jump to navigation

Ligji i Perëndisë

Postuar tek: Të Lindur Sërisht

Mund të mendohet se, në qoftë se njeriu përpiqet aq sa duhet për të zbatuar një sërë rregullash morale apo shpirtërore, atëherë, ndoshta, kjo gjë mund të ketë efekt në këtë ndryshim të brendshëm në zemrën e tij dhe ai mund të bëhet kështu një njeri i ri. Kjo është përpjekja që bën feja për ta ndryshuar njeriun. Njeriu fetar e kupton se ka një problem dhe përpiqet që me forcat e tij ta ndryshojë veten.

Sidoqoftë, siç do ta shikojmë edhe në këtë kapitull, Bibla na e thotë qartë se ky ndryshim në natyrën e brendshme është diçka që njeriu nuk mund ta bëjë, edhe sikur të jetë fetar i madh. Kjo është një punë që vetëm Perëndia mund ta bëjë. Vetë njeriu nuk mund ta bëjë. Sado e madhe qoftë dëshira e tij, ai do ta përjetojë vetëm mjerimin e dështimit. Këtë s’mund ta bëjë as feja, as edhe dëshira për t’i pranuar dhe zbatuar mësimet morale të Biblës dhe as përpjekjet për ta zbatuar Ligjin që na e dha Perëndia.

10 Urdhërimet

Në Dhiatën e Vjetër, Perëndia i dha Ligjin dhe Urdhërimet e Tij. Më të njohurat prej tyre janë 10 Urdhërimet e shkruara tek Eksodi 20,2-17 të cilat i shohim të përsëriten edhe tek Ligji i Përtërirë 5,6-21. Ato po i japim më poshtë:

1. Mos kini asnjë perëndi tjetër para Zotit.

2. Mos bëni dhe mos adhuroni idhujt.

3. Mos e përdorni kot emrin e Zotit.

4. Mbajeni ditën e Sabatit si ditë të shenjtë.

5. Nderojini babanë dhe nënën tuaj.

6. Mos vrisni.

7. Mos bëni tradhti bashkëshortore.

8. Mos vidhni.

9. Mos bëni dëshmi të rreme.

10. Mos lakmoni pronën e tjetrit.

Këto ishin Urdhërimet që Perëndia ia dha kombit të Izraelit. Ato janë shprehje e standardeve që i kërkon Ai dhe për këtë arsye edhe e karakterit moral të Tij. Në qoftë se dikush mund t’i zbatonte këto Urdhërime në mënyrë të përsosur, atëherë ai do të ishte i drejtë në sy të Perëndisë dhe do të pranohej prej Tij. Sidoqoftë, Perëndia e dinte se njerëzit nuk do të mund t’i zbatonin ato, kështu që Ai ua dha një sistem flijimesh me anë të të cilave mund të faleshin mëkatet e tyre.

Ka shumë njerëz që i marrin këto Urdhërime dhe i përdorin ato (ashtu si dhe çifutët) si bazë e jetës morale të tyre, duke u përpjekur t’i zbatojnë me përpikërinë më të madhe, me shpresën se mund të bëjnë një jetë të mirë, të moralshme dhe të ndershme në këtë botë dhe për këtë të pranohen prej Perëndisë. Sidoqoftë, kur i lexojmë dhe mendohemi mirë mbi këto Urdhërime duke qenë të sinqertë ndaj vetes, do të shohim mjaft mirë dhe qartë se i kemi thyer ato dhe se nuk ka qoftë edhe një njeri të vetëm që t’i ketë zbatuar ato në mënyrë të përsosur dhe se, për më tepër, ne nuk mund t’i zbatojmë ato. Tek Jakovi 2,10-11 na thuhet Kushdo që e zbaton gjithë Ligjin, por e shkel në një pikë, është fajtor në të gjitha. Sepse Ai që ka thënë: “Mos shkel kurorën!”, ka thënë gjithashtu: “Mos vraj!”. Prandaj nëse ti nuk shkel kurorën, por vret, ti je shkelës i Ligjit.

Dashuria - përmbushja e Ligjit

Kur i shqyrtojmë 10 Urdhërimet, shohim se ka dy lloj urdhërimesh: së pari, ato që kanë të bëjnë me Perëndinë (4 të parat) dhe së dyti, ato që kanë të bëjnë me njerëz të tjerë (6 të fundit). Prandaj edhe Jezui na thotë tek Mateu 22,34-40 se Urdhërimet mund të përmblidhen me dy fraza: “Duaje Perëndinë” dhe “Duaje njeriun”. Këtë e përforcon Pali tek Romakët 13,9-10, ku thotë se dashuria është përmbushja e Ligjit.

Argumentimi është i thjeshtë dhe i qartë. Në qoftë se je i mbushur me dashuri për Perëndinë do t’i zbatosh katër të parat në mënyrë të përsosur; në qoftë se je i mbushur me dashuri për të gjithë njerëzit, do t’i zbatosh gjashtë të fundit në mënyrë të përsosur. Prej kësaj rrjedh edhe fakti që dashuria është përmbushja e Ligjit.

Por, natyrisht, ne e dimë nga vetë përvoja jonë e përditshme se ne nuk e duam në mënyrë të përsosur as Perëndinë dhe as njeriun. Kjo është edhe arsyeja pse i thyejmë Urdhërimet. Dashuria e përsosur, që e përmbush Ligjin, nuk gjendet tek ne, d.m.th. në natyrën tonë njerëzore të brendshme. Me forcat tona, nuk mund ta zbatojmë dot Ligjin.

Ndërgjegjësimi për mëkatin

Pali na mëson, tek Romakët 3,20; 7,7.13, se me anë të Ligjit arrijmë të njohim mëkatin, d.m.th. mund të kuptojmë se kemi një natyrë mëkatare, se ka diçka në zemrën tonë që na pengon t’u bindemi Urdhërimeve të Perëndisë. Ai argumenton se, në përpjekjet tona për ta zbatuar Ligjin, na bëhet e qartë (në qoftë se tregohemi të sinqertë me veten tonë) se nuk është e mundur që ne ta zbatojmë atë. Kërkesat e Ligjit janë të standardeve të paarritshme. Kështu ne ndërgjegjësohemi për faktin se ka diçka në ne, në natyrën tonë, që na pengon ta zbatojmë atë në mënyrë të përkryer, d.m.th. ndërgjegjësohemi për faktin që, në brendësinë tonë, ekziston ky parim i mëkatit; që ne kemi një natyrë mëkatare. Tek Romakët 8,7-8 na tregohet se mendja e kontrolluar nga mishi është armiqësi kundër Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet Ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet. Prandaj ata që janë në mish nuk mund t’i pëlqejnë Perëndisë, ose në një përkthim tjetër, njeriu prej natyrës ngrihet kundër Perëndisë…dhe se, në të vërtetë, përjashtohet mundësia që ndokush të plotësojë vullnetin e Perëndisë.

Mëkati diçka e brendshme

Pali thotë diçka mjaft interesante tek Romakët 7,7, ku thotë se ai nuk do të kishte kuptuar se çfarë ishte mëkati, sikur të mos e kishte mësuar këtë nëpërmjet Ligjit dhe se nuk do ta kishte mësuar se ç’ishte lakmia sikur Ligji të mos thoshte: “Mos lakmo”. Çfarë nënkuptonte ai me këtë?

Para kthimit të tij në besimtar, Pali kishte qenë fetar i madh, rritur dhe brumosur me mësimet fetare çifute të Dhiatës së Vjetër qysh në fëmijërinë e tij. Ai ishte ekspert i vërtetë për sa i përket Ligjit të Perëndisë. Sidoqoftë, besonin çifutët (ashtu si dhe shumë njerëz fetarë të ditëve tona) se në qoftë se jeta e jashtme ishte konform Ligjit të Perëndisë (sikur Ligji të merrej vetëm me anën e jashtme të jetesës), atëherë ishte kjo diçka e mjaftueshme që njeriu ta kënaqte Perëndinë. Në qoftë se do të arrije të bëje që jeta jote të dukej se ishte konform Ligjit të Perëndisë, atëherë do të ishe i pranueshëm nga Perëndia si dhe nga njerëzit.

Sidoqoftë, Pali e merr këtu Urdhërimin e dhjetë për të na e treguar faktin që mëkati është diçka e brendshme. Gjashtë Urdhërimet e fundit kanë të bëjnë me marrëdhëniet midis njerëzve dhe pesë të parat nga këto të gjashta kanë të bëjnë me veprime të jashtme p.sh.: “Mos vrisni”, “Mos vidhni”, “Mos bëni dëshmi të rreme” etj. Të gjitha këto janë veprime të jashtme. Sidoqoftë, Urdhërimi i dhjetë merret me mëkatin e brendshëm të të lakmuarit. Të lakmuarit nuk është veprim i jashtëm, por një dëshirë e brendshme e zemrës (që mund të të çojë ose jo në mëkate të jashtme të tilla si p.sh. vjedhja).

Prej këtej, Pali nxjerr përfundimin se mëkati nuk është çështje që ka të bëjë me veprimet e jashtme, por problem i zemrës që i shkakton veprimet e jashtme të mëkatshme. Por mëkati, duke marrë shkas nga ky urdhërim, ngjalli në mua çdo lakmi (Rom. 7,8). Me fjalë të tjera, mëkatet e jashtme dalin nga zemra dhe e kanë burimin nga ajo. Zemrat tona janë mëkatare, ne kemi një natyrë mëkatare. Prandaj edhe Jezui e Gjoni thonë ato fjalë mbi epshin dhe urrejtjen tek Mat. 5,28 dhe 1 Gjoni 3,15, dhe Jezui na mëson, tek Marku 7,20-23, se mëkati del prej zemrës (siç e pamë edhe në kapitullin e mëparshëm). Dhe është pikërisht shqyrtimi i Ligjit ai që na bën ta kuptojmë zemrën tonë.

Paaftësia për ta ndryshuar veten

Romakët 7,14-24

Sepse ne e dimë se Ligji është frymëror, por unë jam i mishë, i shitur mëkatit si skllav. Sepse unë nuk kuptoj atë që bëj, sepse nuk bëj atë që dua, por bëj atë që urrej. Edhe, nëse bëj atë që nuk dua, unë pranoj që Ligji është i mirë.

Por tani nuk jam më unë që veproj, por mëkati që banon në mua. Në fakt unë e di se në mua domethënë në mishin tim nuk banon asgjë e mirë, sepse, ndonëse e kam dëshirën për të bërë të mirën, nuk ia gjej mënyrën. Në fakt të mirën që unë e dua nuk e bëj; por të keqen që s’dua, atë bëj. Edhe, në qoftë se bëj atë që nuk dua, s’jam më vetë ai që e bëj, por është mëkati që banon në mua.

Unë, pra, po zbuloj këtë ligj: duke dashur të bëj të mirën, e keqja gjendet në mua. Në fakt unë gjej kënaqësi në Ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm, por shoh një ligj tjetër në gjymtyrët e mia, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe që më bën skllav të ligjit të mëkatit që është në gjymtyrët e mia. Oh, njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes?

Në këto vargje na flitet për njeriun që është i bindur nga vërtetësia e faktit se ai është mëkatar dhe se Ligji i Perëndisë është i drejtë dhe i mirë, dhe që përpiqet ta zbatojë atë sikur kjo të ishte mënyra me anë të së cilës ai do ta shpëtojë veten dhe do të bëjë që të pranohet nga Perëndia. Ai e di shumë mirë që nuk është gjë tjetër veçse mëkatar dhe përpiqet të bëjë çmos që ta zbatojë Ligjin me forcat e tij, sa më mirë që të mundet, në mënyrë që ta heqë qafe mëkatin e tij.

Por mund të lexojmë për gjendjen e vajtueshme të tij në vargjet 15-19. Sa më tepër që përpiqet ta zbatojë Ligjin, aq më tepër bindet se nuk mund ta zbatojë, por, përkundrazi, vazhdon ta thyejë atë. Të mirën që ai kërkon ta bëjë (të veprojë sipas Ligjit), nuk mund ta bëjë; dhe të keqen që nuk dëshiron ta bëjë (thyerjen e Ligjit), shikon se e bën vazhdimisht. Natyra mëkatare e vet e pengon atë ta zbatojë Ligjin, edhe pse ai kaq shumë dëshiron që ta zbatojë! (vargjet 20-23). Ai e kupton se nuk mund ta zbatojë Ligjin dhe kështu nuk mund ta ndryshojë vetveten me forcat e tij. Ai mbetet dështak i mjerë! Oh, njeri i mjerë që jam! (vargu 24). Kurrë s’e ndryshon dot Ligji zemrën e njeriut.

Rrugëzgjidhja në Ungjill

Kështu, në qoftë se Ligji dhe përpjekjet e njeriut për ta zbatuar atë nuk mund ta ndryshojnë njeriun, atëherë na mbetet të kërkojmë diku gjetkë rrugëzgjidhjen për problemin tonë. Dhe pikërisht këtu ne vijmë tek Ungjilli si e vetmja gjë që mund të na e japë zgjidhjen e vërtetë dhe përfundimtare. Pali tha se qëllimi i Ligjit ishte të na çonte drejt Krishtit (Gal. 3,24). Nëpërmjet Ligjit Perëndia na tregon se kemi një natyrë mëkatare dhe, pastaj, Ai na çon drejt Krishtit si e vetmja rrugëzgjidhje. Atë që Ligji nuk mundi ta bënte, e bëri vetë Perëndia nëpërmjet Jezu Krishtit (Romakët 8,3), duke bërë kështu të mundur që, thellë në zemrën e njeriut, të ndodhë një ndryshim.

Kapitulli më pas tregon se si arrihet pikërisht një gjë e tillë, si sëpata godet thellë në rrënjë të natyrës mëkatare të njeriut, dhe si kryhet ky ndryshim në jetën e një besimtari në Jezuin.