jump to navigation

Lutje kur duket sikur nuk po vjen përgjigje

Postuar tek: Lutja përmes rrugës së Jetës

Sa herë që lutjet e mia kanë mbetur pa përgjigje, Zoti, së pari, më ka bërë të pyes nëse ka pengesa për lutjen time. Shpesh Ai më ka treguar se ka qënë mëkati ai që pengonte, një mëkat për të cilin unë nuk kam qënë e ndërgjegjshme për shembull, shpirti i kritikës apo hidhërimit. Ja pse Zoti nuk dëgjonte. “Ja, dora e Zotit nuk është tepër e shkurtër për të shpëtuar, as veshi i Tij nuk është tepër i rënduar për të dëgjuar. Por paudhësitë tuaja kanë shkaktuar një ndarje midis jush dhe Perëndisë tuaj, dhe mëkatet tuaja kanë bërë të fshihet fytyra e Tij prej jush, që të mos ju dëgjojë më” (Isaia 59:1-2).

Shkrimet e Shenjta na japin shumë shembuj kur mëkatet janë pengesa ndaj lutjes: mosdashja për të falur (Mateu 6:15), inati, zënkat (1 Timoteu 2:8), mungesa e pajtimit (Mateu 5:23-24), përpjekjet për të përmbushur gjithë dëshirat epshore dhe pasionet egoiste (1 Pjetri 4:7; Jakovi 4:3), përfshirja në gjëra okulte (Ligji i Përtërirë 18:10-12), mosbindja (Gjoni 9:31), hezitimi për të rrëfyer mëkatin para njëri-tjetrit (Jakovi 5:16), lakmia, pra, kur japim meqë thuhet “jepni dhe do t’u jepet, një masë e mirë, e ngjeshur e tundur, gufuese. . . ” (Luka 6:38).

Kur vjen puna tek lutja duhet të kemi gjithmonë në mendje këtë gjë: “Sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e Tij janë të vëmendshëm të kapin britmën e tyre” (Psalmi 34:15; shih edhe Jakovi 5:16). Fjala e Perëndisë është e vërtetë dhe me vlerë. Shpesh, kur na është dukur sikur Perëndia nuk po u përgjigjej lutjeve tona, Ai na ka treguar se nuk mund t’u përgjigjet atyre, pasi nuk mund të numëroheshim mes” të drejtëve”.

Nuk ishim të drejtë para Perëndisë sepse zemrat tona nuk ishin mbushur me pendim. Ata që pranojnë me përulësi dështimet e tyre të përditshme para Perëndisë dhe njerëzve, vetëm ky lloj njerëzish, janë të drejtë para Tij. Mëkati i tyre fshihet nëpërmjet gjakut të Qengjit.

E marrë në tërësinë e saj, natyra jonë mëkatare nuk përbën një pengesë për lutjen. Nëse do të ishte kështu, Peiëndia nuk mund t’u përgjigjej kurrë lutjeve tona. Jo, pengesë për lutjen është mëkati i parrëfyer, prej të cilit ne nuk duam të shkëputemi. Nevojitet që të shkojmë tek kryqi me një zemër të dërmuar dhe të rrëfejmë fajin tonë para të tjerëve, sepse jemi plot pendesë dhe ndiehemi keq. Nevojitet që, duke filluar një faqe të re, të heqim atë që e trishton Perëndinë apo njerëzit për rreth. Atëherë Perëndia mund të jetë përsëri i hirshëm dhe t’u përgjigjet përsëri lutjeve tona. Kaq e kaq herë e kemi përjetuar këtë në Motërinë tonë. Për shembull, nëse dy motra kishin një mosmarrëveshje dhe pastaj e zgjidhnin këtë, “veshët e Perëndisë hapeshin përsëri” dhe lutjeve tona u jepej përgjigje.

Sidoqoftë, për lutjet që s’kanë marrë përgjigje mund të ketë edhe një arsye tjetër. Perëndia nuk iu përgjigjet lutjeve të një zemre të pabindur. Shërbëtori që kishte marrë vetëm një talent tha se Perëndia ishte “i ashpër” (Mateu 25:24). Vetëm ata që e kanë shpirtin si ai i një fëmije mund të futen në zemrën e Perëndisë. Ata i besojnë dhe veprojnë sipas besimit të tyre duke e ditur se Ai është Ati i tyre që dëshiron t’i ndihmojë. Ata besojnë se Ai gjithmonë ka një zgjidhje gati dhe se ka vetëm qëllime të mira në mendjen e Tij.

Perëndinë do ta përjetojmë në jetën tonë të lutjes pikërisht ashtu siç i kemi mendimet për Të. Nëse mendojmë e themi se “Ai është një zotëri i ashpër”, do të përjetojmë ashpërsi – ashtu si edhe shërbëtori që u flak në errësirën e jashtme. Ose shih popullin e Izraelit. Në shkretëtirë ata nuk besuan se Perëndia kishte qëllime të mira. Përkundrazi, menduan se Perëndia donte që ata të humbisnin në shkretëtirë. Si rezultat ata vërtet nuk arritën të futen në tokën e premtuar. Për arsye të qëndrimit pa besim të tyre ndaj Perëndisë, ai brez humbi në shkretëtirë. Joshua dhe Kalebi, të cilët i besuan Perëndisë, ishin të vetmit që mbijetuan 40 vjetët e endjes nëpër shkretëtirë dhe që u lejuan të futeshin në Kanaan. Kurdoherë që pabindja dhe rebelimi ndaj Perëndisë gjejnë vend në zemrat tona, një mur pengese ngrihet, mur i cili nuk lejon që gjërat e mira, të cilat Perëndia dëshiron të na japë, të arrijnë te ne. Dhe atëherë lutjet tona mbeten pa përgjigje.

Hapi i parë që duhet të ndërmarrim për të pasur përgjigje për lutjet tona është të shqyrtojmë ndërgjegjen tonë, në mënyrë që Zoti të mund të na tregojë pengesat e lutjes që përmenden në Shkrimet e Shenjta. Hapi tjetër është të kërkojmë pendimin dhe të fillojmë nga e para. Kërkesa e domosdoshme për të pasur përgjigje ndaj lutjeve është të pasurit e një marrëdhënieje të drejtë me Perëndinë – pa asnjë mosbindje të fshehur – gjithashtu edhe të pasurit e një marrëdhënieje të drejtë me njerëzit.

Përveç qëndrimeve dhe veprimeve të mëkatshme, mund të ketë edhe një arsye tjetër përse lutjet tona nuk marrin përgjigje – të paktën për pak kohë. Perëndia mund të jetë duke na përgatitur. Në këtë rast, fakti që lutjet tona mbeten pa përgjigje duhet të na nxisë që të vazhdojmë në lutjet tona. Perëndia pret më shumë lutje dhe më shumë besim nga ana jonë. Gjatë marrjes se tokës sonë të Kanaanit, e cila na nevojitej për shërbesën tonë, ne dolëm përballë një vështirësie pas tjetrës. Dukej sikur Perëndia nuk po u përgjigjej lutjeve tona. Megjithatë, plani i Tij ishte që të na i jepte Kanaanin dhe të nderonte lutjet tona. Por kësaj i bashkangjitej një kusht – duhej të mos hiqnim dorë prej lutjeve tona. Ndërkohë që përgjigja për lutjet tona vononte, ne po përgatiteshim shpirtërisht që në Kanaan të bënim një jetë në Frymën e Tij. Të priturit e plotësimit të lutjeve tona ishte një shkollë përgatitore për ne. Të priturit na mëson të bëhemi të duruar. Na mëson të qëndrojmë fort dhe të vazhdojmë në besimin tonë. Na bën të përulur. Na pastron dhe na transformon.

Çdo herë që vazhdojmë të qëndrojmë në lutjet tona ngaqë përgjigja nuk na jepet menjëherë, nevojitet të shohim nëse kërkesa jonë është në përputhje me vullnetin e Perëndisë. Shkrimi i Shenjtë na tregon se kjo është një kërkesë e domosdoshme, veçanërisht kur lutemi për të tjerët. Ose nganjëherë marrim një premtim të qartë, i cili duhet të kërkohet në një vazhdimësi lutjeje. Mund të jemi të bindur se për kë,të lloj lutjeje do të marrim përgjigje, edhe sikur të duket e pamundur nga ana njerëzore.

Zgjidhja më e mirë ndaj gjithë problemit të lutjeve që mbeten pa përgjigje, në përvojën time, qëndron në unitetin me vullnetin e Perëndisë. Nëse gjithë lutjet tona i bëjmë me qëndrimin “Jo atë që dua unë por atë që do Ti”, atëherë do ta dimë se aktualisht nuk ka lutje që të mos plotësohen. Perëndia i dëgjon ato të gjitha. Na mbetet që thjesht t’ia le më Atij mënyrën si dhe kohën kur do të përgjigjet për to. Vetëm Ai e di se ç’është e mirë për ne dhe Mbretërinë e Tij. Meqënëse është dashuri, Perëndia gjithmanë do të na drejtojë në rrugën më të mirë. Nëse e dimë këtë gjë, atëherë nuk do të habitemi më nëse Ai u përgjigjet lutjeve tona në një mënyrë apo në një kohë të ndryshme nga ajo që ne prisnim.