jump to navigation

UNË KISHA GJETUR BURIMIN E JETËS

Postuar tek: Jezusi më shumë se Profet

Unë gjithmonë dyshoja pse myslimanët kishin frikë nga lexim i Biblës. Prandaj vendosa ta lexoj atë më me seriozitet e me gjithë zemër dhe i lutesha Zotit të madhërishëm të më udhëhiqte Ndërsa e lexoja atë, kundërshtimet e mia ndaj besimit të krishterë u zhdukën.

Si djalë i ri Aslan Khani ishte me të vërtetë mysliman i devotshëm. Ai u përfshi në një debat fetar që e çoi atë në leximin e Biblës me qëllim që ta kundërshtonte atë. Në vend të kësaj, sytë e tij u hapën ndaj dhuratës së Zotit, faljes së lirë, me anë të Jezu Krishtit; një dhuratë që asnjë nuk mund ta fitojë. Jeta filloi përsëri për atë dhe që atëherë ai ka shpallur lajmin e mirë për Jezusin, shpesh duke rrezikuar dhe jetën e tij. Për shumë vite ai ka shërbyer si ungjilltar shumë i respektuar dhe drejtues në një kishë në Pakistan.

Unë vij nga një familje e respektuar myslimane e Gugjuratitnë Pakistan. Babai im zotëronte toka dhe familja jonë ishte një nga familjet më me influencë në të gjithë zonën. Isha djalë i vetëm dhe babai im derdhi gjithë gjërat më të mira të kësaj jete mbi mua. Ai më dha arsimimin më të mirë sipas standardeve të tij dhe caktoi një maulvi shumë të ditur të më instruktonte në islamizëm dhe lëndët e tjera të lidhura me këtë. Meqenëse babai im ishte një mysliman ortodoks, ai donte që unë të kuptoja bukuritë e besimit të tij dhe të përhapja parimet e këtij besimi tek të tjerët.

Kur mbarova shkollën fillore në një shkollë fshati, babai im pranoi një post si qeveritar në Rajasthan (India veriperëndimore). Unë isha pranuar në një shkollë të lartë të krishterë ku mësimet e Biblës u jepeshin njësoj, të krishterëve dhe të jokrishterëve. Kjo binte në kundërshtim me atë që doja të mësoja dhe kështu vendosa të mos merrja pjesë në mësimet e Biblës, pavarësisht nga presioni i madh i drejtorit të shkollës. Përveç kësaj isha aq krenar për emrin e familjes sime, e cila nuk pëlqente që unë të shoqërohesha me studentë të krishterë në shkollë, që ishin fëmijë të familjeve të varfra. Unë nuk kisha asnjë interes për të krishterët dhe nuk tregoja asnjë interes për besimin e tyre. Mendoja se anglezët po përpiqeshin t’u vinin taksa të rënda këtyre njerëzve të varfër, që ata të përqafonin mënyrën e tyre të jetës dhe të besimit.

Në këtë periudhë ndodhi që një njeri që ishte bërë i krishterë kohët e fundit vizitoi Rajasthan dhe erdhi në qytetin tonë. Të krishterët e asaj zone organizuan disa takime që t’i jepnin mundësi të jepte dëshminë e tij. Unë ndoqa disa takime me babanë tim, që i bëri disa pyetje të vështira folësit të ditur dhe fitova përshtypjen se ai nuk arriti t’u përgjigjej në mënyrë të kënaqshme. Kjo thelloi urrejtjen time për të krishterët dhe besimin e tyre dhe gjithashtu m’u bë zakon t’i tallja etërit e krishterë dhe ungjilltarët kudo që i takoja ata. Ishte besimi im i plotë se islamizmi ishte i vetmi besim i vërtetë dhe se ishte forma më e lartë e besimit në botë.

Në këto ditë disa anëtarë të sektit Arja Samaj, që ishte një lëvizje mbrojtëse ndërmjet hinduve, ishin rikthyer në malkanas që përfaqësonin një komunitet mysliman. Lëvizja e tyre quhej shudhi, që do të thotë pastrim me anë të përmirësimeve të besimit të vjetër hindu. Ishte një çështje me rëndësi të madhe për mua ta kontrolloja këtë levizje dhe kështu menjëherë vendosa të ofroja shërbimin tim për një lëvizje kundër Arja Samajt. Kundërshtarët e mi ndeshën një armik të fuqishëm tek unë dhe filluan të më dëmtonin në çfarëdo lloj mënyre. Një ditë ndërsa po flija në një kasolle, ata erdhën vjedhurazi dhe prishën çatinë. Kjo më shkaktoi dëmtime serioze dhe unë duhej të qëndroja në shtrat për disa ditë. Kjo më shtoi urrejtjen për besimet e tjera dhe unë përdora gjithë fuqinë time kundër Arja Samajt.

Gjithë këto incidente më bënë një mbrojtës dhe një folës për bashkë- besimtarët e mi myslimanë. Fama ime u përhap anembanë dhe pata rastin të marr pjesë në një konferencë të besimeve në Mainpuri (Uttar Pradesh, India). Kjo konferencë ishte organizuar nga Arja Samaj dhe ata ftuan udhëheqës nga të gjitha besimet. Unë menjëherë mora literaturën e tyre dhe nisa ta studioja atë, kryesisht të gjeja të meta dhe të tregoja epërsinë e besimit tim stërgjyshnor. Literatura hindu nuk e kënaqi urinë time shpirtërore, por unë shfaqa interes për Biblën e Shenjtë.

Një ditë babai më pa duke studiuar Shkrimin e Shenjtë dhe kjo e shqetësoi shumë. Ai më urdhëroi të mos vazhdoja së lexuari atë, dhe kjo shfaqi frikën e tij se duke e lexuar atë mund të ndryshoja besimin tim dhe të bëhesha i krishterë. Nuk e besova këtë, por vrava mendjen përse myslimanët kishin kaq frikë nga leximi i Biblës. Kështu vendosa ta lexoja me më seriozitet dhe me gjithë zemër dhe iu luta Zotit të madh të më udhëhiqte për këtë. Ndërsa e lexoja me zemrën e një femije, ajo filloi të ndikonte zemrën time dhe me veprimin e Shpirtit të Shenjtë kundërshtimet e mia u zhdukën.

Ndërsa studioja Biblën, misteret e fshehta të besimit m’u zbuluan dhe zbulimet e mia u treguan krejt ndryshe nga idetë që babai im ushqente për krishterimin. Unë zbulova se Bibla ishte libri i vetëm i shpëtimit, regjistrimi i vetëm i zbulimit të dashurisë së Zotit për njerëzimin. Për mua Bibla u tregua si thesar i fshehtë që e shpëton njeriun nga mallkimi i mëkatit dhe i jep jetën e përjetshme nëpërmjet Jezu Krishtit. “Nëse ndokush është në Krishtin, është krijesë e re; e vjetra u zhduk, dhe ja, u bë e reja’ (2 Korintasve 5:17).

Tani e kuptova me të vërtetë se shpëtimi është dhuratë e Zotit. Urdhri për ta fituar atë me anë të veprave të mira është një përpjekje e pamundur. Fjalët e Palit janë një udhëheqje për ne kundër një keqkuptimi të tillë; ‘E di se e mira nuk banon tek unë … Sepse ta dua të mirën jam i zoti, por jo edhe të veproj të mirën, pasi nuk e bëj të mirën që dua… Oh sa njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup që i përket vdekjes?’ (Romakeve 7:18,19,24) dhe ‘Të gjithë mëkatuan dhe u përjashtuan nga madhështia e Perëndisë’ (Romakëve 3:23)

Përfundimi im është se asnjë njeri nuk mund ta fitojë shpëtimin nëpërmjet përpjekjeve të veta. Edhe Kurani më mësoi se i gjithë njerëzimi është mëkatar dhe se personi i vetëm i pastër dhe i pafajshëm është Zoti Jezu Krisht. Zoti ynë sfidoi kritikën e kohës së tij: ‘Kush prej jush është i zoti të ma vërtetojë se kam mëkatuar?’ (Gjoni 8,46). Kështu isha i bindur se vetëm Krishti është i pastër dhe pastërtia e tij është pastërtia e Zotit.

Pas zbulimit të këtij sekreti s’kishte mbetur asgjë për mua për të gjetur në Kuran. Unë kisha gjetur burimin e jetës hyjnore, e cila heq tutje pisllëklm e mëkatarit dhe i jep jetën e përjetshme. Kjo përvojë më bëri të jem i gëzuar dhe i trishtuar. Isha i trishtuar të mendoja se duhet të ndahesha nga lidhja ime me besimin tim stërgjyshnor, me të cilin isha rrënjosur thellë. Isha i gëzuar sepse kisha gjetur Shpëtimtarin tim, Zotin Jezus. Kështu kaloja pjesën më të madhe të kohës me lutje dhe studimin e Biblës për të gjetur udhëzime të mëtejshme. Një ditë, ndërsa hapa Biblën, sytë e mi ndeshën rreshtat qetësuese të Zotit tonë te Mateu 11,28: ‘Ejani tek unë, të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh’. Më vonë shkova te një drejtues i krishterë dhe i kërkova të më pagëzonte. Ai më pyeti për çështje të ndryshme dhe pas përgatitjeve të duhura më pagëzoi më 27 tetor 1928.

Pas kësaj, një kapitull në jetën time u hap. Gjithë farefisi më braktisi dhe unë isha një endacak pa shtëpi. Gruaja nuk erdhi me mua në këtë kohë, por unë iu luta Zotit për të dhe ajo vendosi të bëhej e krishterë. Pas kthimit te saj, ne të dy punuam së bashku për Zotin duke shpërndarë lajmin e mirë. Ne shërbyem në shumë vende në Pakistan. Për disa vite kam qenë ungjilltar në Lahore. Kjo është një shoqëri vullnetare e përkrahur nga të krishterët pakistanezë, pa një ndihmë të rregullt financiare nga ndonjë kishë tjetër. Unë drejtoj qendrën për kërkuesit dhe për të kthyerit në fe, shumica e të cileve kanë ardhur gjatë kohës që ne ishim atje. Kështu, ne ndamë me të tjerët mesazhin e mrekullueshëm të dashurisë së Zotit për ne nëpërmjet Krishtit, që do të thotë aq shumë për ne.