jump to navigation

Një kuptim biblik i anëtarësisë së kishës

Postuar tek: Nëntë Shenja të një Kishe të Shëndetshme
  1. Anëtarësia në Bibël
  2. Anëtarësia është përkushtim
  3. Hendeku i madh mes anëtarësisë dhe përfshirjes
  4. Anëtarësia është përgjegjësi
  5. Anëtarësia është dëshmia e përbashkët për shpëtimin
  6. Anëtarësia kuptimplote
  7. Pyetje për reflektim

Në një kuptim, ajo që ne e njohim sot si “anëtarësi kishe” nuk është biblike. Ne nuk kemi asnjë dokumentim të të krishterëve të shekullit të parë që jetonin, ta zëmë, në Jerusalemin qendror, të cilët vendosën që të përfshiheshin në një asamble të veçantë të të krishterëve në vend të një tjetre. Nga ajo që mund të dallojmë, nuk kishte zgjedhje të kishës, sepse kishte vetëm një kishë në komunitet. Në këtë kuptim, ne nuk kemi dijeni për asnjë listë të anëtarëve të kishës në Dhiatën e Re. Por ka lista njerëzish të lidhura me kishën në Dhiatën e Re. Këto janë ose lista të vejushave që mbështeteshin ekonomikisht nga kisha (1Timoteut 5), ose të emrave në Librin e Jetës së Qengjit (Filipianëve 4:3; Zbulesa 21:27). Dhe ka pasazhe në Dhiatën e Re që lënë të kuptohet se kishte përkufizim dhe kufij të qartë për anëtarësinë në një kishë.

Kishat i njihnin ata që përbënin anëtarësinë e tyre. Për shembull, letrat e Palit drejtuar kishës së Korintit tregojnë se disa individë duheshin përjashtuar (për shembull, 1Korintasve 5) dhe se disa duheshin përfshirë (për shembull, 2Korintasve 2). Në këtë shembull të dytë, Pali përmend madje edhe një “shumicë” njerëzish (2Korintasve 2:6), që përmenden për faktin se kishin dhënë një “ndëshkim” të përjashtimit nga kisha. Kjo “shumicë” nuk mund të jetë tjetër veçse referencë për një shumicë njerëzish të cilët njiheshin si anëtarë të kishës.

Praktika e anëtarësisë kishtare mes të krishterëve është krijuar si një përpjekje për të na ndihmuar që të mbajmë njëri-tjetrin në përgjegjësi dhe dashuri. Duke e identifikuar veten me një kishë të veçantë, ne u bëjmë të ditur pastorëve dhe anëtarëve të tjerë të asaj kishe lokale se ne synojmë që të jemi të përkushtuar në pjesëmarrje, dhurim, lutje dhe shërbesë. Ne i zmadhojmë pritjet e të tjerëve për ne në këto fusha dhe ne e bëjmë të ditur se ne jemi ata për të cilët kishe lokale ka përgjegjësi. Ne e sigurojmë kishën për përkushtimin tonë ndaj Krishtit për të shërbyer bashkë me ta dhe kërkojmë përkushtimin e tyre për të na shërbyer në dashuri dhe për të na inkurajuar në dishepullizimin tonë.

Në këtë kuptim, anëtarësia kishtare është një ide biblike. Kjo gjë del mes të tjerash, edhe nga përdorimi i imazhit të trupit nga Pali për kishën lokale. Kjo gjë vjen nga shpëtimi që na jep Krishti me anë të hirit të Tij dhe vendosjes sonë në kisha për t’i shërbyer Atij në dashuri ndërsa u shërbejmë të tjerëve. Kjo vjen edhe nga detyrimet tona të ndërsjella të paraqitura në pasazhet e Shkrimit ku përdoren fjalët “së bashku” dhe “njëri-tjetrin”. Të gjitha këto përmblidhen në besëlidhjen e një kishe të shëndetshme (shihni shtojcën).

Nuk duhet të na duket çudi që afrimi i kuptimit tonë për ungjillëzimin, kthimin në besim dhe ungjillin me atë të Biblës ndikon te mënyra se si e konceptojmë anëtarësinë kishtare. Ne do të fillojmë ta shohim anëtarësinë gjithnjë e më pak si një lidhje të dobët të dobishme vetëm në disa raste dhe gjithnjë e më shumë si një përgjegjësi të rregullt, që na përfshin në jetën e njëri-tjetrit për qëllimet e ungjillit. Nuk është e pazakontë që të gjesh një hendek të madh mes anëtarësisë kishtare dhe numrit të atyre që janë të përfshirë aktivisht. Imagjinoni një kishë prej 3000 anëtarësh me vetëm 600 prej tyre që marrin pjesë rregullisht në takime. Kam frikë se shumë pastorë ungjillorë sot do të ishin më krenarë për anëtarësinë e deklaruar sesa të shqetësuar nga pjesëmarrja (e ulët). Sipas një studimi të fundit të Konventës Baptiste Jugore, kjo është normale në kishat Baptiste Jugore. Një kishë tipike Baptiste Jugore ka 233 anëtarë dhe 70 veta në shërbesën e adhurimit të dielën në mëngjes. A është dhurimi ynë më i mirë? Cilat bashkësi kanë buxhete që arrijnë – le më të tejkalojnë – 10 përqind të të ardhurave totale vjetore të anëtarëve të tyre?

Përveçse në rastet kur kufizimet fizike e pengojnë pjesëmarrjen ose kur vështirësitë financiare e ndalojnë dhurimin, a nuk do të sugjeronte kjo situatë se anëtarësia është paraqitur si diçka që jo domosdo e kërkon përfshirjen? Megjithatë, çfarë nënkuptojnë numra të tillë të anëtarëve? Numrat e shkruar mund të jenë idhuj po aq lehtë sa edhe figurat e gdhendura – mbase edhe më lehtë. Por unë mendoj se është Perëndia Ai që do ta vlerësojë jetën tonë, Ai do ta peshojë punën tonë dhe nuk do të marrë parasysh numrat. Nëse kisha është një ndërtesë, atëherë ne duhet të jemi tulla në të; nëse kisha është një trup, atëherë ne jemi gjymtyrët e saj; nëse kisha është shtëpia e besimit, kjo presupozon se ne jemi pjesë e asaj shtëpie. Delet janë në një tufë dhe degët në një hardhi. Biblikisht, nëse dikush është i krishterë, ai duhet të jetë anëtar i një kishe. Duke lënë mënjanë detajet konkrete për një çast – qoftë nëse listat e anëtarësisë mbahen në kartonë të bardhë apo në disqe kompjuteri – ne nuk duhet të harrojmë të mblidhemi rregullisht (Hebrenjve 10:25). Kjo anëtarësi nuk është thjesht dokumentim i një deklarate që e kemi bërë dikur, apo mall për një vend të njohur. Ajo duhet të jetë pasqyrim i një përkushtimi të gjallë, ose përndryshe është e pavlerë, dhe akoma më keq se kaq madje, mund të jetë edhe e rrezikshme.

Anëtarët e papërfshirë pështjellojnë jo vetëm anëtarët e vërtetë, por edhe jo të krishterët rreth asaj se çfarë do të thotë të jesh i krishterë. Dhe anëtarët “aktivë” nuk u vijnë në ndihmë për asnjë anëtarëve “joaktivë”, kur i lejojnë ata që të mbeten anëtarë të kishës; sepse anëtarësia është miratimi i përbashkët i kishës për shpëtimin e një personi. Edhe një herë, kjo duhet kuptuar qartë: anëtarësia në kishë është dëshmia e përbashkët e asaj kishe për shpëtimin e atij anëtari të veçantë. Megjithatë, si mundet bashkësia të dëshmojë në mënyrë të sinqertë se një njeri i padukshëm për të po vrapon me besnikëri në garë? Nëse anëtarët janë larguar nga grupi ynë dhe nuk kanë shkuar te ndonjë kishë tjetër që beson te Bibla, çfarë dëshmie japim ne se ata kanë qenë ndonjëherë pjesë e jona? Ne nuk e dimë me domosdo se njerëz të tillë të papërfshirë nuk janë të krishterë; ne thjesht mund të mos jemi në gjendje që të deklarojmë se ata janë. Ne nuk duhet t’u themi atyre se e dimë që ata po shkojnë në Ferr, thjesht sepse nuk mund t’u themi se e dimë që ata po shkojnë në Parajsë.

Që një kishë të praktikojë anëtarësinë kishtare biblike kërkohet jo përsosmëri, por sinqeritet. Nuk kërkohen vendime të thata, por dishepullizim i vërtetë. Ajo përbëhet jo vetëm nga eksperiencat individuale, por nga deklarimet e përbashkëta të atyre që janë në besëlidhje me Perëndinë dhe me njëri-tjetrin. Personalisht, unë shpresoj që të shoh që numrat e anëtarësisë në kishën ku unë shërbej të bëhen më kuptimplotë, ndërkohë që ata që janë anëtarë sa për emër të bëhen anëtarë të vërtetë. Për shumë veta, kjo ka nënkuptuar se atyre iu është hequr emri nga lista (por ata kanë mbetur në zemrat tona).

Për të tjerët, kjo ka nënkuptuar një përkushtim të ripërtërirë ndaj jetës kishtare. Anëtarët e rinj po mësohen në besim dhe në jetën e kishës. Shumë nga anëtarët aktualë kanë nevojë për mësim dhe inkurajim të ngjashëm. Ndërkohë që jemi përpjekur të bëhemi një kishë e shëndetshme baptiste siç kemi qenë historikisht, numri i njerëzve që marrin pjesë në takime e ka kaluar numrin e anëtarëve. Sigurisht, kjo duhet të jetë edhe dëshira juaj për kishën tuaj.

Praktika e rigjetur e anëtarësisë së kujdesshme kishtare do të ketë shumë përfitime: Kjo gjë do ta bëjë dëshminë tonë para jo të krishterëve akoma më të qartë; do ta bëjë më të vështirë për delet më të dobëta që të largohen nga vatha, ndërkohë që e konsiderojnë veten akoma si dele; do të ndihmojë për t’i dhënë trajtë dhe fokus dishepullizimit të të krishterëve akoma më të pjekur; do t’i ndihmojë udhëheqësit e kishave tona që të dinë me saktësi se për kë person janë përgjegjës. Në gjithë këtë, Perëndia do të përlëvdohet.

Lutuni që anëtarësia kishtare të mund të bëhet diçka më tepër sesa është aktualisht, në mënyrë që t’i njohim më mirë ata për të cilët jemi përgjegjës, në mënyrë që të mund të lutemi për ta, t’i inkurajojmë dhe t’i sfidojmë. Nuk duhet t’i lejojmë njerëzit që të vazhdojnë të jenë anëtarë të kishave tona për arsye sentimentale. E parë biblikisht, një anëtarësi e tillë nuk është aspak anëtarësi. Në besëlidhjen e kishës sonë, ne japim fjalën gjithashtu se “Kur të shpërngulemi nga ky vend, do të bashkohemi ,sa më shpejt të jetë e mundur, me një kishë tjetër ku të mund të vazhdojmë në frymën e kësaj besëlidhjeje dhe të parimeve të Fjalës së Perëndisë”. Ky përkushtim është pjesë e dishepullizimit të shëndetshëm, sidomos në këtë kohë kur njerëzit shpërngulen shpesh.

Anëtarësia kishtare nënkupton të qenit të përfshirë në një mënyrë praktike në trupin e Krishtit. Kjo nënkupton udhëtimin e përbashkët si të huaj në këtë botë, ndërkohë që po shkojmë drejt shtëpisë sonë qiellore. Sigurisht, një shenjë tjetër e kishës së shëndetshme është kuptimi biblik i anëtarësisë kishtare.

Pyetje për reflektim

  1. A përmend Bibla në mënyrë të drejtpërdrejtë lista anëtarësie në një kishë lokale? Ku është e nënkuptuar kjo gjë? Lexoni 1Korintasve 12:14-26. Si mund të na ndihmojë ne anëtarësia kishtare si të krishterë për të vënë në praktikë këto detyrime që kemi ndaj njëri-tjetrit si trupi i Krishtit?
  2. Autori shkruan se ne duhet ta shikojmë anëtarësinë kishtare “gjithnjë e më pak si një lidhje të dobët, të dobishme vetëm në disa raste dhe gjithnjë e më shumë si një përgjegjësi që na përfshin neve në jetën e njëri-tjetrit për qëllimet e ungjillit”. Në dritën e kësaj deklarate, si e shikojnë anëtarësinë shumica e anëtarëve tuaj? Cilat janë përgjegjësitë e një anëtari të kishës? Si mund të kontribuojë përmbushja e këtyre përgjegjësive në punën e ungjillit?
  3. Autori beson se anëtarësia kishtare duhet të jetë pasqyrimi i një përkushtimi të gjallë ndaj Krishtit, ose përndryshe ajo është pa vlerë dhe madje e rrezikshme. Pse mund të jetë e vërtetë kjo gjë? Përshkruani përkushtimin e gjallë ndaj Krishtit dhe kishës së Tij.
  4. Anëtarësia kishtare, shkruan autori, është dëshmia e përbashkët e kishës ndaj shpëtimit të një anëtari të veçantë. Lexoni Hebrenjve 13:17. Bibla na mëson se udhëheqësve të kishës do t’u kërkohet “të japin llogari” për njerëzit që kanë nën kujdesin e tyre. A mendoni se kjo “llogari” do të jetë thjesht një deklaratë se një person ka marrë një herë një vendim për Krishtin, apo kjo është një dëshmi që vjen nga njohuria se një person po jep besnikërisht fryte në ungjill? Si ndikon kjo në të kuptuarit tonë se kush duhet të jetë në listat tona të anëtarësisë?
  5. Autori rendit një sërë përfitimesh të shikimit me kujdes të listave të anëtarësisë së kishës sonë. Si do ta bënte më të qartë dëshminë tonë para jo të krishterëve një kuptim biblik i anëtarësisë kishtare? Si do ta bënte kjo më të vështirë për të krishterët e dobët që të largohen, ndërkohë që e konsiderojnë veten akoma si të krishterë? Si do të ndihmonte kjo që t’i jepte trajtë dhe fokus dishepullizimit të të krishterëve të pjekur?