jump to navigation

KAPITULLI 8: ME ANË TË LUTJES ARRIN TEK PERËNDIA

Postuar tek: Ndryshoje Botën me anë të Lutjes

Lutja i ka duart e gjata dhe mund të arrijë deri në qiell. Bibla mëson këtë të vërtetë me simbolin e duarve të ngritura në qiell gjatë lutjes. “Le të ngremë lart zemrat tona dhe duart tona në drejtim të Perëndisë të qiejve (Vajtimet 3:41). Në Dhjatën e Vjetër gjejmë një shembull të parë përsa i përket betejës së Izraelit kundër amalekitëve, kur populli i Perëndisë i udhëhequr nga Jozueu luftonte ndërsa Moisiu i mbante duart lart në shenjë përgjërimi. Lexojmë: “Dhe ndodhi që kur Moisiu ngrinte dorën e tij Izraeli fitonte; përkundrazi kur e ulte dorën, fitonte Amaleku. Por duart e Moisiut ishin rënduar kështu që ata morën një gur dhe ia vunë poshtë, ai u ul mbi të ndërsa Araoni dhe Huri ia mbanin duart, njëri nga një krah tjetri nga krahu tjetër; kështu duart e tij mbetën të palëvizura deri në perëndimin e diellit. Prandaj Jozueu mundi Amalekun dhe njerëzit e tij duke i prerë me shpata.

Pastaj Zoti i tha Moisiut: “Shkruaje këtë ngjarje në një libër, që të mos harrohet kurrë…” (Eksodi 17:11-14). Duart tona të ngritura arrijnë frymërisht fronin e Perëndisë. Është e vërtetë se mund të recitosh lutje që nuk shkojnë më lart nga koka jote, por kur lutesh në Frymë, sipas vullnetit të Perëndisë, në emrin e Jezusit, lutja jote arrin në qiell! Tek 1 Timoteut 2:8, Pali na nxit: “Dua, pra, që burrat të luten në çdo vend, duke ngritur duar të pastra pa mëri dhe pa grindje”. Kjo a do të thotë se ne duhet t’i ngremë duart sa herë të lutemi? Sigurisht që jo. Perëndia dëshiron që ne t’i ngrejmë Atij zemrat dhe shpirtrat tanë. “Te ti, o Zot, e lartoj shpirtin tim” (Psalmi 25:1; 86:4; 143:8). I ngremë apo jo duart, është në frymën dhe në vetë thelbin e lutjes që ngremë te Perëndia sytë tanë frymërorë dhe zemrën tonë.

ME ANË TË LUTJES MUND TË NDIKOSH TE NJË PERSON TJETËR

Krahu i lutjes tënde jo vetëm mund të arrijë qiellin, por mund të arrijë në çdo pjesë të botës dhe nga vendi yt i ndërmjetësimit mund të shkosh te dikush që ka nevojë për ty, edhe pse është larg me mijëra kilometra. Kjo nuk është fantazi, por një e vërtetë frymërore. Nuk do ta harroj kurrë çastin kur, shumë vjet më përpara, ndodhesha në Indi, ndjeva se duhet të lutesha për djalin tim. Ishte pasdite e një të diele dhe gjendesha vetëm në shtëpi. Për një çast u ndjeva i shtyrë të lutesha për të dhe fillova të lutesha, deri në atë pikë saqë nuk e kuptova se koha kishte kaluar. Papritur m’u duk se isha gjunjëzuar pranë Xhonit, me dorën mbi shpatull, duke u lutur për të. Nuk kujtoj për sa kohë u luta dhe as çfarë thashë, por di se krahu dhe lutja ime ishin shtrirë me mijëra kilometra që kalonin toka dhe oqeane, aq sa imagjinova se dora ime ishte mbi shpatullën e Xhonit.

Gjithçka dukej kaq normale saqë mu duk se isha afër tij. Më pas, i qetësuar, u ngrita për të dhënë mesazhin tim në takimin e mbrëmjes. Për shkak të angazhimeve munda t’i shkruaja djalit tim vetëm pas drekës së ditës së nesërme. Në letër i shkruajta: “I dashur Xhon, nuk e di se çfarë nënkupton kjo gjë për ty, por duhet të ketë ndodhur diçka. Ka shumë ditë që po mendoj shumë dhe jam duke u lutur për ty. Dje pasdite, ndërsa isha gjunjëzuar në dhomën time, m’u duk se isha gjunjëzuar pranë teje, me dorën mbi shpatullën tënde”. Ndërsa po vazhdoja të shkruaja trokiti dera. Ishte postieri që më dorëzoi një telegram. Aty shkruante: “Perëndia është Zoti im. E mora vendimin tim. Të falënderoj për mësimin, dashurinë dhe lutjen tënde. Xhoni”. Rashë në gjunjë ndërsa lotët binin në faqet e mia. Perëndia më kishte lejuar të prekja me një dorë fronin e qiellit dhe me dorën tjetër shpatullën e djalit tim. Disa ditë më pas më erdhi letra ku djali im më shpjegonte gjithshka. Në atë çast, ndërsa po lutesha në Allahbad, në Indi, djali im, në Shtetet e Bashkuara, i kishte dhënë zemrën Zotit.

TI MUND TË NDIKOSH NGA LUTJA E DIKUJT

Një herë tjetër, në qershor të 1962, më thirrën në Los Angelos për një takim të jashtëzakonshëm të Këshillit Administrativ të shoqërisë tonë misionare. Atëherë ndodhesha në Landour, 2000 metra në lartësinë e Himalajës, dhe atë mbrëmje duhet të nisesha për në Shtetet e Bashkuara. Isha në zyrën time dhe po shpejtoja të bëja korrespondencën kur fillova të ndjehesha keq. Më dhimbte gryka dhe ndjeva se kisha temperaturë. Fillova të lutesha që familjarët të mos e kuptonin se sa keq ndjehesha, sepse kisha frikë se nuk do të më lejonin të nisesha. Më vonë ata më shoqëruan në stacionin e autobusit pa e kuptuar që ndjehesha keq. Kur autobusi u nis, mbështeta kokën në sedilje sepse ndjehesha shumë keq për ta mbajtur drejt. Të njëzet e pesë kilometrat e rrugës, deri në Debra Dun, qenë për mua një torturë. Në Debra Dun i hipa trenit për në Dehli. Atë natë, ventilatorët dhe dritat e karrocës tonë nuk funksiononin.

Temperatura ime u ngrit dhe duhet të luftoja kundër të vjellave dhe dhimbjes së kokës. Mendova: “Ah sikur të takoj të paktën një besimtar dhe ti kërkoja të lutej për mua”. Papritur, ndërsa treni po ecte në errësirë, ndjeva sikur një dorë më kishte fshirë ballin. Menjëherë, temperatura, dhimbja e kokës, të vjellat dhe dhimbja e grykëve u zhdukën dhe e ndjeva veten mirë. Për momentin mendova “Kush do të jetë lutur për mua?”. Gjithmonë, përpara mesazhit, tregoja këtë përvojë: “Nëse sot ndodhem këtu është ngaqë dikush është lutur. Nuk e di se kush ka qenë, por unë e ndjeva dorën e tij”.

Kur mbërrita në Los Angeles, gjeta një letër për mua; e hapa dhe aty lexova se rreth orës 21:15 të asaj dite të nisjes time nga Landour, shkruesi kishte ndjerë se duhej të lutej për mua. Po, bëhej fjalë pikërisht për atë orë dhe ditë. Nuk ka rëndësi nëse kam ndjerë dorën e atij që u lut, apo bëhej fjalë për dorën e një engjëlli, si përgjigje e lutjes. Atë natë të nxehtë të qershorit, lutja kishte përshkuar shumë kilometra dhe kishte lënë shenjën e saj mbi një tren që më çonte larg. Përse nuk i provojmë më shpesh efektet e lutjes? Ndoshta pak persona kanë një vesh të ndjeshëm ndaj zërit të Frymës së Shenjtë. Shpesh jemi shumë larg Zotit për të qenë të ndjeshëm ndaj udhëheqjes së Tij. Megjithatë, ky është realiteti. Lutja i ka krahët e gjata dhe mund të arrijë qiellin dhe çdo cep të botës, në çdo çast. Në një farë mënyre lutja na bën ndërmjetës të bekimeve të Perëndisë.

NDËRMJETËSIMI I TRE PERSONAVE

Nëse Perëndia na lejon të jemi ndërmjetës bekimesh, kjo bazohet në ndërmjetësimin e Krishtit në Kalvar dhe në atë aktual, pranë fronit të Atit. Tek 1 Timoteut 2:5 Pali shkruan: “Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë midis dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri”. Pastaj, në tre vargjet, shton: “Unë dua që në çdo vend burrat të luten, duke ngritur duar të pastra, pa mëri dhe pa grindje”. Perëndia dëshiron që të jenë tre për të ndërmjetësuar. Në fakt, Perëndia Bir rron gjithmonë që të ndërmjetësojë për ne (Hebrenjve 7:25). Edhe tani është duke ndërmjetësuar për ne në të djathtë të Perëndisë (Romakëve 8:34).

Përveç kësaj, Perëndia Frymë ndërmjetëson për ne me psherëtima të patregueshme (Romakëve 8:26). Por sipas planit të Perëndisë, ndërmjetësimi i Tyre, edhe pse vazhdon, nuk është i plotë nëse nuk bashkojmë ndërmjetësimin tonë me atë të Tyre. Krishti lutet nga froni në qiej, ballë për ballë me Atin. Por neve, qenieve njerëzore, që jemi të dobët dhe të kufizuar, të shpëtuar me anë të hirit të Perëndisë, na është dhënë një privilegj i pabesueshëm për të arritur qiellin dhe për të prekur vetë fronin e Perëndisë. Dhe në këtë pikë bashkimi në lutje, që Perëndia ka caktuar, është i plotë. Në një ndjenjë të shenjtë ne marrin pjesë me Krishtin, duke ndërmjetësuar bekimet e Perëndisë dhe Perëndia e bekon botën nëpërmjet lutjes tonë. Lutja na bën të prekim me një dorë fronin e Perëndisë dhe me tjetrën nevojat e botës!