jump to navigation

KAPITULLI 31: KOHA VETJAKE NĂ‹ LUTJE

Postuar tek: Ndryshoje Botën me anë të Lutjes

Koha vetjake në lutje nënkupton pjesën më të madhe të një dite, ose një periudhë ditësh, jep mundësinë të shijosh një hapësirë më të gjatë kohe në marëdhënie të ngushtë me Zotin. Mijëra besimtarë pohojnë se jeta e tyre frymërore do të ishte më pak frytdhënëse, nëse nuk do të kishin praktikuar një kohë vetëm me Zotin. Përsa i përket përvojës time vetjake mund të pohoj se nuk do ta njihja vullnetin e Perëndisë nëse nuk do të kisha kaluar periudha të gjata kohe vetëm me Të. Për asgjë në botë nuk do të hiqja dorë nga këto përvoja dhe nga efekti i jashtëzakonshëm mbi të gjithë shërbesën vijuese për Zotin.

Një periudhë e gjatë në lutje mund të jetë shkak i një ripërtëritje të zjarrtë, i një paqeje dhe ekuilibri të frymës në kohë pikëllimi dhe mund t’i japë një kuptim të qartë udhëheqjes dhe vullnetit të Perëndisë kur duhet të përballohen çështje vendimtare. Në fakt duhet thënë se nuk është e urtë të marrësh një vendim të rëndësishëm nëse nuk paraprihet nga një kohë vetjake në lutje.

Charles G. Finney, që u përdor madhërisht nga Perëndia në gjysmën e dytë të shekullit të XIX, u konsiderua nga disa si një nga ungjilltarët më të mëdhenj të kohës së apostullit Pal e më pas. Gjatë rizgjimit të fuqishëm, si pasojë e predikimit të tij, më shumë se gjysëm milioni njerëz u kthyen tek Krishti. Llogaritet se vetëm më 1857-1858 nëpërmjet veprës së tij, më shumë se njëqind mijë njerëz besuan te Krishti dhe tetëdhjetë e pesë përqind e të kthyerve në Zotin, gjatë takimeve të Finney, i mbetën besnik angazhimit të tyre. Sot, përkundrazi, jemi të pakënaqur nëse gjashtë përqind e njerëzve që bëjnë rrëfimin e besimit gjatë një ungjillëzimi, hyn për të marrë pjesë në një kishë! Ku qëndron ndryshimi? Finney shton: “Shpeshherë kam qenë i pafuqishëm. Atëherë agjërova dhe u luta tërë ditën duke kërkuar ndihmën e Perëndisë. Vetëm atëherë erdhi fuqia”. Ndoshta duhet të themelohemi më tepër në veprën e Zotit dhe të drejtohemi prej Tij, duke iu bindur Fjalës dhe urdhërimeve të Tij.

Koha vetjake në lutje ka një bazë të saktë biblike. Ka shumë mundësi që Enoku, përpara ngjitjes në qiell, praktikoi kohë të tilla me Zotin. Enoku “eci me Perëndinë treqind vjet… por nuk u gjend më, sepse Perëndia e mori me vete” (Zanafilla 5:22-24). Moisiu kaloi dy periudha me nga dyzet ditë secila, në Malin Sinai,vetëm me Perëndinë dhe, në atë kohë, Ai iu zbulua më tepër se çdo qenie tjetër njerëzore në këtë botë. Pjesa më e madhe e kohës së Elisë pranë përroit Kerith (1 Mbretërve 7:2-7), pa dyshim, ishte kaluar në lutje, në favor të Izraelit dhe Judës.

Vetë Jezusi kalonte periudha kohe në lutje dhe e filloi misionin e Tij me dyzet ditë në lutje dhe agjërim. Kishte raste kur Ai kalonte gjithë natën në lutje (Lluka 6:12) dhe dukej që shpesh shkonte në Malin e Ullinjve për këtë qëllim (Lluka 21:37). Shumë drejtues të krishterë të Koresë e kanë zakon të kalojnë kohë vetëm me Zotin, për të kërkuar fytyrën dhe të njohin vullnetin e Tij. Me rastin e shtatëdhjetë e pesë vjetorit të veprës së misionit tonë në Kore, mbajtëm një seri seminaresh mbi jetën e kishës koreane që lindi falë veprës tonë. Në atë rrethanë na u bë e ditur se më shumë se njëzet mijë besimtarë koreanë kishin kaluar dyzet ditë në agjërim dhe në lutje. Ndoshta ti nuk je i udhëhequr nga Fryma e Shenjtë të lutesh dhe të agjërosh për dyzet ditë, por ata që e kërkojnë fytyrën e Perëndisë duke kaluar kohë në lutje, bekohen madhërisht.

QĂ‹LLIMI I KOHĂ‹S NĂ‹ LUTJE

Qëllimi i kohës vetëm për vetëm me Zotin në lutje mund të jetë të afrojë tek Perëndia. “Afrohuni te Perëndia dhe ai do t’ju afrohet juve” (Jakobi 4:8). Por sa për mua, e mira është t’ia afrohem Perëndisë (Psalmi 73:28). Oh! Çfarë privilegji është të kalosh kohë pranë Jezusit! Ndoshta ke nevojë të zbulosh vullnetin e Tij për ndonjë çështje me rëndësi të madhe. Ai ka një “vullnet të mirë, të pëlqyer dhe të përsosur” (Romakëve 12:20) dhe dëshiron “që të mbusheni me njohjen e vullnetit të tij me çdo urtësi dhe mençuri frymërore” (Kolosianëve 1:9). Koha e lutjes me Perëndinë, larg nga shqetësimet, do të të japë rastin për t’i paraqitur Atij, kishën, kombin ose familjen tënde, një mik ose edhe nevojat e tua vetjake.

SI TĂ‹ ORGANIZOSH NJĂ‹ KOHĂ‹ NĂ‹ LUTJE?

Gjej një vend ku mund të jesh i qetë. Kur isha në Indi, e kisha të vështirë të gjeja një vend të qetë, prandaj hypja në tren dhe ndaloja në stacionin tjetër, për të kaluar orë në sallën e pritjes, duke lexuar dhe duke u lutur. Edhe pse kushtet nuk ishin ideale, sepse shumë njerëz shkonin e vinin, njerëzit nuk më shqetësonin. Disa nga kishat tona në Kore kanë pranë sallës së shërbesës disa dhoma në dispozicion të atyre që duan të kenë një kohë vetëm me Zotin për t’u lutur. Kushdo mund t’i përdorë këto dhoma, duke lënë jashtë derës këpucët, për të treguar se dhoma është e zënë dhe mund të kalojnë sa kohë të duan, deri në një ose dy ditë.

Kur gruaja ime dhe unë ishim në Indi, si misionarë, në verë u transferuam në Landour, Mossoorie, në Himalajë, për t’i shpëtuar të nxehtët të qytetit. Në ato male unë gjeja disa vende ideale për kohën time në lutje, një nga të cilët ishte katërmbëdhjetë kilometra larg Landourit. Në agimin e ditës, shkoja në atë vend dhe kaloja vetëm me Zotin. Çfarë kohe e bekuar!

Në qytetin e Allahabad-it u kisha kërkuar disa miqve të më jepnin hua një magazinë bosh, si vend vetmie për t’u lutur. Nuk kishte telefon dhe as njerëz që do të mund të ndërprisnin bisedën time me Perëndinë. Herët e tjera përdorja ndonjë dhomë bosh afër një kishe. Edhe ti, nëse dëshiron sinqerisht ta kërkosh në një marëdhënie më të zgjatur, mund të gjesh një vend të veçuar.

Programo një periudhë gjatë së cilës mund të jesh i lirë nga angazhimet e shpërqëndrimet. Për disa e diela pasdite është çasti më i përshtatshëm për një kohë të gjatë në lutje, për të tjerët mund të jetë një ditë gjatë pushimeve. Mund të programohet edhe një pjesë e natës, duke filluar pas ngrënies së darkës. Në këtë rast mund të heqësh dorë nga darka, duke forcuar, kështu, lutjen me një agjërim të shkurtër. Merr me vete gjithçka që duhet. Lista e gjërave për të patur në dorë gjatë veçimit në lutje mund të përfshijë: Biblën, një ose dy versione të tjera të Biblës ose Dhiatën e Re, librin e këngëve, laps dhe bllok, çels biblik, ndonjë libër ndërtues të krishterë, llambë dore (nëse është e nevojshme), jastëk, ose diçka mbi të cilën mund të gjunjëzohesh, orë, (në mënyrë të veçantë nëse programon disa ditë në lutje), ndonjë mbulesë dhe listën e gjërave për të cilat të lutesh.

Njofto dikë ku mund të të gjejë në rast urgjence. Edhe nëse nuk do t’i bësh reklamë kohës tënde në lutje, është e mirë që dikush të dijë ku do ta kalosh këtë periudhë kohe. Filloje veçimin për t’u lutur duke qenë sa më i çlodhur. Mos mendo se do të rrish gjithmonë zgjuar. Trupi yt ka nevojë edhe për gjumë. Në pushim të kohës së lutjes mund të dremitësh pak përpara se të vazhdosh lutjen dhe meditimin dhe, ja, pse një orë është e dobishme.

NË ÇFARË MËNYRE DUHET TA KALOSH KOHEN NË LUTJE?

Herë pas here Perëndia mund të të drejtojë të ndryshosh metodat e lutjes. Por, ndërkohë, beso në udhëheqjen e Frymës së Shenjtë. Megjithatë këshillat e mëposhtme mund të jenë të dobishme për ty:

Filloje veçimin tënd në lutje me një adhurim të gëzueshëm. Psalmi 100:4 na nxit të hyjmë në praninë e Perëndisë me falënderim dhe lavdërim. Gjej kohën për të falënderuar Zotin Jezus, për atë që Ai është, për dashurinë e Tij dhe cilësitë e tjera, që la qiellin dhe erdhi në tokë, për veprat e dashura, vdekjen dhe ringjalljen e Tij, mirësinë ndaj teje, krijimin e Tij të mrekullueshëm, miqtë e tu të krishterë dhe Kishën. Në librin e Zbulesës lexojmë për këngën e qenieve qiellore (Zbulesa 4:8-11; 5:6-14; 7:9- 12; 14:2,3; 15:2-4; 19:1-7). Perëndia e pëlqen këngën. Në qiell kishte këngë dhe britma gëzimi përpara se qeniet njerëzore të krijoheshin në tokë (Jobi 38:7). Lexojmë se vetë Perëndia këndon me gëzim për ne (Sofonia 3:17). Perëndia ka krijuar zogjtë, njerëzit, engjëjt që të këndojnë së bashku me ty. Kur këndon lavdërimet e Tij, ti gëzon zemrën e Perëndisë, qoftë nëse e bën me zë të lartë qoftë edhe në zemrën tënde.

Kam vënë re se zemra ime fillon të rrahë nga gëzimi kur afrohem tek vendi dhe koha e lutjes: do të jem afër me Jezusin! Çfarë privilegji i madh! Çfarë mrekullie dhe bekimi! Vazhdo duke u ushqyer me Fjalën e Perëndisë. Është e bukur të dëgjosh Perëndinë. Kujto se kjo gjë është e rëndësishme kur lutesh: ndërsa lexon Fjalën, është njësoj sikur të dëgjosh zërin e Tij. Mund të lexosh disa pjesë nga Shkrimi në gjunjë, por në çdo rast vazhdo leximin tënd sistematik të Biblës, pa u shpërqëndruar. Disa herë do të ndjehesh i drejtuar të lexosh një pjesë të Psalmeve, ose nga Ungjijtë apo edhe një Letër. Ndiq udhëheqjen e Frymës së Shenjtë.

Lexo për të qenë i bekuar, por jo për të rritur njohjen tënde, ose për të analizuar në mënyrë kritike materialin e lexuar, vetëm nëse Zoti do të të udhëheqë në mënyrë të veçantë që ta bësh. Gëzohu në Fjalën e Perëndisë e me mirëdashjen e Tij dhe kujto se po përgatit zemrën tënde për një marrëdhënie të ngushtë frymërore me Të. Përqëndro lutjen tënde mbi interesat e Perëndisë. Në lutjen që Jezusi u ka mësuar dishepujve të Tij, kërkesat e para kishin të bënin me:

Këta elementë duhet të bëjnë pjesë edhe në angazhimin tënd të përditshëm në lutje dhe, në mënyrë të veçantë, në ato periudha të gjata për të cilat folëm. Lutu për një rizgjim të popullit të Perëndisë: që Kisha, në tërësinë e saj, mund të tregojë shenjtërinë e jetës, ndarjen nga mendësia e botës dhe një dashuri që derdhet te të gjithë, besimtarë dhe jobesimtarë. Vetëm atëherë, ata që akoma nuk e njohin Jezusin personalisht, mund të përsërisin atë që thanë të tjerët për besimtarët e shekullit të parë të Kishës: “Shikoni se si duan!”.

Lutu për shpëtimin e jobesimtarëve: Perëndia përlëvdohet kur Ungjilli shpallet dhe mëkatarët kthehen tek Zoti. Kjo është dëshira e madhe e Perëndisë dhe qëllimi për mandatin e madh të Kishës. Ki kujdes se mos përqëndrohesh vetëm në nevojat e tua duke lënë pas dore të lutesh për të tjerët. Nëse lutja jote bëhet egoiste, ajo mund të mbetet e paplotësuar. Bëje zakon të lutesh më tepër për të tjerët dhe jo vetëm ose kryesisht për veten tënde dhe për të afërmit e tu. “Kërkoni më parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen” (Mateu 6:33). Ky është premtimi i Tij.

Përule vetveten përballë Zotit. Përulësia përballë Zotit përgatit rrugën për kërkesat vetjake. Prano nevojën tënde që ke për Të, prano sovranitetin e Tij, përkulu Atij me nënshtrim të përulur, ngriji sytë drejt Tij ndërsa gëzohesh dhe falënderoje dhe më pas nis ndërmjetësimin tënd. Shpesh herë shtyhemi të përulemi për një ndjenjë faji të shkaktuar nga një mëkat vetjak apo kolektiv. Në këto raste rrëfimi dhe përulja e plotë përballë Perëndisë mund të paraprijnë të gjitha aspektet e tjera të lutjes dhe ky është pikërisht shembulli që na jep Psalmi 51, ku Davidi i afrohet Perëndisë, i ndërgjegjësuar thellë për mëkatin e tij.

Përkundrazi, nëse ti e ruan mëkatin në zemër, Zoti nuk do ta dëgjojë lutjen tënde (Psalmi 66:18). Në Kades-Barnea Perëndia nuk i dëgjoi lutjet e Izraelit që filluan të qanin për vetmjerimin (Ligji i Përtërirë 1:45) dhe as nuk pranoi lutjet në formë ligjëratash boshe (Jobi 35:13). Falja për mëkatet e kryera dhe pajtimi me vëllezërit, të cilëve mund t’u kesh bërë diçka duhet të paraprijnë me një kohë në lutje (Mateu 5:23,24; Romakëve 12:18). “…Perëndia u jep hir të përulurve… Përuluni, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur” (1 Pjetrit 5:5,6). Me përulësinë mund të hedhësh çdo shqetësim tëndin në këmbët e Zotit (vargu 7), duke ditur se Perëndia do të ngjallë frymën e të përulurve dhe të penduarve (Isaia 57:15) dhe, kur populli i Perëndisë përulet dhe rrëfen mëkatin e tij, Perëndia e fal dhe e shëron gjithmonë (2 Kronikave 7:14).

Paraqiti Zotit kërkesat e tua vetjake. Çdo gjë që të përket është e rëndësishme edhe për Perëndinë, sepse ti je bir i Perëndisë. Asgjë nuk është shumë e madhe ose shumë e vogël për ta ndarë me Atin tënd qiellor. Mos mendo për lutjen se është një mjet për të informuar Jezusin për atë që Ai nuk e di, por konsideroje si një mundësi për të ndarë me Të dëshirat e zemrës tënde, problemet dhe nevojat e tua. Komuniko me Zotin tënd dhe Ai do të të dëgjojë, sepse Ai është në pritje që t’i paraqesësh idetë, emocionet, përshtypjet dhe kërkesat e tua.

Disa herë, përpara se të dalësh përballë Zotit, i gatshëm për një takim të veçantë me Të, do të ishte e dobishme të plotësoje një listë të personave dhe të nevojave që do t’i drejtosh dhe të këshillohesh me Të, herë pas here. Kur shtohen nevojat e tjera, shkruaji dhe paraqiti kërkesat e tua një nga një. Kur ndodhesh përballë pranisë së Perëndisë është gjithmonë koha t’ia parashtrosh të gjitha nevojat e tua (1 Gjonit 5:14,15; Filipianëve 4:19), pikërisht ashtu si Ezekia mori një letër me kërcënime nga Senakeribi, shkoi në tempull dhe e paraqiti përballë Zotit (2 Mbretërve 19:14-20). Edhe ti mund t’ia hapësh zemrën tënde dhe t’i besohesh lirisht Atij dhe, pikërisht, ashtu si Zoti iu përgjigj Ezekisë, Ai do të të thotë edhe ty: “Kam dëgjuar lutjen që më ke drejtuar”.

Ki besim të patundur në premtimin e Perëndisë. Piksëpari, kur ke vendosur themelin e kohës tënde në lutje, duke ushqyer përpara shpirtin tënd me Fjalën e Perëndisë, Ai mund të ketë vendosur në mendjen tënde ndonjë premtim të veçantë, ose, ndërsa lutesh, Perëndia mund të vendosë në mendjen tënde premtime të veçanta. Kur Jakobi u kthye në Kanaan dhe kaloi gjithë natën në lutje, i kujtoi Perëndisë premtimin e Tij (Zanafilla 32:9). Kur Moisiu ndërhyri përpara Perëndisë, i kujtoi Fjalën e Tij (Eksodi 32:13). Psalmisti lutej: “Mbaje mend fjalën që i ke dhënë shërbëtorit tënd, me të cilën më ke bërë të kem shpresë” (Psalmi 119:49). Pjetri, në ditën e Rrëshajave, nxiti dëgjuesit e tij të besonin në Atë që Perëndia kishte premtuar (Veprat e Apostujve 2:39). Ashtu si Abrahami, edhe ne nuk duhet të lëkundemi për mosbesim ndaj premtimeve të Tij; por, forcohu në besim, nëpërmjet premtimit, duke i dhënë lavdi Perëndisë (Romakëve 4:20). Ne jemi të sigurtë se Perëndia ka fuqinë të bëjë gjithçka që ka premtuar (vargu 21).

Me Biblën në dorë dhe me gishtin në premtimin e Tij, mbështetu me guxim, më besim dhe gëzim në fronin e Tij të hirit. “Kemi lirinë dhe hyrjen te Perëndia në mirëbesimin nëpërmjet besimit në Të” (Efesianëve 3:12). “Duke pasur, pra, o vëllezër, liri të plotë për të hyrë në shenjtërore me anë të gjakut të Jezusit, me anë të një udhe të re dhe të gjallë që ai përuroi për ne, me anë të velit, domethënë të mishit të tij, dhe duke pasur një kryeprift mbi shtëpinë e Perëndisë, le t’i afrohemi me zemër të vërtetë me siguri të plotë besimi duke i pasur zemrat tona të lara prej ndërgjegjes së ligë dhe trupin e larë me ujë të kulluar” (Hebrenjve 10:19-22).

Mos harro të përfundosh kohën tënde të lutjes me një periudhë tjetër adhurimi, lavdërimi dhe falënderimi. Kur të arrish në përfundim të kohës tënde në lutje, Perëndia do të vendosë një paqe të ëmbël në zemrën tënde, një siguri të ripërtërirë dhe një gëzim të thellë në shpirt. Ja edhe një mundësi tjetër për ta lavdëruar Perëndinë! Ky është sërish çasti t’i thuash se sa e do, ta falënderosh dhe adhurosh. Edhe nëse nuk e di akoma se si do të veprojë Perëndia, vazhdo angazhimet e tua të përditshme me një këngë në zemër, i forcuar në besim.