jump to navigation

Kreu 14

Postuar tek: Kundërshto Djallin

Ka dy mënyra të tjera me të cilat Satani i mërzit dhe dëshpëron besimtarët. Ndonjëherë Satani do t’u thotë se përvoja e tyre e krishterë nuk është asgjë e veçantë – sepse shumë njerëz të tjerë jobesimtarë kanë përvojë të ngjashme. Satani do t’u thotë se besimi nuk është një dhuratë nga Perëndia, por vetëm një ide e mendjes së tyre. Kujdesi dhe interesi i tyre për punën e Perëndisë është vetëm një lloj i thellë interesi që njerëzit mund të tregojnë për çdo lloj punë. Satani do t’i bëjë besimtarët të mendojnë se progresi i tyre shpirtëror nuk ka ndryshim nga progresi i jobesimtarëve, në dashamirësi apo vetë kontroll. Satani do t’u tregojë të gjithë llojet e njerëzve që jetojnë mirë me nder e të bindur ndaj ligjeve dhe do t’u thotë besimtarëve se besimi i tyre nuk ndryshon aspak nga mirësia e njerëzve që nuk janë besimtarë.

Kur Satani thotë kështu, besimtarët duhet të kujtojnë se Perëndia punon në jetën e njerëzve në dy mënyra kryesore. Ai u jep bekime të gjithë njerëzve, dhe u jep bekime të veçanta njerëzve të Tij të zgjedhur. Besimtarët nuk duhet të mendojnë kurrë se bekimet që Perëndia u jep të gjithë llojeve të njerëzve janë bekimet e veçanta që Ai u jep besimtarëve të krishterë. Të bësh dallimin midis tyre nuk është e lehtë, sepse disa nga bekimet që Perëndia u jep jobesimtarëve ngjasin shumë me ato që u jep besimtarëve të vërtetë. Për shembull, shumë jobesimtarë dinë shumë për besimin e krishterë. Ata e njohin Biblën dhe e kuptojnë mësimin e krishterë. Megjithatë kjo nuk i bën të jenë besimtarë të vërtetë. Shumë jobesimtarë bëjnë jetë të mirë, me dobi dhe të përulur ndaj ligjeve ashtu siç bëjnë edhe besimtarët e vërtetë. Por kjo nuk do të thotë se besimtarët janë njësoj si jobesimtarët e mirë të dobishëm që u nënshtrohen ligjeve.

Ka ndryshime të vërteta midis bekimeve shpirtërore që kanë besimtarët dhe atyre që kanë jobesimtarët. Jeta e re prej Perëndisë që e kanë besimtarët është shumë e ndryshme nga jeta e jobesimtarëve. Për shembull, besimtari kthehet në njeri i ri i cili tregon diçka nga lavdia e Perëndisë në jetën e tij të përditshme. Botëkuptimi, ndjenjat dhe veprimet e besimtarit - kanë ndryshuar, janë pastruar dhe rinuar. Nga ana tjetër jobesimtari nuk ka ndryshuar kështu: bekimet e Perëndisë për jobesimtarët janë më të kufizuara. Po; Perëndia i bekon jobesimtarët – por vetëm për të kufizuar dhe për të kontrolluar pasojet e mëkateve të tyre. Veçse ky nuk është një ndryshim të brendshëm.

Së dyti, kur Perëndia vepron në jetën e besimtarëve, Ai u jep atyre një interes të thellë personal për realitetet shpirtërore: në Zotin, në Jezu Krishtin, në premtimet e në mbretërinë e Tij në qiell. Njerëzit që nuk janë të bekuar në këtë mënyrë mund të dinë për mësimet e krishtere, për Biblën apo për shërbesat në kishë, por ata nuk duan të njohin Perëndinë e të gëzojnë bekimet e Tij.

Dhe përsëri, kur Perëndia vepron vërtet në jetën e njerëzve, ata fitojnë kënaqësi duke e kënaqur Atë: ata luten, lexojnë Biblën ose takojnë besimtarë të tjerë me gëzim të vërtetë. Ja mënyra se si psalmisti e përshkruan një njeri të lumtur: “Lumturia e tij është në Ligjin e Zotit” (Psalmi 1:2). Por ata që e quajnë veten besimtarë, por që Perëndia nuk i ka ndryshuar që t’i bëjë njerëzit e Tij, nuk e kanë këtë lloj gëzimi. Ata nuk pëlqejnë t’i shërbejnë Perëndisë, por mendojnë se kjo gjë do të ishte e mërzitshme dhe plot shqetësime.

Kur Perëndia e bekon dikë me mënyrën e veçantë siç bën për të krishterët e vërtetë, ai person duhet të jetë i kujdesshëm për mënyrën e jetesës. Jeta e Perëndisë në besimtarë i bën ata ta vëzhgojnë veten me kujdes. Kurse njerëzit që janë të krishterë vetëm me emër, pa pasur përbrenda jetën e Perëndisë, zakonisht kritikojnë më shumë të tjerët sesa vetveten.

Njerëzit që janë të bekuar prej Perëndisë, me jetën e Tij të re, dëshirojnë vazhdimisht të pastrohen, pa marrë parasysh se sa e vështirë mund të jetë. Njerëzit që vetëm quhen të krishterë, pa bekimin e shpëtimit të Perëndisë, nuk vazhdojnë në pastërti kur jeta e tyre fillon të vështirësohet. Jezui foli njerëz të tillë në shëmbëlltyrën e tij tek Mateu 13:20,21. Fara e mbjellë në zallishtë është për personin që e dëgjon lajmin e mirë dhe menjëherë e pranon me gëzim, por kur vjen ndonjë vështirësi ose persekutim menjëherë heq dorë nga besimi. Siç e shikoni pra, një besimtar i vërtetë e sheh më me vlerë të pasojë Krishtin, sesa të shijojë kënaqësitë e kësaj jete, pavarësisht nga vështirësitë.

Përsëri njerëzit e bekuar me jetën e vetë Perëndisë dëshirojnë të bëjnë gjëra shpirtërore për arsye shpirtërore. Ata dëshirojnë t’i luten Perëndisë, të punojnë për të e ta dëgjojnë Atë - ta shfaqin gjithë dashurinë për Perëndinë, sepse e dinë se është mirë ta kënaqësh Atë. Në qoftë se një i vetëquajtur i krishterë lutet, ose punon shumë, kjo ndodh sepse ai dëshiron që njerëzit e tjerë të mendojnë mirë për të. Ai nuk është i interesuar të kënaqë Perëndinë.

Personi të cilin Perëndia e bekon me jetën e Tij të re dëshiron të braktisë krejtësisht mëkatin dhe t’u bindet të gjitha porosive të Perëndisë. Ai është si Kalebi për të cilin Perëndia tha: “Ai vjen pas meje me gjithë zemër?” (Numrat 14:24). Njerëzit që veprojnë si të krishterë por nuk janë besimtarë të vërtetë, i shkojnë Perëndisë pas me gjysmë-zemër dhe vetëm kur kënaqen vetë.

Por mbi çdo gjë tjetër, njerëzit që janë të bekuar me dashurinë dhe mëshirën e veçantë të Perëndisë mendojnë për Jezu Krishtin si më i madhi nga të gjitha bekimet. Njerëzit që duken sikur të jenë të krishterë por nuk janë besimtarë të vërtetë, mendojnë shumë për çmimin dhe vlerësimin që marrin, si dhe me të gjitha përfitimet e tjera që mund të dalin përpara gjatë të vepruarit si të krishterë. Por ata nuk e çmojnë Zotin Jezu Krisht mbi të gjitha gjërat e tjera. Kurse nga ana tjetër, të krishterët e vërtetë janë si Simon Pjetri. Ata thonë: “O Zot, te kush tjetër mund të shkojmë? Fjalët e tua sjellin jetën e përjetshme. Besojmë dhe e dimë se ti je i Dërguara i Perëndisë” (Gjoni 6:68).

A e doni ju Zotin Jezu Krisht më shumë se çdo gjë tjetër? Në qoftë se po, Satani e ka gabim t’ju thotë se jeta juaj e krishtere është e gënjeshtër dhe joreale.

Dhe më pas vjen gënjeshtra e dytë e Satanit – që thotë se jobesimtarët luftojnë kundër mëkatit njësoj si besimtarët. Në qoftë se njerëzit e zakonshëm jobesimtarë luftojnë kundër mëkatit, a i bën krishterimi besimtarët vërtet të ndryshëm?

Besimtarët e krishterë janë krejtësisht kundër mëkatit. Mendja, vullneti dhe ndjenjat e tyre janë kundër mëkatit. Kjo nuk është e vërtetë me jobesimtarin. Për shembull, mendja e jobesimtarit mund të jetë kundër mëkatit të krenarisë – ata mund të mendojnë dhe thonë se krenaria është gabim. Megjithatë ata mundet përsëri të ndihen krenarë në vetvete. Besimtarët nga ana tjetër, janë krejtësisht kundër mëkatit: kundër krenarisë në vetvete si dhe tek të tjerët. Kështu që besimtarët dëshirojnë ta luftojnë mëkatin në çdo mënyrë; dhe asnjë jobesimtar nuk e bën këtë.

Besimtarët dëshirojnë të luftojnë të gjitha llojet e mëkateve; jobesimtarët luftojnë vetëm kundër disa mëkateve – zakonisht atyre që mund t’i shohë kushdo. Besimtarët dëshirojnë ta luftojnë mëkatin për arsye shpirtërore: sepse e duan Perëndinë, sepse Krishti vdiq për t’i shpëtuar dhe sepse Shpirti i Shenjtë po i ndryshon. Besimtarët e luftojnë mëkatin gjatë gjithë kohës; jobesimtarët e luftojnë mëkatin sipas rastit, dhe më pas bëjnë paqe me të. Besimtarët përparojnë ndërsa fuftojnë kundër mëkatit; mëkati i mposht jobesimtarët gjithmonë e më tepër, bile edhe kur ata e luftojnë. Kështu pra, ka një ndryshim të madh midis luftes që i bëjnë besimtarët mëkatit dhe asaj që i bëjnë jobesimtarët. Besimtarët duhet ta luftojnë mëkatin deri në fund te jetës. Dhe nuk duhet ta besojnë Satanin kur u thotë se lufta e tyre nuk ka ndryshim nga lufta e jobesimtarëve.