jump to navigation

3. A është Kjo Fjala e Perëndisë?

Postuar tek: Kujdes Me Biblën më: 03, 11, 2010

Nëse dikush do t’ju pyeste: ‘Nga e di ti se Bibla është me të vërtetë fjala e Perëndisë?’ si do t’i përgjigjeshit?

Mesazhi që Pali u solli Thesalonikasve u pranua jo si fjalë njerëzish, por, sikurse është me të vërtetë, si fjalë Perëndie, që vepron ndër ju që besoni (1 Thes. 2:13). Por nga e dinte ai këtë? Si mund ta gjejmë këtë lloj sigurie për Biblën?

Ne arrijmë në përfundimin se Dhiata e Vjetër dhe e Re përmban fjalët autentike të Perëndisë për ne pikë së pari nga pohimet që bëjnë ato, dhe së dyti nga efektet që ato prodhojnë.

Pohimet e Biblës

Bibla nuk është vetëm një përmbledhje vëllimesh, të shkruara në kohë të ndryshme dhe të mbledhura gjatë shumë shekujve, por ajo është edhe një libër i vetëm me një temë të madhe qendrore që rrjedh nëpër të. Kjo është ajo që e bën Biblën unikale - nga njëra anë ajo është shumë libra, nga ana tjetër ajo është një vepër e vetme. A ka ndonjë arsye për këtë paradoks? Pa dyshim që ka! Bibla është shkruar nga shumë njerëz në kohë të ndryshme. Por në analizën përfundimtare ajo ka vetëm një burim, dhe një autor - vetë Perëndinë.

Ky nuk është thjesht një interpretim i kishës për Biblën. Por ajo është vetë pikëpamja e Biblës për veten. Nganjëherë sugjerohet se, meqë kisha ‘e përpiloi’ Shkrimin, është e pamundur të flitet për ‘pikëpamjen e Biblës për veten’. Por bibla flet për veten: Ajo flet në mënyrë të vetëdijshme për natyrën e saj. Siç e kemi parë tashmë (në 2 Pjetrin) ajo e bën këtë duke patur parasysh se në ditët e apostujve vetë Bibla po rritej dhe po plotësohej.

Letra drejtuar Hebrenjve e ka kështu: Perëndia, mbasi u foli së lashti shumë herë dhe në shumë mënyra etërve me anë të profetëve, së fundi, këto ditë na ka folur më anë të Birit. (Heb. 1:1,2) Ja pikëpamja e Dhiatës së Re për llojllojshmërinë e zbulesës në Dhiatën e Vjetër, si dhe theksi i fortë mbi faktin se është Perëndia ai që ka folur përmes këtyre kanaleve të ndryshme. Ngaqë autori është një, Bibla e përfunduar transmeton një sens të madh uniteti dhe harmonie.

Pali e shpreh pozicionin me këto fjalë: I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia (2 Tim. 3:16). Ai do të thotë se çdo pjesë shkrimi që ka karakterin e ‘Shkrimit’ ka edhe ai këtë veçori të Shkrimeve të Dhiatës së Vjetër - Shkrimet e shenjta të cilat Timoteu i njihte qysh femijë (2 Tim. 3:14,15) - ato ishin frymëzuar nga vetë Perëndia.

Në mënyrë të ngjashme, shkruesit e Ungjijve besuan (ashtu si dhe Gjoni) se ata po i shtonin asaj ‘që është shkruar’. Shkruesit e Dhiatës së Re ishin plotësisht të dijshëm se ata po i kalonin kishës një mesazh të autoritetshëm. Zbulojmë se edhe për ta Bibla nuk ishte një seri librash të izoluar, por një përpilim literature përmes të cilit Perëndia po i jepte popullit të tij një mesazh të madh të vetëm.

Kur Jezusi i mësoi dishepujt e tij për Shkrimet, ai vuri firmën e tij mbi Dhiatën e Vjetër si fjala e Perëndisë. Për të, Shkrimi nuk mund të binte poshtë, sepse ai ishte zëdhënësi i Perëndisë. Prandaj, dhe kur dishepulli e merr mësimin e Jezusit seriozisht, ai shtyhet drejt përfundimit se Shkrimi është fjala e Perëndisë. Konkluzioni logjik i çdo interpretimi tjetër është se pikëvështrimi i Jezusit për Biblën (dhe si rrjedhim, dhe vetë Jezusi) është i pabesueshëm dhe i mangët.

Përveç kësaj, kur Jezusi i veçoi dishepujt e tij të veçantë për shërbimin e të qenit apostuj të tij, shtimi ndaj Shkrimeve tashmë ekzistuese ishte një nga detyrat parësore që u dha atyre. Fryma e Shenjtë u ishte dhënë atyre për t’i ndihmuar që ata të shkruanin Shkrimin (krah. Gjoni 14:25,26; 16:12-15). Ata u dërguan në botë për të mësuar gjithçka që vetë Jezusi u kishte mësuar (Mat. 28:18-20). Gjithë këtë ne e kemi vënë re më lart.

Nëse ka patur një kohë të veçantë gjatë shërbimit të Zotit tonë kur kishte më shumë të ngjarë se do të dilnin në pah bindjet e tij më të thella për Biblën, ka qenë kur ai u përballua me trysninë e jashtëzakonshme të Gjetsemanit dhe Kalvarit. Por është pikërisht atëherë që ne e shohim atë ta pranojë autoritetin përfundimtar të Shkrimit në vetë jetën e tij.

Pse duhet të vdesë? SIKURSE ËSHTË SHKRUAR PËR TË, Biri i njeriut pa tjetër shkon. (Mat. 26:24)

Pse duhet të tradhtohet? DUHET TË PËRMBUSHET KY SHKRIM: “Ai që ha bukën me mua, ka ngritur thembrën kundër meje.” (Gjoni 13:18)

Pse duhet të braktiset? SEPSE ËSHTË SHKRUAR: “Do ta godas Bariun dhe delet do të shpërndahen.” (Marku 14:27)

Pse duhet të urrehet aq shumë? Që Të PËRMBUSHET FJALA E SHKRUAR NË LIGJIN E TYRE: “Më kanë urryer pa shkak.” (Gjoni 15:25)

Pse nuk e përdor pushtetin e tij për t’i shpëtuar kryqit? PO ATËHERË, SI DO Të PËRMBUSHESHIN SHKRIMET, sipas të cilave duhet të ndodhte kështu? (Mat. 26:54)

Këto fjalë pasqyrojnë bindjet më të thella të Jezusit. Dishepulli i krishterë mund të jetë i sigurt se Zoti i tij i konsideroi Shkrimet si fjala e frymëzuar dhe e pacënueshme e Perëndisë. Ajo që thoshin ato ishte ajo që tha Perëndia. Pavarësisht nga prirjet e tij personale (dhe thirrja e tij në Gjetsemani, Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë, tregon se ku qëndronin dëshirat e tij natyrale njerëzore), ai pa drejt Shkrimit për të zbuluar vullnetin e Perëndisë. Prandaj dhe ai iu nënshtrua përulësisht atij.

Kur Krishti i takoi dy dishepujt në rrugën për në Emaus ai i drejtoi ata tek Shkrimi si interpretimi i autoritetshëm i Perëndisë për jetën, vdekjen dhe ringjalljen e tij. Ai nuk tha: ‘Harrojeni studimin e Biblës tani që u ngjalla!’ Përkundrazi, ai theksoi autoritetin e fjalës së Perëndisë. Ai i inkurajoi ata për të kuptuar dhe besuar dëshminë e saj, ndonëse ata nuk e kishin kuptuar ende prezencën e tij me ta. A nuk është domethënëse që pasi Jezusi ua shpjegoi atyre mesazhin e Biblës ata filluan ta kuptonin kush ishte ai?

Ne e dimë se Bibla është fjala e Perëndisë. Ajo pohon se është e tillë. Jezusi besonte se ajo ishte e tillë. Ne duhet të shkojmë tani një hap me tej dhe të pyesim, Çfarë efektesh prodhon Bibla të cilat na udhëheqin për të besuar dëshminë që ajo jep për veten?

Efektet e Biblës

Bibla është një libër i mrekullueshëm. Mund të ketë patur një kohë, kohët e fundit, kur libri Mendimet e Kryetarit Mao kishte më shumë kopje të shitura sesa Versioni i Autorizuar (një nga përkthimet e Biblës në gjuhën angleze). Por sa jetëshkurtër që janë best-sellerët e tjerë! Bibla i ka qëndruar dhe rezistuar provës së kohës. Njëra arsye është se ajo është një literaturë e madhe. Ka patur një kohë kur të krishterët i vinin shumë rëndësi kësaj:

Lexo Demostenin apo Ciceronin; lexo Platonin, Aristotelin dhe të tjerët e kësaj kategorie. Ata, e pranoj, që do t’ju joshin, gëzojnë, mallëngjejnë, magjepsin në masë të mrekullueshme. Por çohuni tani prej tyre drejt këtij leximi të shenjtë. Atëherë, pavarësisht nga vetja jote, ai do të të prekë kaq shumë, do të ta përshkojë kaq shumë zemrën, do të ngjitet kaq shumë në palcën tënde, saqë krahasuar me përshtypjen e tij të thellë, forca shprehëse e këtyre oratorëve dhe filozofëve do të zhduket pothuajse fare. Si rrjedhojë është e lehtë të shihet se Shkrimet e Shenjta, që i kalojnë kaq shumë të gjitha dhuntitë dhe hiret e përpjekjes njerëzore, lëshojnë si kundërmim diçka hyjnore.

(Zhan Kalvin, Institutet I.viii.1)

Për shumicën prej nesh, që nuk na duket se Aristoteli ‘na magjeps’, e gjithë kjo mund të na duket pak e tepruar! Por rëndësia e asaj që tha Kalvini qëndron gjithsesi. Ka diçka unikale në Bibël. Të paktë janë njerëzit që e lexojnë atë me një mendje të hapur dhe nuk e njohin madhështinë dhe pushtetin e saj. Por, megjithatë, efektet e Biblës tek ne janë më tepër se kaq.

Kur dy dishepujt që Jezusi i takoi në rrugën për në Emaus shprehën përjetimin e tyre pas ndarjes së tij prej tyre, ata ranë dakord për një gjë: kur Jezusi po u shpjegonte atyre mesazhin e Dhiatës së Vjetër zemrat e tyre filluan t’u digjeshin. Ata ndjenë atë që ndjeu më vonë edhe Xhon Uezli në takimin e tij me Krishtin në Aldersgate Street, Londër. Edhe atij ‘iu ngroh në mënyrë të çuditshme’ zemra. është përfundimisht ky efekt i Biblës që na bind për të vërtetën dhe fuqinë e saj.

Teologët e quajnë këtë përjetim ‘dëshmia e Frymës së Shenjtë’. Quhet kështu sepse kaq shpesh ajo shoqërohet me dëshminë e Frymës se ne jemi fëmijët e Perëndisë (Rom. 8:15).

Këto dy gjëra shkojnë shpesh (megjithëse jo gjithmonë) dorë më dorë - zbulimi se Bibla është fjala e gjallë e Perëndisë, dhe zbulimi se nëpërmjet besimit në Krishtin unë jam tani një fëmijë i vërtetë i Perëndisë, i lindur prej vdekjes shpirtërore në jetën e përjetshme. Abraham Kajper, një teolog i cili më vonë u bë kryeministër i Hollandës, ishte tashmë një shërbyes i ri i Fjalës kur e përjetoi këtë gjë vetë. Ai e përshkroi se çfarë ndodh:

Dalëngadalë, perdja shtyhet mënjanë. Syri kthehet drejt dritës Hyjnore që shkëlqen nga Shkrimi, dhe tani uni ynë i brendshëm vështron superioritetin që i imponohet. Ne e shohim atë si një i lindur i verbër, i cili sapo shërohet shikon bukurinë e ngjyrave, apo si një i shurdhër, dëgjimi i të cilit sapo rimëkëmbet, kap meloditë që vijnë nga bota e tingujve, dhe gëzohet në to me gjithë shpirtin e tij.

(Parimet e Teologjisë së Shenjtë fq 558)

Kjo është ajo që ndodhi në Veprat e Apostujve, kur Ungjilli u përhap përtej kufijve të çifutëve.

Imagjinoni zyrtarin e lartë të mbretëreshës Kandace i cili kishte udhëtuar për në Jezuralem për të kërkuar Perëndinë, dhe po kthehej duke patur me vete një pjesë të blerë të profecisë së Isaias. Shiheni atë në karrocën e tij lëkundëse, duke e mbajtur fort rrotullën që të mos lëvizë ndërsa lexon në Isaian 53 për qengjin që shpihet në thertore, dhe megjithatë, është i plagosur, i goditur dhe i ndëshkuar për mëkatet e të tjerëve. Ky përshkrim e bën fuqimisht të mendohet; megjithatë kjo është gjithashtu e habitshme dhe misterioze. Por atëherë, një zë pranë karrocës e pyet: A e kupton atë që po lexon? është Filip ungjilltari. Perëndia e ka dërguar atë te ky kërkues i së vërtetës. E si do të mundja përgjigjet etiopasi, po s’pata një që të më udhëzojë? (shih Vep. 8:26-40). Këtë gjë e bën Filipi, dhe njeriu bindet se rrotulla në dorën e tij është fjala e Perëndisë.

Nganjëherë Perëndia u dërgon një Filip atyre që kërkojnë ta kuptojnë fjalën e tij. Herë të tjera ai ua hap atyre zemrën dhe sytë pa përdorimin e asnjë faktori njerëzor. Shumë të krishterë, kur pyeten se si u bënë të krishterë, se ku ishin ata kur zemrat e tyre filluan t’u digjeshin përbrenda, apo kush i ndihmoi për të filluar që të ndiqnin Krishtin, do të thonë: ‘Kam qenë vetëm, duke lexuar Biblën, dhe gjithçka filloi të futej në vendin e duhur. Kuptova, dhe besova.’

Unë kam qenë duke e lexuar Biblën për disa vjet përpara se të isha në gjendje të thoja këtë. Fillova ta lexoja që kur isha në fillore, duke menduar se të lexuarit e Biblës dhe të qenit i krishterë ishin e njëjta gjë. Më kujtohet akoma habia që më dhanë fjalët e Jezusit: Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua. Por ju nuk doni të vini tek unë që të keni jetën (Gjoni 5:39,40). Në atë kohë m’u duk sikur këto fjalë qenë folur duke synuar jetën time, dhe konfuzionin tim. Unë po i kërkoja Shkrimet, por nuk po vija për të kërkuar Krishtin. Që prej asaj kohe unë kërkova atë, derisa e gjeta. Tani që shoh pas mund të kuptoj se Krishti që gjeta pak kohë më vonë ishte Krishti që me kishte gjetur mua nëpërmjet fjalës së tij, kur unë po mendohesha për domethënien e Gjonit 5.

Kur ishte në Thesalonik, Pali e pa këtë gjë të ndodhte në një shkallë të gjerë. Reagimi ndaj shërbimit të tij të fjalës së Perëndisë ishte një pranim i zërit të Perëndisë që fliste nëpërmjet fjalëve të tij (1 Thes. 2:13). Kjo ishte një përsëritje e premtimit të Jezusit se kur ai i thërriste delet e tij ato do t’ia njihnin zërin dhe do ta ndiqnin (Gjoni 10:4,16).

I njëjti përjetim është përsëritur në jetë të panumërta, qofshin këto të shquara apo të përulura. Ja si u çlirua Augustini, në moshën tridhjetë e dy vjeçare, nga zinxhirët e mëkatit dhe ndarjes së tij nga Perëndia. Ky është një shembull tjetër i dëshmisë së Frymës së Shenjtë. Ai na bind për autoritetin e Biblës si fjala e Perëndisë nëpërmjet mënyrës që ai e përdor atë dhe efektet që prodhon prej saj:

Dërgova lart këto fjalë të trishtueshme: Sa gjatë, sa gjatë, ‘nesër dhe nesër?’ Pse jo tani? Pse të mos jetë këtë orë fundi i papastërtisë sime?

Kështu po flisja, dhe po vajtoja në pendimin më të hidhur të zemrës sime, kur ja! Dëgjova nga shtëpia fqinje një zë, djali a vajze, nuk e di, duke kënduar dhe përsëritur vazhdimisht, ‘Merr dhe lexo; Merr dhe lexo.’ Menjëherë çehrja ime ndryshoi dhe fillova të mendoja shumë ngultazi, nëse fëmijët e kishin zakon të thoshin këso fjalësh në çfarëdolloj loje: dhe as nuk më kujtohej t’i kisha dëgjuar ndonjëherë të tilla. Kështu duke pushuar rrëkenë e lotëve të mia, u çova; duke e interpretuar atë si asgjë tjetër veç një urdhërimi të Perëndisë, që të hapja librin (Biblën), dhe të lexoja kapitullin e parë që do të gjeja…. Me padurim u ktheva atëherë te vendi ku ishte ulur Alipi; sepse atje e kisha vendosur vëllimin e apostullit kur isha çuar prej andej. E kapa, e hapa, dhe në qetësi lexova atë pjesë ku ranë sytë e mi që në fillim: Jo në orgji dhe në dehje, jo në imoralitet dhe sensualizëm, jo në grindje e në smirë. Por vishuni me Zotin Jezu Krisht dhe mos tregoni kujdes për mishin, që t’ia kënaqni lakmitë. (Rom. 13:13,14)

Nuk mund të lexoja më; dhe as nuk kisha nevojë për më tepër: sepse menjëherë në fund të kësaj fjalie, e gjithë errësira e dyshimit u zhduk plotësisht nga një dritë paqeje që më hyri në zemër….

Që aty shkuam tek nëna ime [e cila kishte qenë duke u lutur me zjarr për kthimin e tij për shumë vjet], dhe ia thamë. Ajo u gëzua… kërceu nga gëzimi, dhe dukej triumfuese, dhe të bekoi Ty, që je i aftë të bësh më shumë se sa mund të kërkojmë apo mendojmë; sepse ajo pa se Ti i kishte dhënë asaj më shumë për mua sesa kishte qenë e aftë të lutej në rënkimet e saj të gjora dhe të mjera. Sepse Ti më ktheve tek vetja Jote….

Dhe Ti ia ktheve vajtimin në valle. (Psalmi 30:11)

(Libri i Rrëfimeve VIII:29-30)

Kjo është logjike, megjithëse jo sipas logjikës së kësaj bote. Në filozofinë e kësaj bote është e domosdoshme që të provohet se diçka është ashtu me anë të argumentit logjik përpara se ajo të pranohet me të vërtetë. Kjo është dhe arsyeja, që kur logjika e kësaj bote i drejtohet Biblës ajo nuk është e aftë as ta provojë dhe as ta përgënjeshtrojë se ajo është fjala e Perëndisë. Tek e fundit, nëse Bibla është fjala e Perëndisë cila do të ishte një provë e mjaftueshme se ajo është e tillë? Një teolog i madh i kishës së hershme na dha një logjikë më të mirë kur tha se ‘vetëm Perëndia është një dëshmitar i përshtatshëm për veten’ (Hilari i Puatierit, Mbi Trininë Libër 1:18).

Ka shumë mënyra me të cilat mund ta rekomandojmë Shkrimin. Jetët tona duhet të tregojnë shenjat e hirit të Perëndisë nëpërmjet studimit të tij. Megjithatë, ndonëse ne mund të jemi në gjendje të shpjegojmë pohimet e vetë Biblës; ndonëse mund të jemi të aftë ta mbrojmë Biblën nga sulmet (edhe pse Ç. H. Spërxhën (Spurgeon) tha se më mirë të mbronte luanin sesa Biblën!) - në fund të fundit ne e dimë se për t’u bindur me të vërtetë se Bibla është fjala e gjallë e Perëndisë të gjallë e që flet për nevojat tona më të thella, duhet që në zemrat tona të punojë Perëndia.

Ne besojmë se Bibla është fjala e Perëndisë, sepse ajo pohon se është e tillë dhe sepse Fryma e Shenjtë, kur lexojmë faqet e saj, na bind nëpërmjet efekteve të saj se ky pohim është i vërtetë. Kjo është dhe arsyeja, që kur ne e shohim se Bibla po sulmohet, dhe përpiqemi ta mbrojmë me gjithë fuqinë tonë, ne kemi bërë vetëm një pjesë të asaj që është e domosdoshme. Për veten tonë, ne duhet t’u kthehemi përsëri faqeve të saj për të dëgjuar ‘zërin e vogël e të qetë’ të Perëndisë në të. Për të tjerët, ne duhet t’i ftojmë që ta lexojnë vetë mesazhin e saj. Vetëm nëse veprojnë kështu, dhe Fryma e Perëndisë të dëshmojë për fuqinë e saj, kanë për të parë se ajo është fjala e Perëndisë të Gjallë. Kur ata dëgjojnë që Perëndia po u flet, çdo gojë duhet të heshtë, dhe e gjithë bota të bëhet e ndërgjegjshme për fajin e saj para Perëndisë (Rom. 3:19). Ai zë që bën të heshtë zërin e tyre do t’i bindë ata përfundimisht se pohimi i Biblës është i vërtetë. Ajo është fjala e Perëndisë.

Share|