jump to navigation

Lutje në kohë thatësire shpirtërore

Postuar tek: Lutja përmes rrugës së Jetës

Të gjithë kemi përjetuar kohëra kur nuk kemi pasur asnjë dëshirë për t’u lutur. Duket sikur lutjet tona përplasen në mur, kthehen përsëri te ne dhe nuk arrijnë te Perëndia. Herë pas here kalojmë periudha të tilla. Shpirti ynë është kaq djerrë dhe kaq i tharë sa duket sikur Fryma e Shenjtë na ka braktisur.

Nëse nuk ka ndonjë gjë që pengon lutjet tona drejtuar Perëndisë, Ai duhet të ketë një qëllim që na ka sjellë në këto periudha thatësire. Pas gjithë kësaj Perëndia ka një plan. Planet e Tij janë gjithmonë të mira. Ato gjithmonë na çojnë drejt një qëllimi të mrekullueshëm dhe përfundimisht drejt lavdisë. Gjithçka varet nëse e shfrytëzojmë këtë kohë dhe nëse dalim fitimtarë në këtë gjë. Perëndia më ka mësuar që kohë të tilla nuk është e thënë të jenë boshe dhe pa fryt, ato mund të të japin bekime të veçanta.

Nëse e kemi të vështirë të formulojmë qoftë edhe një mendim tonin në lutje, ngaqë gjithçka na duket e vdekur në brendësinë tonë, atëherë mund të përfshihemi në ndërmjetësim duke shpallur emrin fitimtar të Jezuit në kërkesat e ndryshme për lutje ose duke kënduar hymne apo duke bërë lutje solemne fitoresh. Kjo lutje në këtë natë të brendshme tënden mban në vetvete një bekim të veçantë dhe do të dëgjohet. Ajo është një lutje pa kënaqësinë shpirtërore që kemi kur ndjejmë Frymën që na nxit të lutemi. Të luturit në kohë të tilla ka koston e saj. Vërtet duhet të përpiqesh fort. Për këtë arsye është aq e veçantë edhe për Zotin. Nga këto lutje do të vijnë frute të veçanta, edhe pse ne mund të mendojmë se ato nuk arrijnë aspak te Perëndia.

Por, kam zbuluar gjithashtu se ka një mënyrë për t’u dhënë jetë lutjeve tona në kohë të tilla djerrësie nëpërmjet falenderimit. Kjo është mundësia që Perëndia na jep. Unë kam një fletore falenderimesh dhe çdo mbrëmje shkruaj gjithçka për të cilën e falenderoj Perëndinë. Por kam gjithashtu edhe një fletore tjetër në të cilën shkruaj pika kryesore të falenderimit për çdo vit. I marr këto pika një nga një, falenderoj Perëndinë për to, ose i këndoj Atij ndonjë këngë falenderimi. Pastaj këto lutje më ndihmojnë të arrij në atë pikë ku jam e aftë ta falenderoj Atë edhe për kohët e errësirës shpirtërore. Filloj dhe e falenderoj Atë për jetën e re që lind në kohë të tilla errësire dhe thatësire. Këto periudha e pastrojnë shpirtin tim nga gjithë papastëritë, nga dashuria joshpirtërore dhe entuzi- azmi njerëzor për lutje. Jeta e re shpirtërore lind prej vdekjes shpirtërore që duhet vuajtur. Çdo herë që e falenderoj Atë për këtë, gjej forcë e ngushëllim dhe të luturit më bëhet edhe më i lehtë.

Gjatë një kohe të tillë shkrova edhe këtë këngë:

Këndoj, këndoj, Perëndinë duke adhuruar,
Lavdërimi im në qiell është lartësuar.
Qoftë e gjitha kjo psalmodi
Sa më e këndshme për Ty.

Varg pas vargu pasuan ndërsa i këndoja duke e lavdëruar për gjithçka që ishte e vështirë për mua - sprovat dhe tundimet, rrugët nëpër natë - dhe për bekimet që kohë të tilla më sollën: gëzimin e të qënit e aftë për të plotësuar vullnetin e Perëndisë edhe në natën shpirtërore.

Ndjesia paralizuese e vdekjes largohej. Zemra ime ngushëllohej duke i thënë “Po” vullnetit të Perëndisë dhe rrugëve të Tij - edhe kur ato çonin përmes errësirës dhe thatësirës.

I këndoj vullnetit të Tij që, në trishtim,
Pas bindjes sjell veç gëzim.
Kur bëj atë që Zoti do,
Ai dhimbjes i thotë “Pusho!”

Këndoj, zemra e Perëndisë është plot dashuri,
Në ndëshkim nuk ndjen Ai kënaqësi.
Meqë për Të unë jam një bir,
Di se disiplina e Tij është për të mirë.

Sundimit e drejtimit Tënd lavde i thurr,
Udhëheqjes Tënde që nuk gabon kurrë.
Madje edhe rrugët nëpër natë
Bekimi Yt i ndriçon qartë.

Të këndoj në dhimbje, frikë e pikëllim
Edhe në të së nesërmes shqetësim.
Lavdërimi im për Ty do të mbetë
Refreni që do të këndoj përjetë.

Hirit dhe mëshirës së Tij i këndoj,
Dashurinë e Tij të përhershme lavdëroj.
Vërtet Ai është ndihmësi im
Në nevojë dhe në mundim.

Këndoj, trishtimi do të mbarojë,
Një ditë gëzimi do t’ia kalojë
Në qiellin plot shkëlqim,
Kur të jem me Zotin tim.