jump to navigation

KAPITULLI 17: TI MUND TË SHPARTALLOSH DHE LIDHËSH SATANIN

Postuar tek: Ndryshoje Botën me anë të Lutjes

Falë fitores së arritur nga Jezusi në Kalvar, ty dhe mua na është dhënë një autoritet i mrekullueshëm. Për çfarë bëhet fjalë? A është me të vërtetë në planin e Perëndisë që ti dhe unë të lidhim dhe të burgosim Satanin e demonët e tij? Jezusi tha: “Por në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Frymës së Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur në mes tuaj. Ose si mund të hyjë dikush në shtëpinë e të fuqishmit dhe t’i grabisë pasurinë po të mos e kenë lidhur më parë të fuqishmin? Vetëm atëherë ai do të mund t’ia plaçkisë shtëpinë?” (Mateu 12:28,29).

Ky mësim është kaq i rëndësishëm saqë përsëritet qoftë te Marku 3:27 po ashtu edhe te Lluka 11:21,22. I fuqishmi për të cilin Jezusi flet është Satani. Pasuritë që duhet të grabiten nga Satani janë njerëzit që ai i ka bërë skllevër dhe që sundohen nga demonët. Jezusi ushtronte fuqinë e Tij mbi Satanin me autoritetin e Tij dhe fuqinë e Frymës së Shenjtë. Ai dëshiron që edhe ne të përdorim të njëjtin autoritet, për të çliruar ata që Satani i mban të sunduar ose që, në mënyra të ndryshme, i mban të lidhur. Juda 23 na nxit: “Shpëtojini të tjerët duke ia rrëmbyer zjarrit të ferrit”. Fjalët e Urta 24:11 na urdhëron: “Çliro ata që i tërheqin drejt dhe mbaji ata që po i çojnë në thertore”. Letra e 2 Timoteut 2:26 na kujton se mëkatarët janë të burgosurit e Satanit me dëshirën e tyre. Por Jezusi dhe ndjekësit e Tij kanë detyrën “T’u shpallin çlirimin atyre që janë në robëri (Isaia 61:1).

Po a e kemi me të vërtetë autoritetin për të lidhur Satanin? Kujtoni fjalët e Mateut 16:18-19: “Do të ndërtoj kishën time; dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë. Dhe unë do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve. Gjithçka që do të kesh lidhur mbi tokë do të jetë lidhur në qiej, dhe gjithçka që do të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej!”. Ky mësim është kaq i rëndësishëm për Krishtin saqë në dy kapitujt më pas përsëritet dhe shpjegohet më gjerë. Këtu premtimi ka të bëjë me lutjen në emrin e Jezusit dhe nga lutja merret forca. “Në të vërtetë ju them se gjithë gjërat që do të keni lidhur mbi tokë do të jenë lidhur edhe në qiell dhe gjitha gjërat që keni zgjidhur mbi tokë do të jenë zgjidhur edhe në qiell (Mateu 18:18). Edhe pse interpretuesit e tekstit nuk janë dakort me disa pjesë të këtij vargu, është e sigurtë se Jezusi donte të na transmetonte të vërtetat e mëposhtme:

Në Bibël është profetizuar se Jezusi do t’i shtypë kokën gjarpërit (Zanafilla 3:15). Në këtë pjesë dhe në pjesën vijuese të ungjillit të Llukës, gjarpëri ose gjarpërinjtë ilustrojnë fuqitë e ferrit: “Ja, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj dhe akrepa, dhe mbi çdo pushtet të armikut (Lluka 10:19). Krishti na ka dhënë, ne dishepujve të Tij, autoritet mbi fuqinë e Satanit. “Prandaj është shfaqur Biri i Perëndisë për të shkatërruar veprat e djallit (1 Gjonit 3:8). Të lidhësh fuqinë e Satanit dhe të burgosësh veprat e tij djallëzore nëpërmjet autoritetit të Krishtit, sigurisht bën pjesë në vullnetin e Perëndisë. Por kujtoni se nuk bëhet fjalë për një lojë fëmijësh. Kjo është një betejë frymërore. Edhe kryeengjëjt e kanë parasysh fuqinë e tmerrshme të Satanit dhe, në betejën e tyre kundër tij, bëjnë gjithçka në emër dhe në bazë të autoritetit të Jezusit (Juda 9).

Kur shtatë bijtë e kryepriftit jude, Skevi, u përpoqën, nga budallallëku, të përdornin emrin e Jezusit, pa qenë në një marëdhënie të drejtë me Të dhe, si rrjedhim, nuk ishin të mbrojtur nga premtimet e Tij, u sulmuan dhe u plagosën nga njeriu që kishte një frymë të ligë (Veprat e Apostujve 19:13-17). Kjo betejë frymërore nuk është për ata që nuk janë të mbrojtur nga gjaku i Krishtit. Nuk mund ta lidhësh Satanin duke përsëritur disa fjalë si një formulë magjike. Për të përdorur emrin e Jezusit duhet të jesh “në Krishtin” dhe të jetosh në harmoni me vullnetin e Tij të shenjtë. Pali thotë qartë: “Ne luftojmë” (Efesianëve 6:13). Beteja në lutje është një luftë frymërore serioze. Megjithatë, Perëndia dëshiron që ti të jesh i guximshëm dhe të kesh besim, duke pritur që Krishti të shfaqë autoritetin e Tij. Kur përdor emrin e Jezusit, sipas Shkrimit, nuk duhet të frikësohesh se Satani mund të të mundë.

SI TË LIDHËSH SATANIN?

Nga çasti që ekziston kjo fuqi satanike, është mjaft e domosdoshme që ne ta luftojmë me lutje dhe me armët që Perëndia na jep. Duhet të vishemi me “armaturën e plotë të Perëndisë” (Efesianëve 6:13). Pjesa që gjendet tek Letra drejtuar Efesianëve (10-20) i referohet të gjitha betejave frymërore, por, kryesisht, betejave që ndodhin në lutje (vargjet 19-20). Armatura e plotë përfshin të gjitha pjesët e radhitura në Shkrim. Armatura ka për qëllim “të mbetemi më këmbë kundër sulmeve të djallit” (vargu 11). Në këtë betejë i krishteri mund të bëjë “çdo gjë”, mbasi ka kryer të gjithë detyrën e tij (vargu 13). Kjo tregon se ka aspekte të ndryshme të betejës tënde në lutje. Edhe pse je duke jetuar një jetë të mbushur në Frymë dhe lutesh çdo ditë në bashkësi me Krishtin dhe me Frymën e Shenjtë, mund të ketë raste të paparashikueshme ku mund të gjendesh përballë një shfaqje të fuqisë së Satanit. Në këtë rast duhet t’i bërtasim, ashtu siç bëri Jezusi (Mateu 16:23; Lluka 4:8). Mos hezito të përdorësh autoritetin e Krishtit sa herë që të kesh nevojë.

Megjithatë, ka vende dhe rrethana në të cilin Satani është i mbrojtur. Ndoshta ti je lutur intensivisht pa marrë asnjë përgjigje. Në këtë rast Perëndia dëshiron që ti të vazhdosh të lutesh, derisa të ndjesh dëshminë e brendshme të Frymës se lutjet e tua janë dëgjuar dhe, vetëm atëherë, me besim, do të kërkosh që Satani të lidhet. Për këtë periudhë më të gjatë dhe më të dendur të betejës në lutje mund të të vlejnë këshillat e mëposhtme. Mund t’i përdorësh nën udhëheqjen e Frymës, pavarësisht si janë renditur. Gëzohu për fitoren e siguruar nga Krishti në Kalvar mbi Satanin dhe gjithë frymërat e këqinj. Forco lutjen tënde duke lexuar Shkrimet si Lluka 10:19; Gjoni 12:31-33; Romakëve 16:20; 1 Korintasve 2:6; Efesianëve 1:21-22; Kolosianëve 2:15; Hebrenjve 2:14 dhe Jakobi 4:7. Lavdëro Jezusin për fitoren e plotë të Krishtit. Falëndero Jezusin që ka paguar çmimin. Edhe himnet dhe këngët frymërore mund të të shërbejnë për të shprehur ndjenjat e zemrës tënde.

Gëzohu për fuqinë dhe autoritetin suprem të Krishtit. Qoftë lavdëruar Perëndia. Jezusi është ulur “në të djathtë të madhërisë në vendet e larta” (Hebrenjve 1:3). Ai ulet në të djathtë dhe çdo gjë është vendosur në këmbët e Tij (Psalmi 110:1). “Nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së Tij dhe paqja” (Isaia 9:6). Ai ka fuqinë që t’i nënshtrojë ndaj vetes të gjitha gjërat (Filipianëve 3:21). “Perëndia yt mbretëron”(Isaia 52:7). Jezusi ulet në të djathtë të Perëndisë në qiej “në vendet qiellore përmbi çdo principatë, pushtet, fuqi, zotërim dhe çdo emër tjetër që përmendet” (1:20-21). Çdo autoritet, në qiell dhe mbi tokë, i është dhënë Atij (Mateu 28:18). Zoti ynë Jezu Krisht është i njëjti në fuqi dhe autoritet dje, sot dhe në përjetësi (Hebrenjve 13:8).

Vendos besimin në gjakun e Jezusit. Ti, ashtu si dhe unë, nuk ke asnjë meritë njerëzore, por Jezusi vdiq për ty. Mos e vendos besimin në vetvete, por në gjakun e Jezusit (Romakëve 3:25). Në çastin kur Jezusi thirri në kryq: “U krye!” (Gjoni 19:30), disfata e Satanit dhe fitorja e Kalvarit u përmbushën plotësisht dhe gjaku i Birit të Perëndisë u bë plotësisht i gatshëm, si bazë e thirrjes tënde ndaj Perëndisë, që lutjet e tua të përmbusheshin. Tani mund ta mundësh Satanin nëpërmjet gjakut të qengjit të Perëndisë (Zbulesa 12:11). Lutu duke përmendur gjakun e Jezusit, ndërsa shkon përpara dhe sulmon fuqitë e Satanit.

Përdor emrin e Jezusit. Beteja jote në lutje zhvillohet për dashurinë e emrit të Tij. Në bazë të lavdisë të emrit të Jezusit ti përparon kundër Satanit. Çdo gjunjë duhet të përkulet, sepse Ai është Zoti (Filipianëve 2:9-10). Jezusi ka premtuar: “Dhe çfarëdo të kërkoni në emrin tim do ta bëj që Ati të përlëvdohet në Birin. Në qoftë se do të kërkoni diçka në emrin tim, unë do ta bëj” (Gjon 14:13-14). “Prandaj çfarëdo gjëje që t’i kërkoni Atit në emrin tim, ai do t’jua japë” (15:16).

“Çdo gjë që t’i kërkoni Atit në emrin tim, ai do t’jua japë… Kërkoni dhe do të merrni” (16:23,24). Çdo pushtet në qiell dhe mbi tokë i është nënshtruar atij emri. Çdo demon në ferr e njeh autoritetin e atij emri. Apostujt Pjetër e Pal dhe kisha e parë e vunë vazhdimisht në provë emrin e Jezusit. Sot, nga njëri cep i botës në tjetrin, Satani është i dëbuar dhe i detyruar të çlirojë të burgosurit e tij nëpërmjet përdorimit të emrit të Jezusit. Ti je i autorizuar të përdorësh emrin e Tij. Pranoje autoritetin që Perëndia të ofron. Merr shpatën e Frymës, Fjalën e Perëndisë. Duke cituar vargjet e Dhiatës së Vjetër, Jezusi përdorte Fjalën për të mundur Satanin (Mateu 4:1-11). Arma, që Fryma e Shenjtë përdor për të mundur Satanin, është shpata e Frymës, pra, Bibla (Efesianëve 6:17). E gjithë Bibla përmban pjesë që mund të përdoren për të siguruar fitoren mbi Satanin.

Mund të përdorësh Shkrimet për t’i theksuar Satanit se Krishti është Fitimtar mbi të. Ashtu siç bëri Jezusi, ti mund të përdorësh Shkrimet për t’i bërtitur Satanit. Shfleto Shkrimet duke cituar pjesët. Ti mund ta mbash simbolikisht Biblën në dorë ose të mbështetësh dorën mbi të ndërsa lutesh ose i bërtet djallit. Doktor Frank Clizie, kur ishte drejtor i Seminarit Biblik në Indi, vizitoi shtëpinë e një të sapokthyeri në besim, për të marrë pjesë në ceremoninë e pastrimit të shtëpisë nga idhujt e tij të vjetër.

Pastori i kishës lokale i dërgoi këto udhëzime: “Thirr emrin e Jezusit duke mbajtur në dorë Biblën, hyr në shtëpi dhe nxirr jashtë idhujt”. Për Frankun kjo ishte një përvojë e re. Atëherë, ai, duke mbajtur Biblën në dorë, hyri në shtëpi, dhe harroi të thërriste emrin e Jezusit. Në një farë pike, për habinë e tij, ai e ndjeu veten të bllokohej nga një forcë e padukshme e megjithë përpjekjet e tij, nuk arriti të bënte as edhe një hap më shumë. “Mbaje Biblën përballë teje, Frank dhe përdor emrin e Jezusit!” - e nxiti pastori. Duke e kuptuar rëndësinë e fuqisë së Satanit që ai duhej të mundte, Franku e mbajti Biblën përballë vetes dhe, duke thirrur emrin e Jezusit, hyri në shtëpi dhe nxorri jashtë idhujt. Edhe unë në Indi jam ndodhur përballë rezistencave të tilla dhe gjithmonë ia kam dalë mbanë, duke mbajtur në dorë Biblën, si simbol i forcës time që vinte me anë të besimit. Bibla është, fjalë për fjalë, shpata e Frymës.

Shko përpara duke lavdëruar. Lavdërimi nuk është vetëm një mënyrë për të adhururar Zotin, duke i treguar dashurinë dhe mirënjohjen, por është gjithashtu një armë e fuqishme frymërore. Jozafati e fitoi një luftë nëpërmjet lavdërimit dhe jo armëve (2 Kronikave 20). Juda ishte pushtuar nga një ushtri e madhe dhe mbreti Jozafat e udhëhoqi kombin në lutje. Në fakt, ndërsa izraelitët e lavdëronin Zotin, armiqtë filluan të sulmonin dhe shkatërronin njëri-tjetrin. Izraelitëve iu deshën tri ditë për të marrë plaçkën e armiqve të mundur.

Pra, përdor lavdërimin për të mundur djallin, por gjithashtu për të fuqizuar besimin tënd. Lavdërimi bën që engjëjt e Perëndisë të të vijnë në ndihmë. Ai shpërndan retë e zeza me të cilat Satani do që të na dekurajojë. Lavdërimi e nervozon dhe e tremb Satanin e demonët e tij. Emri i Jezusit është i fuqishëm në lutje, në urdhërat që t’i i jep Satanit dhe, gjithashtu, emri i Tij u fut frikën ndjekësve të tij.

Vepro kundër armikut duke lavdëruar Zotin. Ngriji lavdërimin Zotit përballë djallit. Fryma e Shenjtë më ka përdorur shumë herë për të dëbuar demonët, gjë që e kam bërë duke lavdëruar, thjesht, Jezusin, në veshin e të demonizuarit që ishte pre e kontraktimeve të pavullnetshme të muskujve. Lavdërimi që i bëjmë Jezusit dëbon frymërat e ndyra. Urdhëroje Satanin në emrin e Jezusit. Dua të këmbëngul mbi rëndësinë që t’i flasim Satanit në emrin e Jezusit. “U munde në Kalvar, o Satan. Me autoritetin e emrit të Jezusit të urdhëroj të largohesh. Në emrin e Jezusit unë të lidh ty dhe veprat e tua”. Kur dëbohet një demon, duhet ta thërrasësh me emër nëse është i njohur dhe ta urdhërosh të largohet me autoritetin e emrit të Jezusit. Në raste mundimesh, shtypjesh, apo qëndrese djallëzore, mos hezito të shqetësosh Satanin dhe gjithë demonët e tij. (Shembuj të tjerë dhe udhëzime më të hollësishme rreth autoritetit të besimit janë shkruar në kapitullin 15).