jump to navigation

Lutje gjatë provave të mundimshme dhe tundimeve

Postuar tek: Lutja përmes rrugës së Jetës

Të gjithë ne duhet të kalojmë përmes provave dhe tundimeve që nganjëherë zgjasin për ditë ose javë të tëra. Ka kohë kur tundohemi për të vënë në dyshim Perëndinë. Dyshime që kanë të bëjnë me besimin tonë dhe na tortorojnë. Fillojmë të dyshojmë nëse Perëndia tha apo e kishte me gjithë mend kur tha diçka. Ve më në dyshim nëse jemi në udhë të drejtë.

Ve më në dyshim nëse Perëndia është vërtet i gjallë, nëse Ai vërtet është dashuri. Gjatë periudhave të tilla ndihmë për mua ka qënë përsëritja e vargjeve nga Bibla, si zotime prej Perëndisë: “Ai më çon nëpër shtigjet e drejtësisë” (Psalmi 23:3). “Ati vetë në fakt ju do” (Gjoni 16:27). “Askush nuk do të zhgënjehet në qoftë se i var shpresat te Ti” (Psalmi 25:3).

Gjithçka që vjen në jetën tonë, çdo shteg që ne duhet të ndjekim, është planifikuar prej Perëndisë. Nëse marrim një vendim për të ecur nëpër një rrugë të caktuar pasi i kemi kërkuar Atij në lutje që të na drejtojë në rrugën e drejtë, ne mund t’i besojmë udhëheqjes së Tij. Nëse, më vonë, dyshimi dhe droja kërkojnë të na molepsin, mund të pohoj më me ngulm: “Perëndia është një At i vërtetë. Nëse fëmija e Tij i ka kërkuar ta drejtojë në rrugën e drejtë, Ai nuk mund ta çojë atë në rrugë të gabuar. Një at i mirë tokësor nuk do ta bënte këtë, le pastaj Ati ynë në qiell. Kështu që unë duhet të jem duke ecur në rrugën e drejtë”.

Nëse mendojmë se tani e njohim Perëndinë ndryshe nga ç’e njihnim kur morëm vendimin, atëherë ne mund t’i drejtohemi Atij përsëri dhe t’i parashtrojmë këtë pyetje tonën. Ai do të na përgjigjet. Ai do të na përgjigjet ose duke na dhënë një siguri të brendshme ose nëpërmjet të tjerëve me të cilët ne diskutojmë çështjen, nëse i kërkojmë Atij që t’i drejtojë ata në ato që thonë. Nganjëherë përgjigja e Perëndisë qëndron në një varg të Biblës që na kujtohet gjatë lutjes. Vendimi se në ç’rrugë duhet të shkojmë nevojitet të konfirmohet shumë herë nëpërmjet Fjalës së Perëndisë, nëpërmjet njerëzve të tjerë, nëpërmjet një sigurie të brendshme apo nëpërmjet gjërash të tjera. Por më shumë nga gjithçka ne duhet të jemi të bindur për urtësinë e drejtimit të Perëndisë dhe të refuzojmë qoftë edhe dyshimin më të vogël. Si mund të na çojë Ai në rrugë të gabuar nëse i kemi kërkuar të na çojë në rrugë të drejtë? Sidoqoftë, nëse kemi arsye të mendojmë se vullneti ynë njerëzor është kaq i fortë sa nuk mund të bëjmë dallim mes tij dhe vullnetit të Perëndisë, për këtë mund t’i kërkojmë Perëndisë që të na bëjë të dallojmë nëse ky është vetëm vullneti ynë. Dhe Perëndia do t’i përgjigjet asaj lutjeje.

Shpesh kemi një konflikt të brendshëm dhe bëjmë habi nëse jemi në udhë të drejtë, thjesht ngaqë na duket shumë e vështirë rruga në të cilën jemi drejtuar. Këtë e di nga përvoja ime. Edhe Shkrimet dëshmojnë për këtë fakt. Sa herë që hasim vështirësi Satani vjen dhe na tundon e përpiqet të na joshë për t’u tërhequr e për të dalë nga rruga në të cilën po ecim. Kjo i ndodhi edhe Jezuit kur kaloi 40 ditët në shkretëtirë, në vetmi dhe pa ngrënë gjë. Satani mund të na mposhtë kur në rrethanat tona apo në drejtimin që na ka dhënë Perëndia ka diçka që përbën vështirësi për ne. Këtu është mundësia e tij. Rebelimi, edhe sikur të jemi të pavetëdijshëm për këtë, bën që të reagojmë në këtë mënyrë: “Ndoshta kjo nuk është rruga e drejtë për mua”. Këto dyshime fillojnë të na torturojnë.

Sa më shumë që t’i shohim vështirësitë me frikë, aq më i keq bëhet ky konflikt i brendshëm. Në kohë të tilla konflikti të brendshëm është e rëndësishme të përsërisim atë që Jezui tha në orën e tundimit të Tij në kopështin e Gethsemanes: “A nuk do ta pi unë kupën që më ka dhënë Ati?” - “Ati im. . . jo si dua unë, por si do Ti” (Gjoni 18:1; Mateu 26:39). Kam vënë re se dyshimet zhduken si flluska sapuni sa herë që i them “Po” rrugës që është kaq e vështirë për mua dhe kur e pranoj atë pa kushte. Gjithashtu kam parë se vërtet është e mundur - madje edhe e lehtë - për mua që të them “Po” kurdoherë që mendoj për zemrën e Atit Perëndi, që nuk është gjë tjetër veç dashuri. Ai nuk na çon përgjatë shtigjeve të vështira pa na përtërirë nga brenda. Ai kurrë nuk lejon që të tundohemi tej forcës sonë. Dhe për çdo rrugë të vështirë Ai ka përgatitur një fund të lavdishëm (Jakovi 5:11).

Në përgjigjen tonë: “Po, Atë”, ka fuqi të madhe. Thuaji Atij “Po” dhe tundimi mposhtet! Kam vënë re se në përgjigje të tilla, në nënshtrimin e vullnetit tonë ndaj vullnetit të Tij, gjejmë bekim të bollshëm. Ky nënshtrim vullneti na sjell shumë pranë Zotit. Dhe nga ky unitet me Perëndinë do të dalin vazhdimisht frute të reja.

Një lutje e tillë në kohë konflikti të brendshëm ka vlerë dhe rëndësi të madhe. Perëndia na çon në periudha provash vetëm për të na dëgjuar të themi “Po”. Kjo është më e vyer për Të se një mijë lutje të tjera, sepse ajo mbështetet nga gjithë jeta jonë, po, shpesh edhe nga sakrifica jonë më e madhe. Ai e shpërblen një lutje të tillë më shumë se çdo lutje tjetër. Ai i përgjigjet asaj duke bërë që bekimet të vërshojnë dhe hiri të jetë i bollshëm, gjë të cilën rrallë do ta bënte në raste të tjera.