jump to navigation

KAPITULLI 26: KËMBËNGULJA NË LUTJE

Postuar tek: Ndryshoje Botën me anë të Lutjes

Të jesh një besimtar do të thotë të jesh një person që lutesh! Sigurisht, të gjithë të krishterët luten dhe ky është një fakt i natyrshëm, por lutja duhet të shkojë përtej zakoneve. Është e habitshme të nxjerrësh në pah se edhe të krishterët më të pjekur luten shpeshherë në mënyrë rituale. Por kush lutet me bindje dhe me këmbëngulje mund të shfrytëzojë fuqinë që vjen nga Perëndia.

Ekziston një gjë e përbashkët midis lutjes këmbëngulëse, betejës në lutje, lidhjes së Satanit dhe autoritetit të besimit për të zhvendosur pengesat frymërore. Gjithçka bazohet tek fitorja e Krishtit në Kalvar dhe fuqia e Frymës së Shenjtë.

Çfarë përvoje ke nga lutja këmbëngulëse? A ke këmbëngulur në lutje? A dëshiron të mësosh të lutesh me këmbëngulje? Bëhet fjalë për pyetje të rëndësishme. Rezultati i mirë i lutjes tënde do të përcaktohet, në fakt, nga këmbëngulja.

PSE DUHET TË LUTESH ME KËMBËNGULJE?

Të këmbëngulësh do të thotë “të vazhdosh me qëndrueshmëri”. Lutja këmbëngulëse i tejkalon të gjitha vështirësitë dhe pengesat, i bën ballë fuqive kundërshtuese të Satanit dhe gjen vullnetin e Perëndisë. Ajo jo vetëm merr nismën, por vazhdon derisa të sigurojë fitoren.

Fryma e Shenjtë flet nëpërmjet Fjalës së Perëndisë, jetës dhe këshillave të personave të tjerë ose nëpërmjet një komunikimi të veçantë, që mund të marrim pa qenë të ndërgjegjshëm. Ai mund të krijojë rrethana që ushtrojnë presion ose thjeshtësojnë veprime të caktuara. Edhe Satani, mësuesi i mashtrimeve, kërkon të ndikojë në mendimet tona.

LUTJA KËMBËNGULËSE ËSHTË E DOMOSDOSHME NË SITUATAT E MËPOSHTME:

Për të kundërshtuar Satanin në betejën e tij për shpirtrat. Kur lutesh për një person jo të shpëtuar, që t’i nënshtrohet Krishtit, ti flet në harmoni me vullnetin e Perëndisë dhe me veprën e Frymës së Shenjtë, por je në kundërshtim të plotë me Satanin dhe me të gjithë frymërat e tij të ligj.

Prandaj, kur lutemi sipas vullnetit të Perëndisë, gjendemi, shpesh, përballë një qëndrueshmërie të manhitshme. Për Satanin është e thjeshtë të mashtrojë jobesimtarin. Për t’u bërë ballë planeve të tij është e domosdoshme të lutesh me angazhim. Për të mundur joshjen satanike kundër të krishterëve. Edhe besimtarët më të fortë janë subjekte të ndikimeve djallëzore. E dimë se Satani arriti të joshë Davidin të kryente një veprim të gabuar (1 Kronikave 21:1), ashtu siç ndikoi në mendimin e Pjetrit, saqë u refuzua nga Jezusi si djallëzor (Mateu 16:23).

Edhe personat më frymërorë mund të bien. Një fjalë e vogël kritike gjatë një takimi, një thashethem i keq i përshpëritur në bashkëbisedim, mungesa e besimit për të marrë një vendim, janë të gjitha gjëra që mund të vijnë nga frymëzimi i një demoni të Satanit. Nëse Satani tundoi edhe Krishtin gjatë agjërimit të Tij, për dyzet ditë (Mateu 4:1-11), a nuk duhet të qëndrojmë gjithmonë gati dhe të këmbëngulim në lutje?

Për të mbrojtur vetveten ose të tjerët nga sulmet e Satanit. Jobi nuk ishte i vetmi që u sulmua fizikisht nga Satani, megjithatë mund të pyesim veten nëse prova e tij do të mbaronte më shpejt po të ishin lutur tre “miqtë” e tij! Gjembi në trupin e Palit vinte nga Satani (2 Korintasve 12:7; Lluka 13:10-17). Lluka 13:10-17 na tregon për një grua të paralizuar nga Satani për tetëmbëdhjetë vjet. Te Marku 9:17-20 lexojmë për një frymë që sundonte një djalë duke e bërë të mos fliste dhe duke i shkaktuar dridhje.

Aksidentet e rënda shpesh kanë bindur shërbëtorët e Perëndisë se Satani po përpiqej t’i shkatërronte. Në malet e Indisë kur ishim duke udhëtuar për veprën e Perëndisë, papritur, bashkëpunëtorët tanë u sulmuan nga kafshët e egra. Janë shumë shembuj që tregojnë se si Satani përpiqet të frikësojë të krishterët për të penguar veprën e tyre.

A JE KËMBËNGULËS NË LUTJE?

Lutja mund të jetë lodhëse. Shpesh brishtësia frymërore, dobësia, mungesa e gjallërisë nuk i lejojnë besimtarët të përqëndrohen në lutje për më tepër se disa minuta. Një person i mbushur me Frymë mezi pret të lutet, gëzohet kur gjen një kohë shtesë për lutjen dhe është i gatshëm të sakrifikojë gjithçka që të lutet më shumë.

Por shumë njerëz duhet të rrëfejnë se nuk janë mësuar të luten. Nëse ti je nga ata, të nxis të marrësh me besim fitoren e Krishtit në të gjitha dështimet në lutje, mbi hezitimet e tua dhe në mungesën e këmënguljes.

Duhet të fitosh mbi Satanin. Satani dhe demonët e tij, nuk duan që ti të mësosh të fshehtat e lutjes. Ata e kanë frikë lutjen tënde më tepër se dëshminë tënde dhe veprimtaritë e tua ungjillore. Ata do të preferonin të të shihnin të zënë tërë ditën në këto gjëra se sa të angazhuar në një orë për lutjen.

Fitoret frymërore, normalisht, fitohen si rrjedhim i betejave frymërore. Ne jemi të pafuqishëm dhe të pafrytshëm, sepse lutemi në mënyrë sipërfaqësore dhe nuk kemi mësuar akoma të luftojmë në lutje. Nëse nuk je i gatshëm të luftosh, mos prit fitore të mëdha (Efesianëve 1:2; 6:11,12; Gjoni 14:30; 1 Gjonit 4:4; 5:19).

Lutja e Danielit u plotësua por për të njëzetenjëtën ditë përmbushja e tij u pengua nga fuqitë djallëzore (Danieli 10:12,13). Nëse Danieli nuk do të kishte agjëruar dhe luftuar në lutje për tri javë të tëra, nuk e dimë se çfarë do të kishte ndodhur, ndoshta tani nuk do të kishim të dhjetin kapitull të lavdishëm të librit të tij. Nëse kërkojmë diçka sipas vullnetit të Perëndisë, por nuk këmëngulim në lutje, ndoshta nuk do të marrim asnjëherë përgjigjen.

Duhet të jesh i sigurt përballë Perëndisë. Vetë Perëndia do të provojë këmbënguljen tënde. Jezusi vuri në provë një grua greke, bija e së cilës ishte e pushtuar nga një demon (Mateu 15:21-18). Ai nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së saj, saqë dishepujt i thanë: “Lëshoje atë sespe po bërtet pas nesh” (vargu 23). Por ajo këmënguli derisa mori një çlirim të plotë për bijën e saj.

Në kopshtin e Gjetsemanit, Jezusi u lut për tri orë derisa fitoi. Angazhimi i Tij në lutje qe kaq i madh saqë Perëndia dërgoi një engjëll për ta ngushëlluar. Shpesh, Perëndia i përgjigjet me vonesë lutjeve tona, pikërisht ngaqë dëshiron të na mësojë të këmëngulim.