi i shpirtrave dhe i frymërave të larguar. Përkthimi jo i saktë i fjalëve “Sheol” dhe “Hades” nga përkthyesit e versionit King James Version (anglisht) ka shkaktuar shumë probleme në Kishë sot. Ata i kanë përkthyer këto fjalë me kuptimin “ferr” (vendi i ndëshkimit të përjetshëm), varri, gropa, etj. Përkthimi i gabuar ka bërë që disa njerëz të besojnë që i vetmi ferr është varri. Sheol dhe Hades janë të njëjtët emra për të njëjtin vend për frymërat e larguar të njeriut.

1. Këto fjalë nuk gjenden asnjëherë në shumës.

2. Sheoli dhe Hadesi nuk janë të vendosur kurrë në faqen e dheut.

3. Bibla nuk flet kurrë për Sheolin e një individi.

4. Njeriu nuk ka vënë ndonjëherë dikë në të si varr.

5. Njeriu nuk gërmon ose bën një Sheol ose Hades.

6. Bibla nuk flet kurrë për ndonjë njeri që prek Sheolin.

7. Bibla nuk flet kurrë për një trup që shkon në Sheol, por me një përjashtim, dhe përjashtimi e vërteton rregullin. Koreu (Numrat 16:28-33) shpërfilli udhëheqjen e Moisiut dhe priftërinë e Aaronit dhe ndikoi tek shumë njerëz në Izrael kundër tyre. Perëndia e tregoi pakënaqësinë e tij duke bërë që toka të hapte gojën dhe të përpinte Koreun dhe familjen e tij. Versioni “King James” thotë që ai zbriti i gjallë në gropë (në anglisht “pit”), që duhej të përkthehej “Sheol” (Numrat 16:33)[1].

Tek Luka 16:19-31 kemi dëshminë e vërtetë të Lazarit dhe njeriut të pasur, që të dy duke vdekur dhe duke ekzistuar në gjendjen e ndërmjetme. Ka nga ata që besojnë që kjo histori ishte thjesht një shëmbëlltyrë. Bibla nuk thotë kështu. Në të gjitha shëmbëlltyrat e Tij, Zoti nuk përmendi kurrë emra të përveçëm, ashtu siç bën këtu. Edhe në qoftë se do të ishte një shëmbëlltyrë, përsëri kjo do të ishte e vërtetë, sepse çdo shëmbëlltyrë që Ai tregoi, ishte ndërtuar mbi të vërtetën (Mateu 13:3)!

Ja edhe interpretimi i zakonshëm i kësaj të ashtuquajturës shëmbëlltyrë:

Njeriu i pasur—kombi hebre—i pasur në atë që Perëndia i ka dhënë.

Lazari—johebrenjtë—të varfër në derën e njeriut të pasur.

Të dy vdiqën—fundi i administrimit—kur të dy janë bekuar nga Ungjilli.

Pse të themi se kjo i drejtohet hebreut dhe johebreut, kur Shkrimet nuk thonë kështu? Pse e përdori Zoti njeriun e pasur për të portretizuar kombin hebre, kur në pjesët paraprijëse Ai po i paralajmëronte të pasurit? Ideja që hebrenjtë kërkonin ndihmë ndonjëherë nga johenrenjtë është e sforcuar.

Nuk ka asnjë hendek midis hebrenjve dhe johebrenjve. Asnjë komb johebre nuk ka lypur nga hebrenjtë, ashtu si lypi Lazari bukë nga njeriu i pasur. Në qoftë se kombi hebre vdiq (portretizuar nga njeriu i pasur), kush ishin pesë vëllezërit që kishin mbetur? Ne besojmë prapë që kjo është një dëshmi e vërtetë e dy njerëzve që vdiqën dhe shkuan në Hades.

A. Përpara kryqit.

Kryqi është vija ndarëse për shumë të vërteta biblike. Ne do të diskutojmë pyetjen: Ku shkuan njerëzit pas vdekjes, përpara se Krishti të vdiste mbi Kryq? Do të shihet qartë që ata të gjithë shkuan në të njëjtin vend, në Hades (Sheol), por në pjesë të ndryshme.

Nga Numrat 16:33 mësojmë se Sheoli (Hades) është diçka brenda tokës. “Kështu zbritën të gjallë në Sheol; toka u mbyll mbi ta dhe ata u zhdukën nga asambleja.” Nga Luka 16:19-31 shohim që Hadesi kishte dy ndarje: Gjiri i Abrahamit, vendi i të drejtëve të vdekur, ku shkoi Lazari; dhe vendi i torturës, ku shkoi njeriu i pasur. Një hendek i madh i ndante këto dy ndarje.

Përderisa e dimë që Sheoli (Hadesi) është diku në tokë dhe është i përbërë nga dy ndarje, ne shkojmë tek Zoti Vetë për të gjetur vendndodhjen e saktë. “Në fakt, ashtu si Jona qëndroi tri ditë e tri net në barkun e peshkut të madh, kështu Biri i njeriut do të qëndrojë tri ditë e tri net në zemër të tokës” (Mateu 12:40). Efesianëve 4:9-10 e bën këtë edhe më të qartë: “Tani kjo: ‘Ai u ngjit’, ç’do të thotë tjetër përveç se ai më parë edhe kishte zbritur në pjesët më të ulta të dheut? Ai që zbriti është po ai që edhe u ngjit përmbi të gjithë qiejt, për të përmbushur të gjitha gjërat”. Filipianëve 2:9-10 thotë: “Prandaj edhe Perëndia e lartësoi madhërisht dhe i dha një emër që është përmbi çdo emër, që në emër të Jezusit të përkulet çdo gju i krijesave (ose gjërave) qiellore, tokësore dhe nëntokësore”. Këtu flitet për adhurimin e ardhshëm të Krishtit nga i gjithë krijimi. Megjithatë duam t’u kushtojmë vëmendje fjalëve të mësipërme të nënvizuara. Të shkosh “nën tokë” do të thotë të zhytesh si një nëndetëse që futet nën ujë. Kështu, ne përfundojmë që Sheoli (Hadesi) është në zemrën e tokës, i përbërë nga dy ndarje, një pjesë për të drejtët e vdekur dhe tjetra për të padrejtët e vdekur, me një hendek të madh të vendosur mes tyre. Me zbulesën e Zotit për njeriun e pasur dhe Lazarin, e cila ndodhi para se Ai vdiq në Kryq, shohim se ku shkuan gjithë njerëzit, qoftë të drejtë apo të padrejtë, pas vdekjes, përpara Kryqit.

B. Në kohën e kryqit.

Këtu do të trajtojmë vetëm dy persona, Zotin Jezus dhe vjedhësin e penduar. Në vdekje Zoti Jezus shkoi në Hades. Këtë fakt e dimë nga Psalmi 16:10, që thotë: “sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Sheol dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë korruptimin”. Apostulli Pjetër në ditën e Rrëshajve, citoi nga i njëjti pasazh, por sigurisht ai përdori fjalën greke “Hades” në vend të “Sheolit”. Këto fjalë përshkruajnë ringjalljen e Krishtit, ndërsa theksojnë me siguri të plotë që Ai shkoi në Hades. Ne bindemi për këtë nga përdorimi i fjalës “lë”. Fryma e Shenjtë nuk do ta kishte përdorur fjalën “lë” në qoftë se Ai nuk do të kishte shkuar atje. Ndërsa për vjedhësin në kryq, thuhet që ai shkoi në Hades me Jezusin, në ndarjen e ruajtur për të drejtët e vdekur. “Ti do të jesh me mua në parajsë” (Luka 23:43b). Për sa ditë ishte Jezusi në Hades? Tre ditë. Në të parën e tre ditëve, vjedhësi duhej të ishte me Jezusin në parajsë, prandaj mësojmë që fjala “parajsë” ishte një emër tjetër që i ishte dhënë Gjirit të Abrahamit, si vendi i të drejtëve të vdekur.

C. Pas kryqit.

Dhe tani, ku shkojnë të larguarit (të vdekurit) në vdekje? Të padrejtët përsëri shkojnë në Sheol (Hades), duke pritur gjykimin e fundit. Lavdi Zotit, të drejtët shkojnë mënjëherë në qiell që të jenë me Zotin. “Por jemi të sigurt dhe na parapëlqen më tepër ta lëmë trupin dhe të shkojmë e të banojmë bashkë me Zotin” (2 Korintasve 5:8). Kur Krishti u ringjall prej së vdekurish, “ai e burgosi burgosjen” (Efesianëve 4:8). Krishti e boshatisi Hadesin (Sheolin) nga të gjithë të drejtët dhe i mori ata në parajsë, me vete në lavdi. Për një farë kohe, parajsa qe në zemrën e tokës, kurse tani është në qiejt e tretë. “Unë njoh një njeri në Krishtin, i cili, para katërmbëdhjetë vjetësh (a ishte në trup, a ishte jashtë trupit, nuk e di; Perëndia e di), u rrëmbye gjer në të tretin qiell. Dhe e di se ai njeri (a me trupin ose pa trupin, nuk e di, Perëndia e di), u rrëmbye në parajsë dhe dëgjoi fjalë të patregueshme, që nuk është e lejuar të thuhen nga njeri” (2 Korintasve 12:2-4).


[1] Ky gabim nuk ekziston në versionin ABS në shqip (shënim i përkthyesve).