jump to navigation

TRE: Të Jetojmë Me Anë Të Biblës

Postuar tek: Kujdes Me Biblën më: 10, 5, 2010

6. Cila është Dobia?

Në Kapitullin Tre vërejtëm se njëra prej gjërave që na bind se Bibla është fjala e Perëndisë është efekti që prodhon ajo. Gjatë leximit të faqeve të saj ne ndërgjegjësohemi se Perëndia i gjallë po na flet përmes saj. Në të gjejmë Krishtin. Në të vërtetë, prandaj dhe e lexojmë. Ne shkojmë tek Bibla ashtu siç shkuan barinjtë te grazhdi, siç i pëlqente Martin Luterit të thoshte - për të gjetur Krishtin. Kurdoherë që e lexojmë atë, dëshira jonë është që ta ndiejmë edhe ne zemrën që na digjet ashtu si dhe dishepujt në rrugën për në Emaus kur filluan të shihnin se si fjala e Perëndisë dëshmon në mënyrë konsistente për Jezusin si Zotin dhe Shpëtimtarin tonë.

Por, nëse Bibla na tregon Krishtin, ajo duhet të ketë efekte shumë rrënjësore dhe të qëndrueshme në jetën tonë të përditshme. Në veçanti, mësimi i saj dhe ndikimi i përgjithshëm i saj, pashmangshmërisht, ka për ta formuar dhe brumosur karakterin tonë. Gjatë gërmimit tonë më në thellësi në mësimin e saj, kemi për të filluar të kuptojmë se ky është një nga qëllimet më të mëdha për të cilat Perëndia na ka dhënë fjalën e tij. Ky fakt nxirret qartë në një nga deklaratat më madhështore të Dhiatës së Re rreth natyrës dhe funksionit të Biblës në jetën e të krishterit:

Por ti qëndro në ato që mësove dhe u binde plotësisht, duke e ditur prej kujt i mësove, dhe se që nga fëmijëria i njeh Shkrimet e Shenjta, të cilat mund të të bëjnë të ditur për shpëtimin me anë të besimit që është në Krishtin Jezus. I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë. (2 Timoteu 3:14-17)

Kjo është një pjesë shumë e rëndësishme dhe e spikatur e Shkrimit, për shumë arsye. Ajo përmban fjalët e fundit të regjistruara të apostullit Pal, dhe si rrjedhojë, ka shumë të ngjarë të jetë një shprehje e disa prej shqetësimeve të tij më të thella. Ajo i është shkruar Timoteut, një të riu (ndoshta rreth të njëzetave të fundit ose tridhjetave të herëta) i cili kishte arritur të ketë rëndësi për Palin më shumë se çdokush tjetër (Fil. 2:19-22). Ai, mbi gjithë të tjerët jashtë grupit të apostujve, duhej të vazhdonte punët e apostullit të fuqishëm. I vendosur në qytetin gëlues të Efesit (1 Tim. 1:3), ai përballonte shumë vështirësi dhe probleme, nga jashtë në paganizmin që e rrethonte, nga brenda në problemet në kishë, dhe me sa duket edhe në jetën e tij. Ai kishte nevojë për këshillimin më të urtë pastoral të Palit.

Pali i tha atij këtë: ‘Besoje fjalën e Perëndisë, sepse ajo ka ardhur prej tij dhe mban autoritetin e tij. Ti e di se ajo të solli te Krishti dhe të mësoi për rrugën e shpëtimit. Ti e ke parë efektin e saj në jetën e të tjerëve - gjyshes sate Loide dhe nënës sate Eunike (2 Tim. 1:5), të cilat të mësuan të vërtetën e saj që kur ishe fëmijë. Ti e ke parë se si ajo ma ka brumosur jetën dhe më ka mbajtur përkundër mundësive më të pashpresa. Të jesh i sigurt se ajo mund të bëjë të njëjtën gjë edhe për ty!’.

Zhan Kalvini shkroi njëherë se ‘Shkrimet marrin autoritet të plotë ndërmjet besimtarëve vetëm kur njerëzit i konsiderojnë ato si të buruara nga qielli, si të dëgjoheshin në to fjalët e gjalla të Perëndisë’ (Institutet, I.vii.1). Timoteu qe i bindur për këtë. Ai kishte faktet në jetën e të tjerëve për ta provuar atë. Por Pali donte ta nxiste edhe me efektin që do të kishin edhe në jetën e tij studimi dhe bindja e tij ndaj fjalës së Perëndisë. Kështu që ai i shtoi thënies së tij për karakterin e frymëzuar prej Perëndisë të Shkrimit një shpjegim së pari të qëllimit dhe së dyti të efektit të Biblës në jetën e të krishterit.

Qëllimi i Biblës

Përshkrimi më i gjallë që dha Pali ndonjëherë për Biblën ishte se ajo është ‘shpata e Frymës’ (Efes. 6:17). Ai e përfytyron Biblën si një mjet, apo armë në dorën e Frymës, si dhe në dorën e të krishterit. Fryma e përdor Biblën për të fituar terren në personalitetin dhe karakterin e besimtarit; për të prerë karakteristikat fyese në jetën tonë; për të vrarë kundërshtimin ndaj mbretërisë së Perëndisë. Në një pasazh tjetër na thuhet se:

Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave, dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës. Dhe nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para tij, por të gjitha janë lakuriq dhe të zbuluara para syve të atij, të cilit ne do t’i japim llogari. (Heb. 4:12-13).

Perëndia përshkruhet në Dhiatën e Re si kardiologu i madh - specialisti suprem i zemrës, si të thuash. Në të vërtetë, fjala që përdor Dhiata e Vjetër shkon më tej; ajo e përshkruan atë jo thjesht si dikë që studion zemrën, por si një që njeh zemrat e njerëzve. Ai nuk është vetëm një kardiolog frymëror, por edhe një kardiognostik [njohës zemre] frymëror! (Shih Vep. 1:24; 15:8.) Ai e përdor fjalën e tij për të nxjerrë në shesh skutat më të thella të jetës dhe personalitetit tonë (deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave), dhe fillon t’i rindërtojë jetët tona sipas Krishtit - nga brenda. Ky shndërrim çuditës fillon të ndodhë kur ne vijmë për ta njohur Perëndinë në fjalën dhe të vërtetën e tij. Përsëri, Pali e përshkruan këtë punë në dy pasazhe të gjalla:

Por kur Izraeli të kthehet te Zoti, veli do të hiqet. Sepse Zoti është Fryma, dhe atje ku është Fryma e Zotit, atje është liria. Dhe ne të gjithë, duke soditur fytyrëzbuluar lavdinë e Zotit si në pasqyrë, transformohemi në të njëjtën shëmbëllim nga lavdia në lavdi, posi prej Frymës së Zotit. (2 Kor. 3:16-18)

Pali po bën këtu një kontrast midis verbërisë shpirtërore të bashkëkohësve të tij dhe shndërrimit që fillon të ndodhë në jetët e atyre të cilët janë bërë të ditur për shpëtimin me anë të besimit që është në Krishtin Jezu (2 Tim. 3:15). Ata shohin Krishtin në Shkrim, dhe me anë të punës së Frymës së Shenjtë jetët e tyre fillojnë të marrin shëmbëllimin e Krishtit - në mënyrë madhështore.

[U mësuat] që të zhvisheni, për sa i takon sjelljes së mëparshme, nga njeriu i vjetër që korruptohet me anë të lakmive të gënjeshtrës, dhe të përtëriteni në frymën e mendjes suaj dhe të visheni me njeriun e ri, të krijuar sipas Perëndisë në drejtësinë dhe shenjtërinë e së vërtetës.

(Efesianët 4:22-24)

Por si ‘u mësuan’ ata për këtë? Si ‘u përtëritën’ ata në qëndrimin e mendjes së tyre? Me anë të doktrinës dhe mësimit të apostujve! Me anë të atij udhëzimi që na është dorëzuar tani në Dhiatën e Re. Kur merret në dorë nga Fryma e Shenjtë, kjo është ajo që çon në shndërrimin e karakterit të krishterë!.

Nëse u kthehemi tani fjalëve inkurajuese të Palit për Timoteun, do të shohim qartë mënyrat me të cilat Perëndia përmbush këtë qëllimin e tij të madh në jetët tona. Ai thotë se fjala e Perëndisë është e dobishme për katër gjëra.

Për Mësim

Është gabim të mendohet se krishterimi ‘kapet, më tepër sesa mësohet’. Vërtet, ne nuk bëhemi të krishterë thjesht duke u mësuar për Ungjillin. Por, është e sigurt që ne bëhemi të krishterë kur mësohemi nga brenda prej Frymës së Shenjtë, dhe kur ‘mësojmë Krishtin’ siç do të thoshin etërit tanë. Ne bëhemi dishepuj të Krishtit nëpërmjet këtij mësimi të brendshëm, apo ‘vajosjeje’ (1 Gjoni 2:20). Ajo është e lidhur ngushtë me mësimin tonë të mesazhit të Biblës. Kur bëhemi të krishterë, ne bëhemi edhe dishepuj, apo nxënës. Jetët tona i vendosim në duart e Krishtit dhe ai na mëson përmes fjalës së tij. Ne nuk bëhemi vetvetiu apo me intuitë njohës të gjithçkaje që ka të bëjë me të qenët i krishterë. Ka shumë gjëra për Ungjillin që nuk mund t’i mësojmë vetëm nëpërmjet eksperiencës. Ne kemi nevojë që fjala e Perëndisë të na mësojë.

Kjo është një arsye se përse, kur lexojmë për Zotin Jezus në Ungjijtë, ai shpesh gjendet duke mësuar të tjerët. Kur njerëzit i adresoheshin atij, ata i drejtoheshin si ‘Mësues’, jo thjesht nga respekti për të, por sepse ai i mësonte rregullisht për Perëndinë dhe njeriun, dhe e bënte këtë (ndryshe nga mësuesit e tyre të zakonshëm) si një që ka autoritet (Mat. 7:29). Shpëtimtari Jezus është gjithashtu edhe Mësuesi Jezus. Ai erdhi për të qenë Prifti dhe Mbreti i popullit të tij, për t’u flijuar për ta dhe për të mbretëruar mbi ta; por ai erdhi gjithashtu edhe si Profeti i tyre, dhe për t’u folur dhe mësuar atyre fjalën dhe të vërtetën e Perëndisë. Prandaj, për këtë arsye një pjesë e madhe e regjistrimit të Ungjillit për jetën e tij merret me atë që ai tha. Ai bëri predikime, tha shëmbëlltyra dhe ua tregoi mënyrën e zbatimit. Ne lexojmë për të se ai hapi gojën dhe i M+SOI… (Mat. 5:2, përkthim i fjalëpërfjalshëm).

Kur lexojmë për suksesin e kishës së hershme dhe ungjillizimin e saj, ne zbulojmë të njëjtin theksim. Apostujt shkuan kudo duke mësuar dhe predikuar. Pali ua përshkruan shërbimin e tij në Efes pleqve të kishës së atjeshme, në lidhje me mësimin e tij publik dhe privat (Vep. 20:20). Në Letrat gjendet vazhdimisht i njëjti theksim (Kol. 1:28). Populli i Perëndisë ka nevojë të mësohet, dhe burimi i mësimit të tyre është Shkrimi i Shenjtë.

Po mirë, do të themi ne, pse është kaq i rëndësishëm ky mësim? Pse kjo thirrje e vazhdueshme drejtuar mendjes së të krishterit? Për këto pyetje ka të paktën tri përgjigje të rëndësishme.

Së pari, Dhiata e Re na thotë, se nga natyra, mendjet tona janë të errësuara dhe është e nevojshme që t’i ndriçojë drita e ungjillit (Gjoni 12:35; Rom. 1:21; Efes. 4:18, 5:8). Kur bëhemi të krishterë, ne hyjmë në dritë dhe fillojmë të ecim në të (Efes. 5:8 e sipër; 1 Gjoni 1:7). Por, sigurisht që dritës së ungjillit i duhet kohë për të depërtuar në jetët tona dhe për të larguar gjithë errësirën. Si të krishterë ne vazhdojmë të kemi mendime për të cilat na vjen turp nga vetja. Ne kemi edhe qëndrime të cilat janë të keqinformuara, të shtrembëruara dhe nganjëherë edhe të mëkatshme. Nganjëherë, fatkeqësisht, e shohim veten në pozitën e hebrenjve të cilët kishin nevojë që t’u mësoheshin përsëri parimet kryesore të fjalës së Perëndisë (Heb. 5:12).

Së dyti, ka kohë kur mendjet tona mashtrohen. Mund të kemi mendime të gabuara për Krishtin, për shembull. Mund të besojmë se disa veprime janë të mëkatshme, kur në fakt, Bibla i cilëson ato si të ligjshme. Mund ta lidhim ndërgjegjen tonë me një lloj veprimi dhe vetëm më vonë të zbulojmë se kryerja e tij tregon një mospërputhje me rrëfimin tonë të Krishtit. Prandaj dhe Dhiata e Re na paralajmëron vazhdimisht për rrezikun e të qenit i mashtruar. Ne mund të mashtrohemi nga pasuritë (Marku 4:19), nga njerëzit (2 Thes. 2:3), nga vetja jonë (1 Kor. 3:18; Jakobi 1:22), nga mëkati (Rom. 7:11; Heb. 3:13), dhe nga Satani (Zbulesa 12:9, 20:3,8,10). Prandaj shkrepet paralajmërimi: mos u mashtroni (Mat. 24:4; 1 Kor. 6:9, 15:33; Efes. 5:6; Gal. 6:7).

Ky paralajmërim është i rëndësishëm. Mëkati nuk do të mund të kishte një hyrje kaq të gatshme në jetën tonë nëse nuk mund të shfaqej i maskuar! Në fund të fundit, ishin kënaqësitë e mëkatit ato, të cilave iu ktheu kurrizin Moisiu (Heb. 11:25), dhe ai ishte i aftë ta bënte këtë sepse e dinte mirë se sa do të zgjasnin ato. Perëndia i kishte mësuar atij se ato ishin kalimtare.

Xhon Ouen, shkrimet masive të të cilit shfaqin një njohuri të psikologjisë së mëkatit e cila nuk është arritur ndoshta kurrë deri tani, e përshkroi aftësinë mashtruese të mëkatit në një mënyrë të pazakonshme por të vërtetë:

Tani mëkati, kur ushtron trysni mbi shpirtin… përdor një mijë e një kurthe për t’ia fshehur atij tmerrin e Zotit, fatin e shkeljeve, dhe veçanërisht të asaj marrëzie të veçantë së cilës ai ia fton mendjen. Për fshehjen e tij kanë për t’u përdorur shpresat e faljes, pendimi i ardhshëm, këmbëngulja e tanishme e epshit, rastet dhe mundësitë, befasia, përligjja e mëkatit, drejtpeshimi i përgjegjësive, vendime të dëshpëruara për të rrezikuar jashtëzakonisht duke hyrë në shijimin e epshit në kënaqësitë dhe përfitimet e tij. Ka një mijë e një kurthe që nuk mund të rrëfehen.

(Veprat VI:249)

Kur jemi nën një presion të tillë (dhe ne të gjithë vihemi në disa prej këtyre presioneve), nuk mund të na mbrojë vetëm thjesht njohuria e Biblës. Por, pa atë njohuri nuk ka për të patur fare mbrojtje. Nëse nuk e përdorim shpatën e Frymës e cila na aftëson për ta demaskuar mashtrueshmërinë e mëkatit, atëherë beteja për t’i shërbyer Krishtit do të humbet pa goditur as dhe një grusht në mbrojtjen tonë. Por nëse kemi mësuar nga mësimi i Shkrimit për t’u ruajtur, për të dalluar të vërtetën nga e rremja, të drejtën nga e gabuara, të mirën nga e keqja, Perëndinë nga Satani, atëherë ne do të mundim të qëndrojmë në ditën e mbrapshtë, dhe në fund të saj të jemi ende në këmbë (Efes. 6:13).

Së treti, mendja është çelësi i jetës së krishterë. Nëse mendjet tona janë të plogështa dhe pa jetë, atëherë jeta jonë si të krishterë ka për të pasqyruar këtë gjë. Nëse mendjet tona janë plot me mendime për Krishtin, atëherë, përkatësisht, jeta jonë do të tregojë se ai është në qendër të vëmendjes sonë dhe se ne jetojmë për të. Por ka vetëm një burim në dispozicionin tonë prej të cilit të mund të marrim informacion për Jezusin. Ka vetëm një libër i cili na mëson në mënyrë të autoritetshme për Jezusin; një libër përmes të cilit ai ka premtuar të flasë me një zë të gjallë. Nëse mendja është ‘çelësi’ i cili hap jetën e krishterë, ai duhet të futet në ‘kyçin’ e Shkrimit. Ai duhet të ‘pritet’ sipas kësaj forme. Ne ngutemi që të kemi të njëjtën mendje që ishte në Krishtin Jezus (Fil. 2:5). Vetëm në Shkrim udhëzohemi për llojin e këtij qëndrimi.

Bindje

Disa të krishterë duket ta përdorin shumë Biblën për bindje [në originalin greqisht, fjala ka kuptimin qortim për bindje] - zakonisht për të qortuar të tjerët! Por, nuk është kjo ajo që Pali ka ndër mend të thotë këtu. Ai po i shpjegon Timoteut se nëpërmjet Shkrimit Perëndia na qorton, ose na gjykon kur kemi nevojë për qortimet e tij!

Bibla jo vetëm që na e udhëzon mendjen; ajo prek ndërgjegjen tonë. Fjala ‘qortim për bindje’ është e njëjta fjalë e cila përshkruan shërbimin e Frymës së Shenjtë në Gjonin 16:8-11. Ai e fajëson, apo e bind botën për mëkatin, për drejtësi dhe gjykim, me qëllim që t’i bëjë njerëzit të ndërgjegjshëm për nevojën e tyre për Krishtin, dhe për Krishtin si plotësimin e nevojës të tyre. Kjo është mënyra sesi Bibla është e aftë të të bëjë të ditur për shpëtimin me anë të besimit që është në Krishtin Jezus (2 Tim. 3:15).

Është një gjë e mrekullueshme të qortohesh prej Perëndisë. Ne e dimë se ai nuk e bën këtë për qejfin e tij. Ai nuk është inatçi, por i shenjtë. Ne e dimë gjithashtu se fjala e tij është e vërtetë, dhe për të mirën tonë. Qortimin tonë në mënyrë publike ai e përdor vetëm si mjetin e fundit. Ai preferon të punojë në mënyrë të fshehtë dhe të qetë, dhe gjithmonë thellë dhe me rrënjë. Prandaj është një privilegj i madh që kemi një Bibël të hapur dhe liri për t’u lutur pa ngacmim. Ne mund t’ia ekspozojmë veten dhimbjes së butë të Qortuesit Hyjnor i cili është gjithashtu edhe Dashuruesi Hyjnor.

Në studimin tonë personal të Biblës, dhe në mënyrën që ne dëgjojmë mësimin e fjalës së Perëndisë, normalisht duhet që të kemi në mendje pyetjen: A ka ndonjë fjalë qortimi për mua në këtë pasazh të Shkrimit? A po prek Perëndia ndonjë zonë të ndjeshme (apo të desensibilizuar) të ndërgjegjes sime, me qëllim që të më kthejë në atë lloj miqësie që kam njohur më parë me të? Prandaj dhe Çarlz Uezli i mësoi Metodistët (dhe të gjithë ndjekësit e Zotit) të luteshin kështu:

Ndërsa lexojmë orakujt e tu tani

Me lutje t’sinqertë e të fortë dëshir’

Fryma jote e Shenjtë le të punojë

Shpirtrat të na i zgjojë e frymëzojë

Hiqe errësirën, dobësinë tonë ndihmo

Dhe në dritë të hirit ti na udhëzo!

Kurdo që të endemi në rrugët e mëkatit

E Zotin e gjallë nga mëkati të harrojmë

Me Fjalën tënde zgjo ndërgjegjen tonë

Bindi dhe ktheji endacakët pas

Të plagosur thellë nga shpata e Frymës

Dhe të shëruar nga balsami i Gileadit më pas.

Ndreqje

Për shumicën e njerëzve idetë që përçojnë fjalët ‘qortoj’ dhe ‘ndreq’ janë shumë të ngjashme. Shpesh ne i përdorim këto fjalë si sinonime. Por shprehjet që përdor Pali përçojnë ide të ndryshme.

Kemi vërejtur se ‘qortoj’ do të thotë bind (për mëkatin), dhe është përdorur në këtë kuptim edhe në pjesët e tjera të Dhiatës së Re. Por fjala ‘ndreq’ është ajo që studiuesit e gramatikës quajnë hapaks legomenon (‘e thënë vetëm një herë’, siç e kishte zakon të thoshte mësuesi im i klasikëve në shkollë): nuk ka shembull tjetër të përdorimit të saj në Dhiatën e Re.

Fjala e Palit është shumë interesante. Ajo është përdorur në versionin greqisht të Shkrimeve të Dhiatës së Vjetër në kuptimin e riparimit të diçkaje që ka nevojë të ndreqet apo rindërtohet. është e njëjta rrënjë greke prej së cilës marrim shprehjet tona ‘ortodontia’ (që ndreq parregullsitë e dhëmbëve), ‘ortopedika’ (që ndreq apo kuron deformimet te fëmijët). Fjala greke është orthos, që do thotë drejt. Kështu, kur flasim për ‘ortodoksinë’ e dikujt ne kuptojmë se pikëpamjet e tij (doksa, një opinion, pikëpamje) janë të rregullta, të drejta. Ndoshta do të bënim mirë të kujtonim përdorimin mjekësor kur mendojmë se Shkrimi na bën ‘ortodoksë’ në këtë kuptim origjinal. Kjo nuk do të thotë se ne jetojmë një jetë e cila lë një shije të keqe në gojën e të tjerëve! Mjerë ne dhe ata nëse është kështu. Por, ajo do të thotë se mendjet tona janë shëruar nga e vërteta e Perëndisë, se doktrina jonë është e ‘qëndrueshme’, pra: e shëndetshme (1Tim. 1:10; 2 Tim. 1:13; Tit. 1:9,13; 2:1,2).

Me fjalë të tjera, vlera e Shkrimit është se ai shëron dhe pastron ndjenjat dhe emocionet tona. Ai e restauron jetën tonë të thyer në një gjendje të shëndetshme shpirtërore dhe vitaliteti. Bibla na fut në formë! Prandaj dhe qëllimi i katërt i saj është ‘edukimi’.

Edukim në Drejtësi

Në jetën e zakonshme ne e sjellim veten në formë duke bërë ushtrime stërvitore; ne duhet të futemi në stërvitje.

Dhe tani, në momentin e shkrimit të këtij libri, unë po përpiqem (përsëri!) ta sjell veten në një formë më të mirë fizike. Pranë meje kam librin e famshëm të Keneth Kuperit (Kenneth Cooper) Aerobia (Kapaku thotë ‘Dy milionë kopje të shtypura!’). Po bëj të pamundurën për të kuptuar se përse trupi im ka nevojë për ushtrime, dhe pastaj me kujdes të vë në praktikë këshillën që jep ai. Ai më tregon se sa i shëndetshëm do të jem - dhe më paralajmëron se sa jo i shëndetshëm mund të jem tani. Ai shpjegon se sa më të forta kanë për të qenë mushkëritë, zemra dhe nervat e mia nëse i nënshtrohem programit të stërvitjes. Dhe tek po bëj këtë, dhe siç më paralajmëroi dhe ai, po shoh se sa jashtë formës jam. Gjatë ndjekjes së ushtrimeve, unë kam ndier më shumë djersitje dhe dhimbje në muskuj sesa e prisja! Por, programi vazhdon, dhe unë e vazhdoj me ngulm. Ushtrimi bëhet më i lehtë, dhe ‘pengesa e dhimbjes’ me sa duket po zhduket. Unë filloj të përpiqem më me lehtësi, dhe t’ia dal të kapërcej pengesa të tjera. Kështu shpresoj se po përfiton e gjithë qenia ime! Motoja është ‘Ushtrohu, në do të jesh i shëndetshëm!’.

Tani, kjo nuk është më pak e vërtetë për jetën në Frymë. Fryma e Perëndisë dëshiron të na sjellë ‘në formë’ nga ana shpirtërore. Më saktë, ai dëshiron të na sjellë ne ‘në formën’ që kishte Krishti. Të gjitha urdhërimet e Perëndisë thonë: ji si Jezusi! E gjithë puna e Perëndisë ka këtë qëllim: të na bëjë si Jezusi. Fjala e Perëndisë është palestra në të cilën ne fillojmë të vihemi në një formë të vërtetë shpirtërore për të shijuar një jetë të plotë si të krishterë. Në 1 Tim. 4:6-8 nënkuptohet kjo gjë. Pali i thotë mikut të tij në moshë të re se ushtrimi trupor ka pak vlerë, por ushtrimi shpirtëror ka përfitime të përhershme. Kështu, thotë ai, ushtrohu në perëndishmëri. Folja që ai përdor ka rreth saj një tingëllim të njohur. Ajo është gymnazo - ‘hyr në gjimnazin e Biblës’ po thotë ai: ‘zhvishu pak për të vepruar’. Futju një programi edukimi!

Ky është një premtim i jashtëzakonshëm, dhe një inkurajim për ne që t’i përkushtohemi studimit të Biblës. Sapo ne të kuptojmë bekimin që ajo na sjell dhe ndikimin që ajo ka për të patur në karakterin dhe jetesën tonë, ne duhet të entuziazmohemi. A nuk duhet të turpërohemi ne kur shohim atletë të të gjitha niveleve të cilët kushtojnë kaq shumë kohë dhe energji për ta sjellë veten në formë për të fituar kurora të prishshme lavdie? Le të edukohemi dhe të stërvitemi për çmimin e paprishshëm. Dhe, ‘Fillo të stërvitesh në fjalë tani,’ i thotë shokut të tij në moshë të re, Timoteut, Pali, ‘përpara se ta humbasësh formën shpirtërore, dhe të mos kesh fuqi të fillosh!’

Qëllimi i fjalës së Perëndisë është të na mësojë, bindë, ndreqë dhe edukojë në rrugën e jetës. Por çfarë efekti ka ajo?

Efekti i Biblës

Para pak vitesh u botua një libër që përmbante mesazhe prej udhëheqësit të madh të krishterë nga Kina Ni To-Sheng (ose siç njihej më shumë Uoçmen Ni). Ai kishte titullin tërheqës Punëtori Normal i Krishterë. Me një fjalë kjo është mënyra që Pali shpjegon studimin e Biblës. Ajo i bën burrat dhe gratë e Perëndisë ‘normalë’. Kjo është në të vërtetë dhe kuptimi i fjalëve tërësisht i pajisur.

Shprehja që përdor Pali vjen nga fjala për plotësi dhe normalitet, ‘gjërat ashtu siç duhet të jenë’. E njëjta rrënjë rishfaqet në Markun 1:19, për të përshkruar dishepujt duke ndrequr apo ‘përgatitur’ rrjetat e tyre - duke qepur vrimat, duke i pastruar dhe palosur për t’i përdorur të nesërmen natën. Përsëri kjo rrënjë përdoret në thënien e Palit që shërbimet e fjalës që Krishti i kishte dhënë kishës kanë synimin e madh të përgatitjes së njerëzve të Perëndisë për punë shërbimi (Efes. 4:12).

Pali do të thotë këtë. Ne vëmë re disa të krishterë, dhe themi me vete: Ç’shembull i përkryer që është filani! Ai është pikërisht ai lloj i krishterë që duhet të jem dhe unë. Por kur shohim Jezusin, ne e kuptojmë se ai është njeriu i vetëm i cili ka qenë me të vërtetë ‘normal’. Në krahasim me të, ne jemi të gjithë jonormalë. Megjithatë Perëndia ka një plan për të na kthyer në normalitetin shpirtëror të Krishtit. Ai na merr ne, me anë të fjalës që na ka dhënë (dhe shërbimeve të saj të ndryshme që ai i ka dhuruar kishës), dhe ashtu si dishepujt e ulur në breg të Galilesë, ai fillon me durim të riparojë dhe rregullojë jetët tona, derisa të bëhemi të përshtatshëm, ‘tërësisht të pajisur’, ‘me të gjitha pajisjet e duhura’ për shërbimin e mbretërisë së tij.

Nuk është kurrë e tepërt të theksohet se, edhe kur Perëndia mund të punojë me rrënjë dhe papritmas në jetën tonë nëpërmjet çdo lloji krizash (dhe nëse ai vepron kështu ne duhet t’i përulemi urtësisë së tij), kjo nuk është kënaqësia e tij më e madhe. Puna e tij është zakonisht më e fortë në jetën tonë kur ai ka marrë kohë për të punuar thellë dhe plotësisht. Ai punon në këtë mënyrë në ne nëpërmjet Shkrimit.

Për mua nuk ka vizion më të qartë për ta patur parasysh gjatë punës sime për studimin e fjalës së Perëndisë sesa historia e cila e tregon Perëndinë si Rafinuesin e popullit të tij:

Dikush po vëzhgonte një herë një rafinues argjendi i cili po nxehte dhe po rafinonte me durim metalin e çmuar që kishte përpara. Pasi e vëzhgoi punën e tij plot durim për një kohë të gjatë, vëzhguesi e pyeti: ‘Sa ke për të punuar dhe pritur me durim për ta rafinuar këtë metal të çmuar?’ Rafinuesi iu përgjigj: ‘Derisa të mund të shoh në të pasqyrimin tim.’

Ky duhet të jetë vizioni ynë për atë që Perëndia po bën në ne nëpërmjet leximit dhe bindjes ndaj fjalës së tij, kështu që lutja jonë të jetë: ‘Vazhdo të punosh, o Rafinues i Madh, derisa të shihet në mua shëmbëllimi i Fjalës sate të Gjallë, ndërsa unë lexoj fjalën tënde të shkruar.’

Mësimet e shenjta të hirit tënd

Që Fjala jote transmeton, përsërisin

Dhe në gjithë rrugët e tua na stërvisin

Për të plotësuar në ne vullnetin tënd;

Planin shpengues të dashurisë sate plotëso

Dhe njerëz të përkryer na bëj.

Të furnizuar me thesarin tënd

Qëndrofshim gjithmonë gati

Për të ndihmuar shpirtrat që ti ke shpenguar

Siç kërkojnë situatat e tyre të ndryshme

Për të bindur, ndrequr, qortuar dhe mësuar

Dhe në më të shenjtën dashuri për t’i ndërtuar!

(Çarlz Uezli)

Share|