jump to navigation

Derisa Jezusi ishte njerëzor, a nuk ishte dhe Ai i gabueshëm?

Postuar tek: Përgjigje dhe Argumente

Jezusi i Nazaretit ishte qenie njerëzore. Derisa qeniet njerëzore janë të kufizuara në diturinë e tyre, a nuk do të thotë kjo se edhe vetë Jezusi ishte i kufizuar? A nuk do t’i mënjanonim ne deklarimet e Tij si të kushtëzuara nga koha e Tij? Pranohet, Ai tha gjëra të madhërishme. Por, përse duhet ta pranojmë fjalën e Tij derisa Ai ishte njerëzor?

Pyetje të tilla si këto, ne ndeshim shpesh, kur bisedojmë rreth Jezu Krishtit. Njerëzit vënë në dukje deklaratat e vetë Jezusit për të treguar se Ai ishte i paditur në disa gjëra. Kur Jezusi u pyet rreth kohës së ardhjes së Tij të dytë, Ai u përgjigj: Sa për atë ditë dhe atë orë, askush nuk e di, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati. (Marku 13:32).

Njëherë, ndërsa ishte i rrethuar nga turma, Jezusi ishte prekur nga dikush. Prandaj ai iu kthye turmës dhe e pyeti: Kush m’i preku rrobat?. (Marku 5:30) në një mënyrë të tillë sikur të zbulonte paditurinë e tij. Me lutje, ai u bënte pyetje njerëzve: Cili është emri yt?. (Marku 5:9), Sa bukë keni? (Marku 6:38).

Këto fragmente, thonë skeptikët, zbulojnë se Krishti nuk dinte disa gjëra. E përse atëhërë duhet t’u besojmë deklaratave të Tij? Dhiata e Re i përgjigjet pyetjes ishte Krishti i gabueshëm? me një ‘jo’ të fortë! Duhet mbajtur mend që Jezusi kishte dy natyra, njëra njerëzore dhe tjetra hyjnore. Si njeri, kishte gjëra për të cilat ai ishte i paditur, por si Zot, Ai zotëronte gjithë diturinë.

Jezusi nuk ishte njeri që ta niste veten drejt pozitës së të qenit Perëndi. Më saktë, ai ishte Zot i përulur në natyre njerëzore. Te Filipianëve 2:5.11 thuhet se si Zot, Jezusi vendosi të linte mënjanë veprimtarinë e pavarur të disa tipareve që ishin me të vërtetë të tiat. Si njeri, ai i besoi Zotit, Atit, tërësisht dhe jetoi një jetë të përsosur, një jetë pa mëkate.

Edhe pse ishte Zot në Tokë, ai flaku tutje disa të drejta që zotëronte. Nuk ka asnjë aludim që deklaratat e tij qofshin teologjike, historike, apo të një natyre tjetër të ishin në ndonjë mënyrë të gabueshme. Jezusi tregoi gjithmonë të vërtetën. Kur ai thoshtë se nuk dinte ndonjë gjë, ai na bënte të vetëdijshëm për të. Derisa Ai na tregoi kur nuk dinte diçka, kjo provon se kur pohoi diçka ishte sepse e dinte. Fakti që Krishti pranonte se ishte i pandërgjegjshëm për disa gjëra, na siguron ca më tepër për deklaratat që ai i bënte pa ndonjë rezervë. Kujtojmë, gjithashtu, se disa nga pyetjet e Jezusit, sikurse te Gjoni 6:5 dhe Marku 6:38 nuk u bënë që ai të mblidhte informacion për përgjigjet, por thjeshtë për të nxitur dëgjuesit të jepnin përgjigje vetë derisa të merrnin pikërisht përgjigjen e saktë nga vetë goja e tyre, për të mirë të tyre. (Krahaso Gjoni 6:5).

Një vëprim i tillë në përgjithësi ngjan me pyetjet e Zotit të Dhiatës së Vjetër (si te Zanafilla 3 ‘Ku je?’ etj,). Këto nuk ishin thjesht pyetje për të plotësuar dijen e tij, por për të mirën e njerëzve që, në një mënyrë a tjetër, të mund të kuptonin të vërtetat, duke dhënë vetë përgjigjet e duhura. Por mund edhe të kenë qenë thjesht pyetje retorikë. Për më tepër, si krijesë njerëzore, Jezusi zotëronte njohuri dhe dije mbi normalen, ashtu sikurse e thekson Norman Gajslër në ‘Christian Apologetics’ (f. 358.359).

Madje në trajtë njerëzore, Krishti zotëronte dituri mbi normalen, gati-gati mbinatyrore për shumë gjëra. Ai e pa Natanaelin nën pemën e fikut, edhe pse nuk ndodhej brenda largësisë pamore normale. (Gjoni 1:48). Jezusi e habiti gruan nga Samaria më të dhënat që e dinte për jetën e saj personale. (Gjoni 4:18,19).

Jezusi e dinte që në fillim se kush ishte ai që do ta tradhtonte (Gjoni 6:64). Ai dinte për vdekjen e Lazarit, para se t’ia thonin (Gjoni 11:14) dhe për kryqëzimin e ringjalljen e Tij para se ato të ndodhnin. (Marku 8:31; 9:31) Jezusi kishte dije mbinjerëzore për vendndodhjen e peshqve. (Luka 5:4). Nuk ka asnjë tregues në Ungjill që të thotë se kufizimi i Jezusit frenoi misionin ose mësimin e tij. Cilat do të ishin kufizimet e diturisë së tij, ajo ishte përtej asaj të njerëzve të zakonshëm dhe plotësisht e mjaftueshme për misionin dhe mësimin doktrinor të tij.

Bibla, gjithashtu, na bën të qartë se Krishti është autoriteti i fundit për të gjitha çështjet me të cilat ai u muar. Njerëzit do të gjykohen për punët që bëjnë më fjalët e Tij. Ashtu sic e tha dhe vetë: Kush më hedh poshtë dhe nuk i pranon fjalët e mia, ka kush e gjykon; fjala që kam shpallur do të jëtë ajo që do ta gjykojë ditën e fundit. (Gjoni 12:48).

Fjala e Tij është themel i fortë. Jeta jonë duhet ngritur mbi këtë themel. Prandaj, ai që i dëgjon fjalët e mia dhe i vë ato në jetë, mund të krahasohet me një njeri të zgjuar që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb. (Mateu 7:24).

Nga këto citime të pakta bëhet krejt e qartë se ndonjë kufizim njerëzor që pësoi Jezusi, nuk u pasqyrua në thëniet dhe në mësimet e tij teologjike. Askush nuk ka të drejtë ta përdorë këtë si shfajësim, për të hedhur poshtë vërtetësinë e pohimeve të Tij. Ai na ka provuar, se ka autoritet të shpallë për vete pagabueshmerinë nëpërmjet ringjalljes në ditën e tretë. (Romakëve 1:4).

Edhe pse Jezusi me të vërtetë ishte Zot, ai ishte edhe njeri. Ju mund të thoni: Ai ishte aq shumë njeri sikur të mos kishte qenë kurrë Zot dhe ishte po aq shumë Zot, sikur të mos kishte qenë kurrë njeri. Ai ishte Njeri- Zot. Tani mbetet që secili individ të vendosë nëse do ta ndërtojë shtëpinë e vet mbi shkemb ose mbi rërë.