jump to navigation

Lutje në kohë nevoje

Postuar tek: Lutja përmes rrugës së Jetës

Të gjithëve na duhet të përjetojmë kohë nevoje. Për shembull, na kujtohet koha e luftës dhe e pasluftës kur kishte mungesë ushqimesh. Mund të mos kemi të holla mjaftueshëm për të blerë gjëra thelbësore për mirëqënien tonë apo atë të familjes sonë. Ndoshta financiarisht ne nuk mund të kujdesemi ashtu siç duhet për fëmijët tanë apo nuk mund t’u japim atyre shkollimin e domosdoshëm. Ose ka mundësi që një anëtar i familjes të jetë i sëmurë dhe ne nuk mund t’i japim ndihmën që i nevojitet, thjesht ngaqë nuk kemi se si.

Gjithashtu, mund të kemi mungesa edhe në aspekte të tjera të jetës. Mund të mos kemi forcën e duhur të bëjmë punën që kemi. Ose nuk kemi bashkëpunëtorët dhe kolegët e domosdoshëm për këtë punë. Ndoshta gjithmonë nuk kemi kohë të mjaftueshme dhe e kemi të vështirë të bëjmë gjithçka që është planifikuar. Cila është lloji i lutjes që mund t’i japë zgjidhje një situate të tillë?

Së pari, është e rëndësishme që të sigurohemi nëse vërtet jemi përballë një situate të tillë apo mos duam që me lutje të largojmë diçka që Perëndia e ka caktuar për jetën tonë. Në lidhje me pronat dhe plaçkat tona Bibla na thotë: “Kur kemi çfarë të hamë dhe të veshim, të jemi të kënaqur me kaq” (1 Timoteu 6:8). Për shembull, mund të ketë diçka të cilën nuk mund ta përballojmë, por e lakmojmë shumë ne mënyrë që të ngremë standardin e jetesës.

Nëse kjo është e vërtetë, lutjet tona nuk do ta kenë premtimin se do të marrin përgjigje. I njëjti rregull praktik ka të bëjë edhe me situatat e tjera kur ndodhemi në nevojë. Ndoshta në kokëfortësinë apo ambicjen tonë egoiste ne dëshirojmë të marrim diçka që nuk është në planin që Perëndia ka për ne. Prandaj, së pari, lutja jonë duhet të jetë që Perëndia të na japë dritën dhe standardet e Tij lidhur me këtë çështje. Ai do të na tregojë se çfarë na nevojitet në të vërtetë dhe se për çfarë duhet të lutemi. Kjo është veçanërisht e rëndësishme nëse ka të bëjë me diçka që ne mendojmë se nevojitet urgjentisht për punën e Zotit.

Në Motërinë tonë si dhe më parë kam përjetuar shumë kohë kur vërtet kam qënë në nevojë. Këto kohë janë bërë shumë të veçanta për mua, sepse më kanë treguar një tip të ri lutjeje. Kjo lutje përmban bekime të pakrahasueshme. Kjo është si një lutje që fëmija i bën Atit Perëndi. Kohët e nevojës na bëjnë të jemi të varur prej Atit. Kjo është arsyeja pse ato e kanë pasuruar pa masë jetën time shpirtërore. Në varësinë tonë prej Atit ne arrijmë ta njohim Atë dhe unë kam arritur ta njoh Atë si një At të vërtetë. E kam përjetuar të vërtetën e Shkrimit: “Ati juaj i di gjërat për të cilat keni nevojë” (Mateu 6:8). Ai interesohet edhe për hollësitë më të vogla. “Edhe të gjitha fijet e flokëve të kokës suaj janë numëruar” (Mateu 10:30). Mund të dëshmoj për faktin që Ai ndjen kënaqësi dhe gëzim duke na bërë të mira. Ai ndjen gëzim kur kujdeset sa më mirë për fëmijët e Tij dhe kur derdh bekimet e Tij mbi ta. Ai mbushet me gëzim kur sheh se fëmijët e Tij janë të lumtur dhe plot falenderim.

Prandaj, në kohë nevoje eja tek Ati si fëmija e Tij dhe thuaj: “Ati im, Ti e di se ç’më nevojitet. Ati im, gjithë gjërat janë të Tuat dhe vetëm Ti i jep ato. Ati im, Ti nuk do të më lesh më në nevojë e mungesë të madhe, sepse fëmija Yt ka pjesën e tij në pasurinë Tënde. Ati im, ti tani do të lartësosh veten tënde nëkëtë nevojë timen. Ti do të zbulosh natyrën tënde plotfuqinë, dashurinë dhe dhembshurinë Tënde.

Deri më sot, për kaq e kaq vite, ne në Motërinë tonë i kemi besuar Perëndisë për të plotësuar nevojat tona. Në vend që të kërkojmë ndihmë prej njerëzve, si fëmijë, ia kemi drejtuar lutjet tona Atit tonë qiellor. Dhe Ai nuk na ka zhgënjyer kurrë. Ai u jep fëmijëve të Tij shumë shumë më tepër nga ato që ata kërkojnë apo presin por me kushtin që, më së pari, ata të kërkojnë Mbretërinë e Tij dhe drejtësinë e Tij, siç thuhet në Fjalën e Tij. Nuk duhet të lakmoj më gjëra materiale, por duhet të vemë veten tonë dhe gjithçka që kemi në shërbim të Mbretërisësë Tij, duke dhënë gjithçka për këtë qëllim. Kjo mund të përfshijë edhe gatishmërinë tonë për t’u dhënë të tjerëve atë që ata kërkojnë, edhe pse ne vetë mund të mos kemi mjaftueshëm.

Sigurisht, duhet të kemi kujdes që marrëdhënia jonë me Perëndinë dhe me njerëzit të jetë në rregull. Pastaj gjithçka që do të na nevojitet për jetën tonë të përditshme do të jetë jona sipas premtimit që Ai na jep. Si fëmijët e Tij ne mund t’i afrohemi Atij me falenderim, sepse Ai tashmë ka hapur duart e Tij për ne. Vërtet, Ai kurrë nuk le lutjen e fëmijëve të Tij pa përgjigje, nëse ajo është për diçka që vërtet na duhet dhe nëse i kemi rrëzuar gjithë pengesat e lutjes.