jump to navigation

Një kuptim biblik i kthimit në besim

Postuar tek: Nëntë Shenja të një Kishe të Shëndetshme
  1. Pendimi dhe besimi
  2. Kthimi në besim ësht ë puna e Perëndisë brenda nesh
  3. “Ti nuk je një njeri i Zotit!”
  4. “Dëshmia e kundërt” e kishës
  5. Kthimi në besim i dëshmuar nga Frytet e tij
  6. Pyetje për reflektim

Në takimin e parë të kishës sonë, në vitin 1878, ne miratuam një deklaratë besimi. Ajo ishte një version i përforcuar i Deklaratës së Besimit të bërë në Nju Hampshir në vitin 1833. Kjo deklaratë u bë baza për Mesazhin dhe Besimin Baptist, të miratuar nga Konventa Jugore Baptiste në vitin 1925 dhe sërish, në një version të ndryshuar dhe më të dobët se i pari, në vitin 1963. Në deklaratën tonë të besimit, Neni VIII thotë:

Ne besojmë se Pendimi dhe Besimi janë detyra të shenjta dhe, gjithashtu, hire të pandashme, të krijuara në shpirtin tonë nga Fryma ripërtëritëse e Perëndisë; dhe, si rrjedhojë, të bindur thellë për fajin, rrezikun dhe pafuqishmërinë tonë, dhe për rrugën e shpëtimit përmes Krishtit, ne kthehemi te Perëndia me keqardhje të sinqertë, rrëfim dhe me lutje të vërtetë për mëshirë; në të njëjtën kohë, pranojmë me gjithë zemër Zotin Jezu Krisht si Profetin, Priftin dhe Mbretin tonë, dhe mbështetemi vetëm tek Ai si Shpëtimtari i vetëm dhe plotësisht i mjaftueshëm.

Vini re se çfarë thotë kjo deklaratë rreth kthimit tonë në besim. Ne kthehemi sepse jemi “të bindur thellë për fajin, rrezikun dhe pafuqishmërinë tonë, dhe për rrugën e shpëtimit përmes Krishtit”. Dhe si ndodh ky kthim – që përbëhet nga pendimi dhe besimi? Ai “krijohet në shpirtin tonë nga Fryma ripërtëritëse e Perëndisë”. Më pas, deklarata citon dy pjesë nga Shkrimet për të mbështetur këtë ide: Veprat 11:18: “Si i dëgjuan këto fjalë, ata u qetësuan dhe përlëvdonin Perëndinë, duke thënë: ‘Perëndia, pra, edhe johebrenjve u dha pendesën për t’u dhënë jetën” dhe Efesianëve 2:8: “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhuratë e Perëndisë”.

Nëse kthimi në besim kuptohet, në thelb, si diçka që ne e bëjmë vetë dhe jo si diçka që Perëndia e realizon brenda nesh, atëherë ne e kemi keqkuptuar atë. Kthimi në besim sigurisht e përfshin veprimin tonë – ne duhet të bëjmë një përkushtim të sinqertë, të marrim një vendim të vetëdijshëm. Megjithatë, kthimi në besim është shumë më tepër sesa kaq. Bibla është e qartë në mësimin e saj se nuk jemi duke udhëtuar të gjithë drejt Perëndisë, disa prej nesh e kanë gjetur rrugën, ndërsa të tjerët po kërkojnë akoma. Përkundrazi, ajo na paraqet ne si njerëz që kemi nevojë për zëvendësim të zemrës, për transformim të mendjes dhe për rilindje të shpirtit tonë. Asnjërën prej këtyre gjërave nuk mund ta bëjmë vetë. Ne mund të bëjmë një përkushtim, por ne duhet të shpëtohemi. Ndryshimi për të cilin ka nevojë çdo njeri, pavarësisht se si mund të dukemi nga ana e jashtme, është kaq radikal, kaq rrënjësor, saqë vetëm Perëndia mund ta bëjë atë. Ne kemi nevojë për Perëndinë për të na kthyer në besim.

Më vjen ndërmend historia e Spërxhënit në të cilën ai tregon se kur po ecte nëpër Londër, një njeri i dehur erdhi tek ai, u mbështet te një shtyllë dritash dhe tha: “Hej, zoti Spërxhën, unë jam një nga të kthyerit tuaj në besim”! Spërxhëni iu përgjigj: “Ti duhet të jesh vërtet i imi – sigurisht ti nuk je i Zotit”!

Një rezultat i keqkuptimit të mësimit të Biblës për kthimin në besim mund të jetë ai se kishat ungjillore janë plot me njerëz që kanë bërë një përkushtim të sinqertë në një moment të jetës së tyre, por që në të vërtetë, nuk e kanë përjetuar ndryshimin rrënjësor, të cilin Bibla e paraqet si kthim në besim.

Sipas një studimi të kohëve të fundit nga Konventa Jugore Baptiste, Baptistët Jugorë (denominacioni im) kanë një përqindje divorci që është mbi mesataren kombëtare në Amerikë. Shkaku i një “dëshmie të tillë të kundërt” mes ndjekësve të respektuar të Krishtit duhet të jetë, të paktën pjesërisht, predikimi jobiblik rreth kthimit në besim.

Sigurisht, kthimi në besim nuk ka pse të jetë një eksperiencë emocionalisht e fortë, por ajo duhet të vërtetohet nga frytet e saj, në mënyrë që të jetë kthim i vërtetë në besim sipas mësimit të Biblës. Të kuptuarit e prezantimit që Bibla i bën kthimit në besim është një nga shenjat e kishës së shëndetshme.

Pyetje për reflektim

  1. Lexoni Veprat 11:18. Çfarë na mëson ky pasazh rreth origjinës bazë të pendimit? A është pendimi në thelb një rezultat i vendimit të njëanshëm të njeriut për t’u kthyer te Perëndia, apo është rezultat i punës ripërtëritëse të Perëndisë në zemrën e njeriut?
  2. Lexoni Zanafillën 6:5 dhe Romakëve 8:7. Përshkruani gjendjen e zemrës njerëzore nën mëkat. Si e paraqet Bibla aftësinë e njeriut për ta kënaqur Perëndinë ose për të vetëvendosur për t’u kthyer tek Ai?
  3. Lexoni Efesianëve 2:1-10. Perëndia shkakton një ndryshim të madh në zemrën tonë gjatë kthimit në besim. Si e përfaqëson ky pasazh këtë ndryshim? A është kjo diçka që njeriu mund ta prodhojë te vetja e tij përmes përpjekjeve të mëdha?
  4. Sondazhet e fundit raportojnë se të krishterët që deklarohen si ungjillorë në Amerikë sot kanë një përqindje divorci që është më e lartë sesa mesatarja kombëtare. Cila mund të jetë njëra nga arsyet për këtë? Çfarë mësimi jep Bibla për disa nga faktet ose “frytet” e punës ripërtëritëse të Frymës së Perëndisë në jetën e një personi?
  5. Në shekujt e mëparshëm, besimtarët pagëzoheshin më tepër kur arrinin moshën madhore (pra, në moshën 17-20 vjeç). Çfarë mund ta shpjegojë zbritjen e kësaj moshe mes të krishterëve baptistë në këtë shekull të fundit? Pse është kjo domethënëse?