jump to navigation

Lutje në frikë

Postuar tek: Lutja përmes rrugës së Jetës

Frika! Si mund ta mposhtim atë? Si mund të na ndihmojë lutja? Kur frjka na ka pushtuar zemrën, ajo na konsumon porsi zjarr. Zor se gjejmë fjalë të lutemi. Ajo na fut nën kontrollin e saj të plotë! Frika! Ne të gjithë e dimë se ç’ndodh kur ajo vjen. Është paralizuese. Nuk jemi më të aftë të hedhim hapin tjetër. Veprojmë sikur të jemi hipnotizuar dhe mezi lëvizim.

Frika! E dimë se çfarë vuajtje na shkakton ajo. Ajo na grabit çdo gëzim, çdo shpresë, çdo siguri. Frika është ajo që mundon shumë njerëz sot - edhe pse ata nuk duan ta pranojnë këtë. Profecia e Jezuit për ditët e fundit po fillon të plotësohet: “Njerëzit do të mpaken nga frika dhe nga pritja se çfarë do ta pllakosë botën” (Luka 21:26). Tashmë kjo gjë ka filluar t’u ndodhë njerëzve, veçanërisht atyre që qëndrojnë syhapur dhe vëzhgojnë ngjarjet e kësaj bote. A ka ndonjë lloj lutjeje që mundësisht të na ndihmojë kur zemrat tona janë plot frikë?

Po, ka! Unë mund të dëshmoj për këtë sepse prej natyre jam një njeri që kam shumë frikëra. Gjatë luftës kisha frikë nga sulmet ajrore. Në kohë rreziqesh kisha frikë nga njerëzit e këqij dhe nga ndonjë sulm i mundshëm. Dhe prej natyre, kam shumë frikë prej tmerreve dhe prej mundësisë së një lufte bërthamore. Sidoqoftë, kam përjetuar se Jezui është më i madh dhe më i fuqishëm se frika ime. Nëpërmjet lutjes ne mund të zotërojmë frikën, në vend që ajo të na zotërojë neve.

Ne e dëbojmë frikën në emër të Jezu Krishtit. Jezui, në dashurinë e Tij, na kupton kur thotë: “Në botë do të keni mundime” (Gjoni 16:33). Por pastaj Ai vazhdon të thotë se duhet të marrim zemër, sepse Ai e mundi botën. Dhe me këtë Ai do të thotë se Ai ka mundur botën së bashku me mundimet dhe frikërat e saj. Ai e mposhti atë dhe e vuri nën këmbët e Tij. Prandaj na premton: “Unë po ju le paqen” (Gjoni 14:27). Çdo premtim është një çek të cilin Ai do ta nderojë kur ne t’ia kujtojmë dhe kur t’ia lemë para syve. Do të vijë koha kur ne do të na nevojitet ajo që Ai na ka premtuar dhe kur të vijë kjo kohë, Ai do ta mbajë fjalën e Tij.

Sidoqoftë, e rëndësishme është një pikë; jo gjithmonë kemi të njëjtën gradë frike në zemrat tona. Gjatë kohërave që frika nuk na merr frymën, nevojitet që të lutemi shumë dhe vazhdimisht të mbahemi në premtimin e Jezuit: “Ti do që të më japësh paqen Tënde në zemrën time. Mbushma tani zemrën me paqen Tënde në mënyrë që frika të mos ketë vend, kur të kërkojë të hyjë”.

Tani është koha të lutemi që Jezui të mbushë zemrat tona me paqe - para se të vijë koha kur ndoshta do të na duhet të vuajmë tmerret e një lufte bërthamore apo të jemi pre e një persekutimi të ashpër ndaj të krishterëve. Tani, ndërsa shqetësohemi me frikëra, probleme dhe ankthe më të vogla, le të praktikojmë të qëndruarit në paqe. Kjo është mundësia për ta provuar atë. Sa herë që të kemi ndonjë problem apo telash, ne mund të kërkojmë ndihmë në emër të Jezuit dhe të mbështetemi me besim në premtimin e Tij: “Unë po ju le paqen”.

Le të mësojmë se si të vazhdojmë të mbështetemi me besim në premtimin e Jezuit: “Unë e kam mundur botën”. Po, Ai e mundi botën për ne. Tmerret e kësaj bote nuk ka pse të na dominojnë jetën tonë. Ne mund të kemi besim se Jezui është me ne, Ai që na çliroi në mënyrë që frika dhe pikëllimi të mos na venë poshtë. Gjithashtu, kjo është një çështje që ka të bëjë me kushtimin tonë në besim të plotë ndaj Atit nëpërmjet Jezuit. Ati më i fuqishëm dhe më mirëdashës është mburoja e fortesa jonë, kështjella e jonë në kohë të vështirë. Ai i njeh ata që besojnë tek Ai.

Nëse praktikojmë lutjen në këtë mënyrë tani që ka frikëra dhe shqetësime më të vogla, atëherë një gjë është e sigurt: kur të vijnë frikëra më të mëdha në jetën tonë - në kohët që po vijnë, ne të gjithë, dikush më pak e dikush më shumë, do të përjetojmë frikën - atëherë ne do të jemi si luftëtarë të fortë dhe të armatosur, të cilët dinë si të mposhtin këtë armik të quajtur “frikë”.

Le të shfrytëzojmë pra sa më tepër kohën. Sot është dita që duhet të merremi me këtë problem të frikës. Sot është dita për të korrur fitore mbi frikërat e vogla. Kur kemi përjetuar se si Jezui vjen tek ne në shqetësimet e telashet e vogla dhe na mbush zemrat me paqen e Tij, atëherë do të kemi guxim dhe besim shumë më të madh, siguri shumë më të thellë se Ai do të bëjë të njëjtën gjë për ne kur të dalim përballë frikërave më të mëdha.

Jezui është më i madh se gjithçka, më i madh se edhe frika më e stërmadhe që mund të na pushtojë. Ai ka vënë gjithçka nën këmbët e Tij dhe na ka çliruar nga gjithë mëkatet e vështirësitë që kërkojnë të na shtypin. Lutja na ofron një rrugëdalje prej frikës. Është thjesht një lutje ku i kërkohet ndihmë Jezuit. Vetëm në emrin e Tij ka ndihmë. Sa më shumë. që të thërrasim në emër të Tij, aq më shumë do ta përjetojmë këtë të vërtetë.