jump to navigation

Çfarë kuptimi ka të themi që Bibla është e frymëzuar?

Postuar tek: Përgjigje dhe Argumente

Frymëzimi i Biblës është problemi vendimtar në botën e sotme. Shumë njerëz flasin rreth frymëzimit të saj, mirëpo, kur kërkohet të përcaktojnë se çfarë kuptojnë me frymëzim, na japin një mori përkufizimesh. Disa kënaqen të thonë se Bibla është njëlloj e frymëzuar sikurse gjithë letërsia e madhe. “Ajo nxit zemrën njerëzore të arrijë lartësi të reja” pohojnë ata. Megjithatë, ky pohim nuk e bën Biblën unike e të pashoqe. Shume vepra, përfshirë këtu ato të Shekspirit e të Homerit apo dhe të Dickensit, kanë dhënë përfundime të njejta. Shkurt, ata e vlerësojnë Biblën si kryevepër letrare njerëzore dhe jo me prejardhje hyjnore.

Të tjerë e konsiderojnë të frymëzuar, sepse përmban fjalën e Zotit bashkë me mitet, gabimet dhe legjendat. Ata thonë se është gabim ta njejtësojmë Biblën me fjalën e Zotit. E thënë më qartë për ta, Bibla është dëshmi e bisedës së Zotit me njerëzimin. Rrjedhimisht Fjala e Zotit mund të gjendet në Bibël, porse Fjala e Zotit nuk mund të jetë sinonimike me Biblën. Dy rreshta i tregojnë thelbin e problemit: 2 Timoteu 3:16 dhe 2 Pjetrit 1:21. Së pari thotë:

I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim e drejtësi.

Fjala “i frymëzuar” është përkthyer nga greqishtja “theopneustos”, që do të thotë “i fryrë nga Perëndia”. Kështu që prejardhja e Shkrimit është Perëndia, jo njeriu; frymëzimi është “Frymëdhënie Perëndie”. Rreshti i dytë, 2 Pjetrit 1:21 thotë:

“Sepse asnjë profeci nuk ka ardhur nga vullneti i njeriut, por njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur, të shtyre nga Fryma e Shenjtë.

“Kjo thënie, gjithashtu, vërteton se shkrimtarët ishin nxitur nga Zoti për të regjistruar atë që vetë Zoti dëshironte të thoshte.

Diktimi mekanik nuk u përdor siç pretendojnë disa. Përkundrazi Zoti përdori secilin shkrimtar në veçanti duke ruajtur personalitetin e çdonjërit për të realizuar e përmbushur kështu një vepër të pushtetshme dhe hyjnore. Procesi i frymëzimit u shtri në çdo fjalë, në tërë Shkrimin, duke përgënjeshtruar idenë e mitit e të gabimit. Derisa Perëndia qëndron prapa Shkrimeve dhe është i përsosur, rezultati duhet të jëtë i saktë. Po të ishtë i gabuar, ne do të mbeteshim me një gabim të frymëzuar nga Perëndia!

Kjo ide duhet kuptuar qartë, sepse gjithë besimi i krishterë është i bazuar mbi premisën që thotë: “Zoti është, dhe Ai nuk është i heshtur”, sikundër e thoshte edhe teologu i ndjerë Francis Schaeffër. Nganjëherë është më lehtë të kuptosh konceptin e frymëzimit, kur ai krahasohet me zbulesën. Zbulesa merret me prejardhjen dhe jep fakte të së vërtetës (1 Korintasve 2:10). Frymëzimi, nga ana tjetër, ka të bëjë me marrjen dhe regjistrimin faktik të së vërtetës.

Frymëzim do të thotë: “Perëndia, Shpirti i Shenjtë, punoi në mënyrë unike e të mbinatyrshme, kështu që fjalët e shkruara të shkrimtarëve të shkrimit, ishin, gjithashtu, fjalët e Perëndisë. ” Autorët njerëzorë të Shkrimit shkruan në mënyrë të vetëdijshme duke vënë në punë mendjet dhe përvojat e tyre, edhe pse fjalët e tyre nuk ishin thjesht fjalët e njerëzve, por faktikisht të Perëndisë. Kontrolli i Perëndisë ishte gjithmonë bashkë me ta në të shkruar, duke dhënë si rezultat Biblën Fjalën e Perëndisë nëpërmjet fjalëve të njerëzve.