jump to navigation

Lutje në ditët e errëta të vuajtjes

Postuar tek: Lutja përmes rrugës së Jetës

Të gjithë i njohim ditët e errëta të vuajtjeve. Ndoshta kemi pasur një zhgënjim të madh. Ndoshta një nga të dashurit tanë nuk është më mes nesh. Ndoshta jemi të sëmurë dhe të vetmuar. Për më shumë se 60 vjet të ecjes sime me Jezuin kam parë se një gjë është e një rëndësie shumë të madhe: të mos lejosh që vuajtja të të përpijë, as të mos lejosh që ajo të të rëndojë aq shumë sa pak a shumë të të paralizojë lutjet. Fryma e Shenjtë më ka treguar se sa e rëndësishme është që të gjejmë strehë në lutjen nëse duam të korrim fitore mbi vuajtjen. Pikërisht atëherë është momenti për t’i thënë Jezuit se besojmë në Të dhe se besojmë se Ai mund të merret me vuajtjen tonë.

Kam zbuluar se sa jetësore është që të besoj se Jezui është më i madh se vuajtja ime. Pra, Ai gjithmonë ka një rrugë për t’u marrë me të. Në dashurinë e Tij Ai është gati të na ndihmojë me patjetër. Ai do që të vendosë balsam në zemrat tona të plagosura mes dhimbjesh. Nevojitet që të besojmë se Perëndia do të na japë ngushëllimin në ditët e zeza të vuajtjes. Kushdo që lutet për këtë, duke besuar se Perëndia do t’i përgjigjet lutjes së tij, ka për ta përjetuar atë.

Jezui qëndron pranë kujtdo që është nën barrën e pikëllimit. Ai është atje si burimi i jetës së përjetshme, hyjnore. Ai le një pjesë të jetës së Tij hyjnore, gëzimin qiellor dhe paqen, të futen në jetën tonë. Pastaj gjithçka transformohet. Zemrat tona të trazuara qetohen e rehatohen, mbushen me paqe dhe gëzim qiellor.

Me fjalët e një hymni gjerman: “Në Ty kemi gëzim mes dhimbjes e pikëllimit, O i ëmbli Zot Jezu Krisht!” - kjo është e vërteta për të cilën unë mund të dëshmoj. Në periudha vetmie dhe pikëllimi kam njohur dashurinë e Jezu Krishtit, që sjell plotësinë e gëzimit në zemrat tona. Në sëmundjet dhe dhimbjet e trupit, në vuajtjet shpirtërore dhe konfliktet e brendshme kam zbuluar se prania e Jezuit është triumfatore. Dhe veçanërisht në kohë të tilla, kur unë jam futur në një lidhje edhe më të ngushtë me Të. Kur kam humbur të dashurit e mi, kam parë se ngushëllimi i Jezuit ka qënë më i madh se gjithë pikëllimi i zemrës sime.

Shumë të tjerë kanë përjetuar të njëjtën gjë në jetën e tyre të dishepujtarisë dhe mund të bashkohen me mua duke e dëshmuar këtë gjë. Duke hedhur shikimin prapa, ata nuk mund t’i harrojnë ato ditë të zeza vetëm e vetëm se e panë bekimin që gjetën tek lutja. Kështu, në ditët e errëta të vuajtjes, ki besim dhe lutu: “Ia kushtoj rrugët e mia dhe jetën time Zotit. Ai do të më çojë atje ku duhet”. Pastaj, edhe ti do të përjetosh e do të shohësh se rrugët e Tij janë të përsosura dhe se Ai vërtet do të të qetojë dhe rehatojë.