jump to navigation

Hyrje

Postuar tek: Lutja përmes rrugës së Jetës

Kaq e kaq herë lexojmë në Bibël thirrje për lutje. Kur Shkrimi i Shenjtë thotë “Lutu!”, kjo nuk do të thotë që herë pas here duhet të kalojmë edhe pak kohë në lutje, ndoshta në mëngjez apo në mbrëmje. Megjithëse është e rëndësishme që të caktojmë një kohë të rregullt për të komunikuar me Zotin apo për të ndërmjetësuar, edhe kjo e gjitha nuk është e mjaftueshme. Si të dashur dhe si të zgjedhur të Zotit që jemi, jemi caktuar për diçka shumë më të madhe, shumë më të mrekullueshme! Ai na ka thirrur për një jetë të tërë lutjeje, një jetë komunikimi të vazhdueshëm me Të. Lutja ka shumë mënyra të ndryshme shprehjeje dhe ne bëjmë një jetë të vërtetë lutjeje, vetëm nëse këto forma manifestohen në jetën tonë.

Së pari dhe mbi të gjitha, njohim lutjen e kërkesës kur ne vijmë si fëmija para Atit qiellor me kërkesat tona personale. Pastaj është lutja e besimit, që shpesh përfshin luftën në lutje sipas fjalëve të Jezuit: “Por ky lloj demoni nuk del veçse me anë të lutjes dhe agjërimit” (Mateu 17:21). Lutja e besimit zbatohet veçanëdsht në ndërmjetësim. Një formë tjetër e lutjes është falenderimi, që është i lidhur me lavdërimin dhe adhurimin. Zoti do që gjithashtu të na plotësojë edhe lutjen e zemrës sonë, lutjen pa pushim, gjatë së cilës shpirti është në komunikim të ngushtë me Perëndinë. Nëse ne jetojmë në këtë gjendje lutjeje, në mënyrë të natyrshme do të arrijmë të praktikojmë edhe format e tjera të lutjes. Është Shpirti i Perëndisë ai që na nxit të drejtohemi tek Perëndia dhe pastaj edhe të përleshemi në lutje për të tjerët si dhe t’i ofrojmë Atij lavdërim dhe adhurim. Kjo është jeta e lutjes të cilën Perëndia do që të shohë tek ne. Ai kënaqet duke na treguar mirësinë e Tij dhe, duke e ditur mirë se asgjë në jetën tonë nuk do të na sjellë kaq bekime sa lutja, Ai dëshiron që ta transformojë këtë jetë në një jetë lutjeje.

Siç është shprehur dikur një njeri i Perëndisë: “Lutja është fuqia më e madhe në botë. Ajo mund të verë në lëvizje dorën e Atij që sundon botën!” Po, lutja është një mundësi që nuk e ka shoqen, sepse nëpërmjet lutjes ne mund të ndryshojmë gjithçka: njerëzit, gjërat, problemet dhe rrethanat. Lutja ka fuqi të pakufizuara. Dhe pikërisht për këtë arsye Satani bën ç’është e mundur që të na pengojë të lutemi. Ai e di se nuk përbëjmë ndonjë rrezik të vërtetë për të kur punojmë e bëjmë shumë gjëra qofshin këto edhe për Mbretërinë e Perëndisë. Por kur lutemi shumë, ne pushtojmë dominionet e tij e i shkëpusim prej duarve robërit e tij. Nuk ka gjë të cilës Satani t’i trembet më shumë se lutjeve tona.