Hyrje
Postuar tek: Kujdes Me BiblënKohët e fundit, midis studiuesve dhe shkrimtarëve të krishterë ka patur një debat. Ai ka arritur të njihet (pas titullit të publikimit amerikan i cili sinjalizoi raundin e parë të diskutimit) si ‘beteja për Biblën’. Në të vërtetë, ai nuk është një debat i ri. Shumë prej argumenteve të tij janë dëgjuar dhe përdorur që më parë. Por, deri tani, kjo është një betejë e zhvilluar nga studiuesit, dhe jo nga të krishterët e thjeshtë. Nuk është qëllimi i këtij libri të diskutojë atë betejë!
Në vend të kësaj, këto faqe janë shkruar mbi bindjen se po luftohet një tjetër ‘betejë për Biblën’. Kjo betejë tjetër luftohet ditë për ditë në jetën e çdo të krishteri. është beteja e leximit, kuptimit, dhe vënies në praktikë të mesazhit të Biblës. Në fakt, në shumë mënyra kjo është një betejë shumë më e gjerë se tjetra, sepse ajo përfshin të krishterët e shumë sfondeve dhe pikëpamjeve të ndryshme. Ajo të përfshin ty dhe mua. Dhe sigurisht, ajo është një betejë e lashtë.
Disa prej atyre që argumentojnë për pagabueshmërinë e fjalës së Perëndisë vënë në dukje prototipin e debatit të tyre, i cili mund të gjendet në kapitujt e parë të librit të Zanafillës. Atje, Satani tha: ‘Me siguri Perëndia nuk tha kështu!’ ‘Pse, me të vërtetë i besoni fjalës së Perëndisë?’
Por veprimi në atë konfliktin e parë nuk kufizohej vetëm në autoritetin e fjalës së Perëndisë. Në një mënyrë të hollë, ai ishte edhe rreth asaj se çfarë kishte thënë Perëndia, se si duhej të interpretohej ajo (‘Ju nuk keni për të “vdekur” në atë kuptim’ tha Satani), dhe nëse do t’i bindej asaj apo jo. Pikërisht, kjo është beteja të cilën duhet ta luftojnë dita-ditës shumica prej nesh që janë të krishterë të zakonshëm. Duhet që të lëshojmë vend në jetën tonë për të dëgjuar se çfarë po thotë Perëndia nëpërmjet fjalës së Tij; nuk është gjithmonë e lehtë që ta kuptojmë në mënyrë të drejtë atë që shkruhet në Shkrim; gjithmonë përballemi me sfidën se si ta interpretojmë për situatën tonë mësimin e dhënë njerëzve kaq shumë kohë më parë. Dhe pastaj, është dhe çështja e fundit: si mund ta ndjek këtë mësim me një bindje praktike në vetë jetën time?
Kjo është beteja në të cilën duhet të rrëfej se e gjej veten duke luftuar. Ajo është pjesë e betejës në jetën e krishterë në përgjithësi, dhe kështu unë parashikoj se do të vazhdoj të luftoj deri në fund të jetës sime. Jo gjithmonë kam dalë me sukses në të: në të vërtetë, në njëfarë mënyre shoh se lufta bëhet më e ashpër tani që jam më i rritur.
Biblën kam filluar ta lexoj që kur kam qenë i vogël. Që kur isha nëntë vjeç unë fillova të ndjek Lidhjen e Shkrimit (Scripture Union) dhe fillova të lexoj përditë nga një pjesë të fjalës së Perëndisë, duke u lutur që Ai të m’i hapte sytë për të zbuluar gjërat e mrekullueshme në të. Mendoj se e gjeja më të lehtë atëherë për të bërë kohë, dhe për të marrë kohë për të lexuar dhe përvetësuar përbrenda mesazhin e fjalës së Perëndisë. Shpesh kam menduar se jam ushqyer me kapitalin që kam qenë i mundur ta investoj atëherë. Tani, jeta është e mbushur me detyra dhe përgjegjësi; koha duket të zhduket me një shpejtësi alarmante. Gjithnjë e më tepër e shoh se koha duhet shfrytëzuar (Ef. 5:16). Por kjo është e vërtetë për shumicën prej nesh. Është kjo përvojë e ndarë midis nesh e cila u bë një nga motivimet e mia kryesore për shkrimin e këtij libri. Shpresoj se ai nuk do t’ju inkurajojë vetëm që ju të kushtoni më shumë kohë dhe energji në studimin e fjalës së Perëndisë, por edhe për t’ju shpëtuar nga shumë qorrsokakë në të cilët vërdallosen shpesh lexuesit e Biblës.
Përkrah shumë librave të vyer që po shkruhen sot për autoritetin dhe frymëzimin e Biblës, ka vend edhe për një libër tjetër që është ndoshta pak më shumë praktik. Unë besoj këtë për këtë arsye: tjetër është të thuash se Bibla është fjala e e pagabueshme e Perëndisë, dhe tjetër është të jetosh nën dritën e këtij besimi; ta kuptosh Biblën siç duhet në mendje dhe t’i bindesh asaj plotësisht në jetën tonë. është tmerrësisht e mundur që të pretendosh me zë të lartë për autoritetin e Shkrimit, por të jetosh një jetë dhe të shfaqësh një shpirt që tregojnë pak për hirin e asaj Fryme që është Autori i Shkrimit.
Është e mundur që dy njerëz të bien dakord që Shkrimi është fjala e pagabueshme e Perëndisë, dhe megjithatë, ngaqë njëri (ose të dy) e interpretojnë Shkrimin në mënyrë të gabuar, të lexojnë praktikisht dy libra të ndryshëm. Por nëse ne nuk e trajtojmë siç duhet fjalën e Perëndisë, dhe nuk e kuptojmë dhe nuk e zbatojmë siç duhet, rrëfimi ynë i pagabueshmërisë së saj nuk ka për të ndikuar me të vërtetë në jetën tonë. Ngaqë Bibla na thotë “Trajtomë siç duhet” siç na thotë dhe “Besomë plotësisht”, unë jam përpjekur të shkruaj një hyrje për Biblën në kapitujt që vijojnë, e cila do t’u vijë në ndihmë atyre që kanë filluar ta lexojnë vetë Biblën dhe t’i shpëtojë ata prej disa grackave; dhe e cila gjithashtu do të veprojë, siç shpresoj, edhe si një gardh dhe rrjetë sigurie për ata që kanë shkuar më tej në rrugë, duke i mbajtur ata në rrugën mbi të cilën shkëlqen si një dritë e lavdishme Fjala e Perëndisë.
I jam mirënjohës Toni Kollins-it (Tony Collins), dikur i shtëpisë botuese Hodder & Stoughton, për shtysën që më dha për të shkruar këtë libër. Forma që ka marrë ai tani ishte sugjerim i tij dhe unë e kam vlerësuar interesin e tij në zhvillimin e tij. I jam gjithashtu mirënjohës shokut tim shumë të mirë Rev. Uilliam Dunlop i kishës së Sh. Xhorxh-Tron (St. George’s-Tron Church) në Glasgou për leximin dhe diskutimin e dorëshkrimit tim me mua. Është e panevojshme të thuhet se asnjë prej këtyre dy shokëve të mi nuk mund të mbahet përgjegjës për përmbajtjen! Si gjithmonë, unë dua t’i shpreh vlerësimin tim familjes sime për inkurajimin e tyre dhe miqësinë e dashur që e bën të mundur shkruajtjen e një libri!
SINCLAIR B. FERGUSON
Glasgou
Tetor 1981