jump to navigation

HYRJA

Postuar tek: Ndryshoje Botën me anë të Lutjes

“NDRYSHOJE BOTËN ME ANË TË LUTJES”, i Dr. Wesley L. Duewel, është një libër mjaft bindës. Citimet e shumta biblike, logjika, ilustrimet dhe shembujt e tij janë kaq të përpikta saqë, pasi të kesh mbaruar së lexuari, do të jesh patjetër dakort me të mbi mundësinë që të tundësh botën dhe ta ndryshosh atë me anë të lutjes. Dr. Wesley ka qenë misionar në Indi për 25 vjet, President i OMS-së dhe i EFMA-s. Ai është një njeri i lutjes. Nga ecja e tij e gjatë, e pasur dhe e frytshme me Krishtin, në këtë libër nxjerr, për ne, mësime frymërore të shumta dhe të rëndësishme, duke na bërë në të njëjtën kohë pjesëmarrës të përvojave të jashtëzakonshme pasi ai vetë i pari ka marrë si përgjigje të lutjeve të tij.

Duke lexuar këtë libër së bashku me gruan time kemi rizbuluar vlerën e madhe dhe të pazëvendësueshme të lutjes në planin e Perëndisë për ndërtimin e kishës, por mbi të gjitha, rëndësinë që Perëndia i jep lutjes personale për përparimin e mbretërisë së Tij. Perëndia dëshiron që çdo besimtar të lutet sepse për çdo besimtar Perëndia përgatit një korrje. Çdo besimtar është një bashkëpunëtor i Perëndisë (1Kor 3:9). Ka shumë mënyra për të bashkëpunuar me Perëndinë: me bindjen, me shërbesën, por kjo nuk mjafton. Ai dëshiron të ketë një marrëdhënie më të thellë me çdo besimtar dhe dëshiron t’i çojë bijtë e Tij në një përbashkësi me Të në mënyrë që të ndjejë zemrën e Tij të madhe që rreh për një botë të humbur.

Ai na ka krijuar me aftësinë që t’i flasim dhe ta njohim por mbi të gjitha, si bashkëpunëtorët e Tij, jemi krijuar për tu lutur në harmoni me vullnetin e Tij. Lutja është strategjia më e përkryer që Perëndia na tregon për të mundur dhe për të larguar Satanin. Krishti erdhi për të shkatërruar veprat e djallit (1Gjon 3:8). I jemi mirënjohës Perëndisë që ky libër i mrekullueshëm mbi lutjen është përkthyer për kishën në Shqipëri dhe Kosovë në gjuhën shqipe.

Një falenderim për motrën Valbona që me shumë angazhim është kujdesur jo vetëm për përkthimin por edhe për botimin e këtij libri. Si shërbëtorë të Tij, Zoti më ka dhënë mua dhe gruas time, nderin për t’i shërbyer për dhjetë vjet në Shqipëri dhe Kosovë ku kemi konstatuar që vetëm Ai është i aftë të ndërtojë mbi shkatërrimin e shkaktuar nga mëkati dhe nga sistemi ateist. Pikërisht mbi këtë shkatërrim, nëpërmjet shpalljes së Ungjillit Perëndia ka bërë të lindë, të rritë dhe të përhapë Kishën dhe besimtarët në të gjithë Shqipërinë. Zotit i qoftë e gjithë lavdia. Ky libër mbërrin në momentin e duhur për të shkundur zemrat e thara nga ndikimi i materializmit dhe i mirëqënies dhe për të rindezur kështu zjarrin nëpërmjet lutjes. Lutja jonë e zjarrtë është që ky libër të merret nga të gjithë besimtarët dhe të lexohet në gjunjët e zemrës që Perëndia t’i mund t’i risjellë kishës në Shqipëri një vizion të ripërtërirë dhe një dinamizëm në shpalljen e Ungjillit dhe të gjejnë kështu qëllimin e duhur për të patur një jetë fitimtare për të çuar tek Krishti me qindra dhe mijëra shpirtra përpara se koha e hirit të përfundojë. Dëshira jonë është që ti t’i përkushtohesh veprës më të madhe dhe më shpërblyese të jetës tënde: pra, ndërmjetësimit në lutje. Po, ti mund të ndryshosh botën me anë të lutjes!

Salvatore e Beatrice Corcelli
(Misionarë në Shqipëri)