jump to navigation

Kontekst apo preteks?

Postuar tek: Një herë në Krishtin në Krishtin përgjithmonë

Një ndër rregullat bazë të studimit është se vargu ose pjesa duhet të studiohet brenda kontekstit. Prandaj ne themi: “Teksti jashtë kontekstit bëhet preteks”. Si shembull, le të lexojmë:

Atëherë Fryma e Perëndisë erdhi mbi Azarisahun, birin e Odedit, që doli të takojë Asan dhe i tha: “Asa, dhe ju të gjithë nga Juda dhe nga Beniamini, më dëgjoni! Zoti është me ju, kur ju jeni me të. Në rast se e kërkoni, ai do të vijë tek ju, por në rast se e braktisni, edhe ai do t’ju braktisë (2 Kro. 15:1-2).

Këto vargje merren ndonjëherë jashtë kontekstit dhe përdoren për të provuar se besimtari është përjetësisht i sigurt për aq kohë sa ai kërkon Zotin etj. Por kjo pjesë nuk flet për shpëtimin e shpirtit. Asa dhe njerëzit e tij po gëzoheshin për fitoren e tyre ushtarake. Azarisahu u kujtoi se çelësi i fitores së tyre ishte besnikëria ndaj Zotit. Eze. 33:7-8 nxirret gjithashtu jashtë kontekstit dhe përdoret në përpjekjet për të mbështetur shpëtimin e kushtëzuar:

Kështu, o bir njeriu, të kam vendosur si roje për shtëpinë e Izraelit; prandaj dëgjo fjalën e gojës sime dhe i lajmëro nga ana ime. Kur i them të pabesit: “I pabesë, ti do të vdesësh me siguri”, dhe ti nuk flet për të paralajmëruar të pabesin që të largohet nga rruga e tij, ai i pabesë do të vdesë për shkak të paudhësisë së tij, por për gjakun e tij do t’i kërkoj llogari dorës sate.

Perëndia e caktoi Ezekielin si roje për të paralajmëruar popullin e tij se çfarë do të ndodhte kur Ai të sillte shpatën kundër vendit (vargu 2), pra ç’do të ndodhte në kohën e luftës. I pabesi do të vdiste (do të vdiste fizikisht). Megjithatë, nëse profeti i kishte paralajmëruar me besnikëri, ai nuk do të ishte fajtor për gjakun e tyre.

Këtu nuk lihet të kuptohet se si rrjedhojë e kësaj një besimtar i vërtetë mund të humbasë. Kjo ide as që gjendet aspak në pjesë. Tema këtu është përgjegjësia e rojes për të paralajmëruar të pabesët. Nëse i pabesi nuk pendohet, ai kthehet në viktimë lufte.

Te Gjoni 15:1-8, Zoti Jezus dha mesazhin e Tij klasik për hardhinë e vërtetë dhe për shermendet. Siç e kemi shpjeguar edhe më parë, arminianët e përdorin vargjet 2 dhe 6 për të mbështetur sigurinë e kushtëzuar. Ata harrojnë se tema për të cilën flitet është dhënia e fryteve dhe jo shpëtimi! Nëse ata do ta kuptonin këtë, vështirësia do të zhdukej.

Pali foli për mundësinë që ai “të përjashtohej” (LIM) ose “të skualifikohej” (1 Kor. 9:27). Por konteksti e zbulon qartë se ai po flet për shërbesën, jo për jetën e përjetshme. Nëse nuk e kuptojmë këtë, atëherë shpëtimi përfundimtar i Palit varej nga mundimi që ai i bënte trupit dhe ky do të ishte shpëtim me anë të veprave.

Kur studiojmë librin e Hebrenjve, është e rëndësishme të kuptojmë se konteksti ka të bëjë me mohimin e besimit dhe jo me largimin. I larguari mund të mëkëmbet; një mohues besimi jo. Në kapitujt e tjerë janë dhënë shembuj të tjerë për rëndësinë e interpretimit të një vargu nën dritën e vargjeve që e rrethojnë. Të gjithë duhet t’i bindemi këtij rregulli themelor të interpretimit të Biblës.